I dashur mik,
Me letrën tëndë të mbushur cyt me përshtypjet, emocionet dhe mundësitë e mëdha që të ka hapur jeta në SHBA më kujtove një nga përkthimet e mija të kahershme të burgut, kur mbas vdekjes së Hoxhës, filluam të fusnim në kampin e Spaçit ndonjë libër. Na erdhi dhe një metodë e frengjishtes, Langue et civilization française. Në sprovat e mija me këtë libër përktheva dhe fragmente nga disa prej autorëve të shquar frëngë, e mes tyre dhe një fragment nga Nourriture terrestre të Andre Zhidit.
Meqënëse tekstin e kam në kompiuter, është i shkurtër dhe ka frymën e letrës tënde, po e riprodhoj të gjithin:
Të jesh i lirë, gjithmonë i lirë, plotësisht i lirë
(Etre disponible, toujour disponible, tout entire disponible)
Në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare, kur sapo kisha mbaruar studimet e para, me një gjendje mendore të lodhur nga puna, me zemrën pa dashuri, i neveritur nga jeta dhe me një trup të rraskapitur, nisa ravgimet e mija pa patur ndonjë qëllim të caktuar, thjesht i shtyrë nga hovet dhe luhatjet e pasioneve endacake. Njoha gjithçka: pranverën, afshin e tokës, kërthnezjen e lulëzimin e bimëve në fusha, mjergullat e lëvarura mëngjeseve mbi lumenj dhe avujt e mbrëmjeve mbi lëndina. Përshkova tërë ata qytete e nuk desha të ndalem kërkund. Është i lumtur, mendoja, ai që nuk e ngul veten askund mbi dhe, ai që vlagën e përjetshme, që digjet brenda tij, e përend mbi gjërat që lëvizin dhe ndryshojnë vazhdimisht. Urreja vatrat, familjet, çdo vend ku njeriu pandeh se mund të gjejë prajë; urreja ndenjat e qëndrueshme, besnikëritë në dashuri, dhënien pas ideve të caktuara – gjithçka që kompromenton drejtësinë. Thoja vetmevete se çdo gjë e re duhet të na gjejë plotësisht të lirë (disponibël). Nga dita në ditë, nga ora në orë nuk kërkoja tjetër veçse një depërtim sa më të thjeshtë të natyrës brenda meje. Ndenja dhuntinë e çmuar që vetvetja nuk më bëhej pengesë për këtë. Kujtimi i të kaluarës kishte vetëm aq forcë sa ç`duhej për t`i ruajtur jetës time unitetin; ishte si ai filli misterioz që e lidhte Tezeun me dashurinë e shkuar, por që nuk e pengonte aspak të ecte përpara përmes pejsazhesh krejt të reja. Edhe njëherë duhej këputur ky fill..Ç`rilindje e mrekullueshme! Shpesh, në shëtitjet e mëngjeseve, unë shijoja përjetimet e një qënieje të re, delikatesën e perceptimeve të mija.
“Dhunti poetike – thoja vetmevete – ti je dhuntia e takimeve të përjetshme” – dhe thithja nga të gjitha anët. Shpirti im ishte si një hotel në udhëkryq, i hapur për cilindo që dëshironte të hynte.
I dashur mik,
Letra jote jo vetëm më kujtoi këtë fragment kaq të bukur, por më akutozoi dhe një herë një sëmundje të vjetër, simptomat e së cilës më çfaqen në formën e mendimeve të mundimshme mbi kuptimin e jetës. E lexova më shumë se një herë. Veçse dua të them se ndryshe nga Zhidi, i cili shkruan duke patur një distancë nga përjetimet që përshkruan dhe duke shprehur në mënyrë implicite një qëndrim kritik ndaj atyre përjetimeve (Nourriture terrestre ai e ka cilësuar “libër i moshës së rinisë i shkruar nga një i sëmurë në gjendje konvaleshence”), ti je shumë entuziast kur thekson kënaqsinë e eksplorimeve, ndonëse me moshë i ke kaluar të tridhjetat.
