Të dielën, si rrallëherë, Dibra dhe dibranët do të jenë epiqendra e lëvizjeve tektonike të politikës shqiptare. Krahina verilindore, pothuajse e izoluar për shkak të mungesës së infrakstrukturës rrugore, të shndërruar tashmë në legjendë elektorale, ka fatin ose barrën të përcaktojë shumëçka në të ardhmen politike të vendit. Një rastësi ironike, duke pasur parasysh indiferencën që politika ka shfaqur për këtë krahinë. Indiferencë që u thye vetëm nga plasja e një skandali eksplicit seksual, të tipit Shukri Xhelili. Përndryshe, abuzimet e zakonshme, të lidhura kryesisht me shpërdorimin e detyrës apo vjedhjet, por edhe problemet e shumta sociale të zonës, nuk do të kishin magnitudën e mjaftueshme për të ngacmuar situatën ku gjendemi sot.
E gjithë kjo vëmendje e politikës në një garë që duhej të ishte thjesht lokale, në thelb për zgjedhjen e administratorit të zonës, edhe pse në dukje e pajustifikuar, aq më tepër nëse i referohemi inercisë politike në raport me këtë krahinë, ka një shpjegim sidoqoftë të qartë.
Rastësia, apo ndoshta edhe llogaritë e imëta të demaskuesve të Shukes, mundësuan zhvillimin e zgjedhjeve në një moment vendimtar politik si për mazhoracën, po aq dhe për opozitën.
Afërsia me zgjedhjet e përgjithshme të 2017-ës e ka detyruar opozitën t’i konsiderojë zgjedhjet si një test i rëndësishëm politik. Jo më kot kandidati i saj është i një profili të lartë politik, ndoshta i vetmi kandidat i këtij profili brenda PD-së që është njëkohësisht edhe me prejardhje nga kjo zonë. Edhe pse angazhimet akademike dhe funksionet politike e kanë mbajtur larg realitetit dhe shqetësimeve të përditshme të zonës, kandidati i propozuar nga opozita është gjithsesi i aftë të flasë gjuhën e dibranëve. Faktor i rëndësishëm ky në një krahinë krenare për tiparet e saj konservatore, dhe ku shpërbërja e lidhjeve fisnore vijon të mbetet një proces disi më i ngadaltë.
Domosdoshmëria për të përcjellë një mesazh politik për të gjithë shqiptarët përpara zgjedhjeve të 2017-ës është e mirëkuptueshme. PD-ja, me në krye Lulzim Bashën, duhet të tregojë se gjatë këtyre tre viteve ka qenë e aftë të rikuperohet dhe të shndërrohet në një alternativë serioze, paçka se në realitet nuk ka shfaqur asnjë shenjë reflektimi të sinqertë për mëkatet e shumta të kryera gjatë viteve në pushtet. Më se e ndërgjegjshme për këtë, opozitat duket se shpreson në bjerrjen e votave të mazhorancës si rrjedhojë e pakënaqësive të përgjithshme të krijuara nga reformat e dhimbshme shtetbërëse, por edhe nga skandalet jo të pakta, ndër to më famëkeqi ky i Shukes, që provokoi edhe zgjedhjet.
Kjo nevojë e ka detyruar opozitën të mendojë katërcipërisht politikisht për interesat e veta, jo edhe aq për ato të dibranëve. Kandidatura e ofruar, edhe pse mikluese, pasi mund të konsiderohet si peshë e rëndë politike, nuk reflekton në thelb rëndësinë që PD-ja pretendon se po u kushton dibranëve, dhe aq më pak u përgjigjet nevojave reale të zonës për menaxhim eficient. Profili akademik dhe politik i z. Shehu është larg pritshmërive dhe nevojave reale të një komuniteti që ka nevojë për shërbim, për zgjidhjen e halleve shpesh të rëndomta për politikën e madhe që luhet në Tiranë.
Por PD-ja nuk është e vetmja forcë që po i përdor këto zgjedhje përtej interesit të vërtetë të dibranëve. Kandidatura e PS-së është një mjek kirurg, i cili do të ishte më i dobishëm për krahinën në pozicionin e tij natyral. Tërheqja e tij për të kandiduar në një pozicion të tillë është me sa duket rrjedhojë e dy kritereve që socialistët i konsideruan si të panegociueshme. Së pari, kandidati duhet të kishte imazhin e një njeriu moralisht korrekt, që respektonte normat dhe zakonat e krahinës, kjo edhe në shërbim të zhbërjes së shijes që la pas afera e Shukes, dhe, së dyti, duhet të kishte njohje të gjerë dhe lidhje të forta me komunitetin. Kritere që z. Rama me sa duket i përmbushte më së miri.
Vëmendja e shtuar i kushtohet gjithashtu edhe një tjetër zhvillimi vendimtar brenda mazhorancës, vendimmarrjes mbi vazhdimësinë e koalicionit përtej zgjedhjeve të ardhshme. Marrëdhëniet mes dy aleatëve kryesore mbeten të tendosura, pavarësisht zbutjes së qëndrimeve, të shfaqur me miratimin e ligjit për vetingun. Kryeministri Rama ka kërkuar një përgjigje sa më të shpejtë nga LSI-ja, që është treguar e vakët në mbështetjen e fushatës së z. Rama në Dibër. Boshllëk ky i mbushur nga aleati tjetër më i vogël i mazhorancës, PDIU-ja, që, sipas fjalëve të vetë kryeministrit, është shndërruar në faktor me peshë brenda aleancës.
Edhe pse një shkëputje e LSI-së nga aleanca është e vështirë të hamendësohet, përderisa ndarja me pushtetin do të rrezikonte realisht “shëndetin” e saj, rezultati i zgjedhjeve në Dibër mund të ndikojë në rikonfigurimin e forcave brenda mazhorancës. Fitorja e mazhorancës, pavarësisht energjive të pakta të vëna në dispozicion nga LSI-ja, do të ndikonte në zvetënimin e efekteve çudibërëse të eliksirit që garanton pushtetin e përjetshëm për kingmaker-in e politikës shqiptare.
Në këtë kontekst, për opozitën, fitorja shndërrohet edhe në një betejë për jetë a vdekje. PD-ja duhet të bindë LSI-në, shpresën e saj të vetme reale për t’u rikthyer në pushtet, se falimenti nuk ka arritur pikën ku fitorja e një kolicioni të përbashkët të këtyre dy forcave në zgjedhjet e vitit 2017 do të ishte një skenar utopik.
Çfarëdo të ndodhë më 11 shtator, një gjë mund të thuhet me siguri. Efektet e kësaj beteje jokonvencionale dhe të pazakontë për një krahinë të lënë pas dore si Dibra, përmasat dhe përmbajtja e fryrë e së cilës nuk u përgjigjet interesave reale të banorëve, do të ndihen më shumë në Tiranë. Situata sociale dhe infrasktrukturore e zonës do të mbetet njësoj, dhe politikanët do të vërshojnë sërish në vitin 2017 me premtimet e kahershme, por në vrullin dhe inercinë e fushatës së kudondodhur, Dibra nuk do të ushqejë të njëjtën vëmendje.
Shija e këndshme e “përkëdheljes” së gjithanshme politike vështirë se do të zgjasë deri atëherë. /tesheshi.com/