Imazhet e refugjatëve sirianë të bllokuar në kufij dhe në staciona trenash, për të mos përmendur fotografinë përndjekëse të trevjeçarit të mbytur në brigjet turke, kanë nxjerrë në pah domosdoshmërinë për të bërë më shumë për ata që i ikin luftës.
Zemërim i veçantë ka rënë mbi shtetet arabe të Gjirit, Arabia Saudite, Bahreini, Kuvajti, Katari, Omani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat i kanë mbajtur dyert të mbyllura fort për refugjatët.
Midis kritikave, është e rëndësishme të vihet në dukje se shtetet e Gjirit nuk kanë qëndruar duarkryq duke parë apo nuk kanë bërë asgjë për refugjatët sirianë.
Ato kanë bërë dhe bujaria e individëve, në disa raste, ka qenë mbresëlënëse.
Mbledhjet e bamirësisë kanë grumbulluar në total me qindra mijë dollare, madje dhe kur punëtorët e industrive kombëtare në këto vende, si p.sh të naftës në Katar u pyetën nëse do të dëshironin të kontribuonin me një pjesë të pagës së tyre për refugjatët sirianë, shumë prej tyre pranuan.
Shtetet e Gjirit kanë dhënë në total rreth 900 milionë dollare përmes organizatave të bamirësisë dhe donacioneve individuale. Siqodoftë, ndërsa lufta në Siri është zgjatur vit pas viti, të gjesh burime për refugjatët që jetojnë në kampe, është bërë e vështirë.
Bota duhet të gjejë zgjidhje të tjera për të përballuar këtë lëvizje masive të popullsisë, pasi sirianët, të lodhur nga lufta dhe të drobitur në kampe ku ka pak shpresë për përmirësim të jetës sociale apo financiare, kanë nisur të largohen nga zona e konflikit drejt një të ardhmeje më të sigurtë e më të begatë.
Shkurt, të gjesh ushqim dhe strehë për njerëzit që jetojnë në kampe ishte një zgjidhje për problemin që ekzistonte deri dje. Problemi më i ngutshëm sot është të gjesh vend për qindra mijë njerëz se ku të jetojnë, dhe këtu është pika ku vendet e Gjirit kanë nisur vërtet të mos kenë përgjigje.
Ndërsa shtetet e Gjirit kanë lejuar një numër shtetasish sirianë (Arabia Saudite thotë se ka pranuar 500 mijë që prej vitit 2011) së pari si krah pune, ato nuk kanë pasur një politikë të qartë për strehimin e refugjatëve që arrijnë në mase, pa sponsorizim dhe pa leje pune.
Shpjegimi që kërkon kjo situatë duhet parë në druajtjen e shteteve të Gjirit sa i takon stabilitetit politik brenda vetë këtyre shteteve dhe në terma më të mëdha, edhe sa i takon identitetit civil dhe nocionit se çfarë përfaqëson një qytetar i shteteve të Gjirit.
Shtetet e Gjirit janë të shqetësuara për infiltrimin e personave që duan të hakmerren ndaj mbështetjes që ato kanë dhënë për kryengritësit në Siri.
Në vitin 2012 ndërsa lufta me Bashar al-Assad nisi të bëhej gjithnjë e më shumë një garë konkurrence midis interesave të shteteve sunite të Gjirit dhe aleatëve të lidhur me Iranin, nisën edhe frikërat e mëdha se sirianët, besnikë të presidentit, do të infiltroheshin në këto shtete dhe do të hakmerreshin.
Skanimi i udhëtarëve sirianë që mbërrinin në shtetet arabe të Gjirit nisi menjëherë, dhe u shënuan më shumë vështirësi në punësimin e sirianëve, në dhënien e lejeve të punës dhe rinovimin e atyre ekzistuese.
Kjo politikë nuk ka ndryshuar ende, me Katarin, Arabinë Saudite dhe Emiratet në veçanti, ekstremisht të shqetësuara për rrezikun e mundshëm që besnikët e Assad të godasin.
Kjo atmosferë u ruajt në shtetet e Gjirit për gati tre vjetët e fundit, ndërsa celulat e të dyshuarve për terrorizëm kapeshin pa rënë në sy dhe njerëzit ndaloheshin pa shumë bujë, edhe pse asnjë provë direkte e një komploti nga besnikët e Assad nuk ka dalë në sytë e publikut.
Për më tepër, fluksi i mijëra sirianëve në këto vende, përnjëherë, do të kërcënonte balancat tepër delikate demografike mbi të cilën shtetet e Gjirit bazohen që të ruajnë funksionalitetin.
Për shembull, qytetarët e Emirateve dhe Katarit llogariten vetëm 10 për qind të popullsive në vendet respektive. Sidoqoftë, pjesa më e madhe e banorëve janë punonjës të përkohshëm që qëndrojnë aty për arsye ekonomike.
Të huajve u lejohet banimi nëse ata ose bashkëshortët e tyre kanë punë me kohë të plotë, nuk ka mundësi të qëndrosh në mënyrë të përhershme në vendet e Gjirit nëse nuk ke punë, dhe pasi përfundojnë kontratat, pothuajse të gjithë emigrantët kthehen në shtëpitë e tyre.
Kjo është mënyra sesi Gjiri funksionon, me një përqindje të lartë të punonjësve, që u lejon banorëve vendas të shteteve arabe të ruajnë statusin dominant, pa u shndërruar në minorancë nga arabët e vendeve të tjera apo punonjësit nga jugu i Azisë.
Kështu, ideja e mijëra të huajve që mbërrijnë papritur, pa punë dhe pa datë të saktë kthimi, është tepër e padurueshme për shtetet e Gjirit.
Nuk ka asnjë precedent (as edhe në eksodin palestinez të vitit 1948) që mund të krahasohet me shkallën e kërcënimit demografik të refugjatëve sirianë për identitetin e Gjirit dhe përbërjen sociale në të. Dhe shtetet e Gjirit, thjesht nuk kanë një përgjigje për pyetjet që ngre kriza e refugjatëve sirianë.
Kritika të shumta kanë marrë ato se nuk po hapin dyert.
Eshtë shumë e vështirë të shihet sesi këto druajtje të ingranuara me ndryshimin demografik dhe kërcënimin për identitetin, mund të shpërbëhen me anë të presionit të publikut apo diplomacisë, sidomos nga vendet perëndimore.
Ka shumë pak diskutim publik për të vendosur nën presion familjet udhëheqëse të Gjirit për të ndryshuar kurs.
Për më tepër, elitat e Gjirit ndjejnë se gjithë kjo rrëmujë, në radhë të parë, nuk do të kishte ndodhur nëse Perëndimi do të kishte bërë diçka më parë për të menaxhuar Assad-in dhe regjimin e tij.
Apelet nga liderët perëndimorë me shumë gjasa do të bien në vesh të shurdhër. /tesheshi.com/
Nga Michael Stephens, Royal United Services Institute, Doha
Perktheu: Juli Prifti