Padyshim përvojat e reja janë diçka për të cilën kemi të gjithë nevojë. Meqë ra fjala, nuk mund ta pranoj idenë tënde se unë qenkam i vetëmjaftueshëm, se prodhoj nga vetvetja. Gjithë çfarë kam krijuar apo më ka motivuar të jetoj ka qenë rezultat i një marrëdhënieje të vazhdueshme me një realitet të jashtëm ose të brendshëm. Kjo që po ndodh në Shqipëri është një përvojë e re, tejet interesante për mua, dhe përjetimi i saj nga pikëpamja letrare vjen tek unë natyrshëm, si vazhdimësi e një eksperience me të cilën është i lidhur vetë kuptimi më thelbësor i qenies sime: krijimtaria, revista Përpjekja dhe, më gjërë, përpjekja për t`i dhënë një kuptim jetës. Të njëjtën gjë kam bërë dhe në burg. Atje pak nga pak u ndërgjegjësova se filozofia e jetës është ta kthesh fatin (destinin) tënd në destinacionin tënd. Me këtë kuptoj se njeriu duhet t`i “nënshtrohet” fatit të tij në mënyrë krijuese, duke e shfrytëzuar atë në drejtim të prirjeve apo vokacionit të tij.
Librat që shkruaj sot mbi përvojën e burgut janë produkt i kësaj filozofie. Përndryshe, t`i ikësh gjithmonë fatit për të kërkuar një fat më të mirë, ka rrezik të ikësh nga jeta pa i dhënë asaj asnjëherë kuptim. Do të thuash ti që pse iu dashka dhënë një kuptim jetës. Ose ose: kuptimi i jetës mund të jetë dhe eksplorimi i vazhdueshëm i gjërave të reja. Mirëpo, a mund të reduktohet natyra njerëzore vetëm në etjen për eksplorim dhe emocione të reja? Pa dyshim qenia njerëzore, sado e ndryshme të shfaqet në individë të ndryshëm, përmban diçka më tepër sesa etja dhe shija e eksplorimit.
Qenia njerëzore ka dhe një instikt konstruktivist të fortë. Ky instikt e bën atë të ndjejë kënaqësi duke ndërtuar, qoftë kjo një shtëpi, një familje, një marrëdhënie apo një institucion.
Qenia njerëzore ka edhe një ndjenjë prone të fortë mbi atë ka ndërtuar, e cila, me kalimin e kohës, nuk përbën më vetëm pronë materiale, por dhe pronë shpirtërore.
Qenia njerëzore ka dhe një kujtesë të së kaluarës, e cila, nëpërmjet disa rrugësh të çuditshme, zhvendoset nga truri në zemër duke ngjallur një ndjenjë po aq të çuditshme që quhet mall.
Prandaj, i dashur mik, nuk mendoj se etja për eksplorim dhe prirja për të provuar e shijuar gjithçka mund t`i japin një kuptim më të mirë jetës, perveçse përkohësisht dhe si pjesë e një të tëre më të gjerë. Mua me duket se kënaqësia e bletës nuk është thjesht shëtitja lule më lulë, por prodhimi i mjaltit, ose të dyja sëbashku si një e tërë. Mua me duket se miku ynë i përbashkët Zh. Nuk shijon dhe aq lumturi duke eksploruar një numër sa më të madh femrash. Eksplorimi nuk bëhet vetëm në shtrirje, por dhe në thellësi. Haremi nuk ta jep dot atë kënaqësinë që të jep një lidhje e thellë, e lindur nga dashuria dhe e pasuruar përmes asaj që atje në Amerikë i thonë commitment (nuk shqip nuk gjej fjalë më të afërt se sa përkushtimi).
Nga pikëpamja e këtyre që thashë më lart mendoj se ikja, veçanërisht në një kohë si kjo që po kalon Shqipëria, është thyerje, humbje, braktisje e përkushtimit në ndërtimin e një diçkaje. Sigurisht kemi shumë arsye për ta justifikuar veten, deri tek ajo më madhorja, rreziku i jetës, por nuk mund të pranoj çka thua ti se kjo ikja jote qenka vazhdim i natyrshëm i prirjes së njeriut për të eksploruar realitete të reja, njerëz të rinj, raca të tjera, mendime të ndryshme për jetën, për marrëdhëniet, objekte të reja ose pamje të reja. Më mirë thuaje troç se ajo që po bën ti atje është një përpjekje për të këmbyer jetën, për t`i gjetur asaj një kuptim tjetër, një tjetër commitment.
