“Nuk më kishte shkuar kurrë ndër mend se do të vinte një ditë që me vullnetin tim do t’i jepja këto copëza kujtimesh për botim e t’i shihja të shtypura edhe në libër”.
Me këto fjalë për ‘’kamandantin e shkuar’’ e nis librin e tij me kujtime (reale apo te stisura nuk e dijmë) Shefqet Peçi, titulli i të cilit libër është huazuar dhe në këtë shkrim.
Titulli me të cilin u pat emërtuar ky libër (jo libri) më pat bërë gjithmonë përshtypje dhe m’u kujtua sërisht këto kohë tek shoh herë pas herë turin e filluar nga ish-drejtuesi i PD-së në takimet me grigjën e tij.
Ashtu siç Shefqet Peçi, ndoshta dhe turmat e demokratëve (berishistë) mund ta ndjejnë veten këto kohë të surprizuar dhe të kënaqur që erdhi dhe “dita e tyre’’ për të parë e për të jetuar faktin që komandanti i tyre u bë sërish protagonist kryesos në terrenin shqiptar të së djathtës dhe në politikën shqiptare gjithashtu.
Ajo që fillimisht u pa si një fund i padenjë për një komandant (të imponuar) të së djathtës shqiptare pas deklarimit “non grata” nga SHBA-të, po rezulton si një boomerang ku “viktima” po kthehet në hero dhe, me energjinë që ka shpalosur ndër vite, po përpiqet që të shfrytëzojë këtë situatë që çuditërisht pak nga pak po kthehet në favor të tij.
Vështirë se ata që e nisën këtë lojë, “non grata”-n, t’i kenë bërë llogaritë gabim por ndoshta kanë një plan të tyre B, dhe nëse ai nuk ecën siç duhet atëherë një plan të tyre C e me rradhë, por dëmi që i bënë shoqërisë shqiptare në këtë rast është jo i vogël, duke u bërë shkak që me lëvizjen e tyre të rikthehej në skenë (nga prapaskena) kjo figure, e cila pa teprime mund të thuhet se është prej shkaktarëve kryesorë (në mos kryesori) për pasojat që vuan ky vend sot, i menaxhuar keq nga këto “komandantë e komisarë’’ të pas viteve ‘90.
Ky “komandant” rrishtazi ka manipuluar me turmat e së djathtës, ashtu siç manipuloi me to dhe me shqiptarët në përgjithësi në dhjetorin e bukur e të paharruar te vitit ‘90, ku një pjesë e shqiptarëve të rraskapitur nga modeli social-politik i zbatuar nga shteti dhe pushteti i kaluar, panë tek ky person dhe tek të ngjashëm të tij në ato vite, mundësinë për t’u shkëputur nga e shkuara por pa e ditur dhe pa i shkuar ndërmend se si do qe ardhmja pas viteve ‘90.
Ky personazh nuk mund të ishte për shqiptarët në ato vite dhe më pas as si elektriçisti polak i “Solidarnost”-it Lech Valesa, aq me pak si intelektuali çek disident Vasllak Havel, e as si ndonjë personazh tjetër protagonist i atyre viteve, por pak nga pak ngjan më shumë si një nxënës apo mësues i Lukashenkos apo i ndonjë tjetri të ngjashëm.
Fatura është e gjatë: kaosi me pronat dhe pasojat e saj, fajdet, kontrabanda, kanabisi, Gërdeci, 97-ta, 98-ta, korrupsioni, vrasjet, krimi shtetëror dhe joshtetëror etj, por pavarësiht këtyre kjo figurë është akoma e dashur dhe jo “non grata” tek shumë shqiptarë të djathtë.
Nuk mund të mos vesh re në këto takime të ndërmarra prej tij se të gjithë komponentët e skenës janë të njëjtë si në 30 vitet e shkuara, ku më shumë spikatet ajo e përheshmja dhe që nuk shmanget asesi, ajo e cila është dhe trashëgimnia më e keqe në politikën shqiptare e këtij personazhi, denigrimi i armikut (në disa raste dhe e ish-mikut) deri në frymën e fundit, me akuza të vërteta e të pavërteta, më gënjeshtra e trillime, me fyerje, kërcënime etj.
Duke mos dashur të zgjatem më shumë, më duhet të them se duke parë pjesëmarrësit e shumtë prezentë në takimet e kryera rrishtazi të demokratëve, më vjen ndërmend një shprehje e njohur që thotë: Nëse bëni gjithmonë atë që keni bërë gjithmonë, është mundësia (ose rreziku) se do të merrni gjithmonë atë që keni marrë gjithmonë.
Dhe në këtë rast është rreziku se këto turma ndjekësish partiakë do marrin atë që kanë marrë gjithmonë turmat në Shqipëri nga komandantët e tyre, shpërfilljen, abuzimin dhe manipulimin me to.
Por dhe pas kësaj, refreni ka qenë ai i njëjti: Rroftë komandanti! /tesheshi.com/