Mbulimi i zgjedhjeve hollandeze të javës së kaluar është një provë e qartë se në median pro-Brexit, një kombinim i armiqësisë injorante dhe perceptimeve selektive vijon të ndikojë pikëpamjet për Europën. Ky qëndrim ka çuar Britaninë në largimin nga një organizatë të cilën nuk u kujdes kurrë ta kuptonte, me shpresën e një të ardhmeje që nuk e mori në shqyrtim. Tani ky qëndrim po e drejton Britaninë të keqkuptojë në mënyrë fundamentale vendet nga të cilat varet për të pasur një marrëveshje të arsyeshme Brexit.
Më shumë se 300 gazetarë të huaj zbarkuan në Hollandë në javët dhe muajt përpara zgjedhjeve. Shumë dukeshin se kishin ardhur me paramendimin se pas Trump dhe Brexit, do të binte një tjetër domino përkundër populizmit për shkak se partia anti –Islam, anti-BE dhe anti-emigrantëve e Geert Wilders po kryesonte sondazhet apo po bëhej gjithnjë e më e fortë. Kështu, këta gazetarë të huaj nisën të intervistonin votuesit e Wilders njëri pas tjetrit dhe gjeni çfarë? Ata të gjithë thanë se Wilders do të dilte shumë shumë mirë, dhe se Brexit është një ëndërr për çdo qytetar me mendje të shëndoshë në Hollandë.
Sa larg mund të shkojë injoranca? Një qeveri e drejtuar nga Wilders nuk ka qenë kurrë në diskutim. Po, Wilders ka kryesuar sondazhet për një periudhë të shkurrtër gjatë muajve të dimrit. Por ajo që media Brexit ose nuk e dinte ose zgjodhi të mos e ndante me lexuesit e saj është se kjo do të thotë një diçka shumë të ndryshme për shkak të sistemit të përfaqësimit proporcional. “Të kryesosh sondazhet” në Amerikë apo në sistemin britanik do të thotë “lideri i ardhshëm i vendit”. Në Hollandë, sidoqoftë, kryesimi i sondazheve do të thotë asgjë nëse asnjë palë nuk dëshiron të qeverisë me ty. Ky ishte rasti me Wilders, që kurrë nuk kaloi 25 për qind të votave në çdo sondazh.
Një zgjidhje, atëherë për shtypin britanik ishte të pretendonte se po rritej mbështetja për Wilders. Kjo tingëllon ogurzezë dhe lidhet bukur me rrëfimin për efektin domino. Shumë keq që nuk ka kuptim. Fakti është se Wilders shënoi një fitore shumë më të madhe në vitin 2010 me 24 vende. Ai më pas ra në 15 vende në zgjedhjet e vitit 2012, për të marrë vetëm 20 vende të mërkurën e kaluar. Kjo është një lojë me susta, e jo domino.
Wilders është një faktor i rëndësishëm në politikën hollandeze, por me vetëm 14 për qind të votës, ai është vetëm kaq. Historia reale e javës së kaluar në Hollandë ishte kolapsi historik i ekuivalentes hollandeze të partisë Laburiste – një nga dy shtyllat e konsensusit të pas-luftës. Historia tjetër ishte avancimi spektakolar për dy partitë që janë pa mëdyshje pro-BE: demokratëve dhe të gjelbërve. Mjafton kaq për kolapsin e mbështetjes për “projektin e rënë e në kalbëzim të BE-së” që aq shumë i pëlqen të flasë Daily Mail.
Për hir të së vërtetës, nuk ka asnjë vend në Europë ku një parti apo grup aprtish që kërkojnë largimin nga BE, i janë afruar mazhorancës. Po, Marine Le Pen, ndoshta po kryeson disa sondazhe në Francë, por ajo që media Brexit ose nuk e do ose nuk do ta theksojë, është se kjo po ndodh për shkak se kundërshtarët e Le Pen janë të përçarë. Në rastin e një balotazhi midis Le Pen dhe një kandidati tjetër – që duket të jetë skenari më i mundshëm – qoftë edhe një sondazh i vetëm nuk parashikon fitoren e Le Pen.
Pikëpamja bamirëse mund të jetë se është thjesht natyrale për median Brexit të shpresojë për një “Nexit” duke qenë se ata duan të shohin rënien e BE-së. Është gjithashtu e kuptueshme nëse gazetarët e opcionit për të qëndruar në BE shpresojnë për një Nexit – të paktën atëherë Britania mund të shihet si pioniere, dhe do të lehtësojë izolimin e saj. Megjithatë, ndoshta është koha që Britania të hedhë një vështrim mbi veten.
Për lajmin kryesor në lidhje me zgjedhjet hollandeze, “The Sun” shkoi deri aty sa të pretendonte në titullin kryesor se Wilders e kishte sjellë Hollandën “në prag të luftës civile”. Kjo është një deklaratë e fortë, sidomos për faktin që e vetmja luftë civile në Europën perëndimore në çerekshekullin e kaluar ishte në Irlandën e Veriut. Ajo përfundoi me marrëveshjen e së Premtes së Mirë, që tashmë është nën rishikim për shkak të Brexit. E ndërsa për idenë se BE është në pikën e shkrirjes… nëse ka një bllok në Europë që i është afruar thyerjes, nuk është BE por Mbretëria e Bashkuar tashmë që Nicola Sturgeon ka njoftuar se po kërkon një referendum të ri për pavarësinë në Skoci.
Britania prodhon një pjesë të gazetarisë më të mirë në botë dhe raportimet në “The Economist” dhe “Financial Times” nga reportër hollandisht-folës kanë hedhur ujë të ftohtë për alarmin ndaj një Nexit për muaj të tërë. Por këto publikime janë të interesuara për të vërtetën, aty ku shtypi pro-Brexit që zotërohet nga miliarderët mezi sa kërkon faktet që mund të përputhen me atë narrativë që pronari u ka thënë të tjerrin.
Ndaj është po aq ironike sa edhe e parashikueshme që e njëjta media pro-Brexit ka dështuar të shohë lajmet e mira që sollën zgjedhjet hollandeze për kampin e tyre. Wilders ka pretenduar me kohë se Brexit do të jetë një histori suksesi, dhe që Hollanda duhet të ndjekë këtë rrugë sa më shpejt të jetë e mundur. Sa më shumë rritet mbështetja për Wilders, as edhe më e madhe është nevoja që qeveria e ardhshme hollandeze ta dëshmojë se ai e ka gabim duke e kthyer Brexit një katastrofë për Mbretërinë e Bashkuar. Ky presion është ulur në mënyrë domethënëse tani që Wilders mori një mbështetje më të ulët nga sa pritej në zgjedhje.
Alas, për media Brexit që të shohë këtë fakt të thjeshtë, do të kërkohej që të bënin diçka që konsiderohet herezi në rrethet e tyre: të pranojnë që në negociatat e ardhshme, Britania nuk ka pothuajse asnjë letër fituese dhe do të varet nga vullneti i mirë i vendeve të BE-së për një marrëveshje të arsyeshme post-Brexit.
* Joris Luyendijk është autori i librit “Të notosh me peshkaqenët: udhëtimi im në botën e bankierëve” dhe ish-gazetar i “The Guardian” për blogun e bankave, që shpjegonte financat nga një perspektivë antropologjike.
Përktheu: Juli Prifti – /tesheshi.com/