Një rrebesh mediatik pasoi konferencën kujëvënëse për shtyp të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ngjarjet që e pasuan. Denoncimi i radhës, mbi kërcënimin e kandidatit për rektor të Universitetit të Tiranës, edhe pse në stilin tipik të Berishës, ku është e vështirë të dallohet e vërteta nga gjysmë e vërteta, e drejta nga keqpërdorimet për qëllime politike, dhe e sakta nga teprimet apo haliçunacionet politike të një individi që ka ditur gjithmonë të luajë plot mjeshtëri “djallëzore” me ndjeshmërinë e publikut, nuk mund të gëlltitej aq lehtë, siç ndodh me akuzat e panumërta që lëshohen përditë nga opozita. Në fakt, aq e nxituar dhe papërtuar është opozita në denoncimin dhe demaskimin e çdo gjëje, qoftë edhe krejt e parëndësishme, saqë inflacioni i krijuar shpesh venit edhe gjëmat e vërteta qeverisëse, duke i përhumbur në morinë e detajeve imcake dhe të pavlera, ndërkohë që njerëzit ndihen gjithmonë e më të plogët. Nëse ka një mënyrë për ta atrofizuar atë pak nerv reagimi dhe opozitarizmi të shqiptarëve, nëpër të cilën vazhdon të kalojë akoma ndonjë impuls, kjo është ajo e duhura.
Gjithsesi, taktikat e përdorura nga opozita nuk janë në fokusin e këtij artikulli.
Duke iu kthyer denoncimit, ajo që u tha ishte thjesht shumë e madhe dhe e rëndë për t’u kaluar në heshtje, apo thjesht me justifikimin qeverisës që ka si kryefjalë baltën dhe baltosjen, praktikën sipas saj të konsoliduar të opozitës. Kësaj here nuk pati asnjë reagim zyrtar qeveritar, madje nuk u denjua të përsëritej as ky argument i dalë boje. Një heshtje kjo e paimagjinueshme, edhe sikur denoncuesi të ishte një i marrë anonim, të cilit iu dha rasti të bënte publike një ngjarje të tillë. Ndërkohë që nuk mund të konsiderohet reagim i qeverisë shoqërimi i Emiliano Shullazit, pasi u bë e qartë se kandidati për rektor ishte kërcënuar. Apo statuset veshçjerrëse në facebook të ministrit të Rendit, se s’ka të paprekshëm dhe se ligji zbatohet njësoj për të gjithë. Ministri harron se qeveria përpara se të merret me pasojat, duhet të punojë për të garantuar standardet.
Kërcënimi i një kandidati që merr pjesë në zgjedhje, aq më tepër për strukturat universitare dhe akademike, të konsideruara si të pavarura nga influenca e politikës, nuk mund të trajtohet si çdo kërcënim tjetër që lëshohet rrugicave të Tiranës. Ai nuk është thjesht kërcënim ndaj një individi, por është kërcënim ndaj sistemit që kemi zgjedhur, ndaj lirisë dhe iniciativës së çdokujt që beson tek sistemi, dhe që përpiqet të ushtrojë ndikimin e tij duke iu nënshtruar rregullave të gjithëpranuara shoqërisht. Më e rëndë se vetë kërcënimi është ideja se dikush mund të kërcënohet sepse merr pjesë në një garë demokratike. Prandaj, edhe sikur të ishin fjalë të një të marri, për të cilat qeveria do të ishte katërcipërisht e sigurt se janë sajesa, serioziteti duhet të ishte më se maksimal, për ta vënë para përgjegjësisë morale, por edhe ligjore, gjakprishurin që guxoi t’i hidhte ato si shashka gjatë fundjavës së shkuar.
E megjithatë, heshtja ishte komunikimi i vetëm i qeverisë. Aq “ulëritëse” ishte kjo heshtje, sa denoncuesi, me krenarinë që të dhuron epërsia morale në raste të tilla, shfrytëzoi pamëshirshëm dobësinë e qeverisë, dhe veçanërisht të kryeministrit, duke i kujtuar atij paaftësinë e përmendjes në publik të emrit të shumëpërfolur, aktorit kryesor të tragjikomedisë që po konsumohet ethshëm në vend. Sigurisht që një argument në mbrojtje të kryeministrit do të ishte se vëmendja e shtuar politike dhe mediatike, përveçse influencon hetimin dhe gjykimin, shërben edhe për t’i rritur vlerën në bursën e zezë “biznesit” që personazhi në fjalë menaxhon. Një argument ky jo fort pa baza, por që gjithsesi nuk justifikon mefshtësinë mbresëlënëse të qeverisë, të artikuluar përmes heshtjes.
