A do të ndërhyjë drejtpërdrejt Turqia në Siri? A ka për të hyrë në një luftë të hapur? A do ta konsiderojë gjendjen aktuale të Sirisë si një kërcënim për Turqinë dhe të marrë masa radikale?
A po fillon një luftë e re siriane nën udhëheqjen e Arabisë Saudite dhe e mbështetur nga vendet e Gjirit, Egjipti dhe Jordania? A ka marrë fund periudha e luftërave të subvencionuara të zhvilluara nëpërmjet organizatave në Siri, që është nën pushtimin rus dhe iranian? A po fillon një periudhë e re e luftërave shtetërore?
A mund t’i lexojmë deklarimet e njëpasnjëshme të bëra nga administrata e Riadit, fjalët se po përgatit trupa, njoftimet për mbështetje nga vendet në rajon, e shantazhet dhe kërcënimet në rritje nga Irani, si shenja treguese të ballafaqimit të madh që do të ndodhë në javët e ardhshme në Siri?
Masakër në Halep, duhet të merren vendime të dhimbshme
A kanë për të shkaktuar trazirë në rajon qindra e mijëra njerëz që po ikin nga Halepi dhe rrethinat e tij drejt Turqisë, tragjeditë humane që do të shihen, masakra që po nisin Rusia dhe Irani në Halep? Ç’lloj reagimi do të ketë kur të bashkohen gjendja humanitare dhe perceptimet e kërcënimit mbi vendet e tjera në rajon, si Turqia?
Këto janë pyetje jetike, dhe përgjigjet e tyre apo incidentet që do të ndodhin kanë për të qenë gjëra që do të lënë shenjë në historinë e çdo vendi në rajon. Këtu ka ardhur puna, shumë përtej një çështjeje të Sirisë; Turqia është e detyruar të përballet me një realitet kritik. Zhvillimet në Siri dhe përpjekjet për pushtim në Turqi përmes terrorit po e shtrëngojnë vendin tonë të marrë një vendim të hidhur.
Pavarësisht nga vendimi i marrë, ai ka për t’i dhënë trajtë të ardhmes së Turqisë. Ata të cilët nuk janë në gjendje ta kuptojnë seriozitetin e situatës së sotme do të përballen me gjykimin e historisë; ata të cilët marrin vendime të guximshme sot kanë për t’u kujtuar si elementët themelues të Turqisë së nesërme. Kjo është hera e parë që ne jemi nën sulm nga brenda dhe nga jashtë. Ky nuk është një rrezik që mund të shmanget me çka kemi mësuar dhe provuar deri më sot.
Do të godasin nga Siria!
Unë po veproj me këtë presupozim: Turqia nuk do ta pranojë, e nuk duhet ta pranojë, këtë situatë të re. Moska dhe Teherani nuk duhet të lejohen, e nuk do të lejohen, ta projektojnë Sirinë në një formë që të kërcënojë Turqinë, për ta kthyer në një vend garnizon, për të bërë plane për ta sulmuar Turqinë për dekada përmes këtij vendi.
Turqia e di, dhe duhet ta dijë, se ç’sulm vetëvrasës është projekti i këtyre dy vendeve për të mos i marrë në konsideratë arabët sunnitë, grupet e moderuara opozitare, shumicën dërrmuese të popullsisë së vendit, për t’i eliminuar, për t’i nxjerrë jashtë miliona, e për të ndërtuar përmes Partisë së Unionit Demokratik (PYD), DAESH-it dhe regjimit sirian të Beshar Esadit, një vend ballor të kontrollueshëm. Ajo e di, dhe duhet ta dijë, se dehumanizimi i Sirisë, kriza e refugjatëve, është një projekt. Ajo e di, dhe duhet ta dijë, se këto përgatitje janë hapat e parë të fushatës së sulmit të projektit për Turqinë.
