Të Zotit janë lindja e perëndimi; ngado që të shkoni, aty do të jetë prania e Zotit. Vërtet, Zoti është i gjithëpranishëm, është i gjithëdijshëm. (Kur’ani, 2:115)
…po, po, ne kemi njohuri elementare sa për të mos i ngatërrua dallimet substanciale/ semantike ndërmjet emrave: Arabi, arab/ë dhe Mbretëri Saude. Prandaj, le të mos çuditen kalemxhinjtë e shtypit shqip që pa u hamendësua po i hedhim në koshin e plehrave artikujt që për temë kanë islamin, Lindjen e Mesme, apo ndonjë segment të kulturës a civilizimit islam (pra ata artikuj nëpër të cilët bëhen këto ngatërrime elementare). Se po i bëre këto gabime, rrezikon të marrësh këshilla prej”trutharësh shqiptarë, mbrojtës të fesë islame” – do të thoshte i mençuri E. Robelli. Por edhe nëse dikush vë veten në sprovë dhe guxon të na flet për këto çështje të ndërliqshme, ja ku jemi ne që ta mbrojmë lëçitësin me sqimë. Ja ku jemi ne, do t’ia largojmë ato pjesë të kalbura të mollës, në mënyrë që ai që ushqehet me të, të mos vjell fill mbas shijimit të parë. Kur bëhet fjalë për politikat e mbrapshta të Mbretërisë Saude, vitin që shkoi, për Kohën Ditore, më saktë për rubrikën 7 shkronjat (që atëbotë përgatitej nga gazetari Uran Krasniqi), ndër të tjera patëm thënë:
TRENDET. Trendet më të përhapura sot në botën virtuale, janë matësit më të mirë të gjendjes sonë. Disa janë simptomet që tregojnë se si kemi lejuar të vet-robërohemi nga teknologjia. Ndërkohë që anti-humanizmi ka kapluar një pjesë të mirë të botës, ne prodhojmë piskama virtuale, të cilat nuk e zgjojnë dot botën nga letargjia. Fundja një vizion më i shëndosh, do ta shpalonte qëllimin e krijimit të këtyre mekanizmave, të cilët me gjasë janë hapësira ku shpërlahen në mënyrë masive trutë. Kur arrij të çlirohem nga dhuna mediale/ virtuale, i falë lirinë e plotë vetes, madje edhe t’i lexojë disponimet politike të shteteve si Mbretëria Arabe, SHBA e Izraeli, karshi zhvillimeve në botën e lindjes. Tua kujtoj: Pas rrëzimit të sistemit demokratik në Egjipt të udhëhequr nga Morsi, Arabia derdhi fonde të mëdha në përkrahje të qeverisë diktatoriale që erdhi më pas. Marrëdhëniet e Egjiptit me Izraelin u përmirësuan, aq sa kjo e fundit e pranoi të shndërrohej në ndërmjetësues në bisedimet me Palestinën. A s’ju bën edhe juve të mendoni?
Qëllimi në këto përgjigje të limituara pat qenë formësimi i një mendimi kritik karshi politikave agresive të jashtme të SHBA-ve, Izraelit dhe Mbretërisë Arabe në relacion me zhvillimet në Lindjen e Mesme. Nuk kemi pasur frikë aspak kur në bankën e përgjegjësisë i kemi vu këto shtete, të cilat herë hapur e herë fshehurazi, për vite me radhë, kanë ruajtur partneritetin në bërjen e politikave në këtë pjesë të globit. Një shoqëri infantile fill të cilëson si antiamerikan, po qe se shpreh kundërshtinë tënde ndaj luftërave që SHBA-të i bëjnë në lindje, pa çka se ka mijëra shtetas amerikanë, që vetiu janë të pajtimit me ty. Kjo mendësi është e ngjashme me ata pak zëra që të cilësojnë si anti-mysliman po e kritikove Mbretërinë Saudite për politika të ngjashme. Por fundja të kritikosh Mbretërinë Saude, me tone të rënduara, nuk do të thotë që po e kritikon islamin. Gjuha arabe është gjuha e Kur’anit, por kultura arabe nuk është kultura islame! ( T. R). Islami nuk është pronë e arabëve, por se di pse, të shumtët gjakojnë t’ia hedhin mbi kurriz vetëm atyre. Thënë ndryshe Kultura e Civilizimi Islam nuk është produkt i vetëm një etnie dhe kjo të bëhet e ditur sapo t’i mësosh të dhënat e para mbi jetën e filozofëve, dijetarëve, të ndriturve e bartësve kryesor të këtij civilizimi. Po të ra të shfletosh për shqiptarin Hasan Tahsini (1811 – 1881), egjiptianin Seid Kutub (1906-1966), afrikanin Ahmet Didat (1918 – 2005), francezin Maurice Bucaille (1929 -1998), afro-amerikanin Malkolm X (1925 -1965), boshnjakun Alija Izetbegoviç (1925 – 2003), apo të atyre që janë në zenitin e veprimtarisë, si fjala vjen francezin Tarik Ramadan (1962), amerikanin Hamza Yusuf (1960) etj, etj, (apo klasikët myslimanë: Imam ebu Hanife, Imam Shafiu, Imam Maliku, Imam Hambeli, Al Kindi, Al-Farabi, Ibn Sina, Ibn Rushdi, Al Ghazali etj), do të kuptosh pse sot 1.62 miliardë myslimanë, nuk përbëhen vetëm prej arabëve, që brenda kësaj shifre mund të cilësohen si minoritet.