Një mefshtësi që u ka dhënë krimit dhe të fortëve motivimin e mjaftueshëm për t’u angazhuar në një fushë në dukje larg interesit të tyre, por që duke pasur parasysh ndryshimet e fundit në ligjin në arsimin e lartë, që e shndërron fakultetin në një biznes dhe i komercializon shumë aspekte të tij, ndoshta nuk do të tingëllonte edhe aq e habitshme.
Kjo topitje, në mungesë të provave të qarta e të padiskutueshme, do të ishte fatale për të gjithë shoqërinë nëse do të konsiderohej si bashkëpunim me krimin, gjithsesi, ajo nuk mund të mos lexohet si frikë e qeverisë, si ngathtësi e saj për t’iu kundërvënë interesave të errëta, qoftë edhe përmes një ligjërimi publik të ashpër, çka e ka bërë pa më të voglin ngurrim në rastin e të ashtuquajturës luftë kundër informalitetit apo mospagesës së energjisë elektrike. Lufta ndaj krimit duhet të shoqërohet me vendosmëri dhe guxim politik, për t’i stepur psikologjikisht përfaqësuesit e tij dhe për t’i motivuar strukturat ligjzbatuese. Krimi, ndryshe nga ç’mund të mendohet, është i aftë ta lexojë me përpikëri status quo-në politike, duke e kalibruar në varësi të saj nivelin e tij të angazhimit. Në çastin që beson se mungon vullneti ekzekutiv për t’iu kundërvënë, ai përshkohet nga psikoza e vetësigurisë, e mbizotëron tipari i ekspansionit, pavarësisht punës së mirë operative që mund të kryejë policia.
Fakti që pothuajse përditë ndodhin shpërthime eksplozivi, madje edhe në pronën e babait të ministrit të Rendit, për të arritur deri tek kërcënimi i fundit, tregon prirjen e krimit për të fituar terren. Një ekspansion që në rast se nuk ndesh në barriera, mund të arrijë pikën kritike, duke u shndërruar në kërcënim për vetë rendin kushtetues.
Në këtë situatë, jo vetëm qeveria, por edhe prokuroria dhe gjykatat duken të dorëzuara, pra, me pak fjalë, i gjithë shteti, apo segmentet shtetërore që duhet të luftojnë kriminalitetin. Dhe një arsye e fortë për këtë është zvarritja pa afat e reformës në drejtësi. Një pjesë e gjykatësve dhe prokurorëve janë të pasigurt për të ardhmen e tyre brenda sistemit, ndaj edhe nuk trupëzojnë zellin e duhur në kryerjen e detyrës, ndërkohë që një pjesë tjetër, të bindur se nuk do të jenë në gjendje të kalojnë nëpër sitën e imët që parashikon reforma, po nxitojnë të përfitojnë sa më shumë nga koha e mbetur. Vetë formulimi i reformës, përmes parashikimit të “amnistisë” për këdo që vendos të tërhiqet vullnetarisht nga sistemi pas miratimit të saj, duket se ka ndihmuar në degradimin e situatës.
Për të ndërprerë këtë rreth vicioz rrënimi, nevojitet një ndërhyrje energjike dhe e pakompromis që t’i ndryshojë kahun lëvizjes precipituese dhe të përmbysë situatën ekzistuese, duke e orientuar drejt një qasjeje pozitive. Një rol të cilin nuk mund ta luajë asnjë forcë apo institucion tjetër përveç qeverisë. Aq më e domosdoshme është kjo në prag të reformës në drejtësi. Për qeverinë kjo është mundësia e fundit për të shfaqur sadopak seriozitet dhe vullnet të sinqertë se demagogjia nuk është misioni i vetëm i saj. /tesheshi.com/