Tema rreth familjes përbën një nga çështjet primare të studimit në lëminë e sociologjisë, për shkak se familja konsiderohet si strukturë e shoqërisë, është bërthamë e saj, pa të cilën shoqëria nuk do të mund të mbijetonte dot. Familja është ajo celulë e shoqërisë e cila ka bërë që sot shoqëria të jetë në këtë stad; ajo sot konsiderohet si njësia themelore e vet shoqërisë. Ndaj, duke parë rolin dhe rëndësinë e familjes, shumë studiues të sferave të ndryshme iu kanë qasur studimit të familjes në mënyrë që të analizojnë më për së afërmi strukturën, ndryshime sociale në familje, si dhe shumë segmente të tjera të rëndësishme të cilat e elaborojnë familjen si të tillë.
Në diskurset shoqërore, kur flitet për familjen, edhe pse ka shumë përkufizime të ndryshme rreth saj dhe nuk do të mjaftonte që të thureshin të gjitha përkufizimet, vlen të përmendet se familja konsiderohet si celulë e shoqërisë dhe është e vjetër sa vetë njerëzimi. Sipas nenit 16 (3) të Deklaratës të Përgjithshme mbi të Drejtat e Njeriut, “Familja është njësia bazë grupore e shoqërisë dhe i jepet mbrojtje nga shoqëria dhe shteti”. (Shih: Deklaratën e Përgjithshme mbi të Drejtat e Njeriut) Ajo është njësia shoqërore më e vogël e përbërë nga dy ose me shumë persona të cilët kanë midis tyre lidhje martesore, gjaku ose birësimi, që jetojnë në të njëjtin mjedis social për një kohë relativisht të gjatë, si dhe kanë marrëdhënie kulturore dhe ekonomike të përbashkëta e përkujdesen për njëri-tjetrin. Madje, për shkak të rolit të patjetërsueshëm të familjes, qysh në vitin 1993, përkatësisht më 15 maj, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e shpalli ditë të familjes, në mënyrë që kjo ditë të shërbejë për të gjithë qytetarët e botës si një kujtesë kolektive mbi rolin dhe rëndësinë e saj. Sot, me familje nënkuptohet si grup i individëve i lidhur nga gjaku ose martesa dhe që jetojnë (bashkëjetojnë), bashkëveprojnë ekonomikisht, si dhe ndajnë përgjegjësitë për t’i rritur fëmijët së bashku. Kurse, sipas Parsonit, “familja konsiderohet si fabrikë që prodhon personalitete njerëzore”, që do të thotë se familja është grup social dhe agjens i parë i socializimit.
Roli dhe funksionet e familjes
Familja normalisht ka një rol domethënës në proceset e jetës dhe në proceset shoqërore. Ky rol ndërlidhet me shumë funksione të saj. Megjithatë, roli më shumë është në riprodhimin biologjik, në edukimin e fëmijëve, duke mos anashkaluar këtu edhe rolet e tjera, si në funksionin ekonomik, që ka për qëllim mbështetjen në ushqim, veshje, strehim, etj., pastaj funksionin emocional, që ka për qëllim mbështetjen në intimitet, shoqëri, përkatësi, etj., funksionin socializues, që për qëllim ka socializimin e fëmijëve, rritjen e tyre, e kështu me radhë. Funksione të tjera të rëndësishme janë: kontrolli i seksualitetit, që ka për qëllim definimin dhe kontrollin se kush me kë po martohet, funksioni i riprodhimit, që përcakton llojet e marrëdhënieve, si dhe role të tjera të rëndësishme. Me fjalë të tjera, roli i familjes është i lartë në shoqëri; kjo është parë edhe tek familja shqiptare, ku me shekuj të tërë kjo familje ka ruajtur kauzën e shqiptarizmës dhe ka kontribuar në ndërtimin e identitetit kombëtar. Një familje e shëndoshë është tepër e rëndësishme për shkak se me këtë kemi edhe një shoqëri të shëndoshë. Nuk është e rastësishme që ndër kriteret e pashkruara të kandidatëve për president në shumë shtete, në mesin e tyre edhe në SHBA, është që të jetë kandidati familjar, për shkak se rregulli i artë i menaxhimit thekson se menaxhimi i mirë me familje mund të jetë imazh edhe në menaxhimin e mirë të shtetit.
Kah po shkon familja shqiptare?
