Edhe një javë nga inagurimi dhe gjithçka është në konfuzion. Të premten e ardhshme, Donald Trump do të thojë formulën dhe do të betohet si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por, ende askush nuk e ka idenë sesi duhet menaxhuar ajo që vjen. Politikanët, gazetarët dhe diplomatët në Shtetet e Bashkuara dhe në gjithë botën po kërkojnë për orientim, duke shfletuar dëshpërimisht librin e rregullave të lojës së aplikuar deri më tani, një manual plot me precedentë të mëparshëm dhe norma, me stërhollimin e të cilave janë marrë gati gjatë gjithë karrierës së tyre, por që Trump i dogji dhe i grimcoi muaj më parë.
Në kohë normale, madje edhe ato pak pjesë të çështjes së javës “dosieri i pistë” me baza të konsoliduara, do të mjaftonin për të ç’bërë presidentin e ardhshëm. Le të lëmë mënjanë, detajet sensacionale për ato që ndodhën në dhomat e hotelit në Moskë. Le të supozojmë se ato janë të pavërteta. Në vend të kësaj të fokusohemi në faktin që departamenti Amerikan i Drejtësisë kërkoi dhe me gjasa arriti të ketë garanci sekrete nga gjykata për të hetuar dy banka ruse dhe lidhjet e tyre me një seri bashkëpunëtorësh të Trump.
Sjellim në kujtesë sesa shumë e dëmtoi Hillari Klintonin fakti që FBI do të kontrollonte sërish përdorimin prej të serverit privat të email-eve. Pavarësisht asaj që ata gjetën –asgjë, siç doli – fakti i zbehtë që ajo ishte nën hetim e plagosi atë keq, madje, edhe duke i mohuar presidencën. Ndërkohë ne dimë tani që hetuesit federalë kanë qenë në kërkim të kalonin në sitë ekipin Trump jo për zakonin e dërgimit të email-eve, por për diçka shumë më të madhe e serioze: për lidhje të mundshme me një fuqi të huaj armiqësore.
Kemi mësuar, gjtihashtu, se dosieri përfshin edhe një pretendim për takime sekrete midis ndihmëve të Trump dhe zyrtarëve rusë. Tani, pretendimi nuk është konfirmuar dhe mund edhe të dalë, ashtu si këmbëngul Trump, “mbeturinë”. Por ai vjennga një dokument që është konsideruar mjaftueshëm i besueshme nga agjencitë e shërbimeve sekrete amerikane sipas asaj që këto të fundit deklaruan përpara presidentit Obama dhe presidentit të zgjedhur Trump gjatë seancës informuese.
Në të njëjtën linjë, dhe në një zhvillim tronditës, shtypi izraelit ka raportuar se zyrtarët e shërbimeve sekrete të këtij vendi janë këshilluar nga homologët e tyre amerikanë të mos ndajnë informacione me administratën Trump, pasi të dhënat mund të gjejnë rrugën e tyre drejt Moskës dhe nga atje, drejt e në Teheran. Efektivisht, këta “spiunë” amerikanë kanë thënë se vetë presidentit të tyre nuk mund t’i besohen sekrete, për shkak se Vladimir Putin ka “leva presioni” mbi të.
Në rrethana normale, vetëm fakti që hetime të tilla po ndodhin do të ishte mjaft për të penguar një president. Mirëpo asgjë nga këto rrethana nuk është normale. Në të vërtetë, mësimi nga viti i kaluar është se ajo që mund të shkatërrojë një politikan normal, shpesh mezi lë një gjurmë gërvishtjeje tek Trumpi. Ndonjëherë, madje, e bën atë edhe më të fortë.
Në këtë rast të veçantë, nuk ka asnjë garanci, në një përleshje midis agjencive sekrete dhe medias, nga njëra anë, dhe Putinit nga ana tjetër, që mbështetësit e Trump do të radhiteshin në anën e Putinit. Pas së gjithash, një sondazh i muajit të kaluar, tregoi se republikanët kanë një pikëpamje të favorshme për liderin rus, shumë më tepër sesa ata që miratonin Obamën, 37 me 17 për qind.
Nëse Trump e drejton gjithë zemërimin e tij tek spiunët – dhe ai sapo ka nisur – duke u kujtuar amerikanëve shpartallimin e armëve irakiane të shkatërrimit në masë që nuk u gjendën kurrë, duke përmendur në mënyrë të leverdisshme presionin që administrata Bush u bëri atyre për të prodhuar përgjigjet që ai donte të dëgjonte – kush mund të thotë se kjo është një betejë që ai nuk mund ta fitojë?
Çmimi do të jetë publiku amerikan që nuk do të besojë shërbimet sekrete, madje, edhe kur ato të paralajmërojnë për rreziqe të qënësishme për sigurinë kombëtare – por Trump nuk do t’ia dijë këtë këtë. Ai nuk e ka problem të kapërcejë mbi institucionet kyçe të republikanëve, përsa kohë kjo e ndihmon.
Gabimi është projektimi i Trump mbi standard që duhet të aplikoheshin normalisht. Le të marrim dramën paralele të kësaj jave, ndërsa disa nga të nominuarit e tij dolën përpara senatit për të konfirmuar detyrat e tyre. Ata ofruan të gjtihë fjalë të ëmbla për të dhënë siguri: kryeprokurori i ardhshëm këmbënguli se nuk ishte racist, sekretari në ardhje i Shtetit u betua se nuk ishte mik me Putinin. Zyrtarët e Uashingtonit pranuan këto ganxha komforti, sidomos kur Trump shkroi në rrjetet sociale një pranim të dukshëm se ekipi i tij i bashkëpunëtorëve më të lartë kishte kundërshti me të për disa çështje thelbësore: “Unë dua që ata të jenë vetvetja dhe të shprehin mendimet e tyre, jo të miat!”.
Por, çfarë do të ndodhë nëse kjo pavarësi me licencë është e gjitha një shfaqje? Ndoshta Trump nuk ka plan për t’i përdorur anëtarët e kabinetit për ndonjë gjë, por thjesht për panoramë.
Kritikët e Trump e shohin si një problem. Por, shumë shpesh ata përballen me Trump sikur ai të ishte një president normal, kufizuar nga konvencionet e zakonshme, përfshirë sikletin kur kapesh duke gënjyer. Por Trump nuk është një politikan normal. Ai nuk ka turp. Ndërsa pjesa më e madhe e politikanëve skuqen kur ekspozohen si jo koherentë, të mos flasim si të pandershëm, Trump nuk ka pikë sikleti.
Nuk ka asnjë precedent që të udhëheqë median apo ligjvënësit, për shkak se nuk ka pasur asnjë president amerikan të krahasueshëm me Trump. Nëse mbetemi tek libri i rregullave, tashmë i përzhitur dhe plot zhgarravina, do të bëjmë një gabim të madh.
Ai nuk është dhe nuk do të jetë presidenti normal. Ata, dhe ne, kemi nevojë të ndalemi së iluzionuari vetveten – dhe të nisim të kërkojnë mënyrën sesi duhet të përballemi me Trump për atë që ai është.
*Jonathan Freedland është kolumnist i përjavshëm dhe kontributor për gazetën londineze “The Guardian”. Gjithashtu, ai shkruan rregullisht edhe për “New York Review of Books”. Në vitin 2014, mori çmimin special Orwell për gazetarinë dhe ka publikuar tetë libra.
Përktheu: Juli Prifti – /tesheshi.com/