I dashur Albin,
Me fitoren tënde dhe të LVV-së në këto zgjedhje Kosova megjithatë humbi diçka të madhe. E humbi një opozitë e një opozitar të kalitur, që e ka kuptimësuar demokracinë e pluralizmin në Kosovë. Sigurisht për këtë humbje nuk mund të të fajësoj, sepse kjo është natyra e demokracisë. Përkundrazi, siç e kërkon rendi e formaliteti, duhet të të uroj për fitoren në zgjedhje. Por, unë nuk e kam ndërmend të të uroj për këtë. Kjo për arsye se as nuk jam formalist e as nuk e konceptoj pushtetin si uratë, si privilegj. Sepse ashtu siç është, pushtetin e shoh si barrë të rëndë, si detyrë të vështirë, si të rrezikshëm për tjetërsim të individit që mveshet me të. Prandaj, përmes këtij shkrimi, në vend të urimit, do të ofroj disa këshilla e sugjerime miqësore e qëllim-mira, përkatësisht thirrje, me shpresën se do t’i kesh parasysh gjatë kohës sa do të jesh në pushtet.
- Mos kthe borxhe partiake me kuletë të shtetit
Një prej arsyeve kryesore që shteti ynë është degraduar skajshëm në të gjitha fushat, është për faktin që të gjitha partitë që kanë ardhur në pushtet e kanë shfrytëzuar shtetin për të shpërblyer partinë, partiakët, përkrahësit e militantët partiakë përmes vendosjes në pozita të larta shtetërore e publike jo-kompetentët, përmes punësimeve pa meritë, përmes dhënies të tenderëve në mënyrë jomeritore, etj., etj.. Kjo, fatkeqësisht, është shndërruar në vlerë në vendin e shoqërinë tonë, shihet si normale, madje, dhe kjo është më e keqja, shihet edhe si e pranueshme ligjërisht e moralisht. Prandaj, kjo është sprova e parë që duhet ta kalosh me sukses. Duket e lehtë, por nuk është e tillë. Sepse duhet të bindësh mijëra individë, grupe interesi e biznese se shteti nuk është për të larë borxhet e partisë, se kjo nuk është vlerë, se kjo nuk është normale, se kjo nuk është e përligjshme as ligjërisht e as moralisht. Po e fitove këtë betejë, kjo është garanci se në Kosovë po fillon një mendësi e re qeverisëse. Po e humbe këtë betejë, kjo është garanci se në Kosovë është ndërruar vetëm partia që qeverisë, por jo edhe mendësia qeverisëse.
- Bëje transparencën partnerin kryesor në luftën kundër korrupsionit e nepotizmit
Korrupsioni e nepotizmi janë shndërruar në vrastarë masivë të vendit e të shoqërisë sonë. Andaj duhet luftuar këto dukuri deri në zhbërje. Për ta fituar betejën kundër këtyre dukurive e ke në dorë një armë shumë të fuqishme dhe shumë efikase, të cilën mund dhe duhet ta përdorësh: Transparencën! Të jesh i bindur se transparenca radikale, e kombinuar me standarde të larta, me kritere objektive e me procedura të qarta, është mënyra më e thjeshtë, më e shpejtë e më efikase për luftimin e korrupsionit e nepotizmit. Kjo gjithsesi ka një implikim të madh, përkatësisht kërkon sakrificë të madhe, sepse vendim-marrja nuk mbetet në duar të individit, as në duar të pushtetit. Vendim-marrja mbetet në duar të standardeve, kritereve e procedurave, duke i hapë derë kështu meritokracisë. Prandaj, të jesh i sigurt se transparenca e lufton korrupsionin e nepotizmin shumë më shumë e shumë më mirë se prokuroria e gjyqësia më efikase e botës. Kështu që, bëje transparencën partnerin kryesor në luftën kundër korrupsionit e nepotizmit.
- Mos u rrëmbe nga epshi për hakmarrje as afshi për pushtet
Të gjitha pushtetet e pasluftës në Kosovë, kur më pak e kur më shumë, të kanë luftuar, burgosur, maltretuar e trajtuar padrejtësisht. Për këtë e kanë përdorë e keqpërdorë shtetin e pushtetin. Prandaj, tani që ti je në pushtet, natyrshëm mund të aktivizohet dëshira e nevoja për hakmarrje ndaj individëve e grupeve të ndryshme që kanë qenë të padrejtë ndaj teje. Por, assesi nuk guxon të bëhesh ushtar i këtij epshi për hakmarrje. Padrejtësive të të tjerëve duhet t’i përgjigjesh me korrektësi e drejtësi. Ky është një standard i ri për vendin tonë, që duhet ta krijosh ti.
Në të njëjtën kohë, kujdes nga afshi për pushtet. Historia vendore e botërore na dëshmon se shumë politikanë e kanë nisur rrugëtimin e tyre drejt pushtetit me qëllim për t’i shërbyer vendit e shoqërisë. Por, pushteti ka fuqi verbuese e magjepsëse. Andaj, nga instrument qëllim-mirë, shumë lehtë e pavërejtshëm, mund të shndërrohet qëllim në vete, rrjedhimisht të bëhet i dëmshëm e i rrezikshëm. Vaksinohu kundër kësaj duke mos e projektuar veten përjetësisht në pushtet e duke e trajtuar pushtetin si e keqja e domosdoshme.
