Një mesazh i mllefosur i tenorit Agim Hushi që u bënte me dije bashkëatdhetarëve në Shqipëri se po “ia bënte munë këtij vendi”, po mban gjallë prej ditësh një debat mbi “ikjet”, braktisjet në masë të Shqipërisë vitet të fundit, mu si për të treguar se fabula Tefës së famshëm me hipjen në pemë për t’i bërë ballë vërshimit shqiptar në “ikje”, mbetet ende aktuale.
Dhe në fakt askush nuk mundet dot ta fshehë faktin se katër vitet e para të qeverisjes Rama, kanë qenë një mallkim për këtë të fundit me prirjen e rritur shqiptare për t’ia mbathur.
Sakaq, tek rasti i Hushit, bënte përshtypje gjuha e tij idhnake, qartazi e një hatërmbetjeje me prapavijë politike, pasi ai në fakt jashtë ka jetuar gjithë këto vite, ndërsa Shqipëria e tij sigurisht që nuk ka qenë më e mirë.
Mjaft që Kavaja e tij nuk krahasohet me atë të djeshmen, një zgjyrë urbane që e rendiste tek fshatrat pa pikë shije.
Pas tij i erdhi radha çiftit Shpëtim Saraçi e Mira Konçi që të ikte, por pa bëzajtur, ashtu, heshturazi bën zgjedhjen e tyre, siç në fakt kanë bërë shumë e shumë çifte, me famë o se jo, familje e individë gjithashtu, në një valë që nuk ndalet dot prej 25 vitesh, ku më pak e ku më shumë, në vartësi të konteksteve sociale dhe ekonomike.
Ndërsa tani, këto vite, janë bërë thjesht më mediatike. Nuk duhet injoruar fakti, madje është për t’u marrë në konsideratë në analiza të tilla, se rrjetet sociale apo portalet, këto grirëse lajmi, të etura për lëndë të parë me çdo kusht, sajuar dhe atje ku nuk ekziston, kanë deformuar perceptimin mbi disa fenomene.
Ja, “ikjet”, aty kanë qenë, së bashku me një mal problemesh të tjera, në çdo kohë, por tani ngjajnë si apokaliptike, shoqëruar dhe nga mesazhet dëshpëruese, të përcjella dhe nga delirantë, përveçse nga të zhgënjyer, gjithnjë falë rrjeteve sociale apo portaleve që nuk u shpëton gjë prej gjëje. Madje mundet që më shumë se të zhgënjyer, ata që përçojnë mesazhin se “duhet qëruar nga ky vend”, janë thjeshtë delirantë, të dashuruar me konstatime dhe thirrje fatale, ndërkohë që mund të jenë nga ata soj që e bëjnë, edhe pa vetëdije, më të pajetueshëm këtë vend….qoftë dhe me gojëithtësinë e tyre.
“Përse vendi ynë nuk kthehet dot në rrugë të mbarë? Të gjithë e kanë këtë dëshirë, e megjithatë secili bën sa ka në dorë që kjo të mos ndodhë”, ka konkluduar vite me parë dyshja Rama – Klosi në një pamflet të tyre gjysëm politik.
Dhe nuk ka dyshim që në këtë qerthull ka rënë e mbetet shoqëria shqiptare. Askush nuk sheh nga vetja, se sa është bërë shkak për përhapjen e së keqes; jo, e keqja është tek tjetri, duke harruar se “tjetri” është miku, shoku, fqinji, kushëriri, familjari, pra mjaft afër tij, në mos qoftë ai vetë, e keqja, e ajo nuk ka rënë nga qielli.
E keqja, ajo që ne e urrejmë dhe që na bën t’ja mbathim, u gatua dhe morri jetë mes nesh, nën hundën tonë, dhe ne u molepsëm një çast me të, sepse na joshi një fitim i padrejtë, një shkelje ligji, një marrje e të drejtës apo e pronës së tjetrit.
Ah, meqë jemi te pronat…jemi një vend ku gjysma e popullsisë i ka vjedhur pronën gjysmës tjetër. Dhe kjo me vetëdije të plotë. E si mundet pra, që të ketë mbrothësi në Shqipëri, zhvillim, begati, paqe sociale mbi të gjitha, kur gjysma e popullsisë ka ngritur jetën mbi pronën e vjedhur? Është në fakt ndër problemet që më së shumti duhet të hante debat në këtë vend, ndërkohë që askujt nuk i shkon mendja ta thotë, ta përmendë, të ulërasë për të.
