Sapo më treguan një status të gazetarit Dritan Hila në të cilin akuzon “trushkulurit e islamikëve dhe të neotomanëve” shqiptarë në Maqedoni, Kosovë e Shqipëri të cilët u çanë “duke tundur atë bezen e arabëve të Palestinës” pasi nuk paskan dënuar asnjëherë “haletë e Hamasit”. Ndërkohë, të njëjtëve, sipas Hilës, u bëhet “goja çorap” duke folur kundër hebrenjve, të cilët, si pjesë e sistemit politik amerikan kanë mbrojtur çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, pasi pa ata shqiptarët do ishin sot e kësaj dite “në çadrat e kampeve të Kukësit dhe Maqedonisë.”
Unë nuk e ndjek Hilen, as nuk më ka pëlqyer ndonjëherë dhe nuk komentoj zakonisht cëfarë thonë gazetarët shqiptarë. Por ky koment i Hilës është rast përfaqësues i gjuhës jo vetëm vulgare, denigruese dhe raciste por dhe i një morali, mungesës së tij më saktë, të disa shqiptarëve, sidomos në media, i cili tregohet si morali që duhet ndjekur.
Në vlerësimin tim, të kesh një moral të tillë duhet të jesh skile dhe të bësh hile. Dritan Hila është përfaqësues i atyre shqiptarëve të cilët moralin e kuptojnë si shkëmbim favoresh. Nëse kë bërë për mua, unë bëj për ty. Ky është moral i formësuar në vitet e fundit të diktaturës dhe fillimvitet e demokracisë kur korrupsioni dhe favori u bënë mënyrë jetese. Por jo vetëm kaq. Dritan Hila është edhe përfaqësues i disa shqiptarëve të cilët janë (ç)edukuar për të praktikuar një formë racizmi ekstrem të nacionalizmit shqiptar, sipas të cilit e paraqesin veten si superperëndimorë dhe, për këtë arsye superior, si dhe e shohin këdo tjetër si inferior (lindor/aziatik/afrikan etj.) Këtë racizëm ata e shprehin jo vetëm ndaj të huajve por edhe ndaj shqiptarëve që nuk janë apo që nuk mendojnë si ata. Për këtë arsye, Hila ia lejon vetes që ata shqiptarë të cilët nuk mendojne si ai t’i konsiderojë “trushkulur”, ndërsa flamurin palestinez ta konsiderojë një copë “beze arabësh”. Hilës dhe atyre që mendojnë e flasin si ai, dua t’u them që kjo gjuhë vulgare dhe e papranueshme e përdorur nga një gazetar legjitimon dhe ndihmon në shtimin e të njëjtës nga ata që e lexojne atë.
I kujtoj Hilës që të gjithë flamujt janë copa bezesh (edhe ai shqiptar që shpesh e sheh të zhulosur e të grisur në maja hekurash të ndryshkur rrugëve e ndërtesave të Shqipërisë). Eshte simbolika, ideja dhe kuptimi që kanë nga pas këto copa bezesh që i bëjnë ato të dashura për njerëzit.
Hila nuk do të donte t’ja shanin flamurin e tij për të cilin aq shqiptarë (shumica “islamikë”) kanë derdhur gjak. E njëjta vlen edhe për palestinezët të cilët kanë po aq dinjitet dhe humanitet sa çdo person tjetër i botës.
Si shqiptar në fakt, i abuzuar rëndshëm në Perëndim, do të duhej që Hila të ishte vetvetiu kundër kësaj gjuhe. Por nuk është. Dua edhe t’i them Hilës që të paktën moralin “po me dhe të jap” ta përdor gjithnjë si standard dhe jo vetëm kur ia do racizmi i tij vulgar.
