Historia e njerëzimit është e karakterizuar për konflikti dhe konsenzuesi. Kur flitet për konfliktin, zakonisht për të mendohet si për diçka negative, forcë shkatërruese, dezintegruese, shthurje raportesh sociale, si e huaj për ne, e të tjerë. Sipas Martin List “konflikti është rrethanë sociale me të paktën dy palë pjesëmarrëse (individë, grupe, shtete), të cilët ndjekin qëllime të ndryshme dhe kanë pikënisje të parakordueshme ose synojnë të njëjtin qëllim, të cilin mund ta arrijë vetëm njëra prej palëve, dhe për arritjen e një qëllimi të caktuar duan të përdorin mjete të ndryshme që në pikënisje të parakordueshme”. Kurse, për funksionalistët si Dyrkemi, Parsons, e të tjerë, shoqëria funksionin si një sistem i strukturuar, dhe konflikti shërben për të përcaktuar individët rolet dhe funksionet e tyre sociale në një sistem të caktuar shoqëror të hierarkisë vlerore.
Pra, konfliktet janë pjesë e shoqërisë, burojnë nga ajo dhe e përcjellin atë vazhdimisht në të gjitha stadet e jetës. Dhuna është rezultat i konfliktit e konflikti është rezultat i mosmarrëveshjeve. Mosmarrëveshjet janë pasojë e akcesit të gabueshëm në vlerësimin e dallimeve. Dyrkemi si dhe shumë sociolog të tjerë me arsye kanë dhënë teori për dhunën si problem shoqëror i pashmangshëm në analizën sociologjike, duke aloduar se dhuna në fakt është një dukuri e veçantë shoqërore e cila del nga brendia shoqërisë dhe përcjell zhvillimin e saj në të gjitha segmentet dhe të gjitha etapat e zhvillimit. Kur flitet mbi dhunën në familje kryesisht mendohet në dhunën e ushtruar ndaj grave dhe fëmijëve, megjithëse këtu nuk përjashtohen as meshkujt, edhe pse fokusi është më shumë tek gratë. Andaj, llojet e dhunës të tilla si: dhuna fizike, verbale, psikike dhe ajo seksuale, pothuajse janë të pranishme në të gjitha shoqëritë dhe kulturat, megjithëse në disa shoqëri më të ulëta janë më shumë prezentë. Disa fakte mbi dhunën në familje flasin se:
- 1 në 3 femra kanë një eksperiencë në dhunën psikike ose seksuale nga partneri i tyre intim.
- Është vlerësuar se 35 përqind e grave në mbarë botën kanë përjetuar dhunë seksuale intime dhe fizike ose dhunë seksuale nga një jo-partner në një pikë në jetën e tyre. Megjithatë, disa studime kombëtare tregojnë se deri në 70 përqind e grave kanë përjetuar dhunë fizike dhe / ose seksuale nga një partner intim gjatë jetës së tyre.
- Gratë që janë keqtrajtuar fizikisht ose seksualisht nga partnerët e tyre kanë më shumë se dyfishin e probabilitetit të abortit, pastaj ato dy herë më shumë mund të përjetojnë depresion, si dhe në disa vende 1.5 herë kanë më shumë gjasa për të marrë HIV-in krahasuar me gratë që nuk kanë përvojë të dhunës me partnerë.
- Dyzet e tre përqind e grave në 28 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian kanë përjetuar një formë të dhunës psikologjike nga një partner intim gjatë jetës së tyre (shih: http://www.unwomen.org/en/what-we-do/ending-violence-against-women/facts-and-figures, 2017).
Këto fakte, por edhe fakte të tjera pasqyrojnë një dimension të gjerë se shoqëria bashkëkohore edhe pse ka arritur pothuajse në piedestalet më të larta të zhvillimit shkencor, teknologjik, prapë se prapë është duke u ballafaquar me dhunën në familje dhe tolerancën ndaj saj. Madje, vetë tolerimi i dhunës mund të jetë indikatorë për një shoqëri se në cilin stad të zhvillimit dhe emancipimit është.
Në Kosovë, mund të shohim se fenomenologjia e dhunës nuk është e re, ajo ka ekzistuar qysh herët dhe përmes së drejtës zakonore dhe sistemit patriarkal të familjes është bartur stad pas stadi deri më sot. Disa nga të dhënat e marra në portalet e ndryshme pasqyrojnë faktin se shoqëria kosovare është mjaftë tolerante ndaj dhunës në familje. Këto të dhëna tregojnë se mesatarja e dhunës në familje në Kosovë është diku rreth 1000 raste, kurse vetëm gjatë vitit 2016 “janë shënuar 1225 raste të dhunës. Mirëpo, këto janë vetëm një numër i këtyre rasteve të cilat janë të raportuara në Policinë e Kosovës, pasi disa edhe mbahen fshehtë. Prej këtyre statistikave të Policisë, janë evidentuar 987 viktima femra dhe 259 meshkuj. Kjo tregon që dukshëm më shumë dhuna ushtrohet mbi femrat, ndërsa me një përqindje jo edhe të vogël është mbi meshkujt. Kurse të dyshuar janë 107 femra dhe 1179 meshkuj, që tregon prapë një përqindje të lartë të meshkujve që ushtrojnë dhunë në familje të tyre. Nga rajonet, Prishtina prin me 320 raste të dhunës në familje, pastaj radhitet Peja me 191 dhe Prizreni me 186 raste (shih: http://www.ekonomiaonline.com/nacionale/mbi-1000-raste-te-dhunes-ne-familje-brenda-vitit/, 2017). Po ashtu edhe një studim i realizuar nga UNICEF në vitin 2013/2014, tregon se shoqëria kosovare është mjaftë tolerente ndaj dhunës së shprehur në familje, duke lënë pas disa shtete si Mali i Zi, Serbia, si dhe disa shtete të tjera në Afrikë dhe Azi.