E në ndodhtë kështu, nëse nuk përfshihemi dhe dikush ia del të na pengojë nga ndërhyrja, kemi për t’u përballur me diçka më të rëndë se ç’po përjetojmë aktualisht në Xhizre. Sulmet e tanishme, që nuk janë më terror, po përpjekje për pushtim të brendshëm, kanë për t’u kthyer shpejt në sulme dhe ofensiva të hapura nga përtej kufirit. Atëherë nuk do të diskutojmë vetëm për qytetet, por për gjendjen e provincave dhe rajoneve.
Do të na bëjnë partnerë me PYD-në
Ne do të gjendemi nën sulmet e dendura gjatë gjithë kufirit të gjatë sirian. Kanë për t’u shfaqur organizata të reja; do të planifikohen dhe do të hidhen në fushë. Veç Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), do të duhet të luftojmë atëherë kundër dhjetëra organizatave. Çdonjëra prej këtyre organizatave ka për të qenë nën kontrollin e një vendi, e ajo luftë e subvencionuar ka për t’u kthyer nga Turqia.
Një projekt i ngjashëm me Operation Provide Comfort-in, i zbatuar për vite në Irakun Verior, me kohën e detyrës të zgjatur nga parlamenti ynë çdo gjashtë muaj dhe që nuk mund të pengohet nga asnjë parti politike, do të vihet në zbatim në një formë më të përgjithshme në Sirinë veriore. Atëherë do të jemi të detyruar të bashkëpunojmë me PYD-në dhe t’i dorëzohemi programit të zbatuar përmes saj. Në shkoftë kësisoj, do të na bëjnë ta pranojmë këtë. Ne kemi për të parë një ndërhyrje shumëkombëshe nëpërmjet PYD-së; i tërë rajoni ynë jugor, ana turke e Korridorit Verior, ka për t’u bërë një territor i diskutueshëm.
Rusia dhe Irani po luftojnë në të vërtetë me Turqinë
Fatet e Turqisë dhe Sirisë janë bashkuar. Miliona njerëz janë miqtë tanë në këtë vend. Shtylla kurrizore e Sirisë është tani në Turqi, është Turqia. Irani nuk ka lidhje me Sirinë. Rusia nuk ka lidhje me Sirinë. As Irani e as Rusia nuk pësuan ndonjë dëm nga lufta siriane. Megjithatë, të dy vendet janë vendosur në këtë vend me të cilin nuk ndajnë kufi, dhe e pushtuan atë. Tani po bëjnë eliminime demografike, e po e projektojnë Sirinë si një vend ballor kundër Turqisë.
Këto dy vende kanë hapur luftë kundër popullit të Sirisë dhe kundër Turqisë. Lufta që Teherani dhe Moska po zhvillojnë në këtë vend është luftë kundër Ankarasë. Këto dy vende po luftojnë në të vërtetë drejtpërdrejt me Turqinë. Nuk ka mbetur gjë më për ta fshehur këtë.
Sigurisht që ne nuk do të luftojmë me këto dy vende. Por ne nuk do të tolerojmë që Turqia të sulmohet përmes Sirisë, e që Siria të kthehet në një garnizon kundër Turqisë. Asnjë vend nuk do të qëndronte i heshtur në rrethana të tilla, e të shihte rrezikun t’i afrohej e ta godiste më pas.
Askush nuk duhet të presë që Turqia të sillet në këtë mënyrë, apo të na e paraqesë një sjellje të tillë si shenjë pjekurie. Nëse është e nevojshme, Turqia do t’i bashkohet, dhe duhet t’i bashkohet, luftës së hapur për ta parandaluar këtë rrezik, për ta ndalur atë në një pikë të caktuar. Ashtu siç kostoja e çdo dite të shtyrë do të jetë shumë e rëndë për vendin, pas një kohe ka për ta humbur dhe mundësinë për ta parandaluar rrezikun.
