…Është e pashmangshme,vazhdon tendenca për t’ua mbushur mendjen njerëzve, e ndonjëherë edhe myslimanëve, se islami ofron një botëkuptim të vjetruar e të papërshtatshëm për kohën. Rrjedhimisht edhe terrorizmi i lidhur drejtpërsëdrejti me të. Sidoqoftë, më shumë rëndësi ka ç’mendojnë vet myslimanët për çështje të tilla, e pastaj vijnë në rend agnostikët, të krishterët,majtistët, djathtistët, ateistët, zen-budistët, anti-teistët etj, etj… Leximet/ shpjegimet e teologëve, filozofëve e mendimtarëve myslimanë rreth luftës, kanë për bazë referenca kuranore si ajo që prej 114 kaptinave (sureve), vetëm njëra: Et-tewbe, nuk fillon me formulimin e zakonshëm (Me emrin e All-llahut Mëshiruesit, Mëshirplotit). Kjo është njëra ndër kaptinat që zbriti përgjatë një periudhe lufte, në vitin 9 hixhri, përpara betejës së Tebukut, vazhdoi të zbriste gjatë fazës përgatitore për luftë dhe pas kthimit nga beteja. Të tillët nuk i lënë anash edhe referencat e tjera si: Nuk ka dhunë në fe (Kur’an, 2: 256); apo: Kush e mbyt një njeri (pa të drejtë), i cili nuk ka mbytur askënd, ose nuk ka bërë në tokë turbullira, është sikur t’i kishte mbytur gjithë njerëzit. E kush e ngjall (bëhet shkaktar për të jetuar dikush), është sikur t’i kishte ngjallur gjithë njerëzit (Kur’an 5:32), apo thëniet profetike si kjo: Besimtar është ai të cilët njerëzit i besojnë me gjakun e tyre dhe me pasurinë e tyre (vërteton Shejh Albani), Muhammedi a.s. Por këtu s’jemi për ta përvijuar këtë temë nëpër perspektivën teologjike sepse, konsiderojmë, kjo temë është shterur nga shumë të tjerë, duke mos lënë shteg për të dyshuar. Në perspektivat islamike, terrori nuk konsiderohet si mjet për realizimin e qëllimeve politike. Myslimanët nuk janë makiavelistë…
Vetëm një injorant (për të mos thënë idiot), mund të përdor formulime të tilla, të thata, rrjedhimisht edhe të pasakta kur bëhet fjalë për paqen dhe cenimin e saj në botë, në dobi kinse, të një konkludimi. Sepse ka plot që e identifikojnë në mënyrë automatike perëndimin si prodhuese të paqes ose edhe më lart akoma, si mbrojtëse e rendit të ri botëror (demokracisë, laicizmit e sekularizmit), ndërkaq lindjen si prodhuese të terrorit. Si rrjedhojë, ky lloj identifikimi, i ndërtuar mbi bazën e njohurive të cekëta, nuk është çudi edhe nëse prodhon dëshira të tilla fashiste: Islami duhet të ndalohet me ligj në Evropë! Mirëpo, pa ndjerë nevojë t’u përgjigjesh këtyre kualifikimeve, gjykimeve, e sugjerimeve të neveritshme e të papërfillshme, duhet të ndalemi për një çast, të marrim frymë dhe të themi: Po nuk është fjala për një marrëdhënie disavjeçare ndërmjet lindjes dhe perëndimit, por kontaktet e para nisen shumë shekuj më parë, pra për marrëdhënie shumëshekullore. Pra a ka përgjigje të shkurtë dhe të shpejt, për çështjet si lufa, paqja mbarëbotërore dhe terrorizmi? Jo, absolutisht jo! Kështu shumë më e saktë është një përgjigje që e gjejmë te romani i Tajib Salih, Koha e shpërnguljes në veri se sa te gjykuesit që përdorin kallëpet e njëjta sikurse ithtarët e ISIS-it, ku vetëm kahja ndryshon, për të ç’vlerësuar një kulturë, karshi tjetrës, për t’ia ngarkuar përgjegjësinë e luftës dhe terrorizmit. Por nuk është koha t’i rikthehemi fikcionit (s’jemi të gatshëm, jo pse s’është i vlefshëm), është koha të merremi me fakte. Qetësohuni njerëz, hipokritë të mirë, francezët s’janë të vetmet viktima të terrorizmit. 