Presidenti Meta i ka mëshuar fort ilegjimitetit të parlamentit aktual pa opozitën PD-LSI brenda, e media ia ka përcjellë deklarimet e tij dukshëm nervoze, nga fakti se e ideuar në strategji që të mos funksionojë, pra me djegien e mandateve, ai funksion, ashtu, shëmtueshëm, por jo më shumë shëmtueshëm nëse do ishte aty PD-LSI-ja.
Media ia ka përcjellë deklarimet tij mbi këtë parlament të gjymtuar, ku si fakt ofron të mos qënit në numrin e plotë, por ka lënë mënjanë ilegjimitetin e tij teksa qëndron në Presidencë: 1. I votuar nga kjo mazhorancë dhe në luftë me mazhorancën. 2. Sepse ai ka një konflikt të hapur interesi, pasi bashkëshortja e tij është koka e dytë e opozitës si kryetare e LSI-së.
Deklarimet Metës se ai nuk flet për politikë me gruan e tij, apo se nuk i përket më LSI-së, janë një fyerje e rëndë për inteligjencën e çdokujt që e dëgjon. Ai është i lindur për të qenë, deri në vdekje, LSI dhe vetëm LSI.
Presidenca e tij prej lësëisti të lindur, është mishërimi më i saktë i kësaj. Nga ana tjetër, në intervistën më të fundit për Ilva Taren në Euronews Albania, ai foli për herë të parë mbi pozitën e tij si i votuar si president nga kjo mazhorancë, duke përdorur një nga sofizmat më të pagëlltitshëm, më idiot në raport me logjikën e thjeshtë politike; atë që ai është votuar nga parlamenti i kaluar e jo ky aktuali, ku për të dhanë votën dhe Arta Dade e Namik Dokle(!!!). E ç’ë pastaj? Ai është votuar nga kjo mazhorancë, me apo pa Doklen e Daden, me apo pa filanin e fistekun, dje apo sot, gjë që ka zero rol apo rëndësi në vendimmarrje politike.
Si rregull politik, më saktë si etikë politike, Meta duhej të ishte dorëhequr që në çastin kur kjo mazhorancë e cila e ka futur në Presidencë kërkon të nxjerrë prej aty. Le të kthehej në LSI e të vijonte betejën e tij klasike politike si opozitar përballë qeverisjes. Ky është legjitimitet. Kjo është logjikë politike. E ndërsa kjo nuk ka ndodhur, çdo qëndrim e fjalë që del prej tij sa i takon përplasjeve me mazhorancën ka nulitet politik. Pra, nuk ka pikë vlere.
Ky ilegjimitet, në trajtën e një amoraliteti politik, godet dhe mazhorancën. Eshtë një ilegjimitet që buron pikërisht në raportin e saj me Ilir Metën.
Në 2013-n, Rama zgjodhi të riskonte moralisht në funksion të pragmatizmit politik që do e sillte në pushtet, duke zgjedhur të “vetëbëhej pis” në një aleancë me Ilir Metën. Teza e tij e tipit shahistik, e lexueshme në kohë, ishte: Me duhet për marrjen e pushtetit, e në kushte pushteti di si veproj me të.
Dhe nuk është se nuk funksionoi, por deri në çastin kur vendosi të godasë sërish ato ndjesi morali publik, me përzgjedhjen e Metës për të qenë president, në injorim të plotë të një paradortësie të qartë publike. Kjo, pasi e kishte larguar mjeshtërisht nga vetja me një lëvizje britante shahistike, siç ishte ajo e post-Çadrës në prag të zgjedhjeve të 2017-ës.
Ajo që e ilegjitimon tani mazhorancën, është pikërisht Ilir Meta në Presidencë, e përkthyer si çuarje e gjithë maskarallëkut politik të post-komunizmit në krye të shtetit. Dhe Meta në Presidencë nuk ka zhgënjyer në këtë pikë.
Iligjitimiteti tjetër është padyshim ai i parlamentit, por jo si e arsyeton Meta duke u nisur nga numrat.
Ilegjimiteti i parlamentit aktual buron nga ilegjitimiteti i së ashtuquajturës opozitë e re; deputetë të dalë nga listat e dy forcave që dogjën mandatet, ku disa prej tyre bëjnë dhe si gore në një tentativë për të bërë “të fortin” politikisht, me shfaqje delirantizmi idiot, sidozot Ralf Gjoni.
Ata nuk janë aty të votuar nga populli, siç mund të ndodhte në një tjetër sistem zgjedhor, ku paçka siglës partiake dhe vendimarrjes përkatëse, zgjedhin të qëndrojnë aty në përgjigje të lidhjes direkte dhe konkrete me votues konkretë gjithashtu. Ata janë emra listash, ku votohet sigla e jo emri, e si e tillë, në emër të etikës politike partiake, duhet t’i binden vendimmarrjes partiake. Ato janë aty nga paskrupuloziteti politik e jo parimet politike. Edhe nëse nuk ishin dakort me djegien e mandateve, ata mund ta shprehnin këtë në publik, por nuk mund të hynin apo ta vazhdonin me prezencën në parlament. Vlen kjo sidomos për ata që erdhën nga listat e jo ata që ishin në parlament (Muslim Murrizi apo Rudina Hajdari).
Fakti që ky është i vetmi rast që ata të shijojnë një mandat deputeti (me pak përjashtime, siç mund ta ketë deputeti Murrizi, i cili i përket një tradite politike ku është sprovuar nominalisht dhe me votën direkte), tregon se psikologjia e “detit të bërë kos” i ka çuar që të dalin kundër vendimmarjes partiake për të shijuar sadopak një mandat.
Këto pra janë tre ilegjitimitete në krye të shtetit: në Parlament, në Presidencë, në Qeveri.
Ka dhe një të katërt sigurisht: është Opozita, ajo PD-LSI.
Vijon të bëjë si gore ndërkohë që ka zgjedhur të dalë jashtë sistemit duketentuar njëherësh t’i sjellë një goditje sistemit, atij ku kërkon të futet sërish. Eshtë bash kjo që e ilegjitimon…/tesheshi.com/