Njeriu, si krijues, parimisht i jep vetes detyra primare, por edhe sekondare, gjatë jetës, por gjatë rrugëtimit si qenie ndodh që valët e jetës ta hedhin në brigje që nuk i ka planifikuar. Për të qenë më rezistent që nga zanafilla, njeriu ka tentuar që të organizohet në grupe të ndryshme, si formale dhe joformale, që t’u bëjë ballë erërave të jetës, e që njëherësh të kryejë obligimin e vet në vendin ku jeton. Njeriu, për të qenë në hap me kohën dhe kërkesat që imponon rrethi ku jeton, si ato kohore dhe shoqërore, mundohet të jetë pjesë e organizatave të ndryshme, që përmes tyre t’i realizojë më lehtë planet, që përmes socializimit brenda grupit të ndikojë në shoqërinë në përgjithësi.
Pa tentuar që t’i japim përparësi organizimit politik në krahasim me organizatat e tjera shoqërore, si ato joqeveritare dhe grupet e ndryshme të shoqërisë civile, mendoj se organizimi politik, aq sa është sfidues, njëherësh ka dhe përparësitë. Thuhet se kultura e një populli matet me atë se sa mundet ta organizojë shtetin; njëherësh shoqëritë njerëzore gjatë historisë kanë përjetur mënyra të ndryshme të qeverisjes, si qeverisjen monarke, autoritare, diktatoriale, e rrallëherë qeverisje ku është dëgjuar zëri i popullit. Demokracia, si term, është i lashtë, por në praktikë është përhapur në shekullin e kaluar, edhe po vazhdon me intensitet edhe më të madh të përhapet, së paku me emër pothuajse në çdo shoqëri. Dihet se parim i demokracisë është konkurrenca e lirë, si në organizimin politik dhe ekonomik, ku çdo qytetar ka të drejtë të votojë dhe të votohet, e të jetë aktiv në rrethin ku jeton.
Natyrisht, ne si popull kemi patur fatin që historikisht mos ta shijojmë vetëqeverisjen dhe të marrim fatin në duart tona, por të qeverisemi dhunshëm nga pushtuesit e ndryshëm. Për gjysmëshekulli kishim fatin të jemi pjesë e bllokut dhe ideologjisë komuniste, ku lideri ishte fjala e fundit si për politikë, zhvillim ekonomik dhe organizim shoqëror në përgjithësi. Përderisa Shqipëria funksiononte si shtet i pavarur, por kishte fatin që të përjetojë një diktaturë komuniste sa që edhe Koreja e Veriut do ia kishte lakmi, ndërsa shumica e popullit shqiptar mbeti jashtë territorit të shtetit shqiptar, ku pjesa dërmuese e trojeve shqiptare mbetën nën pushtimin dhe administrimin e Jugosllavisë, me përjashtim të Çamërisë, nën shtetin e Greqisë. Për nga qeverisja, Jugosllavia, edhe pse shtet monist për nga politika, në ekonomi kishte shenja të liberalizmit, ku mund të përmendim të drejtën për të zotëruar pronën private të luajtshme dhe të paluajtshme dhe për të ofruar në treg produktet zakonisht bujqësore; kjo praktikë në Shqipëri dhe në bllokun komunist nuk mund të paramendohej. Fillimi i viteve ‘90 rezultoi me rënien e ideologjisë komuniste dhe socialiste në shumicën e vendeve të Lindjes, në këtë rast edhe të Gadishullit Ballkanik. Por shteti serb, përgjatë viteve ’90, përkundër shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, ende i jepte të drejtë vetes si trashëgimtare e Jugosllavisë, duke mbajtur me masa të dhunshme Republikën e Malit të Zi, Kosovën dhe Vojvodinën, si dhe me konflikte të njëpasnjëshme me të gjitha ish-republikat e Jugosllavisë, ku fundi i viteve ‘90 rezultoi me luftën mes Kosovës dhe Serbisë.
