Kanë kaluar thuajse gjashtë muaj nga deklarata e parë me tone kërcënuese e kryeministrit e bërë në prag të zgjedhjeve lokale, ku premtohej “tronditje nga themelet” për sistemin e drejtësisë. Tërmeti i paralajmëruar duhej të fillonte në shtator, por tashmë jemi në janarin e një viti më pas dhe akoma nuk është ndjerë as më e vogla luhatje. Një grup ekspertësh, të konsideruar të nivelit të lartë, kanë hartuar një paketë me propozime për ndryshime kushtetuese, që duhet të shoqërohen edhe me plotësime e amendime ligjore. Paketa e propozimeve është mbështetur përgjithësisht edhe nga i famshmi Komision i Venecias, por me disa komente. 12 janari është afati brenda të cilit grupi i ekspertëve dhe Komisioni i Posaçëm mbi Reformën në Drejtësi duhet të paraqesin draftin e rishqyrtuar që i reflekton këto komente.
Kemi një qasje të kryeministrit të imponuar gjithashtu edhe nga sponsorët kryesorë të reformës, ambasadori i SHBA-ve dhe i Bashkimit Evropian, për ta paraqitur reformën si produkt ekskluziv të ekspertëve, duke kundërshtuar përfshirjen e politikës në përgatitjen e saj. Kundër kësaj qasjeje është deklaruar haptazi Partia Demokratike dhe presidenti i Republikës, ndërkohë që aleati i vogël qeverisës, LSI-ja, edhe pse në forma të nënkuptuara, ka dëshmuar të njëjtin qëndrim. Kritikat e ministrit Manjani, që kishte zbuluar formulime qesharake në draftin e ekspertëve, por edhe këmbëngulja e Ilir Metës për konsensus politik me opozitën, e dëshmojnë këtë.
Publiku, të paktën ajo pjesë e shëndoshë e tij, që nuk është infektuar akoma prej sëmundjes së militantizmit, shitjes së votës apo konvertimit të saj me vende pune, nisur nga zhgënjimi dhe mosbesimi i thellë ndaj klasës politike në përgjithësi, sigurisht që mbështet opsionin e mospërfshirjes së politikës. Por a mund të rezultojë e suksesshme, pra, të përmbushë objektivat e paracaktuara, një reformë e një rëndësie dhe graviteti të tillë, që e shtrin impaktin e saj në të gjithë shoqërinë shqiptare, në mungesë të vullnetit të palëkundur dhe të guximit politik? Duke e marrë të mirëqenë profesionalizmin, paanësinë dhe largpamësinë e ekspertëve të përzgjedhur, përgjigjja mbetet sërish “jo”. Çdo reformë, aq më tepër një reformë e thellë në drejtësi, që implikon çështje të shtetit të së drejtës, të barazisë dhe të rivendosjes së ekuilibrave tashmë të cenuar socialë, ka nevojë për një autoritet që të garantojë suksesin e saj. Në kushte normale, rolin e këtij autoriteti duhet ta jetësonte klasa politike, në mos jo e gjitha, të paktën një segment përfaqësues i saj, si zëdhënëse dhe mbrojtëse e interesit qytetar. Dhe kur flitet për pastrimin e drejtësisë nga korrupsioni, kufijtë “të majtë dhe të djathtë” nuk kanë vlerë.
Për arsye më se evidente, forcat mbizotëruese politike e kanë të pamundur të luajnë një rol të tillë. Kjo pamundësi në bllok e forcave politike është shndërruar, me plot të drejtë, në shënjestrën e kundërshtarëve të reformës brenda sistemit të drejtësisë. Fundja, me ç’të drejtë morale një pushtet i korruptuar mund t’i kundërvihet një pushteti tjetër po aq të korruptuar? Të mos harrojmë se një nga arsyet kryesore të gjendjes aktuale të sistemit të drejtësisë është ndërhyrja e politikës dhe mbrojtja që ajo u bën gjykatësve apo prokurorëve të katapultuar prej saj në sistem në shkëmbim të favoreve të paligjshme.