Nëse çifutët u paskan dhënë shqiptarëve ndihmë në luftën e Kosovës, ata nuk kanë bërë gjë tjetër veçse na kanë larë një borxh. Ishin pikërisht këta “trutharët islamikë” o Hilë që i mbrojtën dhe i shpëtuan ata kur Perëndimi i mbyllte në kampe përqendrimi. Edhe shteti shqiptar i Enver Hoxhës e njohu Izraelin si shtet në 1949. Jo vetëm kaq, por këta “trutharet islamikë” otomanë i mirëpritën në trojet shqiptare kur Izabela dhe Ferdinandi i përzunë nga Spanja në 1492 e për shekuj më pas, ndërsa Selaniku ishte deri pas Luftës së Parë Boterore qyteti me më shumë hebrenj në botë (ku jetonin dhe shumë shqiptarë).
Historikisht, në vendet islame hebrenjtë janë trajtuar shumë më mire se sa në Perëndim. Në fakt, dhe ky është fakt, hebrenjtë që erdhën në Shqipëri kishin frikë kur shihnin klerikë katolikë rrugëve pasi e dinin bashkëpunimin e Kishës Katolike me fashistët dhe nazistët. Dritan Hila bën edhe skilen, ku duke u munduar t’i paraqesë Hamasin dhe palestinezët si monstra, ai ripërsërit në një shkrim të mëparshëm të tij gënjeshtrën se gjoja ata kanë prerë koka fëmijësh (për të nxitur urrejtje dhe fobi). Po ashtu, në këtë postim të tij thotë se Hamas ka vrarë 1400 civilë, gjë të cilën asnjë media perëndimore dhe as vetë Izraeli nuk e thotë, pasi shumë nga të vrarët dhe të rrëmbyerit janë ushtarakë izraelitë. Kjo nuk e zbut vrasjen e civilëve aspak, por nuk i heq as palestinezëve të drejtën të vetëmbrohen ndaj një pushtimi brutal që zgjat prej mëse shtatë dekadash.
Profesorë hebrenj të guximshëm si Ilan Pappe apo Norman Finkelstein, mes shumë të tjerëve kanë dokumentuar genocidin që palestinezët kanë vuajtur dhe vuajnë. David Cameron, edhe pse një kryeministër konservator i Mbrëterisë së Bashkuar, e gjuajti Gaza-n një “burg të hapur”. Akademikë izraelitë e kanë quajtur atë një “kamp përqendrimi” ku banorëve u kontrollohet nga dieta e ushqimit tek lëvizja, dritat, ujti, gjërat bazike të nevojshme për të jetuar.
Organizata ndërkombëtare e kanë quajtur trajtimin e palestinezëve si aparteid. Nelson Mandela ka thënë që “pa lirinë e Palestinës as bota nuk do të jetë e lirë. Në Shqipëri, të gjithë, muslimanë ose jo, kanë dënuar vrasjen e civilëve. Por këtu është dhe hilja tjetër e Hilës, pasi ai vetë asnjëherë nuk ka dënuar dhe nuk dënon genocidin ndaj palestinezëve, të cilët ashtu si shqiptarët e Kosovës nën regjimin serb, si afrikanët e zinj nën regjimin e aparteidid në Afrikën e Jugut e si çdo popull tjetër, meritojnë liri, dinjitet e respekt. Madje ai e justifikon bombardimin qilim të Gaza-s, ndalimin e ushqimit, elektricitetit, komunikimeve me telefon dhe internet, gazit e naftës, vrasjen e afër tetë mijë personave në tre javë, tre mijë fëmijëve e mbi 1500 grave si faj të Hamasi, një turp më vete ky. Por të gjithë këto argumente kanë pak rëndësi, sepse problemin bazë Hila e ka tek morali. Drejtesia, liria, dinjiteti, respekti ndaj çdo njeriu nuk mund të jenë marrëdhenie tregtare të tipit “po me dhe të jap”.Ky është dështim i moralit, imoraliteti vetë. Unë shpresoj, dhe pse nuk e pres, që Dritan Hila të reflektoje dhe ta tërheqë atë postim. Përndryshe, qoftë ai që është! /tesheshi.com/