Zhvillimi i shkencës, teknologjisë dhe informatikës sot ka mundësuar që njeriu të komunikon prej një skaji të botës në skajin tjetër. Distancat hapësinore dhe gjeografike që dikur kanë qenë të paakceptueshme, sot nuk mund të themi të njëjtën gjë, sepse komunikimi virtual si segment i shoqërisë moderne dhe globalizmit ka hyrë pothuajse në kuadër të vetë identitetit. Edhe pse parimisht identiteti është fluid, është evolutiv dhe mund të ndryshohet varësisht nga rrethanat e krijuara në praktikë, medoemos duhet nënvizuar se komunikimi virtual ka pasur goxha efekte në zhvillimin e këtij identiteti.
Përderisa në njërën anë, ky komunikim virtual falë internetit, njeriun e ka ngritur në piedestalet më të larta shoqërore, sepse përveç tjerash ia ka lehtësuar edhe komunikimin me të tjerët, në anën tjetër pikërisht kjo teknologji ka ndikuar që njeriu të mos jetë vetja. Ndoshta, Fromi ka të drejtë kur thekson se në mesjetë njeriu ka qenë vetja e tij, ndërsa sot ai është shndërruar në një konformizëm prej automati për faktin se atë lirinë për të cilën ka luftuar shumë deri dje, sot është bërë robot i saj.
Së këndejmi, hulumtimet dhe studimet e fundit të bëra me 31 mars 2017 nga Internet World Stats, theksojnë se interneti përdoret jashtëzakonisht shumë në kontinentet e ndryshme, ku kemi këto të dhëna, si vijon: “Azia me 50.1%, Evropa 17.0%, Amerika Latine/Karaibet 10.3%, Afrika 9.4%, Amerika Veriore 8.6%, Lindja e Mesme 3.8% dhe Oqeania/Australia 0.7% – Internet World Statistics, fq.1”. Këto fakte po ashtu kanë një korrelacion edhe me numrin e përgjithshëm të popullsisë dhe rritjen e vazhdueshme për shkak se vetëm Kina sot ka një popullsi mbi 1.6 miliardë banorë. Sido që të jetë, vërehet qartë se në një ose tjetrën mënyrë, sot jeta as që mund të imagjinohet pa shkopin magjik – internetin. Ndërsa sa i përket shfrytëzimit të mediave sociale, të dhënat flasin se: “facebook ka rreth 1.871 milion përdorues aktiv brenda ditës, facebook Messenger rreth 1 milion, What’s up 1 milion, QQM 877, WeChat 846, QZone 632, Instagram 600, Tumbir 550, Twitter 317, Baidu Tieba 300, Snapchat 300, Skype 300, Sina Weibo 297, Viber 249, Line 217, Pinterest 150, YY 122, Linkedlin 150, BBM 100, Telegram 100, Vkontakte 90, Kakootalk 49 mijë – Global social media research summary 2017 – http://www.smartinsights.com).
Bazuar nga këto të dhëna vërehet dukshëm se interneti dhe mediat sociale përveç asaj që janë prore të globalizmit, ato janë edhe mjete të komunikimit dhe të punës. Pyetja e cila mund të lind këtu është se si ato shfrytëzohen dhe Cilat janë anët pozitive dhe negative? Përgjigjet e këtyre pyetjeve, pasqyrojnë faktet se interneti dhe mediat sociale, shfrytëzohen tepër shumë, madje shpeshherë edhe teprohet me to, sepse shpeshherë përmes tyre njerëzit dalin nga vetja e tyre dhe shndërrohen në rreziqe të cilat mund të kenë pasoja.
Sa shfrytëzohet interneti nga shqiptarët?
Se interneti vërtet është një shkop magjik dhe bënë mrekulli ajo nuk kontestohet, mirëpo e rëndësishme është fakti që interneti në Kosovë sipas disa të dhënave shfrytëzohet sidomos nga të rinjtë mbi 97%, gjë që Kosovën e bënë liderë në këtë drejtim me shtetet e zhvilluara. Të dhënat nga STIKK të bëra gjatë vitit 2013 tregojnë se: “Në Kosovë ka për rreth 1.1 milion përdorues të internetit. Kjo shifër është ndër më të lartat në regjion dhe mund të krahasohet gjithashtu edhe me vendet e zhvilluara si Zvicra, Gjermania, Britania e Madhe, etj.
Në zonat rurale përdorimi i internetit është 77.7 për qind kurse në zonat urbane 75 për qind. Të dhënat në vazhdim mbështesin edhe më shumë argumentin e cekur më lartë: 80 për qind të përdoruesve e përdorin internetin për të komunikuar me familjarët që janë në diasporë dhe me miq. 65 për qind të përdoruesve e përdorin aplikacionin Skype. Në krahasim me komunikimin përmes telefonave fiks, interneti e ka bërë komunikimin shumë më të lirë dhe më të përshtatshëm. Pos komunikimit me zë, benefitet tjera nga interneti janë gjithashtu edhe shkëmbimi i fotove, videove etj. Për sa i përket shërbimeve të internetit, më të përdorurat nga punonjësit janë e-maili, LinkedIn, ueb-faqe të reja, ueb-faqe për kërkim dhe studim, etj.