Pikërisht kjo pamundësi e klasës sonë politike, për të cilën edhe ajo vetë është plotësisht e ndërgjegjshme, pavarësisht tentativave për ta futur reformën në shina politike, ka shkaktuar një gjendje anormaliteti, ku ambasadorët investohen përtej staturës së tyre diplomatike, në përpjekje për t’u shndërruar në garantë të zbatimit të kësaj reforme. Por a mjafton kjo si garanci për suksesin e reformës? Edhe pse jo me intensitet kaq të lartë dhe me të tillë këmbëngulje, përfaqësuesit diplomatikë të vendeve perëndimore kanë mbështetur edhe shumë reforma të tjera të ndërmarra në këtë vend, të cilat për fatin tonë të keq kanë rezultuar të dështuara. Arsyeja për këtë është e thjeshtë. Politika nuk ka pasur vullnetin e mjaftueshëm dhe të sinqertë për të realizuar implementimin e tyre, por thjesht është detyruar, nën nxitjen e huaj, të përfshihet formalisht në realizimin e tyre. Aq më tepër që një reformë kaq gjithëpërfshirëse në drejtësi nuk mund të konsiderohet thjesht si teknikalitet ligjor. Ajo mbi të gjitha duhet të jetë frymë, ndërgjegjësim se ndryshimi është i domosdoshëm dhe i mundshëm, por gjithashtu edhe motivim për pjesën e shëndetshme të sistemit. Tërësia e këtyre faktorëve ekstraligjorë duhet të ishin pjesë e garancive politike për realizimin e reformës, por që në kushtet tona mbeten të pamundura. Dhe kjo përbën arsyen e parë dhe më themelore pse dështimi është trajektorja më e mundshme e kësaj reforme. Heroi italian i luftës kundër mafias, Xhovani Falkone, në një thënie të shumëcituar shprehet se, “Lufta jonë kundër mafias ka qenë e frytshme sa herë që ka ekzistuar vullneti politik për ta bërë këtë”, përndryshe ligjet cilësore dhe puna profesionale e njerëzve të drejtësisë është e pamjaftueshme.
Arsye të tjera aspak shpresëdhënëse mbi të ardhmen e reformës mund të gjenden edhe në tekstin e ndryshimeve të propozuara. Ndër më flagrantët është parashikimi se në çastin që një prokuror apo gjykatës vendos të dorëhiqet nga sistemi, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, institucioni i ri me mandat të kufizuar kohor, përgjegjës për skanimin e të gjithë njerëzve të drejtësisë, duhet menjëherë të ndërpresë hetimet mbi pasurinë dhe performancën e tij. Reforma ngjan si një amnisti ndaj çdo shkeljeje dhe abuzimi të kryer deri në çastin e miratimit të saj, me kushtin e vetëm që personi i cili i nënshtrohet këtij skanimi të dorëhiqet nga pozicioni që mban. Kjo shpjegon edhe thirrjet e ambasadorit Lu drejtuar individëve të korruptuar brenda sistemit për t’u tërhequr sa janë akoma në kohë. Synimi i reformës nuk është ofrimi i modelit të ndëshkimit penal të abuzimit shumëvjeçar, por thjesht pastrimi i sistemit nga mollët e kalbura. Ruajtja e precedentit të pandëshkueshmërisë jo vetëm që demotivon pjesën e shëndetshme të sistemit, që gjendet përkrah njerëzve që kanë vënë pasuri marramendëse përmes korrupsionit, të cilën tashmë mund ta shijojnë krejt të pashqetësuar, por nuk ofron asnjë garanci se të zgjedhurit e rinj nuk do të shndërrohen në binjakë të paraardhësve të tyre.
Përveç Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që tanimë shndërrohet në Këshillin e Lartë Gjyqësor, propozimet parashohin krijimin e disa institucioneve të reja, të tilla si Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, Tribunali i Lartë i Drejtësisë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Struktura e Posaçme Antikorrupsion, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit. Një tërësi institucionesh që e copëzojnë akoma më tej sistemin, komplikojnë ndërvarësitë institucionale brenda dhe jashtë tij, si dhe vënë në pikëpyetje efiçencën e funksionimit të tij.
Për gjithë sa thamë më lart, e vetmja shpresë e bazuar që reforma të jetë e suksesshme është që pikënisja e saj të jetë politika, çrrënjosja e një kaste të çimentuar që mbetet përfituesja më e madhe e sistemit të deformuar të drejtësisë. /tesheshi.com/