Java nisi dhe u mbyll me lajme të nëmura, nga ato që janë shndërruar në rutinë për veshët e shqiptarëve të përmbytur nga një realitet i pëgërë. Një realitet ku “shqiptarët”, parazitët gërnjarë, duhet të luftojnë njëri-tjetrin për të mbijetuar, ndërkohë që një pakicë, e praruar me privilegje te paligjshme e të pandershme, në bashkëpunim me elitën e klasës sonë politike, vështron krejt indiferente se si kjo luftë për mbijetesë ashpërsohet dhe egërsohet, duke lënë pas viktima, dhe ç’është më e keqja, duke i shtyrë shqiptarët drejt një psikoze agonie, ku panorama e djerrinës sociale mbizotërohet nga ngjyra gri e pesimizmit.
Nëse do të kishim vëzhgime sasiore dhe analiza statistikore ndër shqiptarë mbi nivelin e shpresës apo të optimizmit, me siguri që urimi për një “Shqipëri si e gjithë Evropa”, motoja e ditëve të para të pluralizmit politik, do të zëvendësohej meritueshëm nga konstatimi fatalist dhe dëshpërues se “ky vend nuk bëhet”. Ky grafik i imagjinuar i shpresës së shqiptarëve për një të ardhme më të mirë e të begatë, pas thuajse 25 vitesh, do të ngjasonte si një simetri, ku majat e optimizmit u lënë vendin greminave të pesimizmit.
Një pështjellim moral dhe shpirtëror, i kthyer gjatë kohës në një shtjellë pesimizmi që përthith këdo, e ka shndërruar shqiptarin në mjeshtër të pehlivanllëqeve, marifeteve dhe manovrave të mbijetesës, në një shoqëri pa ligj, dhe ku normat sociale, doket e traditat, janë zhbërë gradualisht, për të arritur në thellësitë e labirintit pa kthim të “mëkatit ndaj shpirtit”, gjendjes në të cilën çdo padrejtësi, ligësi, poshtërsi apo korruptim, pushon që pasuri sado pak efekt mbi ndërgjegjen, tashmë të mbuluar nga bloza e përhimet e indiferencës.
Krimi më i madh që politika ka kryer ndaj shqiptarëve, jo detyrimisht me vetëdije, por kryesisht nga babëzia për pushtet e para, është pa mëdyshje shuarja konstante dhe e pandalshme e shpresës se jemi një shoqëri dhe një vend ku mund të jetohet normalisht, ku ia vlen të rrisësh fëmijët, të punosh me ndershmëri dhe drejtësi. Një krim për të cilin edhe ne si shoqëri jemi bashkëpunëtorë të heshtur, pasi naivisht, përmes mbidozave të autosugjestionimit, jemi munduar të bindim veten se pavarësisht shumëçkaje të papranueshme dhe dukshëm rrënuese, sërish do të gjendej koha dhe njerëzit e duhur për të thyer ciklin e mbrapshtësisë, për të rimëkëmbur jo thjesht shpresën, por besimin se ia vlen të shpresohet.
Pikërisht këtë duket se menduan shqiptarët kur me një diferencë të padëgjuar votash vendosën të votonin për programin e emërtuar “Për një Rilindje Shqiptare”. Një emërtim i goditur dhe i zgjedhur me kujdes për të adresuar shkëlqyeshëm atë që i nevojitej më shumë se kurrë vendit. Një program gjithashtu i mirëmenduar dhe i qëndisur në detaje, por që tre vitet e qeverisjes së mazhorancës aktuale treguan se nuk ishte më shumë se thjesht një gjetje për marketing politik. Një lëvizje elektorale relativisht e suksesshme, e ngjashme me Komitetin e Orientimit të Politikave (KOP) në PD-në e vitit 2005, por që mbeti thjesht në kuadrin e makijazhit politik, që nuk solli asgjë të re e thelbësore në mënyrën e qeverisjes apo politikëbërjes.
Dhe një politikëbërje apo shtetbërje e re më së pari nënkupton një filozofi ndryshe, një qasje dhe standard të ri ndaj qytetarit, por edhe ndaj biznesit. Qasje që nuk duhej keqkuptuar prej vetë ithtarëve të saj si represion shtetëror, si centralizim dhe monopolizim i çdo lejeje dhe licence, apo si luftë e pakompromis ndaj informalitetit në kushte absurde. Sepse në mungesë të një administrate të drejtë, profesionale, të papolizituar dhe të pakorruptuar, sado pozitiv dhe i sinqertë të jetë vullneti politik, abuzivizmi dhe selektivizmi është i pashmangshëm.