Jemi dëshmitarë të asaj që familja shqiptare çdo ditë e më shumë po ndryshon dhe po evoluon. Madje, një fakt të tillë shqetësues e kanë dhënë edhe përfaqësues të OECD-së. Ndaj, ky fakt ka bërë që të dalin në sipërfaqe shumë aspekte të rëndësishme të familjes, të cilat janë objekt studimi i sociologjisë. Ndryshimet dhe zhvillimet sociale që sot po ndodhin anembanë botës pa dyshim se kanë prekur edhe strukturën e familjes, në mesin e saj edhe familjen shqiptare. Kjo vërehet sidomos me ndryshimin e dy gjërave madhore të cilat tek shqiptarët njihen si të “shenjta”, e që kanë të bëjnë me a) solidaritetin social dhe b) strukturën e familjes të qëndrueshme. Të dy këto elemente si duket tani më janë zbehur dhe nuk e kanë atë ndikim që kanë pasur dikur. Lirisht mund të themi se familja shqiptare, sikurse edhe familja në Perëndim, po kalon një periudhë tranzicioni dhe një krizë institucionale e cila ka tërhequr vëmendjen e sociologëve dhe antropologëve. Në të kaluarën, familja shqiptare ka qenë patriarkale dhe e organizuar përmes së drejtës zakonore, e cila e ka cunguar sidomos femrën dhe ia ka humbur imazhin. Ndërsa me kalimin e kohës, edhe pse familja shqiptare i ka qëndruar besnike patriarkalizmit, një model i tillë ka qenë i moderuar. Mirëpo, vitit 1999 nuk mund të themi se është e njëjta familje, kjo për shkak se familja moderne që sot ne e njohim ka ndryshuar nga familje e madhe në familje të vogël, por gjithashtu ka edhe ndryshime të tjera, të cilat vërehen dukshëm si në aspektin e socializimit, po ashtu edhe në aspektin e planifikimit familjar. Pra, kemi një transformim të funksionit të familjes, të planifikimit familjar, të de-socializimit të familjes, si dhe ndryshimeve të tjera, të cilat nëse vazhdohet të luhet me Kartën e familjes moderne, atëherë do të kemi shoqëri të mplakur dhe natalitet të ulët, si dhe probleme të tjera, që paraqesin sfida serioze për shoqërinë kosovare. Në tërë këto transformime të familjes mund të themi se kanë pasur ndikim një sërë faktorësh, ndër to:
- a) Faktorët negativë:
- Periudha e luftës ka ndikuar në ndryshimet e familjes dhe atë dukshëm;
- Imitimi i vlerave të huaja pa seleksionim ka bërë që struktura e familjes të ketë divergjenca;
- Kalimi nga solidariteti mekanik në atë organik/ zv. i lidhjeve të vjetra dhe ato të reja dhe ngërçi në të cilën ka mbetur ky solidaritet;
- Emigrimet në relacionet fshat- qytet;
- Rënia e natalitetit dhe pasioni i verbër për karrierë;
- Shpërfaqja e divorceve;
- Dhuna e shfaqur në familje;
- Kriza e vlerave e cila ka prodhuar krizë të identitetit, etj.
- b) Faktorët pozitivë
- Emancipimi i femrës dhe fuqizimi i pozitës së saj në shoqëri;
- Vetëdijesimi i shoqërisë për të drejtat, sidomos të femrave;
- Dhënia e pasurisë femrës (10% aktualisht);
- Barazia gjinore, etj.
Dallimet e strukturës ndërmjet familjes tradicionale dhe alternativat
Familja tradicionale | Alterantivat jo tradicional |
Jetesë e përbashkët | Partner që jetojnë larg njëri-tjetrit |
Martesë ligjore | Bashkëjetesë (qoftë edhe ligjore), por pa lidhje martese ose individ të pamartuar |
Lidhje relativisht të qëndrueshme | Paqëndrueshmëri, divorci, rimartesa |
Ekskluziviteti seksual i individëve të lidhur në martesë | Seksi jashtëmartesor, martesa seksualisht të hapura |
Lidhje e një burri me një grua | Marrëdhëniet seksuale brenda të njëjtit seks |
Marrëdhënie heteroseksuale | (Homoseksualiteti lezbizmi) |
Prania e dy prindërve në familje | Familje me një prind, me prindër të divorcuar apo të ve; familje me njerk/njerkë etj |
Lindje dhe rritje fëmijësh | Parapëlqim për të mos lindur fëmijë, për të birësuar e marrë në kujdestari; fëmijë nga dy bërthama; nga martesa e mëparshme etj. |
Burri si burim i parë i të ardhurave | Prirja për barazi e ndihmesa të përbashkëta (të paktën si një prirje apo realitet i pjesshëm) |
Burri si autoritet kryesor | Prirja për martesë dhe familje “të hapur”, me të drejta, detyrime e përgjegjësi të barabarta |
Kriteri moral dhe forca e opinionit | Prirja për largimin e jetës personale nga kriteri moral |
Burimi: (Lekë Sokoli: Analiza Sociologjike, fq. 9).
