Do ishte interesante por dhe e nevojshme që të pyetej e të merrej një sqarim nga Monika Kryemadhi se çfarë ka parasysh ajo kur deklaron se me të në pushtet do i jepej fund tranzicionit.
Eshtë një tezë që ajo, nën ethe të forta pushtetdashëse, po ia dikton opinionit si tezë, apo medemek si vizion politik qeverisës. Por fillimisht, teorikisht, para se të na bëjë që ta prekim realisht e praktikisht këtë lloj lumturie politike, do na vinte në ndihmë për ta kuptuar më mirë atë që ajo e di dhe të tjerët nuk e dijnë, se ç’na qënka ky tranzicion, kur nis e kur mbarron.
Në fakt ajo nuk ka faj. Znj.Kryemadhi reflekton apo përcjell, vetëdijshëm apo pavetëdijshëm, një prej budallallëqeve të gjykimit populist në Shqipëri mbi politikën, e që ka të bëjë me krijimin e mitit të tranzicionit.
“Sa i dhimbshëm ky tranzicion!”, “tranzicion i stërzgjatur”, “kur do mbarroj ky tranzicion” – janë disa prej frazave klishe që i dëgjon të thuhen nga çdo nivel shoqëror, duke qenë dhe pjesë e diskursit politik gjithashtu, dominante tash e në më pak se dy dekada, që kur u ndërrua sistemi.
E para duhet sqaruar termi. “Tranzicion” është një fjalë me konotacion akti, procesi, veprimi e jo fryme. Në aspektin politik, tranzicioni shoqëron një ndryshim sistemi në aspektin kushtetues dhe legjislativ. Dhe kjo ka përfunduar me kohë në Shqipëri. I gjithë kuadri kushtetuese e ligjor i cili e ka kaluar Shqipërinë nga një sistem në tjetrin, ka dy dekada që është kompletuar. Probleme tranzicioni do kishim vetëm nëse një pjesë e politikës do vijonte të vepronte me ligjet e sistemit komunist e tjetra me ato kapitalist. Ne nuk e kemi fare këtë problem. Ne nuk kemi përplasje ligjore, ne nuk kemi përplasje idelogjike, ne kemi në frymë. Dhe fryma, as gjuhësisht e as politkisht, nuk ka të bëjë me tranzicionin në përmbajtjen e vet konotative. Sepse përndryshe, sa herë ne i qaseshim “tranzicionit” do kishim së paku një referencë nga historia e politikës botërore,të cilën mund ta merrnim për ndihmë në të kuptuar. Nuk e kemi e nuk e ofrojmë në asnjë rast. Pse? Sepse është një sajesë e jona, është një mit, i ardhur nga një gjykim klishe e padyshim naiv, që buron nga një dëshirë (për të patur një politikë ndryshe), e sigurisht dhe një Shqipëri ndryshe, por kjo nuk ka të bëjë fare me tranzicionin, kjo ka të bëjë me frymën.
Problemet e politikës në Shqipëri nuk janë cështje tranzicioni por fryme.
Burimi i tyre është i thellë dhe ka të bëjë me aspekte deri dhe antropologjike. Ne vuajmë kriza që vijnë nga kultura e mangët politike e jo nga aspekte tranzitive të kalimit nga pika A në pikën B. Sepse, çfarë është ajo që nuk është tranzitive? Ç’vjen më pas kur mbarruaka tranzicioni, siç na e premton edhe znj.Kryemadhi? Vetë ajo, sa kohë do për ta përfunduar tranzicionin? Po sikur dhe procesi i fundit të tranzicionit të jetë po aq i gjatë sa dhe vetë tranzicioni? Pra, kur vjen momenti që këto pyetje duan përgjigje, ahere e kupton se me çfarë nonsensesh ballafaqohemi dhe në gjykimin mbi politikën, ku e ububushmja në ketë rast vjen edhe nga vetë politika.
Shqipëria, thjesht, vuan vonesa historike, si në aspektin shtetformues e si në aspektin e pjekurive shoqërore. Por dhe njëherë, janë çështje fryme e jo ndonjë tranzicioni si proces fiks. Krizat tona, ankthet tona, hallet tona thënë më thjeshtë, janë refleksione të vetë neve si produkte kulturore e sociale, çdokujt, çdo shtrese, çdo niveli shoqëror.
Tranzicion në kërë rast, por me spekullimin brenda, është ai proces që nuk ka as datë fillimi e as mbarrimi, por që përbën vetë thelbin e ekzistencës; rrokopujën njerëzore në përpjekjen sizifiane për stade lumturie, e që në finale është shkrimi i historisë që bën çdo popull për veten e vet. Edhe ne, thjesht shkruajmë një histori tonën. Siç e bëmë me komunizmin, po e bëjmë me kapitalizmin.
