Zhvillimi i procesit të globalizmit dhe produkteve të tjera të (post)modernizmit ka shpërfaq edhe disa çështje të tjera të rëndësishme të cilat nga mikroskopi sociologjik janë parë si destruktive për shoqërinë shqiptare, duke bërë kështu që shumë gjëra të kiçit/shaundit të cilat nuk korrespondojnë me traditën dhe vlerën shqiptare t’iu imponohen asaj. Ndër to padyshim se është edhe ekspozimi i serialeve të cilat pas vitit 1999 si në Shqipëri, po ashtu edhe në Kosovë dhe Maqedoni, kanë vërshuar tregun medial, duke u shndërruar në top ngjarje të cilat kanë një shikueshmëri të lartë. Teoria e Abraham Maslow na kujton se ekziston një hierarki piramidale e nevojave për të cilat njeriu ka nevojë, ndër to edhe: nevojat fiziologjike, nevoja për siguri, nevoja për dashuri dhe përkatësi sociale, nevoja nderim dhe respekt, si dhe nevoja për vet-aktualizim, nevoja këto të cilat sipas Maslow-it janë të domosdoshme.
Mirëpo, së fundi shikueshmëria e lartë e serialeve të tilla, si duket ka një ndërlidhje edhe me teorinë e Maslowit sidomos me nevojat për vet aktualizim. Zakonisht kur jemi tek vet aktualizimi kjo ndodhë tek shoqëritë e vogla të cilat kanë probleme me krizën e vlerave e cila prodhon krizë të identitetit. Së këndejmi, këto kriza të cilat janë të pranishme tek shoqëria shqiptare, kanë shpërfaq edhe një mori problemesh me të cilat ballafaqohet vet kjo shoqëri. Sot nuk ka ndonjë selektim të asaj se çka është vlerë dhe si mund të përkufizohet ajo. Koncepti i serialomanisë është shndërruar në një mani e cila si duket po vazhdon me të njëjtin ritëm dhe për këtë me siguri se faji është i dyanshëm:
- E para, mediat të cilat për shkak të shikueshmërisë, klikimeve dhe tendencës që sa më shumë të dominojnë në tregun medial, investojnë në sjelljen e tyre, pavarësisht kostos së lartë;
- E dyta, qytetarët të cilat në një ose tjetrën mënyrë këto seriale i kanë akceptuar dhe i kanë shndërruar në diçka si pozitive, duke mos i analizuar më detalisht.
Dinamika e jetës, mungesa e kohës për vizita tek të afërmit, humbja e konceptit të idesë mbi solidaritetin social dhe altruizmin, janë disa nga ato faktorë të tjerë që kanë ndikuar në popullaritetin e tyre. Ngjarjet në seriale të cilat shfaqen nga Amerika Latine, pastaj ato nga Egjipti, Turqia dhe së fundi edhe nga India, janë vetëm disa nga ato seriale të cilat kanë trokitur ne dyert e shoqërisë shqiptare. Sipas burimeve “Serialet turke në vitin 2010 thyen rekord eksporti; shifra e eksportit të serialeve turke arriti në 50 milionë dollarë. Deri tani nëpër 20 vende të ndryshme të botës transmetohen më shumë se 70 seriale turke” (http://www.ekonomia-ks.com/?page=1,5,10633) dhe si të tilla, ato kryesisht janë shfaqur në disa shtete si në: Rusi, Uzbekistan, Kazakistan, Emiratet e Bashkuara Arabe, Iran, Irak, Bullgari, Hungari, Greqi, Ceki, Serbi, Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri, ku disa nga këto shtete kanë probleme me varfëri dhe papunësi. Serialet e tilla përveç asaj që janë duke prodhuar një anti vlerë e cila me siguri se bie ndesh me vlerat dhe traditën shqiptare, shohim se ato kanë filluar që të bëhen edhe varësi, përmes së cilave njerëzit identifikohen duke i imituar qëndrimet dhe sjelljet e tyre pa bërë ndonjë selektim.
Nëse analizojmë me kujdes brendësinë e serialeve, skenografinë, regjinë dhe procesin e zhvillimit të ngjarjeve të cilat zhvillohen, do të shohim se në pjesën më të madhe episodeve kryesisht ngjarjet zhvillohen brenda një ose dy familjeve, të cilat shfaqin: pasionin, jetën, kurthet e jetës, xhelozinë, dashurinë, seksin, abuzimin, dhunën në familje, pedofilinë, tradhtinë, incestin, si dhe shumë dukuri të tjera të cilat në një ose tjetrën formë janë të listuara si devijante. Profili i karakterit të aktorëve në serialet e tilla përfshinë agresionin dhe dhunën, madje në kohën kur ato shfaqen në televizionet nacionale dhe lokale, ato bien ndesh edhe me kodin etik, sepse në to shfaqen edhe përmbajtje eksplicite të cilat janë të ndaluara nën moshën 18 vjeçare dhe si të tilla, mund të ndikojnë në krijimin e stereotipave gjinor nga gjeneratat e reja. Pra, ngjarjet të cilat shfaqen në ato seriale kryesisht lidhen brenda familjes e cila konsiderohet si e “shenjtë” dhe agjens i parë i socializimit, duke pasqyruar familjen si diçka e cila ka çrregullime, tradhti, incest, e kështu me radhë.
