Javë mё parë në Kosovë dhe më tej u shënua festa e 8 marsit e njohur si “festa e nënës apo në disa raste festa e gruas”. Kjo festë ndërkombëtare është ndër ato festat e pakta e cila festohet pothuajse në të gjitha vendet e botës dhe qëllimi fundamental i saj është rikujtimi i grave për arritjet e tyre, pavarësisht dallimeve kombëtare, gjuhësore, kulturore, ekonomike, politike, racore, e kështu me radhë.
Historikisht kjo ditë edhe pse sot kujtohet në shumë vende të botës ajo erdhi si rezultat i aktiviteteve të grave për të drejtat e punës dhe kushtet disfavorshme, në të cilat ato punonin në atë kohë, përkatësisht në fillim të shekullit XX-të. Që nga ajo kohë e deri në ditët e sotme ka pasur një kalendar të ngjarjeve të cilat janë zhvilluar për këtë qëllim, duke kërkuar njëherit që gratë të kenë të drejta më të mëdha dhe të jenë të barabartë me meshkujt në të gjitha poret e jetës, një lloj egalitarizmi modern.
Sido që të jetë, kjo festë e cila tashmë është shndërruar në një event global, duke u organizuar Konferenca, takime, seminare edhe nga një sërë organizatash ndërkombëtare, në mesin e tyre edhe nga vetë Organizata e Kombeve të Bashkuara. Mirëpo, para se gjithash kjo festë e njohur si 8 mars ka një kronologji të shkurtër historike që nga fillimi e deri më sot, si:
- 1909 – dita e parë kombëtare e gruas u vërejte në SHBA me 28 shkurt, atëherë kur partia socialiste e SHBA-së e caktoi këtë ditë si nder për grevën e punëtorëve të veshjes me 19085 në Nju Jork, me ç’rast edhe gratë protestuan kundër kushteve jo të mira të punës;
- 1910 – Takimi ndërkombëtar i socialistëve në Kopenhagën, themeloi Ditën e Gruas me karakter ndërkombëtar, për të nderuar lëvizjen për të drejtat e grave dhe për të nderuar një përkrahje për arritjen e vetos universale për gratë. Propozimi u përshëndet me miratimin unanim nga konferenca me mbi 100 gra nga 17 vende, ku përfshiheshin tre gratë e para të zgjedhura në Parlamentin finlandez.
- 1911 – Si rezultat i nismës së Kopenhagenit, Dita Ndërkombëtare e Gruas u shënua për herë të parë (me 19 mars) në Austri, Danimarkë, Gjermani dhe Zvicër, ku morën pjesë më shumë se një milion gra e burra. Përveç të drejtës për të votuar dhe për të mbajtur postin publik, ata kërkuan të drejtat e grave për të punuar, për trajnim profesional dhe për t’i dhënë fund diskriminimit në punë.
- 1913-1914 – Dita Ndërkombëtare e Gruas gjithashtu u bë një mekanizëm për të protestuar ndaj Luftës së Parë Botërore. Si pjesë e lëvizjes paqësore, gratë ruse vëzhguan Ditën e parë Ndërkombëtare të Gruas që ishte në të dielën e muajit shkurt. Diku tjetër në Evropë, rreth ose rreth 8 marsit të vitit vijues, gratë mbajtën tubime për të protestuar kundër luftës dhe për të shprehur solidaritetin me aktivistët e tjerë.
- 1917 – Gratë ishin kundër sfondit të luftës, ku gratë në Rusi përsëri zgjodhën të protestonin dhe të goditnin me moton “Bukë dhe Paqe”, që ra të dielën e fundit të muajit shkurt e cila ishte po ashtu data 8 mars. Katër ditë më vonë, cari i Rusisë dha dorëheqje dhe Qeveria e përkohshme u dha grave të drejtën për të votuar.
- 1975 – Gjatë Vitit Ndërkombëtar të Grave, Kombet e Bashkuara filluan të festonin Ditën Ndërkombëtare të Gruas më 8 mars.
- 1995 – Deklarata e Pekinit dhe Platforma për Veprim, që ishte një plan historik i nënshkruar nga 189 qeveri, e cila u përqendrua në 12 fusha kritike dhe shqetësuese, si dhe parashikoi një botë ku secila grua dhe vajzë mund të ushtrojnë (lirshëm) zgjedhjet e tyre: si pjesëmarrja në politikë, të ardhurat dhe të jetojnë në një shoqëri pa dhunë dhe diskriminim.
- 2014 – Sesioni i 58-të i Komisionit për Statusin e Grave (CSË58) në OKB – mbledhja vjetore e shteteve (anëtare) për të trajtuar çështjet kritike që kanë të bëjnë me barazinë gjinore dhe të drejtat e grave – u përqendrua në “Sfidat dhe arritjet në zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit për gratë dhe vajzat” (http://www.un.org/en/events/ëomensday/history.shtml);
Pamë një kronologji të shkurtër historike mbi ngjarjen e 8 marsit e cila nisi si një protestë e duke u shndërruar tani më si një event global i cili i dedikohet të drejtave të grave, fuqizimit të tyre, punësimit, pjesëmarrjes publike, si dhe aktiviteteve të ndryshme të cilat ndërlidhen me të drejtat e grave. Por shtrohet pyetja: Cila është gjendja aktuale e grave sot dhe Cilat janë problemet dhe sfidat e tyre? Kjo pyetje ndoshta meriton një studim goxha të specifikuar, sepse me një ese nuk mund të përmblidhet. Megjithatë, ne sot jemi dëshmitarë të asaj që pavarësisht faktit që bota është globalizuar dhe kjo shoqëri konsiderohet si shoqëria më e civilizuara deri më sot, mund të themi se gratë dhe vajzat e reja sot përballen me shumë probleme dhe sfida.
