Arsyeja e amullisë në botën muslimane të ditëve të sotme nuk është faji i askujt, por i vetë muslimanëve, që e kanë braktisur leximin e vërtetë të Kur’anit, i cili e thekson me forcë rëndësinë e dijes.
Një folje urdhërore, “Lexo!”, ajo ishte fjala e parë e reveluar në Kur’an, e përsëritur dy herë në pak ajetet e para. Duke patur parasysh se Kur’ani, sipas muslimanëve, është revelimi i fundit dhe përfundimtar për njerëzinë, urdhri i parë vë në dukje vendin qendror të leximit si një bazë dhe udhë drejt qasjes, lidhjes, njohjes dhe kuptimit të hyjnores. Leximi është çelësi për fitimin e dijes dhe për zgjerimin e perceptimit mbi Zotin dhe krijimin. Nuk është rastësi që fjala “Kur’an” rrjedh nga e njëjta rrënjë që do të thotë të lexosh, të përsërisësh apo të recitosh. Për rrjedhojë, akti i leximit është në vetvete një akt adhurimi, brenda një kuptimi korrekt islam.
“Libri” është po ashtu një prej emrave të tjerë për Kur’anin, që nëse i kuptuar në lidhje me revelimin e parë, folja urdhërore “lexo” do të prodhonte bazën kyçe epistemologjike për Islamin dhe muslimanët: një urdhër i rrënjosur hyjnisht për fitimin, ruajtjen dhe përcjelljen e të tërë dijes. Libri është burimi, një vend parësor për ruajtjen e dijes dhe një instrument për zgjerimin e vazhdueshëm të horizonteve njerëzore, që mund të materializohet përmes përfshirjes në aktin e leximit.
Argumenti im kryesor sugjeron se leximi është bërë një art i humbur mes shumicës dërrmuese të muslimanëve, dhe se shoqëria me librat në të gjithë llojet e tyre është një nismë në frymën e fundit. Sigurisht, një numër i vogël lexuesish mbeten të angazhuar anekënd botës muslimane. Qytetërimet islame i kanë nderuar dhe i kanë ngritur lart librat dhe leximin në atë shkallë, sa gjenialiteti, mbase i argumentuar, duhet gjetur në sistematizimin e qasjes publike ndaj edukimit, që u lidh me prodhimin e tekstit dhe librit. Te “Dija ngadhënjyese: Koncepti i dijes në Islamin mesjetar,” Franz Rosenthal-i arriti në përfundimin, “koncepti i dijes e arriti triumfin e vet unik në Islam.” Në mënyrë domethënëse, triumfi në të shkuarën u çmua dhe i arriti majat e veta nëpërmjet leximit me një frymë të librave dhe arritjes së kuptimit të teksteve të ndryshme, duke përfshirë ato materiale që shpërputheshin diametrikisht dhe ishin në kundërshtim me idetë dhe besimin islam.
Disa mund t’ia vënë fajin shfaqjes së internetit, mënyrave moderne të komunikimit, dhe përqendrimit në përdorimin gjuhësor të mangët dhe të shkurtuar, gjë e cila ka bazë në njëfarë mase; por problemi është shumë më i thellë, dhe i paraprin në kohë epokës së internetit. Shkëputja dhe lënia pas e leximit dhe e librave në tërësi ngjau në një periudhë shumë më të hershme, dhe mund të spikatet në mesin e shekullit të 18-të, nëse jo më herët, e vijon gjer në kohën e sotme.
Shkaqet për këtë janë të shumëllojshme, por përfshijnë prishjen e brendshme, përqendrimin e madh, nëse jo ekskluziv, në njohurinë ushtarake dhe teknike, rrënimin e institucioneve “vakëf”, që mbështesnin dhe ishin shtylla kurrizore e nismës intelektuale në shoqëritë islame, dhe rrëshqitjen e dijetarëve, edukatorëve dhe të nxënies në skajet e shoqërisë. Çështja e vakëfit është e rëndësishme, sepse konfiskimi shtetëror i pronave dhe brendatrupëzimi i institucioneve vakëf në aparatet shtetërore u krye fillimisht për të rregulluar strukturat ekzistuese, por u bë një mënyrë për t’i pretenduar tepricat e mëdha, për të futur duart në të ardhurat e shtetit në rënie, dhe për të nxitur korrupsionin e atyre në pushtet.
Leximi është një parakusht për zhvillimin dhe përparimin e shoqërisë, ndërsa mos të lexuarit çon në kahun e kundërt. Çështja kritike për t’u ngritur është se muslimanët e kanë braktisur sot kolektivisht leximin si një nismë. Të tëra llojet e njohurive janë reduktuar në fjalë të shkurtra të regjistruara në DVD, në transmetime të drejtpërdrejta në internet, dhe në leksione në YouTube. Duket sikur qytetërimi ynë ka përfunduar në një seri pëlqimesh dhe ndarjesh online që nuk lidhen me librat dhe blloqet e ndërtimit të dijes sistematike. Dikush mund ta çmojë vlerën e materialeve të tilla për rritjen e vetëdijes dhe tërheqjen e vëmendjes së njerëzve ndaj çështjeve kritike që prekin shoqërinë, por kjo nuk e zëvendëson leximin dhe pasjen e një kulture libri si bazën epistemologjike të shoqërisë.
Nuk duhet të ngjajë e habitshme që asnjë prej 56 shtëpive botuese kryesore në glob sot nuk gjendet në botën muslimane. Në të njëjtën kohë, librat më të shitur dhe më të lexuar, përveç Kur’anit, Biblës, dhe librave të tjerë kryesorë të feve, nuk janë në botën muslimane, apo të shkruar nga muslimanët. Leximi i përgjithshëm, jashtë specializimit të personit, thuajse nuk ekziston. Mungesa e një kulture bashkëkohore të librit në botën muslimane tregon për krizën e madhe në diskutim dhe për zënien vend të paditurisë strukturore, që duhet të ndryshojë kahje.
Ndreqja e këtij problemi kërkon udhëheqje të ndriçuar, kërkon plane shumëvjeçare dhe shumëdegëshe, si dhe burime për t’i dhënë drejtim të kundërt kësaj tendence. Mund të fillohet me hapjen e klubeve të leximit dhe me garat e leximit për të rinj të pritur dhe të mbikëqyrur nga nivelet më të larta të qeverisjes, si dhe me investimet në botimet e librave dhe te autorët, duke krijuar ndërkaq një rrjet të festave të librit që mund të kremtojnë gjenialitetin njerëzor të përqendruar te libri. Në mënyrë më kritike, duke i rimenduar institucionet e arsimit në përgjithësi, për t’u përqendruar në leximin e librave dhe në arritjen e të kuptuarit, e jo në fokusin e vetëm aktual te titujt dhe gradat për qëllime punësimi. “Lexo” është një urdhër për nxënie gjatë gjithë jetës dhe për krijimin rishtas të një kulture të leximit të librit në botën muslimane. /tesheshi.com/
Përktheu: Bujar M. Hoxha