Sfidat me të cilat ballafaqohet familja shqiptare sot
Sfidat me të cilat ballafaqohet sot familja në Kosovë janë të shumta. Ndër to përmendim: mosrespektimin e saj (familjes) nga fëmijët, mungesën e vizitave të ndërsjellta familjare, problemet dhe konfliktet e ndryshme brenda familjes si rezultat i shkaqeve socio-ekonomike dhe shkaqeve të tjera, ejxhizmin – term sociologjik që ka të bëjë me diskriminim në moshë, ku sot kemi raste të shumta që, për shkak të moshës, fëmijët i dërgojnë prindërit në shtëpi të pleqve dhe harrohet tërë kontributi i tyre; pastaj familja shqiptare, edhe pse sot ka një egalitarizëm një barazi në të gjitha sferat e jetës, për fat të keq mungon një drejtësi sociale e cila do të kontribuonte në zhvillimin e mëtutjeshëm të familjes së shëndoshë, etj. Të dhënat flasin se familja sot ballafaqohet me shkallë të lartë të divorcit në raport me periudhën e paraluftës dhe në raport me numrin e përgjithshëm të popullsisë në Kosovë. Edhe pse divorci në parim konsiderohet si e drejtë e individit, numri i çifteve bashkëshortore të shkurorëzuara po ka një trend të rritjes nga viti në vit. Këtë e dëshmojnë të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ku bëhet e ditur se dallimi i shkurorëzimeve në vitin 2013 me atë 2014 është në mbi 200 raste. Nga 1040 raste sa ishin në vitin 2013, në vitin pasues numri i tyre u shtua në 1243. Ndërsa, faza më fatale për çifte thuhet të jetë viti i dytë i martesës, gjë që është tepër shqetësuese. Me fjalë të tjera, nëse sot kemi një shoqëri kryesisht të përbërë nga rinia e që konsiderohet si e ardhmja e shtetit dhe e kombit tonë, dhe në anën tjetër nuk kemi një familje të shëndoshë, atëherë problemet do të jenë të mëdha.
Prandaj, si përfundim mund të themi se familja konsiderohet si e shenjtë dhe ka një rol të rëndësishëm në ndërtimin e shoqërisë. Nga ky refleksion i shkurtër, sado kudo arritëm të reflektojmë se familja është ajo struktura dhe shtylla e shoqërisë pa të cilën ne nuk do të ishim këtu, dhe se respektimi i saj është prej virtyteve të larta kombëtare, fetare, morale, etike, kulturore dhe shoqërore. Ky refleksion, i bazuar në hulumtimet dhe studimet e ndryshme dhe të dhënat relevante, edhe pse familjen shqiptare nuk e gjen në një pozitë të mirë, duhet të jetë një kampanjë vetëdijesimi për të gjithë ne, që me familjet tona të reflektojmë në frymën e raporteve konstruktive dhe raporteve të shëndosha, që do t’u kontribuojnë edhe gjeneratave të reja dhe që këto raporte familjare të jenë model suksesi edhe për popujt e tjerë. E kjo bëhet kryesisht përmes:
- Edukimit të mirëfilltë nga familja, madje një autor thekson se një njeri edukohet 20 vite më herët, që do të thotë se kur familja ka një edukim të mirëfilltë në baza të shëndosha, atëherë edhe fëmijët do të shkojnë po kah ajo vijë;
- Komunikimit brenda familjes për problemet e ndryshme, pasi që komunikimi konsiderohet si çelës i suksesit;
- Planifikimit familjar;
- Shmangies së konflikteve brenda familjes;
- Arsimimit adekuat;
- Nëse eventualisht ekzistojnë probleme brenda familjare, ato duhet analizuar me kujdes dhe duhet kërkuar edhe ndihma nga sociologu, psikologu, madje edhe teologu, në mënyrë që mos të vihet deri tek divorci, i cili paraqet fundin e martesës dhe sfidon familjen. Në këtë kontekst, shteti i Malajzisë konsiderohet në nivel global që ka më së paku divorce për shkak se individët para martesës përfundojnë një kurs për familjen, rolin dhe përgjegjësitë! Andaj, gjasat janë të vogla të vinë deri tek divorci.
- Ndarja e roleve dhe përgjegjësive; kjo e fuqizon konceptin e familjes. /tesheshi.com/