Ne nuk jemi të varfër. Madje progresi ynë material në çerek shekulli, më saktë pasuria e krijuar, është marramendëse në raport me mjerimin e lënë pas prej komunizmit. Ne thjesht jemi të padrejtë, kemi bërë shumë padrejtësi, më troç kemi vjedhur shumë, në shumë forma e nga shumë burime, dhe kjo na ka lënë nën peshën e një mallkimi që sado të kemi, sërish të mjerë do mbetemi, pa paqe, brenda vetes dhe rreth nesh, gjithnjë nën një peshë shtypëse stresi dhe të dënuar për të xhiruar në kotësi e mizerabilitet social.
“Ikjet” nuk janë vetëm përgjegjësi politike. Aty kemi dorë të gjithë. Dhe nëse nuk do jetë kjo qasje vetëkamzhikuese, asgjë nuk do lëviz për mirë. Është e lehtë t’ja faturosh politikës, qeverisë më saktë, por është një gjykim shtampë, parazitar, semplist. Është serioz vetëm kur i qasesh qeverisë si produkt i yni, i të gjithëve. Në një kuptim social, qeveria jemi dhe ne, dhe kjo nuk ka të bëjë aspak me dëgjesat publike të Ramës. Qeveria jemi dhe ne, në kuptimin e sa e sa gjërave që kemi në dorë për ta frenuar të keqen dhe promovuar të mirën, të drejtën. Nuk është qeveria ajo që na thotë që shko merrja pronën tjetrit – që në fakt dhe e ka bërë, më shkelje syri, siç është rasti me Kamzën, Bathoren e sa e sa prona – por që është ndërgjegja e jonë individuale që vendosë, nëse do jetojmë apo jo si hajdut.
“Ikjet” po shfaqen ndërkohë dhe si një psikozë kolektive, ndihur nga shumë faktorë, që jo të gjitha kanë të bëjnë me cilësinë qeverisëse të Ramës. Në një kuptim, Rama nuk e pati mik fatin dhe i ra që ta marrë drejtimin e vendit në ditën më të zezë, në çdo pikëpamje. Kujtojmë që Berisha e morri drejtimin e një vendi kur kuotat e rritjes ekonomike shënonin 7 për qind, u ku shteti lënë nga Fatos Nano nuk ishte aq i degraduar, aq i zhytur në abuzivitet, krizë efikasiteti e shërbimesh.
Gjithashtu, edhe në planin global situata ishte më e shëndetshme, me stabile, dhe ethet e migrimeve nuk ishin në këto nivele. Shqipëria që po i vuan tashmë këto ethe, është dhe e dënuar të jetë e integruar në psikozat rajonale të pakënaqësisë, ku prej ekonomisë së dobët, e ku prej një stresi global, që e shpreh tek inati me “vendin që nuk bëhet”.
Por pa dyshim që pjesa e mbetur e shkaqeve, është e tëra e atyre që kanë fate njerëzish në dorë, në kuptimin zyrtar të fjalës. Në këtë pikë, Ramës mund t’i atribuohet një dështim i madh. I suksesshëm në planin e një industrie komunikative, ku me plot talent, aftësi e fantazi arrin t’i imponohet publikut me freskinë e kauzave udhëheqëse, pavarësisht një konsumimi “para kohe”, mjeshtri i PiaRit nuk po arrin gjithsesi të ngjiz një bindje, të themelojë një moral të ri shoqëror, se ky vend duhet të bëhet, do të bëhet, dhe se për këtë të gjithë duhet të kontribuojmë.
Nëse në krizat e mëparshme që nga rënia e komunizmit, shpresa ka rrëzëllyar ndër gërmadha, madje dhe në kohët apokaliptike të ‘97-ës, kësaj here shpresa është vetë një gërmadhë.
Rama duhet ta kuptojë se betejën e ka me “shpresën”, më shumë se sa me bindjen në popull se vërtet është i duhuri për të bërë shtet.
Sa mirë do ishte që në dëgjesat publike, dikush të çohej e t’i thoshte: a mundeni të na dhuroni pak shpresë, z.kryeministër! /tesheshi.com/