Si Kosovë kishim fatin që tranzicionin tonë, si politik dhe ekonomik, ta fillojmë si një vend i dalur nga lufta, që përveç shkatërrimit si ekonomik dhe humbjes në njerëz, Kosova ishte e papregatitur të funksionojë me sistemin shumëpartiak, me ekonominë e tregut, me një liberalizim si politik dhe ekonomik. Shtresa e vetëquajtuar intelektuale në Kosovë, aq sa ishte e devotshme ndaj parimeve marksiste, brenda nate të gjithë u bënë demokratë, dhe me plot gojën duke e shprehur djathtizmin së paku verbalisht dhe duke bërë konkurrencë se kush po e merr bajrakun e djathtizmit. Me çlirimin, Kosova u administrua nga protektorati ndërkombëtar i quajtur UNMIK, që më atoritarizmin e tij diktonte që Kosova të jetë sistem shumëpartiak, dhe me këtë mundësi brenda një kohe relativisht të shkurtër e kaluan numrin 50 subjekte të registruara pranë OSBE-së në atë kohë dhe në vazhdim të hapen edhe tani subjekte prej më të ndryshmëve, së pari për nga emri dhe orientimet, por shumica pa vetëdije kopjojnë Perëndimin. Shumica e liderëve dhe zyrtarëve të lartë të po këtyre subjekteve politike, duke u munduar me humb gjurmët si ish-të devotshmit e parimeve të marksizëm-leninizmit si brenda Jugosllavisë, por edhe të ndikuarit nga ish-ideologjia komuniste e shtetit shqiptar, që të tregohen demokratë para faktorit perëndimor vazhdonin me akuzat e ndërsjella në mes vedit për të kaluarën e oponentëve të tyre; sa për të treguar devotshmërinë, tentuan që të anëtarësohën pranë partive djathtiste europiane.
Pra, partitë djathtiste dominojnë, por vetëm me emër dhe me disa statute të kopjuara nga partitë perëndimore me orientim djathtist, ndërsa partitë me orientime majtiste, si LPK-ja (Lëvizja Popullore e Kosovës), nuk kishin ndonjë ndikim dhe pjesëmarrje në politkën kosovare. Këtë brishtësi politike e shfrytëzuan edhe njerëz të besimit si musliman dhe katolik për të hapur parti politike, si Partia Demokristiane e Kosovës dhe Partia e Drejtësisë, të regjistruara si parti konservatore, por vetëm në statut si të tilla, ndërsa gjatë fushatave për të qenë pjesë e parlamentit dilnin si mbrojtëse të besimit të caktuar, sipas përkatësisë fetare të liderëve dhe anëtarësisë. Në skenën politike kosovare veprojnë edhe disa parti të komandantëve të luftës, që për nga ideologjia nuk e kanë idenë, por vazhdojnë të marrin votën e qytetarit në emër të luftës edhe mbas 17 viteve çlirim dhe 9 viteve si shtet i pavarur. Skenës politike kosovare në prag të shpalljes së pavarësisë i shtohet edhe partia me orientim liberal Aleanca Kosova e Re (AKR) e miliarderit Behxhet Pacolli, që nga fillimi është e deklaruar qartë si parti kryesisht liberale, si nga ana politike dhe ekonomike. Po ashtu, si parti e deklaruar qartë si majtiste regjistrohet pranë KQZ-së ish-lëvizja Vetëvendosje, me të njëjtin emër, por tani si organizatë politike. Duke qenë deshmitarë të kohës, lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca Kosova e Re, pa marrë parasysh penalizimin nga ana e qytetarit me votë, e kanë shprehur orientimin ideologjik.
Përgjatë këtyre viteve, pa marrë parasysh orientimet ideologjike për të joshur qytetarin, të gjithë subjektet politike, përveç që ofendonin njëri-tjetrin, me ose pa vetëdije premtonin ekonomi të tregut, të liberalizimit ekonomik, integrime europiane, rritje ekonomike, zhvillim ekonomik, ulje të papunësisë, si dhe cila është më patriote se tjetra, duke e verbuar dhe manipuluar qytetarin e varfër të Kosovës për 17 vite. Përgjatë këtyre dy dekadave treguan që në agjendë të politikave të tyre nuk është ekonomia; kjo tregon më së miri që mbas fushatave me plot gojën për ekonomi liberale, partitë që arrijnë koalicion po të njëjtat orientohen në skemat sociale duke rritur pensionet dhe pagat, përkundër rritjes së dobët ekonomike, e aq më pak të zhvillimit ekonomik, ku si rezultat i kësaj qeveritë e Republikës së Kosovës kanë marrë vërejtje nga Fondi Monetar për rritjen e shpenzimeve në paga të sektorit publik dhe pensione.