Përderisa në disa shtete të SHBA-së gratë dhe burrat për të njëjtën punë dhe me kualifikime të njëjta nuk paguhen njëjtë, meshkujt paguhen më shumë se sa femrat. Në Indi femrat janë pre e përdhunimeve pothuajse çdo herë, madje në vitin 2016 në këtë shtet janë raportuar si 2155 raste (http://www.indiaspend.com/cover-story/in-5-years-277-rise-in-rape-cases-reported-in-delhi-govt-initiatives-falter-funds-underutilised-91626), megjithëse edhe shumë raste të cilat ndodhin nuk raportohen për shkaqe dhe rrethana të ndryshme.
Në Pakistan dhe Afganistan, gratë kryesisht anatemohen dhe mbytën me gurë, në Arabi Saudite ato nuk guxojnë të vozisin, megjithëse së fundi janë bërë disa reforma dhe një gjë e tillë është lejuar, pastaj në shumë shtete të Azisë dhe Afrikës vajzat e reja martohen pa dëshirën e tyre dhe një pjesë goxha e madhe e tyre vdesin qysh në natën e martesës, në disa kultura të Afrikës është traditë që femrat të kenë një lloj synetie e cila gjymton femrat, në Kinë në disa fshatra ende gratë i kanë të vendosura shputat kineze, të cilat i gjymtojnë ato e kështu me radhë. Këto fakte tregojnë se gratë në përgjithësi përballen me shumë sfida dhe probleme, pavarësisht faktit që shtetet e ndryshme kanë një legjislacion goxha të zhvilluar.
8 marsi dhe gratë në Kosovë
Sikurse në pjesët tjera të botës edhe në Kosovë u shënua festa e 8 marsit si ditë e grave/ditë e cila i kushtohet nënës. Mirëpo, kësaj here në raport me herët e kaluara kishte edhe një protestë simbolike përmes së cilës kërkohej vendosja e barazisë së plotë gjinore dhe respektimi i të drejtave të grave. Në shoqërinë shqiptare në përgjithësi ende gruaja shihet si dytësore në raport me meshkujt dhe për këtë me siguri se ka një sërë faktorësh të ndryshëm të cilët kanë ndikuar në mesin e tyre edhe e drejta zakonore. Aktualisht gratë në Kosovë përballen me shumë sfida që nga portretizimi i femrës me një gjuhë seksiste në media e deri tek dhuna në familja e cila akoma vazhdon të prodhon në vit diku rreth 1000 raste, ku në pjesën më të madhe të rasteve viktimë kryesore janë gratë dhe fëmijët.
Të dhënat në Kosovë tregojnë se “në Kosovë gratë përfaqësojnë gjysmën e popullatës së përgjithshme, por pavarësisht kësaj, në tregun e punës, sipas shifrave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës vetëm 12 për qind e tyre punojnë. Derisa, sipas disa hulumtimeve të organizatave joqeveritare thuhet se rreth 80 për qind e grave që punojnë në sektorin privat, nuk kanë kontrata të punës, kurse në sektorin publik 12 për qind nuk e gëzojnë këtë dokument që siguron qëndrueshmëri në punë. Rreth 31 për qind e grave, që punojnë në sektorin privat kanë punuar për 10 ose më shumë orë të vazhdueshme në ditë. Kurse 46 për qind kanë punuar gjatë festave zyrtare dhe 66 për qind e tyre kanë punuar gjatë fundjavës. Po ashtu, rreth 60 për qind, thuhet se nuk kanë marrë asnjë lloj kompensimi për punën jashtë orarit (http://www.mediatshqiptare.com/aktuale-lajme/26912/festimi-i-8-marsit-me-protesta/).
Po ashtu, mund të shohim se nga 38 komuna asnjë femër nuk është kryetare e komunave dhe pothuajse në pozitat udhëheqëse gratë janë të përfaqësuara shumë pak. Për këtë me siguri ka disa faktorë që kanë ndikuar: së pari mos prioritizimi i gruas si pjesë e programit për barazi dhe drejtësi sociale, së dyti, pasqyrimi i gruas me tone seksiste, së treti mungesa e implementimit të legjislacionit sidomos me rastin e të drejtave pronësore, së katërti mungesa e programeve në kurrikulat shkollore për çështjet gjinore, së pesti mungesa vetëdijes shoqërore mbi këtë problematikë edhe pse së fundi ka pasur një ngritje të kësaj vetëdije, si dhe faktorë të tjerë.
Prandaj, 8 marsi dhe manifestimi i kësaj feste nuk duhet të jetë vetëm një ditë, kjo festë duhet të jetë çdo herë dhe si e tillë ajo ka për qëllim trajtimin e gruas në mënyrë të barabartë me meshkujt në të gjitha poret e jetës. Pra, 8 marsi duhet të jetë model i motos së fuqizimit të pozitës së gruas tek shqiptarët dhe kjo datë duhet ta gjejë shoqërinë shqiptare si një shoqëri e emancipuar, një shoqëri e cila gruan e sheh si të barabartë dhe një shoqëri e cila i ofron mundësi gruas që ajo të shpërfaq identitetin e saj gjinor dhe të japë kontributin e saj në ndërtimin dhe zhvillimin e kombit, shoqërisë dhe shtetit. /tesheshi.com/