Një mënyrë e dobishme për të testuar marrëveshjen që Donald Trump arriti me Kim Jong-un është të imagjinojmë se çfarë do të kishte thënë vetë Trump nëse do të kishte qenë Barack Obama në vend të tij që shtrëngoi duart me diktatorin korean. Trump dhe jehona e tij në Fox News apo gjetkë do të kishin derdhur kova me përqeshje mbi Obamën për copën e letrës që ai nënshkroi me Kim, për lëvdatat servile që ai derdhi mbi një tiran brutal dhe për koncesionet e vogla që mori në këmbim. Ai do ta kishte markuar marrëveshjen një “pakt të tmerrshëm”dhe do ta dënonte Obamën si një ventuzë që e nënshkroi.
Të shohim fillimisht atë që Kim mori nga takimi. Dikur i izoluar, Kim u trajtua si një burrë shteti botëror i barabartë me presidentin e Shteteve të Bashkuara, pasi të dy u takuan me kushte të barabarta, ashtu si edhe numri i barabartë i flamujve pas tyre ndërsa ata shtrëngonin duart. Tirani ka tashmë një pafundësi imazhesh – përfshirë shëtitjen në Singapor, ku ai u dynd nga turma që BBC i quajti “fansa”të cilët kërkuan të bënin selfie – e që do të shfaqet në videot e propagandës me muaj, në mos me vite të tërë.
Për më tepër, Trump e ngriti lart Kim si një “burrë shumë të talentuar… i cili e do shumë vendin e tij”, një burrë që presidenti amerikan e admiron për aftësinë e tij për të kontrolluar Korenë e Veriut në një moshë kaq të re dhe për “ta drejtuar atë fort”, siç e përmblodhi më pas në një konferencë shtypi.
Nuk pati asgjë të ngjashme me një dënim të rreptë të brutalitetit të regjimit të Kim – në të vërtetë, Trump e rezervoi fjalën “regjim” për administratën Klinton të viteve 1990. Dhe kur u pyet nëse ai kishte përmendur të drejtat e njeriut në bisedimet e tij, ai tha se ishin diskutuar vetëm “shkurtimisht”. Fjalët më të ashpra që ai përdori për një vend që po vdes nga uria njerëzit e vet në një situatë që ka kushtuar deri në 3 milionë jetë, ishin: “Është një situatë e vështirë atje.. është vështirë në shumë vende, meqë ra fjala”.
Kështu, Kim largohet nga Singapori pasi ka fituar shumë legjitimitet ndërkombëtar për diktaturën dinastike që ka kërkuar për dekada. Por, dhuratat nga Trump nuk mbarojnë këtu. Ai po ashtu njoftoi fundin e stërvitjeve ushtarake në gadishullin Korean – “lojërat e luftës”që, siç tha, ishin të kushtueshme dhe, me një gjuhë që mund ta kishte përdorur vetë Peniani, “shumë provokative”. Trump po ashtu la të kuptohej për një tërheqje të mundshme të 28 mijë trupave të stacionuara në gadishullin Korean.
Dhe çfarë i dha Kim Trump-it në këmbim të kësaj valixheje që shpërthen nga të mirat? Koncesioni kryesor, atë që Trump e përsëriti shpesh, ishte një premtim për “denuklearizim të plotë”. Trump e mbajti në ajër këtë premtim sikur të kishte qenë një angazhim nga Koreja e Veriut për të çmontuar arsenalin e saj, duke filluar punimet menjëherë. Për të qenë të sigurtë, një angazhim i tillë do të ishte një çmim i madh, i tillë që do të meritonte të gjitha përgëzimet mbi qendrën e prozhektorëve që Trump e merr për vete. Por këtu ka nevojë të shohësh me më shumë detaje.
Së pari, vetë teksti sa mezi thotë”: “DPRK angazhohet të punojë drejt denuklearizimit të plotë të gadishullit Korean”. Kim ka premtuar jo “denuklearizim të plotë”, por thjesht të “punojë drejt” këtij synimi. Negociatorët në të gjithë botën e dinë kjo është gjuha bishtnuese që përdoret kur formulon diçka më pak se një angazhim real. Kim ka ofruar vetëm një aspiratë, pa afate apo axhendë, jo një plan konkret.
Edhe nëse Kim do të ishte zotuar për “denuklearizim të plotë” kjo po ashtu do të ishte më pak se një arritje e pastër. Qëllimi afatgjatë i politikës amerikane ka qenë e tillë: çmontim i plotë, i verifikueshëm dhe i pakthyeshëm i arsenalit të Koresë së Veriut. Fjalët “i verifikueshëm” dhe “i pakthyeshëm” mungojnë tërësisht në marrëveshje.
Sërish, mendoni se çfarë do të kishte thënë kandidati Trump për këtë. Marrëveshja e Iranit, që ai e ka denoncuar rregullisht si “të tmerrshme” dhe nga e cila u tërhoq muajin e kaluar, përbëhej nga 110 faqe parashikimesh të detajuara – përfshirë edhe vendosjen e inspektorëve të Agjencisë së Energjisë Atomike, kamerave, vulave dhe gjërave të ngjashme – për të verifikuar përmbushjen nga Teherani të premtimeve të veta. Teksti i Singaporit, që sa mezi kap një faqe e gjysëm, as nuk i afrohet fjalës “i verifikueshëm”. Në të vërtetë, Trump nuk mund të merrte madje një angazhim nga Kim për transparencë bazike, për të hedhur dritë mbi qëllimin e aftësisë aktuale bërthamore të Koresë së Veriut, si për armët që disponon ashtu edhe për aftësinë prodhuese. Si mund ta dijë bota se çfarë ka çmontuar Peniani nëse nuk e di se çfarë disponon?
Në konferencën për mediat, Trump ngriti lart veten për arritjen e një guri kilometrik historik që i ka ikur paraardhësve të tij. Por del se Peniani tashmë ka ofruar zotime shumë të ngjashme në marrëveshjet që nënshkroi me Shtetet e Bashkuara në fillim të viteve 1990 dhe në vitin 2005. Në fakt, ato marrëveshje më të hershme bënin më shumë presion ndaj koreano-veriorëve: e para përfshinte edhe një regjim inspektimi, e fundit një proces verifikimi.
Nuk përbën habi që analisti Andrei Lankov në Seul deklaroi për marrëveshjen: “Ka vlerë praktike zero. Shtetet e Bashkuara mund të nxirrnin koncesione serioze, por nuk e bënë. Koreja e Veriut do të lartësohet dhe SHBA do të marrin asgjë”. Ekspertë të tjerë në kor e cilësuan marrëveshjen edhe më të “ngushtë”e më të “lirshme”sesa druheshin.
Sigurisht që është më mirë për botën që Trump dhe Kim të shtrëngojnë duart sesa t’i sulen njëri-tjetrit me fyerje e me kërcënime për luftë bërthamore. Për këtë duhet të jemi mirënjohës. Është po ashtu e mundshme që sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo mund të hyjë tashmë në detaje dhe të punojë për të mbushur boshllëqet. Por për momentin, ky është vetëm një moment historik për dinastinë Kim, regjimit të së cilës mbi një komb të skllavëruar , i është dhënë një nxitje e madhe. Ata do të jenë duke festuar. Për pjesën tjetër të botës, është një arsye më shumë për të mbajtur zi që kombi më i fuqishëm i botës është në duar kaq të paafta.
* Jonathan Freedland është kolumnist në stafin e së përditshmes londineze, “The Guardian”.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/