Kjo është pikërisht ajo që po ndodh me reformat e sotme shtetbërëse. Të vegjlit, të vobektët dhe shpresëvrarët më të mëdhenj të këtij vendi po gjymtohen akoma më tej, duke i shtyrë në kufijtë e luftës për mbijetesë, të frustrimit dhe tensionit përvëlues social, ndërkohë që më të fuqishmit, ata me xhepa të thellë dhe influencat e duhura politike, vazhdojnë ta ruajnë statusin e tyre si “më të barabartët mes të barabartëve”.
Nuk ka kaluar shumë kohë qëkurse qeveria shpalli një amnisti fiskale, me përfitues biznese të shumta, ndër to edhe tatimpagues të mëdhenj, të akuzuar nga kjo qeveri për evazion me miliona dollarë. Por e njëjta çështje as që është shtruar për diskutim, fjala vjen, për debitorët mjeranë të OSHEE-së. Të kuptohemi, nuk mund të konsiderohen zgjidhje të tilla amnisti që i vendosin në pozita hapur diskriminuese ata që paguajnë rregullisht tatimet apo energjinë, por arsyetimi vlen për të ilustruar se si klientët dhe të fuqishmit vijojnë të privilegjohen, ndërsa të mjerët të shterohen akoma më tej në emër të shtetbërjes, çka ka mbjellë dhimbje të pamatë pikërisht tek shtresa më e vuajtur, por, me sa duket, edhe më e durueshme dhe lëkurëregjur e kësaj shoqërie.
Reflektime të të tilla tensioneve janë edhe dy ngjarjet e dhimbshme, që spikasin ndër shumë të tjera të përcjella mediatikisht javën e kaluar. Vrasja e Arditit, shqiptarit të mitur, që zgjodhi punën përpara parazitizmit, shkollën para lojës, është nga ato ngjarje që vrasin jo thjesht shpresën, por besimin tek shpresa si e vetmja shtysë emocionale dhe psikologjike që i jep kuptim vijimësisë së ekzistencës në këtë vend. Aq më i zymtë bëhet skenari tashmë i konsumuar nëse mbajmë parasysh se bëhet fjalë për një krim të ndodhur në një biznes të tenderuar nga bashkia e Tiranës, që operonte nën monitorimin e saj dhe të kryer ndërsa fushata kundër informalitetit vijon të dhurojë “frytet” e veta, me të cilat ushqehet propaganda zyrtare. Përveç tatimeve, sigurisht që është e vështirë t’i kërkosh kryeministrit llogari për Inspektoriatin e Punës, një institucion që sipas pazarit politik u la në menaxhimin e LSI-së, domenet shtetërore të së cilës kontrollohen prej tjetërkund.
Jo më pak fatkeqe është edhe vrasja e Zamirit, elektriçistit të OSHEE-së, i vrarë gjatë fushatës kundër mospagimit dhe vjedhjes së energjisë. Një tjetër situatë absurde, ku dikush detyrohet të paguajë me jetë keqmenaxhimin dhe abuzivizmin politik të shtrirë në kohë, në sheshbetejën e përpjekjeve për mbijetesë të një tjetër “viktime”, që tashmë duhet të vuajë dënimi për vrasjen e kryer. Si vrasësi, ashtu edhe i vrari, mbeten të dy viktima të një sistemi të dështuar dhe abuziv. I pari i luftës kundër vjedhjes së energjisë, që godet pamëshirshëm mbi mjeranët, dhe i dyti i politikës së deridjeshme lapërdhare, që mbyllte njërin sy, në mos nxiste mospagimin e energjisë, përkundrejt mbështetjes elektorale. Një situatë ku mazhoranca e sotme po tregohet aspak e kujdesshme për të shpërndarë njëtrajtësisht dhimbjet e përpjekjeve të saj shtetbërëse, ndërkohë që mazhoranca e djeshme refuzon të marrë përsipër përgjegjësinë më minimale për piramidat që ngriti gjatë viteve të pushtetit të saj.
Vështirë që në këtë vit të mbetur të këtij mandati qeveritar, të shënjuar nga besëprerja dhe dyshimet reciproke mes dy aleatëve kryesorë qeverisës, të pritet ndonjë ndryshim kursi, apo të ndodhë ndonjë përmbysje që do të mposhtte valën e gjerë të zhgënjimit dhe dëshpërimit nga qeverisja aktuale.
Aq më shumë nxiroset tabloja sociale nëse në ekuacion fusim edhe opozitën, që me liderët e saj, të gjithë të sprovuar në qeverisje, dhe në mungesë të çdo grime përgjegjësie për situatën ku ndodhemi, çka do të shërbente si pikënisje për ndërtimin e një alternative të re që ngjall besim, thjesht kontribuon në rëndimin e kësaj gjendjeje dëshpërimi, duke e çuar atë në agoni. Një agoni që duket se do të zgjasë gjatë, pavarësisht fituesit në numra të zgjedhjeve të ardhshme, qoftë edhe të parakohshme. /tesheshi.com/