Në fund të fundit ke të drejtë të më thuash: “Përse u dashka kërkuar më doemos kuptimi i jetës në një vend (si Shqipëria), ku vriten përditë jo vetëm njerëz, por dhe ëndrra e pasione? Përse ta mbyll jetën në atë provincë?” – është pyetja që ma bën shpesh një miku im tjetër që ndodhet në Angli. Patjetër, lëvizja e lirë e njerëzve bën pjesë në të drejtat themelore, ashtu sikurse, do të thoja, lëvizja pa fund e pa kufi e aspiratave. Le pastaj që gati më vjen ta lë përgjysëm letrën kur mendoj se ti atje mund të kesh rënë në dashuri me një amerikane. Megjithatë nuk mund ta fsheh se më trishtoi shumë ajo fraza ku thua: ”….të gjithë ata njerëz janë gjynah që nuk kanë sot mundësinë të dalin nga një mjedis ku plehrat digjen çdo ditë në mes të rrugës.
Asfiksia morale është shumë e rëndë dhe është fatkeqësi të mos mundesh t`i largohesh erës së pisllëkut, kur pjesa e mbetur e botës është aty, e tëra për ty dhe e ka kaluar sëmundjen shekuj më parë.” Po vallë a nuk kishim marrë përsipër ne të pastronim një çikë nga ai pisllëku material dhe shpirtëror i vendit tonë. Madje, nëse ne i krijuam vetes disa mundësi për të pasur një jetë disi më më të lehtë ekonomike, për të lëvizur jashtë shtetit e për të pasur kontakte, këto i patëm në sajë të ndihmave që bota perëndimore dha që ky vendi ynë i mallkuar të ndërtonte më në fund shoqërinë civile. Këtu hyjnë dhe ndihmat për atë shoqatën tënde të famshme ekologjike, e cila organizoi aq shumë seminare dhe udhëtime eksperience jashtë shtetit për ruajtjen e pemëve, por që nuk ruajti dot asnjë gjethe. Shkurt, ikja jote në këtë periudhë është dështim i asaj që nisëm të ndërtojmë.
Dikush ikën me justifikimin se një periudhë kohe jashte shtetit e ndihmon një intelektual të lartësohet profesionalisht. Mirëpo, ç`vlerë ka lartësimi profesional i një politikani, p.sh., i cili në kohën e krizës ikën e lë vendin për të shpëtuar lëkurën? A mundet ai nesër t`u inspirojë besim njerëzve që kërkon t`i drejtojë?
Ka të tjerë që thonë se do të vijnë pas pesë vjetësh apo dhjetë, “kur Shqipëria të jetë bërë.” Po kush do ta bëjë Shqipërinë nëse të gjithë njerëzit me mend ikin? Dhe, nëse ata që mbesin vërtet do të arrijnë ta bëjnë atë, atëherë pikërisht këta do të jenë heronjtë e saj të vërtetë, kurse të kthyerve vonë do t`u mbesë thjesht roli i mysafirit apo tregëtarit, kurrsesi ai i misionarit dhe shpëtimtarit.
E kam të vështirë të flas kështu për ata që e lënë vendin për hatër fëmijëve, veçanërisht kur mendoj se çfarë shkretëtire po bëhet dita-ditës Shqipëria për botën e fëmijëve, kur mendoj traumat që kanë pësuar të vegjlit gjatë kësaj kohe nga krismat e armëve dhe nga mbylljet gjithë ditën brenda shtëpive. Mirëpo ky nuk është rasti yt. Nuk është as rasti i atyre 25-30 vjeçarëve ende të pamartuar që kanë mbaruar universitetet në Perëndim, shpesh me bursa të dhëna për ringritjen e Shqipërisë, të cilëve, gjëja e fundit që u shkon ndërmend është ringritja e Shqipërisë.
Nga përvoja ime e qëndrimeve në Perëndim mund të them se dyshoj në atë që thua ti se “pjesa e mbetur e botës është aty e tëra për ne.” Për fat të keq bota ende nuk e ka arritur atë stad kur të gjithë njerëzit që banojnë në këtë planet të ndjehen trashëgimtarë të të gjithë pasurive të tij. Aq më tepër në kapitalizëm, ku prona private është e trashëgueshme. Madje këta perëndimorët dhe në fushën e kulturës e të historisë nuk të japin të drejtën ta quash veten njëlloj si ata, trashëgimtar i Shekspirit apo i Gëtes. Dua të them që ideja se aty mund t`i gjesh të tëra të shtruara është e rreme. Fakti që atë tryezë e kanë shtruar gjyshërit dhe baballarët e tyre dhe jo gjyshërit dhe baballarët tanë, na bën ne të na duket vetja në rastin më të mirë si mysafirë (d.m.th. si peshk që qelbet për tre ditë) e në rastet më të këqija si gjynahqarë që rrinë në cep të tryezës duke pritur të hanë thërrimet e darkës së tyre apo si shërbëtorë dhe kamarierë të kësaj tryeze.