Në anën tjetër, shërbime të preferuara nga të papunësuarit janë Facebook, Instagram, Twitter, filma dhe muzika online, etj. 55 për qind të përdoruesve të pajisjeve mobile, qasen në internet nga telefonat e tyre të mençur. Në Kosovë ka mbi 600 mijë përdorues të telefonave të mençur ku 48 për qind prej tyre janë të papunësuar – shih Raporti nga STIKK – Depërtimi dhe përdorimi i internetit në Kosovë”.
Ndërsa në Shqipëri sipas disa të dhënave: “Numri i përdoruesve të Facebook në vend ka arritur në 1.1 milionë në vitin 2014. Sipas të dhënave të publikuara nga Internet World Stat, përdorimi i internetit në Shqipëri arriti në 60.1% të popullsisë në vitin 2014 – http://www.isigurt.al/fakte-dhe-te-dhena/interneti-ne-shqiperi”.
Këto fakte tregojnë se tek shqiptarët interneti dhe mediat sociale shfrytëzohen tepër shumë, gjë që Johan Gunther me siguri që do të pajtohej me një gjë të tillë, sidomos me krahasimet e tij në mes të vendasve digjital dhe atyre imigrantë, duke shkoqitur një paralele se të parët janë personat që janë lindur dhe rritur me këtë teknologji, kurse të dytët janë personat që janë në një moshë më të shtyrë dhe e kanë problematik integrimin në epokën e kësaj teknologjie. Interneti dhe mediat sociale tek shqiptarët shfrytëzohen edhe për shumë gjëra intime, madje vetëm ta bëni një klikim të thjeshtë si “qysh me…”, do të dalin disa gjëra interesante, ndoshta më të frekuentuarat në google nga shqiptarët.
Po ashtu, interneti shfrytëzohet edhe për filma pornografikë dhe filma të tjerë për shkak se Kosova ende nuk e ka të rregulluar këtë çështje ashtu sikurse vendet tjera. Pra, kjo teknologji përderisa edhe qytetarin shqiptar e ngritë në shumë aspekte si për nga informacioni, ideja, inovacioni, komunikimi e kështu me radhë, ajo po ashtu ka ndikuar që pikërisht ky qytetarë të krijojë një varësi nga kjo teknologji, të ketë një pasivitet dhe mbi të gjitha të ketë mungesë të normave shoqërore, përkatësisht shkëputje të lidhjeve sociale. Një e gjë e tillë vërehet qartë edhe gjatë vizitave në familje, ku pothuajse e gjithë familja janë me sy në telefonat e mençur ose tabletat, duke bërë kështu që kjo teknologji në njëfarë mënyre të kthehet “efekt boomerangu”, që padyshim se pasojat mund të vërehen në një të ardhme të afërt.
Cilat janë dobitë nga interneti
Pjesa më e madhe e studimeve janë të pajtimit se interneti ka edhe dobi por edhe dëme të pa riparueshme. Ndër dobitë e shumta janë: komunikimi me të tjerët, përdorimi i veglave për përkthime ose për të kuptuar gjuhët e huaja më mirë, efikasitet dhe efektivitet, marketing biznesi, marrje të parave, shfrytëzim për informata racionale, mundësi punësimi përmes aplikimeve online, etj.
Cilat janë dëmet nga interneti
Disa nga dobitë vetëm i cekëm, kurse sa i përket dëmeve të internetit ato janë ndoshta edhe më të mëdha, si: shpërfaqje e pedofilisë, shpërfaqje e pornografisë, dëmtim të pronave të të tjerëve përmes hakerizmit, varësia nga interneti dhe mediat sociale, humbje të oreksit të ushqimit, obezitet, probleme me shikim, sulme kibernitike, promovim të terrorizmit, shfaqje të depresionit, mungesë të aktiviteteve fizike, zbehje të raporteve ndër shoqërore, cenim të privatësisë, etj.
Në përgjithësi, duhet nënvizuar se interneti dhe mediat sociale sot konsiderohen si pushtet në vete, për shkak se tërë globin pothuajse e kanë sjellë pran nesh që nga informatat e thjeshta e deri tek promovimi i terrorizmit ndërkombëtar. Ndaj, përderisa sot bota bashkëkohore ballafaqohet me një rrezik të madh nga sulmet kibernetike në internet, shfaqje të pornografisë, pedofilisë, si dhe shumë dukuri tjera negative, ne do të duhej ta shfrytëzojmë këtë shkop magjik dhe mrekullitë e tij, në edukimin dhe arsimin, si dhe në ngritjen e vlerave të përgjithshme shoqërore, gjithnjë duke e marrë në konsideratë numrin e lartë të përdoruesve të tij nga të rinjtë shqiptarë. /tesheshi.com/