Prej shumë vitesh, ngjashëm si në Kosovë dhe në Maqedoni (veriore), hapësirën politike shqipfolëse e kanë pushtuar ata që ende identifikohen me titullin “çlirimtarët”.
Nëse në Kosovë skena është më e fragmentizuar ndërmjet shumë figurave të luftës, në RMV kemi vetëm një personazh kryesor të saj: Ali Ahmetin.
BDI e tij e ka patur më të lehtë per të qenë aktori kryesor ne arenën politike Shqiptare të RMV, pasi për shumë vite që pas tërheqjes nga skena e Arbën Xhaferit, pak para se të ndërronte jetë, kjo forcë është parë si alternativë e pare. Kjo pasi alternativa tjetër përbëhej nga figura të tilla kontraverse si Menduh Thaçi e ndonjë tjetër i kalibrit të tij.
Në vitet e fundit, BDI e Ali Ahmetit ka fillluar të ndjehet e rrezikuar sa i përket përfaqësimit ekskluziv ndër shqiptarë dhe kjo për faktin se edhe dinamika politike atje ka ndryshuar. Si shembuj të këtij pretendimi mund të përmendim BESA-n e fillimit, së fundi Alternativan-n, ish-ajka e BESA-s, padyshimm figura të tilla si Ziadin Sela, dhe së fundmi nuk mund të lihen pa përmendur dhe votat shqiptare për LSDM-në e Zoran Zaev.
Në fushatën e fundit elektorale, ashtu si dhe në të shkuarat Ali, Ahmeti dhe BDI kanë ngritur kauza paraelektorale të cilat mund të shihen më shumë si tentativa për të ruajtur ose shtuar numrin e votuesve se sa si përpjekje ose aksione të mirëfillta politike.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, Ali Ahmeti dhe BDI dolën me kërkesën që kryeministri pas zgjedhjeve të jetë shqiptar dhe këtë kërkesë të tyre e quajtën “të panegociushme”. Në të vërtetë, me shaka mund të themi se në lidhje me këtë kërkesë nuk u negociua aspak nga fituesit e zgjedhjeve – LSDM-ja (dhe as nga humbësit – VMRO-DPMNE).
Kjo kërkesë nuk u morr seriozisht as nga mendjet e ftohta e të dyja kampeve (shqiptar dhe maqedonas), për arsye se dhe mundësia që një gjë e tillë të merrej parasysh nga kampi maqedonas, u duk në më të mirin rast si mundësi e zbehtë.
Mbasi kaluan zgjedhjet, u sheshuan dhe koalicionet qeveritare dhe filluan të dalin dhe detajet e marrëveshjes për ndarjen e pushtetit. Një pikë që të tërhiqte vëmendjen ishte dhe dakortësia mes palëve (LSDM dhe BDI) që në 100 ditët e fundit të qeverisjes të caktohej një kryeministër shqiptar.
Sipas matematikës të Ali Ahmetit, “100 ditë qeveri” mund të quhen relativisht dhe si një fitore e shqiptarëve të atjeshëm për të patur më në fund një kryeministër shqiptar.
Këtu në Shqipëri kemi kaluar shumë zgjedhje e shumë qeveri dhe e kemi shumë të qartë se çfarë janë dhe çfarë peshe kanë 100 ditët e fundit të një qeverie.
Për ta materializuar me një shembull, mund të themi se 100 ditët e fundit të një qeverie janë të ngjashme me minutat shtesë të ndeshjes së para pak ditëve Bayern-Barcelona (8-2), ku në ato minuta shtesë as nuk çohej ndërmend ndonjë ndryshim i rezultatit, përveçse padurimit ndoshta të lojtarëve për t’u larguar nga fusha.
Ndërmjet matematicienëve ka një debat estetik nëse matematika është vetëm shkencë apo ka dhe art në të, dhe cilado të jetë e vërtetë pa dyshim që matematika e Ali Ahmetit në këtë rast nuk është as shkencë e aq më pak art.
Ajo çka mund të shihet si matematikë në lëvizjet e Ali Ahmetit, është efekti domino për të kundërtën që kanë ato, e që në finale janë mundësitë sa më të pakta të shqiptarëve atje për t’u përfaqësuar në atë shtet vazhdimisht dhe denjësisht, dhe jo vetëm “100 ditë në katër vjet”. /tesheshi.com/