Në rastin e Shqipërisë, mund të shohim se “gjatë muajve janar – shtator 2016 janë evidentuar 3195 raste, kurse gjatë vitit 2015 janë evidentuar 2869 raste (http://www.panorama.com.al/ne-elbasan-11-rritje-te-dhunes-ne-familje-45-raste-ne-muaj/, 2017), që i bie se diku rreth 11% të rasteve janë shënuar prej vitit 2015 në vitin 2016. Ky fakt tregon se Shqipëria ka numrin më të madh të dhunës në familje krahasuar me Kosovën, megjithëse edhe në Kosovë shpërfaqja e dhunës mbetet akoma sfidë serioze për shoqërinë.
Shkaqet e shpërfaqjes së dhunës në familje
Koncepti mbi uljen e numrit të dhunës në familje nuk mbaron vetëm përmes zhvillimit të legjislacionit dhe analizave konkrete, por gjithsesi se duhet që të gjitha politikat e zhvilluara në kuadër të këtij segmenti të zbatohen dhe të monitorohen nga akterët përgjegjës. Sido që të jetë, ne pamë që dhuna çdo vit e më shumë po shënon rritje dhe për këtë me siguri se ka disa faktorë që kanë ndikuar: së pari, mungesa e një komunikimi të mirëfilltë në mes të bashkëshortëve e cila për fat tek ne shpeshherë mungon, ndoshta kjo tingëllon paksa si sterotipizuese por në përgjithësi shqiptarët shquhen si “gjak të nxehtë”. Së dyti, tolerimi i dhunës nga ana e vet viktimave për shkaqe dhe rrethana të ndryshme, së treti mungesa e pavarësimit ekonomik të gruas me rastin e ushtrimit të dhunës ndaj saj, së katërti, faktorët socio – ekonomik, ku kemi një papunësi të lartë e cila ka prodhuar varfëri të lartë. Së pesti, janë faktorët individual si: përdorimi i alkoolit, drogës, stresi në punë dhe instrumentalizimi i atij stresi në shtëpi, ndikimi i mediave, si dhe faktorë të tjerë.
Pasojat nga dhuna në familje
Pasojat e dhunës mund të jenë të mëdha dhe të pa parashikuara, sepse kemi të bëjmë me gratë dhe fëmijët të cilët janë shtyllë e shoqërisë dhe disa nga ato pasoja mund të jenë: pasojat shëndetësore, që përfshinë: sëmundjet e ndryshme, thyerje të ndonjë kocke të trupit, mavijosje të fytyrës, probleme kardiovaskulare, etj, pasojat janë psikike, që përfshinë: stresin e vazhdueshëm i cili mund të ndikon negativisht në metabolizmin shoqëror, depresionin e thellë, vuajtjet, si dhe pasoja të tjera. Pasojat sociale, që përfshijnë: hermetizimin social, shmangien e kontakteve shoqërore, mungesën e integrimit shoqëror, linçimin nga rrethi, pasigurinë sociale, si dhe pasoja të tjera.
Prandaj, edhe pse tema e dhunës në familje përbën një studim të veçantë në oqeanin e shkencës së sociologjisë, ne jemi munduar që në pika të shkurtra të flasim mbi këtë problematik shoqërore dhe tolerimin e saj nga ana e shoqërisë. Mund të themi se nga kjo që kemi elaboruar deri më tani, shohim se akoma jemi mjaftë tolerantë ndaj dhunës së shprehur në familje dhe nëse vazhdon ky trend, atëherë shoqëria kosovare do të përballet me sfida të ndryshme, të cilat do të jenë barrë e madhe për vetë shoqërinë kosovare. Dhuna në familje dhe tolerimi i asaj është një indikatorë për një shoqëri se si ka zgjedhur rrugën e saj para vetës dhe në këtë rast akterët e involvuar duhet të mundohen që të gjitha mosmarrëveshjet t’i zgjidhin përmes komunikimit i cili njëherit konsiderohet si çelës i suksesit të problemeve dhe jo formave apo mënyrave të dhunës. /tesheshi.com/