Nuk ishte e habitshme që ata ishin të dëshpëruar që ai ta mbante gojën mbyllur. Në podiumin e Downing Street, Barak Obama përgëzoi mikpritësit, i bëri lustër referendumit për qëndrimin ose jo të Britanisë në Bashkimin Europian më 23 qershor si një çështje që i takon popullit britanik – e më pas, qetësisht, shkatërroi argumentet për Brexit.
Ishte makthi më i keq për ata që mbështesin votën e largimit nga BE. Me vite të tëra, madje me dekada, kampi anti-BE kishte sugjeruar se habitati natyral i Britanisë nuk ishte mes fqinjëve të vet kontinentalë, por në “anglosferë”, në atë system diellor të planetëve anglishtfolës që rrotullohen rreth Shteteve të Bashkuara. Pasi të çlirohej nga Brukseli, mund të përqafonte shpirtin e farefisnisë së Sidnejt, Torontos dhe sidomos Nju Jorkut, Uashingtonit e Los Anxhelosit. Kampi Brexit ka qenë prej kohësh si një burrë që ëndërron të lërë gruan për një tjetër grua që me të vërtetë e kupton.
Obama ishte kjo gruaja tjetër. Dhe sot, ai u tha atyre se fantazitë e tyre ishin thjesht fantazi. Së pari me fjalë të printuara e më pas, më drejtpërdrejt, personalisht ai shqiptoi se Amerika nuk ka ndërmend të formojë ndonjë marrëdhënie të re, më të ngushtë me Britaninë që lë pas krahëve BE-në. Në të kundërt, një Britani jashtë BE-së do të ishte në “fund të rreshtit” nëse do të kërkonte të negocionte për veten e vet një traktat të ri tregtar me Shtetet e Bashkuara.
Amerika, i tha ai audiencës britanike – prandaj përdori edhe fjalën “rradhë” e jo “rresht” – e pëlqen faktin që Britania tashmë është e martuar: funksionin vërtet shumë mirë për të treja palët e përfshira. Mesazhi i tij ishte pa dyshime. Mos vraponi drejt një divorci të nxituar për shkak se mendoni se ne po presim për ju me krahët hapur. Ne nuk po e bëjmë këtë gjë.
Me një goditje, ai ka dërrmuar jo vetëm pjesën thelbësore të argumenteve ekonomike të atyre që kërkojnë largimin – që do të ishte një lehtësim për Britaninë të largohet nga BE dhe të tregtojë vetëm e prosperojë si një komb i vetëm – por edhe diçka më të madhe: nocionin që një e ardhme më e ndritur jo europiane pritet të vijë. Obama e shpoi këtë flluckë.
Ai gjithashtu, shpjegoi se sigurisht kishte të drejtën të fliste, pavarësisht një letre të fushatuesit të Brexit, Liam Fox të nënshkruar nga 100 deputetë që e apelonin të qëndronte jashtë debatit. Ashtu si e shpjegoi Obama, meqënëse largim-kërkuesit ofrojnë “një opinion rreth asaj që SHBA do të bëjë, unë mendova se mund të kishit dëshirë të dëgjonit nga presidenti i Shteteve të Bashkuara atë që SHBA do të bëjë”. Dhe opinioni që ai dha ishte shkatërrimtar.
Që ai kishte të gjithë të drejtën të fliste, kjo ishte e dukshme, edhe me logjikën e vetë largim-kërkuesve. Ai dhe vendi që drejton janë thirrur të luajnë pjesën qendrore në alternativën utopike që na pret pas Brexit. Nëse ai dëshiron të na tregojë ne se ajo utopi është një iluzion, ne kemi nevojë ta dëgjojmë.
Prej këtej rrjedh edhe tërbimi i largim-kërkuesve. Ata e dinë sesa shumë do të minojnë fjalët e Obamës kauzën e tyre, sidomos pas një jave ferri për fushatën e tyre. Një javë që mbaroi me absurditetin kur një deputet i UKIP-it, u lëshua pa frena në anti-amerikanizëm, duke na dërguar pas në kohën e 1939-ës për të argumentuar se Shtetet e Bashkuara e kishin me ne që në atë kohë, duke e konsideruar luftën e dytë botërore si një mënyrë për “të shkatërruar ndikimin e Britanisë në botë”. Kur një parti e përcakton inatin me BE-në duke ia nxjerrë atë Shteteve të Bashkuara, e dini se gjërat po shkojnë mbrapsht.
E njëjta gjë është e vërtetë për fjalimin e gjatë të Boris Johnson, që është ngjyer në librin e madh të mençurisë politike të Donald Trump, ku sugjerohej se presidentit “gjysmë kenian” nuk mund t’i zihet besë për shkak se ai është i mbushur me urrejtjen e “paraardhësve” për Britaninë.
Çfarë zgjedhjeje interesante fjalësh kjo me “paraardhësit”! Jo “post-koloniale”, që mund të kishte definuar antipatinë e tij të supozuar në shekullin e 20-të, por “paraardhësit”që shkon mirë me “gjysmë kenian”. Ishte një kujtesë e një shuplake brilante që dikur Obama i jepte Trump-it kur manjati kërkonte të shihte çertifikatën e lindjes së presidentit. Nga podiumi i darkës së vitit 2011 me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, Obama tha se do të bënte mirë të tregonte videon e lindjes së tij. Ai menjëherë shfaqi një klip nga filmi “Mbreti Luan” ku Simba, këlyshi i sapolindur i tregohet tufës, – mënyra më e hijshme që mund të mendohet për të quajtur dikë racist.
Kjo gjë, aksidentalisht, është pika ku përfshirja në Brexit e ka katandisur Johnson-in. Mund të jetë ende e vërtetë se vendimi i kryebashkiakut të Londrës për të mbështetur votën e largimit – kur marrëdhëniet e tij elastike me parimet mund ta kishin dërguar edhe në anën tjetër – ishte politikisht e zgjuar, për shkak se garanton mbështetjen e selektimit nga konservatorët euroskeptikë kur ata të zgjedhin pasardhësin e David Cameron. Por edhe kjo zgjedhje ka një çmim.
Çdo ditë, Johnson bën ekip me Farage – i cili përsëriti togfjalëshin e tij “gjysmë kenian” – e kjo rrezikon ta nxijë Borisin. Meqënëse ai ka premtuar të jetë fytyra e gjithëpërfshirjes metropolitane, një konservator në gjendje të merret vesh me jo-konservatorët, pasi përmban më pak nga bagazhi partiak. Por kjo fushatë po e heq tutje këtë shkëlqim, duke na kujtuar se ai gjithnjë ka qenë fallco. Le të kujtojmë frazën e tij të dikurshme: “Problemi nuk është se ne kontrollonim dikur Afrikën, por se ne nuk e kontrollojmë më”.
Por në të vërtetë e gjithë fushatë e largimit nga BE e ka gjetur veten në qoshen e gabuar. Një lëvizje kundër BE-së nuk mund të jetë gjithashtu kundër Shteteve të Bashkuara, jo pa u konsideruar si një lëvizje që urren gjithkënd. Nuk është e këndshme të shfaqesh kundër një presidenti amerikan i cili, pavarësisht pozicionimit brenda vendit të tij, gëzon vlerësimin më të lartë në Britani dhe në Europë. Është tepër e parezistueshme të pyesësh: nëse Obama është për të qëndruar, dhe Trump e Le Pen janë për të dalë, në anën e kujt jeni ju?
Përktheu: Juli Prifti- /tesheshi.com/