E teprove me patriotizëm do thuash ti. Jo, të gjitha këto nuk i them nga ajo ndenja abstrakte e dashurisë për atdheun, me të cilën është mbushur romantika e vonuar e letrave shqipe, por nga një ndjenjë konkrete dashurie për vetveten, nga bindja se një intelektual shqiptar nuk mund t`i gjejë kuptim më të mirë jetës së tij sesa në Shqipëri. E kam fjalën për atë intelektual që don të prodhojë mjaltë, jo për atë që kënaqet vetëm duke u marrë erë luleve.
Letra jote më duket se reflekton dhe një mendësi që po përhapet gjithnjë e më shpesh në rrethet e emigracionit shqiptar. Në ndryshim nga emigrantët e vjetër dhe shqiptarët e Kosovës, të cilët, të paktën me fjalë, digjeshin nga malli dhe dashuria për Shqipërinë, emigracioni i tanishëm më duket se në më të shpeshtën e herëve bën një propogandë të shfrenuar se Shqipëria nuk është vendi ku mund të kthehesh.
Gjatë kësaj kohe pamë dhe përjetuam gjëra po aq tmerrshme sa ato që kaluam në kohën e Hoxhës: dhe nuk pamë vetëm shqiptarë të marrë që krijuan katrahurën për të ndenjur në pushtet, apo shqiptarë banditë që dogjën njerëz të gjallë, por dhe shqiptarë “normalë” që donin të vazhdonte katrahura, sepse ata kështu mund të kishin një pretekst për të ikur jashtë shtetit apo që ndjeheshin mirë me atë që ndodhi, sepse kështu mund të shisnin stoqet e miellit të skaduar.
Shumë perëndimorë që kam takuar më kanë thënë me habi, hera-herës pa e fshehur një lloj përçmimi, se jemi i vetmi vend në botë që u lutemi gtë huajve të na pushtojnë për të na shpëtuar nga e keqja.
Mua më duket se ky imazh përçmues i Shqipërisë është një barrë në identitetin tonë të cilën, nuk mund ta shkarkojmë nga vetja, kudo që të ndodhemi, jo vetëm sa kohë do të themi se si shqiptarë, por dhe sikur të bëjmë si disa që prezantohen si grekë, italianë apo polakë. Është një barrë që më kujton atë që kanë mbajtur disa breza gjermanësh pas Luftës së Dytë. Nëse sot mund të thuash se ata janë çliruar disi prej saj, ma merr mendja se këtë e kanë arritur ngaqë ia kanë dalë të ndërtojnë një Gjermani tjetër. Edhe për ne e vetmja mënyrë për ta ndryshuar këtë identitet të mbrapshtë tonin është përjekja për të ndërtuar një Shqipëri tjetër. Si në kohën e Hoxhës, ashtu dhe në kohën e Berishës, Shqipëria ka qenë për ne një Sodomë dhe Gomorrë, që shpesh e kemi mallkuar e na ka ardhur të kishim fuqinë e Zotit për t`i vënë flakën e për ta shuar nga faqja e dheut, por po aq shpesh ajo na ka dhuruar emicionet, frymëzimet dhe gëzimët më të mëdha të jetës.
Të dyja ato kohëra kanë qenë në thelbin e tyre forma më e egër dhe më primitive e traditës ballkanike të dominimit të elitave politike në jetën e shoqërive tona. Tani mendoj se ka ardhur koha që dhe në të krijojmë elitën e vërtetë kulturore që nuk do të bëjë propagandistin e politikanëve, por kritikun dhe frymëzuesin e njerëzve. Ka ardhur koha të krijojmë elitën ekonomike, që do të fillojë të financojë për biblioteka, shkolla, ura e qendra kulturore. Unë mendoj se njerëz si ty, duke u kthyer, do të bënin një akt simbolik që do të inspironte dhe shumë shqiptarë të tjerë. Unë kam besim se diçka do të bëjmë këtej ndonëse këtë verë rrezikojmë të krimbemi për një pikë uji. Një lloj besimi është gjithmonë i domosdoshëm për njeriun, i dashur.
Vetëm mos i merr gjithë këto që të thashë si ethet e një besimtari. Janë mëdyshjet e një qënieje që vazhdon të mbetet e ndarë midis asaj vetes fëminore që bret vazhdimisht unë dua dhe asaj vetes së rritur që beson se mund të bëjë diçka në këtë vend.
Marrë me shkurtime nga revista Përpjekja, nr. 10