- Sigurohu që afër e rreth teje orbitojnë njerëzit e duhur
Pushteti, posaçërisht në vendet si ky i yni me sistem vlerash përmbysur, ka forcën tërheqëse të një vrime të zezë për njerëzit servilë, konformistë, putha-dorës, rrafsh-bërës, ego-përkëdhelës, e të ngjashëm. Prandaj, tani që je në pushtet duhet të ruhesh nga ky fenomen, sepse të tillët do të ta errësojnë realitetin e do të të shpien drejt vetë-kënaqësisë. E vetë-kënaqësia e pushtetarit është mallkimi i qytetarit. Kështu që, zgjidh për bashkëpunëtorë e udhëheqës njerëz të dinjitetshëm, me integritet personal e profesional, sfidues e kritikues, jo-konformistë e kundërshtues. E di që në planin personal mund të jetë shumë më e vështirë të punosh e të bashkëpunosh me të tillët, por për qeverisjen, për shtetin e për shoqërinë, vetëm nëse rrethohesh, punon e bashkëpunon me të tillët do të jetë e mirë dhe e dobishme.
- Vepro si pushtetar, por mendo si opozitar
Duke qenë në pushtet, normalisht që e ke për detyrë të sillesh si pushtetar, të marrësh vendime, pavarësisht çfarë thonë e mendojnë të tjerët, opozita, mediat, zërat publikë, qytetarët, etj.. Por kjo nuk do të thotë se nuk mund e nuk duhet të mendosh si opozitar. Është e kundërta, për gjithçka e vazhdimisht duhet të mendosh edhe si opozitar. Kjo të garanton se do të jesh vet-kritik, do ta respektosh e do ta trajtosh korrekt opozitën, do ta pranosh kritikën si duhet e do të përmirësohesh, nuk do të urresh e luftosh mediat e zërat publikë kritikë. Thënë më thjeshtë, nëse gjatë kohës sa je në pushtet mendon edhe si opozitar, atëherë do të jesh një pushtetar i përgjegjshëm e llogaridhënës.
- Mos vendos pikë-referencë të gabuar për krahasim e për sukses
Siç e dinë të gjithë në Kosovë, gjendja në vendin tonë është shumë e keqe në të gjitha aspektet e fushat. Prandaj, edhe nëse qeveria jote nuk do të punojë fare (mjafton të mos bëj keq, bile mjafton të mos bëj shumë keq), gjendja në Kosovë mund të fillojë të përmirësohet. Por, ky është standard shumë i ulët, është pikë-referencë krahasimi shumë e gabuar për ta vlerësuar suksesin e qeverisjes tënde. Nëse qeverisja jote e keqe del të jetë më e mirë se qeverisjet e stër-këqija të kaluara, ky nuk është sukses, është dështim. As zëvendësimi i minusit me zero nuk mund të quhet sukses, është dështim. Për ta vlerësuar mirë-qeverisjen tënde e suksesin e qeverisë tënde duhet të përdorësh për kriter vlerësimi nevojat e vendit dhe shoqërisë, të kombinuara me mundësitë reale që ke pasur në dispozicion. Thënë më ndryshe, vlerësoje qeverisjen tënde krahasuar me një të ardhme shumë më të mirë, jo me një të shkuar shumë më të keqe.
- Arsimin vendose krye-prioritet të qeverisë tënde
E di që je i vetëdijshëm për rëndësinë e madhe që ka edukimi e arsimi për një shoqëri. Por, nuk jam i sigurt që je po kaq i vetëdijshëm për thellësinë e gjerësinë e problemeve nga të cilat vuan arsimi në Kosovë. Prandaj, të lutem analizoje më shumë e më mirë këtë çështje dhe do të bindesh se arsimi në Kosovë ka nevojë për investime të jashtëzakonshme e për transformim radikal. Kjo nënkupton se arsimin duhet ta kesh vërtet krye-prioritet, e për këtë duhet konsensus i gjerë, kurbanizim të fushave të tjera e masa jo-popullore. Kjo vërtet është sakrificë e madhe, por e domosdoshme. Historikisht e simbolikisht sakrificat bëhen për gjërat e shenjta, andaj të tillë konsideroje e trajtoje arsimin!
I dashur Albin,
Vërtet i gëzohem faktit që ti do të qeverisësh me vendin tonë. Në të njëjtën kohë, lutem të mos kem qenë naiv kur i jam gëzuar këtij fakti.
Prandaj, për momentin: Lamtumirë Albin opozitari!
*Jusuf Thaçi është ekspert i fushës së arsimit, ish drejtor i arsimit në Prishinë, dhe drejtor i Institutit Atomi që merret me identifikimin dhe përkrahjen e personave me inteligjencë, dhunti apo talente të jashtëzakonshme.
/tesheshi.com/