Vetëmbrojtja nuk mund t’u lihet “aleancave”
Asnjë vend nuk mund t’ia lërë sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial, paqen civile dhe sigurinë rajonale, kontrollit absolut të aleancave të tij dhe të organizatave ndërkombëtare. Nuk mund të varet nga iniciativa e tyre. Ky është kushti më i rëndësishëm për të qenë një vend, një shtet, një popull, dhe i pavarur. Nëse nuk përmbushet ky kusht, atëherë nuk ka vend apo shtet.
Kjo është një verbëri e madhe strategjike. Ky është dorëzim një lloji të ndryshëm tutele. Ajo çka ne e quajmë vetëmbrojtje është e mundur vetëm përmes dinamikave të vendit, dhe kurrë nuk mund t’i besohet dikujt tjetër. Fati i Turqisë nuk mund t’i lihet iniciativës apo mëshirës së të tjerëve.
Nëse aleancat tona aktuale janë në bashkëpunim të hapur me organizatat terroriste, duke vepruar kundër Turqisë, duke e sulmuar këtë vend nga brenda, duke u dhënë armë atyre organizatave, duke e sjellë luftën siriane në Turqi, duke e bërë të pamundur një zgjidhje në Siri dhe duke na tërhequr drejt një fundi të keq me lënien tonë në ajër, duke u varur nga ato, pritja e mbështetjes së tyre do të qe shkatërrimi i së ardhmes së këtij vendi.
Ajo tutelë do të na imponojë një hartë të re
Asnjë vend që na e imponon të tërë këtë nuk do t’ia besonte në rrethana të tilla fatin e vet rrethit të aleancës. Po qe se edhe në rrethana të tilla presim të veprojmë të varur prej tyre, po qe se do të veprojmë sipas tyre, atëherë jemi duke bërë një gabim të madh. Nuk e kemi një luks të tillë. Rrethanat e kanë zhdukur prej kohësh këtë luks.
Nëse jemi në të njëjtën pikë pavarësisht kësaj, atëherë Turqia, që ka luftuar për vite kundër tutelës, do të qe duke e hedhur veten në krahët e një tjetër tutele. Në fakt, në një kohë kur kjo tutelë po ndërmerr hapa aq të rrezikshëm sa t’i imponojë Turqisë një hartë të re.
Turqia ka për të diskutuar ndarjen nëse nuk ndërhyn
Turqia duhet të ndërhyjë drejtpërdrejt në çështjen siriane. Përfshirë aksionin ushtarak. Nëse Irani dhe Rusia janë në gjendje të hyjnë në këtë vend me pretekste të tilla të dobëta, nëse janë në gjendje të bombardojnë dhe pikën zero të kufirit tonë, nëse po i shpërngulin civilët sirianë për në Turqi dhe po e sulmojnë Turqinë nga Siria, atëherë Turqia ka shumë më tepër arsye dhe të drejtë se ato.
Askush nuk do të donte një luftë të hapur. Askush nuk do të donte një luftë midis Rusisë e Iranit dhe Turqisë. Ato madje nuk do ta dëshironin këtë. Ama këtë herë gjendja është shumë serioze. Nëse nuk ndërmerret sot një hap, do na duhet të luftojmë në kushte më të vështira se sot në të ardhmen. Nuk ka mbetur më tani diçka e tillë si regjimi sirian apo administrata e Damaskut. Vendi po riprojektohet, dhe kjo situatë na kërcënon qartësisht ne; lufta po drejtohet nga Turqia, e pritet që ne të qëndrojmë pa bërë zë e ta pranojmë këtë! Cili vend do t’i dorëzohej diçkaje të tillë? Ka një kërcënim, një gjendje fizike, e arsye ligjore për të ndërhyrë.
Do ta quajnë këtë propagandë luftënxitëse. E di! Por nëse nuk ndërhyjmë tani, brenda pak viteve do të jemi duke diskutuar ndarjen e Turqisë. Mbajeni shënim!
Përktheu: Bujar M. Hoxha – tesheshi.com