Miti tjetër, po kaq naiv, është ai i një politike të re, e cila nënkupton dëshirën për emra të rinj në politikë, prej të cilit është prodhuar një tjetër gjykim klishe: “kjo kastë politike duhet të ikë”. Si dhe në rastin e “tranzicionit”, ne bëjmë formulime të përgjithshme, nisur nga ca dëshira, por kur vjen puna për t’i detajuar, aty e kuptojmë se si ia paskemi futur kot. E gjithë politika shqiptare në 30 vite është shoqëruar me ikje të vjetërish e ardhje të rinjsh, gjë që dotë thotë se ka ekzistuar dhe ekziston dhe një ndërrim kastash. Çështja është që dhe të rinjtë nuk kanë mundur të sjellin atë që ne kemi dëshiuar apo ëndërruar, pra të renë në mendim, stil politik, apo vizion qeverisës.
Ndërrimet e kastave janë procese të natyrshme, të cilat diktohen dhe nga aspekte fizike -mosha e një politikani apo e një shtetari – e nuk bëhen me urdhër. Pyetje: si ikën një kastë politike? Me çformë, me ç’proces? Si vijnë këta të rinjtë, e më së pari ku janë këta, ku gjenden, ku thërrasin e ne nuk i dëgjojmë? Ndërrimet e kastave i sjellë sistemi ku jemi, ai që kemi zgjedhur për model politik dhe ekonomik. I sjell gjithashtu dhe ai rregull jashtë sistemeve, e që është biologjiku.
Politika shqiptare ka patur të rinj në çdo kohë, ashtu siç ka patur dhe asish figura që ose janë tërhequr për arsye moshe, ose janë shuar natyrshëm. Në 30 vite ekziston një mozaik që i ka të gjitha brenda. Fjala vjen, në lidershipin e PD-së bashkëjetojnë dy modele: i vjetri, Berisha dhe i riu, Basha. Madje do mjaftojë ky precedent, për të kuptuar se dhe “e reja në politikë” është thjesht një mit i sajuar. Ja ku është Basha, i riu, i shkolluari në Perëndim, pa asnjë implikacion ideologjik nga e kaluara dhe, kur vjen puna për të bërë dallimin e njërit me tjetrin, sheh se nuk ka. Madje ka një përputhshmëri të dhimbshme mes tyre.
Pra, flitet për nevojën apo dëshirën për të rinj në politikë, por askush nuk e thotë se ku janë ata, ç’emra kanë, ku i shpalosin vizionet dhe ku i shprehin apo i testojnë aftësitë. Nëse ekzistojnë, i kanë të gjitha shanset nga vetë shanset që të jep sistemi, për t’u faktorizuar, garuar e sfiduar. Gjithnjë nëse janë të aftë. Askush s’i ka penguar. Nëse ata, apo gjindja, mendon se politika është me zaptues nga kasta e vjetër që nuk të lenë, ky është thjesht një ngushëllim për paaftësinë e tyre, e cila mund të jetë në tre dimensione: politike, vizionare, intelektuale dhe profesionale.
Realisht, po të nisësh të numërosh të rinjtë në elitën politike, do gjesh me shumicë. I ka çdo parti në ato që i japin tonin jetës politike. Janë aty krejt natyrshëm, prej procesve biologjike si dhe politike. Mes tyre ka të sukseshëm, ka dhe të dështuar, ka prej atyre që kanë ofruar një model, e ka toça që iu rroftë diploma se nuk ja kanë thënë për asnjë gjë. Edhe në këtë rast thjesht shkruhet një histori, një histori që është sa individuale e aq shoqërore.
***
Në Kosovë ekziston një preçedent. Edhe atje, politika ka deri diku tiparet e asaj në Shqipëri: parti tradicionale, parti të reja, emra të vjetër e emra të rinj gjithashtu. Në Han të Elezit, një qytezë në kufi me Maqedoninë Veriore, ekziston një kryetar komune, i cili rrëzon të gjithë mendimin e klisheizuar shqiptar mbi politikën. Quhet Rufki Suma. Nuk është ndonjë gjeni e nuk ka bërë ndonjë mrekulli. Eshtë thjesht një njeri i mirë në aspektin shoqëror e social dhe një administrator i aftë dhe gjithashtu i ndershëm. Nuk është pjesë e asnjë sigle politike. Drejton në mandatin e tretë dhe i ka fituar ato lehtësisht, pa u rrezikuar kurrë nga kandidatët rivalë të partive tradicionale. Nuk është gjithashtu pjesë e asnjë lobi, edhe pse qyteza që drejton ka një rëndësi jo të vogël ekonomike për vetë pozicionin që ka; me doganë e me industrinë që përfaqëson, atë të çimentos. Gjithashtu është “i mangët” në të bërit fushatë, nga vetë karakteri që ka, me një modesti nganjëherë dhe të tepruar. E megjithatë fiton, sepse njerëzit e duan, i besojnë dhe ia japin votën pa shumë dilema.
Nuk është as i ri e as i vjetër. Eshtë thjesht i ndershëm dhe i aftë.
Eshtë rast për t’u studiuar, sepse mbi të të gjitha nuk është i rënë nga qielli. Eshtë mes nesh dhe si ne. Eshtë një leksion që tregon se e mira mundet të triumfojë edhe në politikë. Madje duke qenë kjo e fundit edhe shqiptare. Jo me hurdhër, jo me diktat, jo me skema; thjesht me natyrshmëri. /tesheshi.com/