Emigracioni është një fenomen po aq i vjetër sa njeriu. Madje mund të thuhet se lindi me lindjen e racës njerëzore, pasi në librat e feve Ibrahimike (Abrahamike), thuhet se babai njerëzimit u deportua në këtë botë për shkak të një mëkati. Nga ana tjetër, që në kohën e ilirëve gjejmë nocionin e “disporës”, nga ku ata emigronin në vende të ndryshme të botës dhe pasi merrnin zejet dhe zanatet e atyre vendeve, ktheheshin në trojet e veta dhe i implementonin ato. Pra, në një farë mënyre nocioni “emigracionit” këtu vjen si nocion i përfitimit dhe shkëmbimit të eksperiencave më të mira midis popujve dhe kulturave të ndryshme.
Edhe në kohën e sotme, procesi i migrimit vazhdon të jetë një fenomen i vendeve perëndimore dhe të industrializuara. Në vendet e zhvilluara dhe SHBA migrimi nga zonat rurale në zonat urbane ndodhi gjatë procesit të industrializimit. Ky proces ndodhi për shkak të papunësisë urbane. Popullsia urbane në Nju Jork dhe Tokio rritet me 1 % në vit, në Azi dhe Amerikën Latine kjo popullsi rritet me 4-5% në vit, ndërsa në Afrikë me mbi 6% në vit
Në perëndim, qytetet janë krijuar në fillim të lindjes së kapitalizmit, rreth shekullit 16-të. Baza e krijimit të qyteteve ishte rritja e efiçiencës ekonomike dhe ulja e kostove siç janë: koncentrim i kapitalit dhe i punës, shmangia e barrierave politike, zhvillimi i tregut të punës etj. Këto qytete u ndërtuan kryesisht nga zhvendosja e njerëzve prej zonave rurale në ato urbane, pra nga migracioni.
Procesi i krijimit te qyteteve njihet ne teoritë sociale si procesi i aglomerimit të strukturave ekonomike. Aglomerimi krijon dy tipe rajonesh urbane: qytete industriale dhe ekonomitë urbane. Aq e vërtetë është kjo sa që ka edhe një model (Todaro) që paraqet në formë skeme analizën e vendimeve për migrim. Sipas këtij modeli, migracioni nxitet nga faktorë racionalë që lidhen me kostot dhe përfitimet ekonomike dhe financiare. Ai pohon gjithashtu se norma e ulët e papunësise urbane është një nxitës i madh i mundësisë për migrim nga zonat rurale në vendet në zhvillim.
Koifiçenti Ginit
Një tjetër tregues i “shëndetit” të strukturës ekonomike të shoqërisë sonë është kurba e Ginit që derivohet nga Kurba e Lorencit. Të dhënat për Shqipërinë mund të konsiderohen normale, krahasuar me vende të tilla si Hollanda, Austria, etj. Me pak fjalë, ajo që dëgjojmë të spekulohet në media se një 5% e shoqërisë në Shqipëri ka rreth 95% të të ardhurave, bie totalisht poshtë nga statistikat e Bankës Botërore ku thuhet se ne kemi një shpërndarje po aq të barabartë të të ardhurave në shoqëri sa ç’e ka Gjermania dhe vende të tjera si Hollanda dhe Austria. Mirëpo çështja çalon tek të ardhurat për frymë që gjenerojmë ne si vend. Pra ne vuajmë nga gjenerimi të ardhurave dhe jo nga keq-shpërndarja e tyre, siç thoshte Marksi.
Siç e shohim, procesi i kalimit nga ekonomitë buqjësore, (rurale) në ato industriale është një proces që vazhdon edhe në vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim. Ky proces nuk mund të arrihet vetëm se me anë të migracionit apo emigracionit. Nëse Shqipëria do integrohej në BE, kjo lëvizje e fuqisë puntore nuk do të quhej më emigrim, por lëvizje e kapitalit human, çka në thelb është një proces normal për dogmën ekonomike dhe për vendet e zhvilluara siç e pamë. Ne mund të heqim një paralele me ikjen e kapitalit jashtë dhe me ardhjen e investimeve të huaja direkte në vend (FDI), pra ashtu siç kemi “hyrje-dalje” kapitali kemi edhe “hyrje-dalje” të fuqisë punëtore. Por me një dallim: largimi i fuqisë punëtore bën që ky krah pune të “specializohet” jashtë dhe të përfitojë nga eksperiencat dhe arritjet më të mira botërore, çka më pas vjen dhe i implementon ato në Shqipëri, tamam siç bënë ilirët dhe siç ndodhi me vendet e zhvilluara këto tre shekujt e fundit. Në fund kjo rezulton një eksternalitet pozitiv për shoqërinë
Tregu i punës në eurozonë bën që të kemi lëvizje të fuqisë puntore nga njëri vend i BE-së në tjetrin, madje Baldwini thotë se ky proces ndihmon demokracinë pasi lëvizja e krahut të punës, në vetvete përbën lëvizje votuesish dhe kjo i nxit pushtetet lokale dhe qëndrore që ta bëjnë më mirë punën e tyre. Pra në vetvete është një lloj trysnie politike. Kështu emigracioni më tepër sesa një fenomen ogurzi për vendin, është një proces normal zhvillimor që e ka kaluar dhe që po vazhdon ta kalojë çdo vend i zhvilluar perëndimor, prandaj ai është një lajm i mirë për Shqipërinë sepse përkthehet në rritje remitancash, kualifikim të kapitalit human, rikthim investimesh në të ardhmen nga vetë emigrantët, si dhe “shfryrje” e kërkesës për punë, çka në vetvete bën që të vlerësohet më shumë krahu i punës që gjendet brenda vendit. Spekulime mund të bëjë gjithkush, por statistika jo, sepse ato janë kokëfortë; dhe në rastin tonë na thonë se ne duhet të lumturohemi më tepër sesa të trishtohemi. Sidomos në periudhën afatgjatë. /tesheshi.com/