80 % e viktimave sipas ICRS-së (Qendrës Ndërkombëtare për Studimin e Radikalizmit), dolën të ishin myslimanë. Por përtej kësaj edhe vet francezët e kanë ushtruar këtë zanat në Algjeri dikur për shembull dhe duart e tyre, s’kanë mbetur aq të pastra as në shekullin e ri, kur bëhet fjalë për disa pjesë të Afrikës. Por, ta kemi të qartë: Ne prapëseprapë, jemi kundër terrorizmit, pa çka se historia po na ngatërrohet në këtë mes (Historia ndërmjet Francës e Algjerisë, Francës e Afrikës, Francës e Lindjes dhe jo vetëm…). Kërkimi i bilancit të viktimave ndërmjet palëve s’është gjë tjetër përpos idiotësi, sigurisht, pajtohemi, sidomos në qoftë se bëhet për t’i justifikuar terroristët e njërës palë në raport me tjetrën. A në qoftë se bëhet, për të kuptuar thellësinë e raporteve në rrafshin historik, për të kuptuar dramën e shpërndarë nëpër shekuj te popujt relevantë, është tjetër gjë. Shekulli XX na ka mësuar se asnjë doktrinë, nuk është, në vetvete, domosdoshmërisht çlirimtare, të gjitha mund të pësojnë shkarje, të gjitha mund të përçudnohen, të gjitha i kanë larë duart me gjak, komunizmi, liberalizmi, nacionalizmi, secila nga fetë e mëdha, madje edhe vet laicizmi. Asnjeri nuk ka monopolin e fanatizmit dhe anasjelltas, asnjeri nuk ka monopolin e humanizmit- thotë Amir Maalouf te libri i tij Identitete Vrastare në titullin e të cilit aludova. Është një libër bazë për të gjithë ata që duan t’i japin të drejtë vetës të flasin mbi përgjakjet identitare. Ajo që duhet shtjelluar tutje për sa i përket citatit të Maalouf, është ajo që ai ngulmon se: Të gjitha idetë e mira, mund të shndërrohen në parulla të të këqijve, të gjitha idetë e mira mund të prishen, të gjitha utopitë mund të shndërrohen në aversione të vetvetes. Mund të thërrasim brohorasim “Liri, liri!” dhe njëkohësisht, të jemi robëruesit më të mëdhenj. Maalouf e përvijon nëpër të gjitha kalesat historike, të marrëdhënieve ndërmjet kulturave, çështjen e lirisë, dijes, prosperitetit. E ballafaqon me shumë shembuj duke e ilustruar fort mirë panoramën e fajësisë me “kolorit” nga lindorë e perëndimorë, francezë e arabë etj.
Ju kujtohet njëri ndër heronjtë më të mëdhenj të fundshekullit njëzet dhe fillim shekullit njëzetenjë i botës së sportit Zinedin Zidane (Yezid Zeyneddin Zeydan (1972)), qe si të thuash, një prodhim i një lloj amalgame ndër-kulturore. Njeri që është treguar i ndërgjegjshëm për marrëdhëniet Francë – Algjeri, duke e shprehur nëpërmjet deklaratave të tilla si: Babai im është algjerian, ai është krenar për atë që është. Dhe unë jam krenar që babai im është algjerian. Por kjo nuk e ka zbehur ndikimin e tij në jetën sportive… Zinedin Zidane nuk është përjashtimi, por shembulli i një terroristi po. Këtu qëndron formula e mbijetesës, te njerëzit si Zidane, sepse ai kurrë nuk e përjashtoi kulturën e vet, nuk e ndjeu të domosdoshme ta braktiste islamin, asnjëherë. Gjithashtu, miliona francezë, kurrë nuk ia vunë në dilemë vlerat e tij prej sportisti, nga shkaku që ishte mysliman.
Edhe ne solidarizohemi me ata që vuajnë, jemi në krah të tyre, por kur sheh se si peshohet një viktimë e një vendi perëndimor, në raport me të gjitha viktimat e gjeografive të tjera, s’ka si të mos shkaktohet një ndjenjë pështirosjeje. Të krijohet përshtypja se, çmimi i lëkurës së njerëzve të pafajshëm, është më i lirë në disa tregje luftërash. Sikur lëkura e njëqind sirianëve, palestinezëve apo irakianëve nuk vlen sa një lëkurë francezi… Jo, jo më mirë të mos bëjmë asgjë.
