Në Kanada, kreu i shtetit uron të gjithë muslimanët për festën e Kurban Bajramit. Në Gjermani, në lagjen ku jeton tezja ime organizohen nga bashkia vendase aktivitete festive. Ndërsa këtu në Turqi ku jetoj, shtrohen pritje për studentët larg familjarëve të tyre. Ndërkohë, një biznesmen anonim blen një nga tregjet e fruta-zarzavateve për një ditë të tërë në mënyrë që i gjithë produkti të jepet falas për nevojtarët.
Ndërsa në Shqipëri …eh! Në vendin e mjerë matanë detit merren me fenomene “e lagu s’e lagu”, apo “hyp se të vrava, zbrit se të vrava”.
Edhe sot, si çdo fillim “sezoni” për punëtorët e industrisë së islamofobisë (sezonin që kaloi qe tema e “mbulimit” të femrave në plazhe), u hap një debat i ri. E në qendër të debatit ishin përsëri…gjejeni pak… muslimanët, kjo shumicë fetare që na pëlqen ta përmendim me ndërkombëtarët vetëm kur në skenë shpaloset tema e “tolerancës fetare” ndër vite. Shumicë kjo që po të kishte qenë pakicë kushedi si do të kishin shkuar punët me këtë të ashtuquajtur tolerancë. Dhe në fund të fundit, kush e prodhon tolerancën?
Në Kanada kanë Justin Trudeau ne kemi … disa politikanë që urojnë duke ironizuar në lidhje me “mbulimin” e Skënderbeut apo që vajtojnë kafshët e therrura. U deshën vetëm 24 orë dhe gazetat e portalet u mbushën me më shumë se 40 artikuj dhe fushata “Je Suis Scanderbeg” mori dhenë.
Personazhe publikë, me një hipokrizi të madhe dhe me një dashuri të paprecedent filluan të indinjohen dhe të prenoncohen lartë e poshtë nëpër rrjete sociale. E paprecedentë kjo dashuri sepse shfaqet vetëm në rast Bajrami, ndonëse e gjora shtatore urinohet ditën për diell dhe mbulohet me monitor natën (gjatë koncerteve dhe fushatave partiake).
Një tjetër fushatë që ka rënë më pak në sy është ajo pseudo-vegjetariane-vegane-kafshëdashëse e cila proteston ndaj therrjes së kafshëve në rast të një feste. Kafshët therren në malin e Tomorrit gjatë pelegrinazhit masiv çdo vit, therren për dasma vipash por jo vetëm. Po mos të shkojmë aq larg: sa kafshë therren për konsum ditor në të gjithë vendin, për shërbim restoranti, kateringu apo qoftë nga therrtoret për në shtëpiat tona? Ah, jo, por problemi është që këto mund të therren për domosdoshmërinë e të ushqyerit por mos të therren për rast festiv! Atëherë ç’duhet të themi për gjelat e Vitit të Ri? Ah, jo por problem janë muslimanët. Kjo shumicë kafshëtherëse dhe statujëmbuluese.
Dhe si përfundim kemi fushatën anti-shami e mbulesë islame. Ç’lidhje ka shamia me Skënderbeun? Nuk ka fort lidhje jo, por lidhjen dikush ia gjen me çdo kusht duke e sajuar qoftë me një fjalë në titull, qoftë me aludime dhe spekullime duke përdor fjalë si: perde, shami, perçe, burkë, etj.
Atë ditë sigurisht që nuk u mbulua Skënderbeu, por padyshim që u zbulua një mllef që rri i fshehur ndër gjokse për të shpërthyer në rastin më të parë. Ama asnjë dëm nuk mund t’u bëjnë muslimanëve, të jenë të bindur për këtë, por tolerancën fetare, produkt i tyre, ndër vlerat e mbetura ende të kësaj shoqërie, edhe mund ta varrosin. Prova e qartë u dha këto ditë. /tesheshi.com/