Megjithatë, megjithatë, jemi të pashpresë sa u përket atyre që për model e marrin Veton Surroin, i cili sa jep shenja që ka lexuar për islamin, del me qenë më i padituri prej “islamologëve”. Një lexues merakli e kapë rrëshqitjen e tij të madhe sa hasë një mendim perlë të tij kur thotë: …myslimanët, ndryshe nga katolikët që kanë Vatikanin apo Ortodoksët që kanë Patriarkanën e Stambollit nuk kanë një qendër nga ku mund të përfytyrohej reformimi… E fali këtë lexues të dëshpëruar kur e kupton që gjithë atë kohë leximi e ka çuar dëm. Sepse kjo këtij lexuesi i tingëllon si të thuash: Problemi me budistët është se ata nuk e kanë një libër të shenjtë ose, ose problemi me ateistët është se ata nuk kanë një Profet, nga mësimet e të cilit, do të mund të përfytyrohej reformimi!!! Për të mos rënë pre e këshillave të “trutharëve” (siç do të thoshte E. Robelli ynë), ne edhe mund t’i rekomandojmë kalemxhiut që provon të jep leksione rreth demokracisë, pluralizmit, respektit e tolerancës ndërfetare nga perspektiva islame, të lexojnë libra kapitale në këtë fushë si ai i Sejjid Husein Nasr Filozofia Islame (filozofia në tokën e profetësisë), Identitete vrastare të Amin Malouf, Islami të autorëve Ziauddin Sardari e Zafar Abbas Malik, Islami ndërmjet lindjes e Perëndimit të Alija Izetbegoviç etj, e kështu të iluminohet sadopak rreth asaj se ç’përfaqëson të qenit mysliman. Sidomos thelbësore është të kuptuarit se pse ky nocion, përjashton urrejtjen ndaj tjetrit, qoftë perëndimor, lindor, verior a jugor. Është budallallëk të vazhdosh të mendosh se myslimanët e vërtetë urrejnë perëndimin (SHBA-të, Evropën etj), sepse myslimanët s’mund të jenë urrejtës të vetvetes. Myslimanët, pse jo edhe ata shqiptarë, mund të jenë kundër çdo politike agresive, qoftë ajo me prejardhje perëndimore a lindore sepse kjo në të vërtetë i bënë më të mirët e shoqërisë. Thirrja në të mirë e ndalimi nga e keqja – është porosi nga profeti Muhammed (a.s), dhe kjo na bënë të reagojmë, e kemi detyrë të përditshme, jo pse u takojmë natyrave reaksionare.
E risollëm në krye të këtij shkrimi një copë interviste për 7-shkronja-t dhënë vitin e kaluar, e po e shkëpusim edhe ndonjë shkronjë/ fjalë tjetër, për të rrumbullakuar gjithë këtë orvatje (sidomos për t’i dhënë kahe një përgjigjeje të mundshme rreth kulturës së tolerancës e mirëkuptimit ndërfetar):
IDEALI. Ideali ynë duhet të jetë paqja* e gjithëmbarshme dhe gjithëpërfshirëse, për tërë planetin. Kjo është një ide utopike, njëherësh edhe ide utilitare, por e vetmja për të cilën ja vlen t’i shpenzojmë energjitë deri në fundin tonë. Prirem kah idetë e tilla, ani pse vet realiteti është një kundërshtues mizor i të gjitha ideve me ngjyrime të ngjashme. Mund të jetë variant i gabuar i leximit/ interpretimit, por kështu i lexojë edhe librat e shenjtë, pastaj edhe kryeveprat e të mëdhenjve si: Rumi,Gëte, Shekspir, Basho, Gibran etj, etj. Çdo rrugë tjetër duhet të jetë e shkurtër dhe ka një përfundim të keq. Duke u nisur nga silogjizma më e thjeshtë, se: Paqja është e dobishme për mua, për tjetrin prandaj edhe për gjithë njerëzimin, mund të thërrasim qysh tash në një përpjekje për realizimin e saj. E kush nuk është përkrah nesh, është kundër nesh dhe kundër vetvetes! *(Shpjegim shtesë: Sipas botëkuptimit sosyrian, fjala Paqe, e shqiptuar në gjuhën angleze, nuk bart peshë më të madhe kuptimore se sa e njëjta fjalë, por në një gjuhë tjetër. /tesheshi.com/