Çfarë mendoni se do të kishte ndodhur nëse një tufë zezakësh të mbushur me urrejtje e të armatosur deri në dhëmbë, do të merrnin kontrollin e një ndërtese federale dhe të sfidonin zyrtarët duke i nxjerrë ata jashtë? Jam shumë i sigurtë se nuk do të kishte shumë “prit të shohim”.
Ka shumë mundësi të ishte “merr shenjë e qëllo”.
Ose nëse këta pushtues do të ishin meksikano-amerikanë. Ata nuk do të përshkruheshin me termin gjysmë legjitimues “milicë”, që daton që nga koha e patriotëve amerikanë. Dhe nëse qytetarët e armatosur do të ndodhte të ishin muslimanë, larg qoftë, do të kishte një mbulim fotografik të “sulmit terrorist”. Mund ta dëgjoj Donald Trump duke ulërirë për gjak.
Nuk është për t’u shqetësuar, sidoqoftë, pasi ekstremistët që kontrollojnë godinën e Malheur National Wildlife në juglindje të Oregonit janë të bardhë. Si të tillë, ata lejohen të qëndrojnë në “përballje” me autoritetet që mbajnë distancën për të mos pasur humbje të panevojshme jetësh njerëzore.
Një mirësjellje e tillë nuk iu lejua 12-vjeçarit, Tamir Rice nga Klevelandi që ishte duke luajtur në park me një armë lodër në 22 Nëntor 2014. Vetëm disa sekonda pasi mbërriti në vendngjarje, oficeri i policisë, Timothy Loehmann e qëlloi djalin I cili ndërroi jetë një ditë më pas. Prokurorët drejtuan hetimet me një juri të madhe dhe muajin që kaloi njoftuan se nuk do të ngrenë akuza për Loehmann. “Një stuhi perfekte gabimi njerëzor” ishte arsyetimi dhe dukshëm, stuhia nuk mund të dalë para Drejtësisë.
Mirësjellje e tillë, në fakt, në mënyrë rutinore iu mohohet zezakëve të paarmatosur dhe djemve që janë të pafat mjaftueshëm sa të jenë në vendin e gabuar në kohën e gabuar. Tashmë e dinë të gjithë litaninë e emrave të tyre – Michael Brown, Eric Garner, Freddie Gray. Dhe të gjithë e dinë sesi kanë përfunduar këto histori. Vetëm pak javë më parë, një juri në Baltimorë nuk arriti të marrë vendin në gjyqin ndaj gjashtë policëve të akuzuar për vdekjen e Gray. Një tjetër stuhi perfekte, ma merr mendja.
Ka shumë mundësi që të tingëlloj cinik, por në të vërtetë jam vetëm i stërlodhur. Dhe i shqetësuar.
Drejtësia paramendohet që të jetë e verbër. Raca, etnia dhe feja nuk duhet të ndikojnë mbi të. Megjithatë, ne në mënyrë të vazhdueshme na vihet në dukje se këta faktorë mund të bëjnë ndryshimin kur vjen puna tek vrasjet e justifikueshme dhe të pajustifikueshme – madje edhe midis jetës dhe vdekjes.
Pushtuesit në Oregon protestojnë ndaj politikave të Byrosë së Menaxhimit të Tokës, një çështje shumë pak e rëndësishme për pjesën më të madhe të amerikanëve. Ndërtesa federale ndodhet në një strehë të jetës së egër, që do të thotë se ndodhet në mes të asgjëkundit, qyteti më i afërt është Boise, Idaho, rreth 200 milje larg. Armët e protestuesve përvëjnë kërcënim më shumë për arinjtë sesa për njerëzit.
Kështu që jo, nuk mendoj se autoritetet kanë arsye urgjente për të hapur rrugën me dhunë nëpër pyje me një kolonë mjetesh të blinduara. Por, unë mund të argumentoj se nuk kishte asnjë arsye të tillë për ta bërë këtë në rrugët e Fergusonit apo gjetkë. Eshtë një
Mos përbën një ndryshim të spikatur që protestuesit janë të armatosur rëndë? Nëse është kështu, çfarë mesazhi përcjell kjo? A duhet që dikush të themelojë një shoqatë armësh të minorancës kështu që komunitetet me ngjyrë të marrin të njëjtin respekt?
Emri i shoqatës do të kishte ndryshuar sidoqoftë në pak dekada kur të bardhët në Shtetet e Bashkuara të mos jenë më shumicë racore. Ky ndryshim demografik që po afron, unë besoj se ndihmon të shpjegohet përse bota e politikës është marrosur së fundmi.
Ajo që unë dua është që afro-amerikanët, latino-amerikanët, muslimanët amerikanë dhetë tjerë “të huaj” të shihen si amerikanë që janë. Ajo që dua është pohimi se ne, gjithashtu, kemi standart në demokracinë tonë dhe kursin e saj në të ardhmen. Ajo që dua është pohimi se askush nuk mund ta kthejë pas vendin – që ndodh të drejtohet nga i pari president afro-amerikan- pasi vendi më përket mua po aq sa edhe ju.
Nuk janë këto ndjenjat që ne dëgjojmë në fushatën presidenciale, edhe pse – të paktën- jo nga ana e republikanëve. Duke ndjekur kandidatin e avantazhuar Trump, kandidatët e tjerë po konkurrojnë se kush tingëllon më shumë i zemëruar dhe i hidhëruar. Kjo është arsyeja përse jam kaq i shqetësuar.
Ju mund të mendoni se mund të ekzistojnë të paktën disa zëra me ndikim në shprehjen e drejtë të tmerrit dhe zemërimit për vrasjen e djalit 12-vjeçar. Ju mund të mendoni se republikanët që kandidojnë për president mund të gjejnë kohë për të dënuar marrjen me forcë të pronës federale nga fanatikët. Por, ende, ajo që ne dëgjojmë është vetëm kënga e bulkthave.
Kandidatët e GOP dukshëm kanë dalë në përfundimin se duke i dhënë zë shpresës, duke përqafuar ndryshimin dhe duke zgjeruar konceptin e rrymës së drejtë amerikane, kanë në duar një strategji humbëse. Ata shohin suksesin e Trump dhe e imitojnë atë në një përballje “ne të rrethuarit” kundër atyre, “kërcënuesve”. Kjo mund të jetë një rrugë efektive për të arritur nominimin, por është një shërbim i tmerrshëm ndaj vendit.
*Eugene Robinson është kolumnist në gazetën “Washington Post” ku shkruan për kulturën dhe politikën si dhe kontribuon në blogun PostPartisan. Ai ka një karrierë prej tre dekadash në këtë gazetë si reporter i lajmeve të brendshme, korrespondent nga Buenos Ajros e Londra, redaktor dhe asistent kryeredaktor i gazetës.
Përktheu: Juli Prifti – /tesheshi.com/