Identifikimi me emrat e personazheve në seriale
Qasja e mediave që të shfaqin në programet e tyre seriale të ndryshme në vend se të investojnë në serialet vendore, ku do të kishin dobi edhe aktorët e rinj në skenën e teatrove dhe filmit, por edhe vetë shoqëria, ka shfaq disa elemente identifikuese me serialet e tilla. Njëra ndër to është edhe identifikimi me emrat serialeve, që sipas disa burimeve “prindërit sot kërkojnë emra sa më të veçantë për fëmijët e tyre, ndonëse ndonjëherë kuptimi dhe domethënia e tyre janë të panjohura. Sipas ofiqarëve të Komunës së Prishtinës në klinikën e Gjinekologjisë, prindërit kanë hequr dorë nga emrat e qyteteve të Shqipërisë, apo edhe nga ripërtëritja e emrave të familjarëve. Ndërsa të rrallë janë emrat që rrjedhin nga gjuha shqipe. Megjithatë, ndikimi më i madh në vendosjen e emrit është industria e muzikës dhe filmit, veçanërisht kjo e fundit” (http://portalionline.com/ne-kosove-po-ua-lene-emrat-femijeve-nga-personazhet-e-serialeve-turke/).
Megjithatë, edhe pse është e drejtë e prindërve që fëmijët t’i emërtojnë me emra të ndryshëm, në disa shtete ka emra të cilët është e ndaluar që t’i vënë fëmijëve, përfshirë këtu edhe Shqipërinë e cila ka një listë të emrave mbi 77 të cilët ndalohen për një ose arsye tjetër t’ia vejnë fëmijëve. Gjithashtu, edhe në nivel global ka disa shtete të cilët kanë të ndaluar disa emra, shembull “Në Islandë, njerëzit nuk munden ti emërtojnë fëmijët me ndonjë emër që përmban shkronjën C, sepse kjo shkronjë nuk ekziston në alfabetin e tyre. Nëse doni që fëmija juaj të ketë emër me këtë shkronjë, duhet të merrni leje nga Bordi islandez për miratimin e emrave. Në Zelandën e Re ndalohen emra të cilat mund të jenë ofenduese ndaj individëve ose bashkësive të caktuara. Përveç kësaj, janë të ndaluara dhe emra të cilat përcaktojnë ofiqe, si princeshë, princ, mbret etj. Ilejn, Alis, Sendi, Lora dhe Linda janë emra të ndaluar në Arabinë Saudite sepse janë në kategorinë e emrave të cilat ofendojnë ndjenjat religjioze, përkatësisht lidhen me fe tjera. Në shtetin meksikan Sonora nuk mund të quheni Hermiona, Heri Poter, Xhejms Bond ose Lejdi di sepse kjo nxit përqeshje. Në Portugali ekziston ligj për ndalimin e emrit Mona Liza. Aty është i ndaluar edhe dhënia e pseudonimeve, si Tom. Përveç kësaj, emrat duhet të jenë tradicionale portugeze dhe ta përcaktojnë gjininë” (http://www.zathur.al/emrat-e-ndaluar-ligj-ne-bote/). Edhe pse kjo duket paksa si paradokse, megjithatë qëllimi i këtyre ndalesave është që emrat mund të kenë kuptime qesharake me ç’rast fëmijët në të ardhmen do të mund të ndihen jo komod për shkak të emrit.
Ndërsa në Kosovë një gjë e tillë ende nuk ekziston. Ideja është që pavarësisht faktit që secili prindër është përgjegjës për vënien e emrit të fëmijës së tij/saj, duhet që emrat të kenë një kuptim, sepse në të kundërtën nesër ndoshta fëmijët do t’i akuzojnë prindërit e tyre për vënien e emrave pa një domethënie. Sido që të jetë, serialet e shumta të cilat transmetohen kanë bërë që shqiptarët së fundi, fëmijëve t’iu vënë emra nga serialet e huaja si ato latine si Kasandra e deri tek ato indiane si Indira.
Prandaj, si përfundim i këtij refleksioni të shkurtër mund të themi se shfaqja e serialeve të cilat nuk kanë ndonjë vlerë dhe nga e cila shoqëria mund të përfiton në aspekte të ndryshme, sidomos negative, përbënë një anti vlerë e cila mund të ketë pasoja. Madje, disa studime flasin se kriminelët më parë kanë parë filma të dhunshëm pastaj janë shndërruar në kriminel. Lidhur me këtë serialet e tilla mund të ndikojnë ndoshta më shumë negativisht tek shoqëria se sa pozitivisht, e në veçanti tek të rinjtë të cilat mund të ndikohen në sjellje, qëndrime, fjalor, veshje/dukje, apo edhe në ndikime tjera negative të cilat, nëse jo tash, në një të ardhme të afërt mund të ndikojnë që tradita dhe kultura të zbehen. /tesheshi.com/