Një gazetar dhe aktivist i njohur kosovar, në kuadër të debateve që shpërthyen nëpër rrjetet sociale, shprehu shqetësimin në lidhje me atë, siç e quajti ai: Provën për të dënuar një hipokrizi nga njëra palë. Meqë dua ta bëjë pjesë të debatit, qe edhe statusi i tij i plotë: Po shof argumente se mungesa e keqardhjes per viktimat ne qytete te Lindjes, e ben solidaritetin me ate qe ndodhi ne Paris nje hipokrizi. Derisa viktimat e pafajshme padyshim duhet te shkaktojne te njejten dhimbje pa marre para syshe nga jane ato, fakti se viktimat ne qytetet ku sot mbizoterojne konfliktet e armatosura jane ne mase te konsiderueshme te shkaktuara nga vete shoqerite Myslimane dhe vetem pjeserisht rezultat i hipokrizise se Perendimit, nuk mundet me u injorue. Terrori nuk ka asnje arsyetim, kurse shoqerite qe sot perballohen perdit me skena si keto te Parisit, para se gjithash po paguajne çmimin e instrumentalizimit te religjionit. Prandaj edhe sot shume njerez, pjestarë te shoqerise shqiptare, qe fyejne solidarizimin me viktimat ne Paris, ne fakt duke provuar te denoncojne nje hipokrizi, bijne vete ne kurthin e hipokrizise.
#MeParisin
Le ta ndjekim logjikën e tij për një çast, le të themi që faji i viktimave të pafajshme, viteve të fundit, kudo në botë, e veçmas në lindje, është më shumë i shteteve islamike. Pra le ta thërrasim botën që t’ia ndalojë Afganistanit prodhimin e armëve bërthamore! Le të rreshtohemi me njerëzit e mirë që po përpiqen ta detyrojnë Bosnjën, Kosovën e Shqipërinë t’i largojnë luftanijet e shpërndara nëpër oqeane! Iraku t’i zhbëjë bazat raketore në Evropë, Afrikë, Azi e gjetiu! India (pjesa myslimane), ta ndalojë represionin e saj në vendet perëndimore! Siria të mos i ndërhyjë Rusisë, të mos i shes armë, t’i largojë formacionet ushtarake dhe mbi të gjitha: Të mos i përzihet në çështjen e saj të brendshme, në rrëzimin e diktaturës… Por pritni, do të thonë proletarët e paqes, të gjitha vendet me popullsi myslimane që ti po i përmend, pa përjashtim, janë larg së qeni prodhuese të armëve të shkatërrimit në mas. Me dhjetëra shekuj, ato qëndrojnë larg zhvillimit ekonomik e rrjedhimisht edhe teknologjik, për të qenë prodhuese dhe shitëse të armëve. Pra lufta qenka biznes? Pra ata që i eksploatojnë kulturat e lindjes, vetëm për të nxjerr dëshmi, arsyetime, shkaqe për t’i nënrenditur shoqëritë myslimane, karshi perëndimorëve dhe fundja e fundit qenka për t’i justifikuar luftërat? Me një fjalë vrasja e identiteteve (përçmimi, nënrenditja e një kulture në raport me një tjetër), duket, duhet t’i paraprijë vrasjeve fizike.
P.S Ka një numër librash, që kurrë s’kam mbërri t’i përfundoj, jo për shkakun se nuk më kanë pëlqyer, por për shkakun që u rikthehem shpesh, i rilexoj. Kur shpërtheu debati për Parisin, m’u kujtua njëra nga to dhe ju ktheva asaj: Identitete vrastare të Amir Maalof. Ky libër më bënë të mendoj me më shumë kujdes, më bëjnë të shtroj pyetje, t’i formulojë ndryshe e ndryshe. Ndërkohë që po e shfletoja, mu kujtua Afrika, kontinenti më i pasur me minerale të çmueshme dhe me resurse të mëdha mbitokësore. M’u kujtuan edhe vendasit, të radhitur ndër popujt më të varfër në glob. Ç’paradoks! Të ndodhesh pranë një pasurie shpirtërore a materiale, nuk do të thotë të jesh zotërues i saj. Kështu duket ngjanë me ata që kujtojnë se janë më pranë kulturës perëndimore e më së paku e zotërojnë (njohin atë), ngjashëm me disa myslimanë që kujtojnë se jetojnë më pranë islamit dhe fare pak zotërojnë (njohin).
Viktimat e terrorit në Paris, viktimat e Bejrutit, Turqisë, Afganistanit, Afrikës dhe kudo tjetër, duhet të peshojnë njësoj në ndërgjegjen tonë, të jemi kundër terrorit, kundër shkaktarëve të dukshëm e të padukshëm, do të thotë të jemi më pranë projektimit të paqes së përgjithshme për tërë njerëzimin. E vetmja utopi për të cilën ja vlen të luftojmë. /tesheshi.com/