Kjo tregon më së miri që shumica e partive politike në Kosovë e kanë vetëm dekor dhe maskë orientimin e tyre në ekonominë liberale, kur dihet që parimet e ekonomisë liberale janë të orientuara në ekonomi investive, dhe ku vepron ligji i konkurrencës së plotë, dhe si rezultat i këtyre qeverive, rritja ekonomike nuk vëreheti por që në deklarimet e tyre për të manipuluar opinionin nuk përmendin shifra, por vetëm përafërsisht kemi pas kaq rritje ose do të kemi. Se sa janë larg ekonomisë liberale dy shtyllat, si rritja ekonomike që tregon sasinë, si dhe zhvillimi ekonomik apo cilësia e jetës së qytetarit, partitë politike, përveç që kanë dështuar në rritjen ekonomike me ose pa vetëdije kur është fjala për zhvillimin ekonomik, pra, te cilësia e jetës së qytetarit dhe e ndarjes në proporcion të drejtë të të mirave, në këtë rast elita politike kosovare është treguar syçelë në favor të krijimit të pasurisë së paligjshme, duke keqpërdorur pasurinë e shtetit përmes tenderëve dhe zbrazëtirave që i bëjnë me qëllim në ligje për t’u mbrojtur nga drejtësia. Po kjo oligarki politike jeton në mirëqenie që ua ka për lakmi edhe Perëndimi. Si vend i dalë nga lufta, këta liderë kanë krijuar pasuri që sipas parimeve ekonomike është e paarsyetueshme; po t’i krahasojmë të ardhurat e tyre përmes pagave, nuk ua lejojnë të hyrat reale gjithë ato pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme dhe luksin enorm.
Me që ndërgjegjja dhe politika rrallëherë takohen, për t’u treguar vendin, dhe njëherësh për t’i vetëdijësuar partitë politike, duhet të gjejmë diagnozën, duke i bërë pyetje vetvetes se sa janë partitë politike për zhvillimin e vendit dhe rritjen ekonomike, në ndarjen e drejtësisë sociale pa dallim rajoni dhe ngjyrim politik, duke i ndarë në mënyrë të barabartë investimet. Për të ndryshuar ky kurs i partive politike, është koha e fundit që në zgjedhjet e ardhshme të ketë një ngritje të vetëdijes së qytetarëve dhe të aktivizimit të mediave që profilizimi ekonomik të kërkohet nga subjektet politike, të evidentohen prioritetet e tyre për ekonomi. Thelbi i çështjes është se sa do të garantojnë lidhjen e ideologjisë politike me atë ekonomike dhe kristalizimin e elaburimin e ideve rreth ekonomisë liberale. Është koha e fundit që politika dhe platformat e partive politike të udhëhiqen nga ekonomistët, në mënyrë që debatet e tyre politike të reflektojnë në zhvillim ekonomik.
Për fatin jo të mirë, ende në Kosovë nuk ka një institut serioz për krijimin e politikave ekonomike, dhe si rezultat i kësaj kemi parti politike me orientim jo të qartë dhe ende ekonomistët janë nën hijën e politikës ditore, dhe deri më sot nuk ka asnjë strategji të mirëfilltë të politikave ekonomike, platformë të qartë të zhvillimit ekonomik e social, për të ofruar rrugëzgjidhje të ekonomisë kosovare. Argumenti më i mirë se sa partitë dhe elita politike janë larg parimeve liberale është dallimi dhe standardet e dyfishta kur është fjala për njerëzit e pushtetit, ku qytetari i Kosovës është i pafuqishëm kundrejt pushtetarëve, dhe duke ulur krenarinë dhe nderin e vet vazhdon të nëpërkëmbet para kësaj oligarkie politike. Për të ndryshuar kjo gjendje nuk duhet të presim që të vetëkorrigjohen partitë politike, por duhet të ngrihet vetëdija e qytetarit, duke i penalizuar me votë që të mos të jenë komode partitë politike. /tesheshi.com/