Kur flitet sot për lëvizjet progresiste apo emancipuese feministe, në dominancë ajo çështje merret “shabllon’’ dhe askush nuk guxon të marrë në analizë disa aspekte të dëmshme të saj. Kjo pasi ekziston rreziku që nga luftimi ekstremit të shkohet në ekstremin tjetër, apo siç i thotë populli ynë, për të hequr vetullat nxjerrim sytë!
Thënë kjo pasi këto lëvizje që flasin për “çlirimin e femrës’’ shpesh çojnë në imponimin e sjelljeve të saj dhe diktimin e metodës së jetesës që ajo duhet të bëjë dhe kjo me anë të mekanizmave të opinionit (sipas koncepteve të Erich From-it). E gjitha kjo shpesh përbën regres për femrën, për dëshirat e saj, për të drejtën e pavarësisë, për të menduarit, për të zgjedhurit, etj. Kjo pasi sa e sa femra ankohen sot nga reagimet e dhunshme të familjarëve apo bashkëshortëve të tyre kur kërkojnë të lenë punën apo nuk kanë dëshirë për t’u shkolluar, por kanë ëndërr krijimin e një familjeje. Kështu ato bulizohen barbarisht nga OPINIONI në mënyrat dhe shprehjet më lënduese për ndjenjat e tyre të brishta, ndërkohë nga ana tjetër kur e bën këtë një mashkull ai tolerohet me justifikimin “kush e di ku e ka hallin’’.
Thënë më shkoqur, femra moderne sot duhet të bëjë luftë për mbijetesë si të ishte një emigrante e huaj në vendin e saj, çka shpesh rezulton e dhimbshme për feminitetin e saj, pasi e detyron atë që të shkulet nga dëshirat e “përgjegjësive familjare, shtatëzanisë, gjidhënies, edukimit të fëmijëve, përkujdesjes me shtëpinë, etj.’’ Apo ndoshta nga dëshira për t’u marrë me art dhe ndonjë vokacion tjetër të saj.
Aq e vërtetë është kjo sa është bërë e modës që disa nga femrat “VIP’’ mos të ushqejnë më me gji as fëmijët e tyre, pasi siç shprehen ato “nuk jemi lopë që të prodhojmë qumësht’’!?
Përveç të tjerave, në këtë mesele ato kanë kundër gjithë shkencën edhe mjekësinë.
Këtë gjë e përshkruan edhe më mirë autorja e librit “Hajdutët e shëndetit mendor’’ (Nur Numan) kur thotë:
“Nga lëvizjet feministe, ndjenjat dhe instiktet e bukura femërore shtypen dhunshëm kur atyre ju imponohet një model femëror kapitalist që e shfrytëzojnë të pasurit për interesat e veta, prej nga kërkojnë një femër të paraqitshme, të edukuar, konformiste, koketë, e cila kënaqet me pak, pasi ndoshta do të arrijë shumë në të ardhmen, por që nga ana tjetër ajo mund të zëvendësohet shumë kollaj!”
Sa vrastare është kjo për unikalitetin femëror kur e mendon. E të mendosh që kjo ndodh pasi ajo ka hequr dhimbshëm dorë nga të tiparet e saj femërore bazike siç janë turpi, ndershmëria, qetësia, etj.
Cilido që ndjek reportazhe me në fokus të tilla tema gjen se femra në gjendjen reale –pra pa grim dhe makiazh- shfrytëzohet tmerrësisht në fabrika “skllevëruese’’ siç janë ato të këpucëve, rrobave, fasonerisë, etj. Ndërkohë nga ana tjetër ato të paraqitshmet dhe kuruarat shërbejnë si “makiazh’’ i firmës në raste ofertash, reklamash, etj. –çfarë diskriminimi!. Ky fenomen vazhdon edhe më tutje pasi në disa restorante, ushqimi serviret mbi trupat e femrave gjysëm të zhveshura si të ishin kërcunj.
Madje ekspozimi trupit femëror në materialet pornografike është ndër burimet kryesore të të ardhurave në shtete të shthurura, aq sa gjeneron të ardhura fikse vjetore që i tejkalojnë të ardhurat e shumë sektorëve të tjerë ekonomikë. Çfarë turpi për këto ekonomi!
Mirëpo nga ana tjetër ato ekspozohen ndaj një morie sëmundjesh seksualisht të transmetueshme (SST-vë) dhe të cilat shpesh çojnë në vdekje të dhimbshme’’.
Fatkeqësisht kjo ka bërë që në Perëndim të lind një fenomen i ri, ai i diskriminimit aparencial dhe për të cilin nuk flitet aspak. Thënë ndryshe femrat e paraqitshme kanë shumë mundësi punësimi, krahasuar me ato më pak të paraqitshme.
Po ashtu këto lëvizje kanë përcaktuar edhe partnerin ideal dhe që duhet të ketë mundësisht këto karakteristika:
Të jetë bashkëmoshatar që respekton dëshirat e saj, nuk futet tek gjërat e saj personale, që ia plotëson të gjitha kërkesat, dhe që mendimi saj ndikon në shumë çështje.
Në një kohë që ajo nga brenda mund të dojë:
Një mashkull që përkujdeset për të, që e mbështet, që ja mbulon të metat, që i jep siguri dhe që është besnik. Ajo do një partner tek i cili të shoh fuqinë dhe maturinë e duhur për të ecur bashkë në rrugëtimin e jetës, duke u përballur me forcat që e skllavërojnë atë dhe që i ulin vlerat dhe prestigjin duke e vlerësuar vetëm për rezervat dhjamore apo hiret.
Por edhe mënyrën sesi duhet të duket një femër na e imponon kjo lëvizje, pasi sipas saj femra e kuruar dhe e bukur preferohet nga meshkujt, ndërkohë që bukuria e brendshme apo vlerat unikale personale lihen në harresë. Kjo metodë është e gabuar pasi femra është më e shumë sesa thjesht një krehje flokësh, një hedhje parfumi, një veshje e bukur, një bizhu e shtrenjtë, një pozitë profesionale apo një arsimim prestigjoz.
Edhe në çështjen e punës së imponuar këto lëvizje pohojnë se femra duhet ta shterojë jetën e saj duke kërkuar që të arrijë punë me të ardhura të mira. Ky këndvështrim pragmatist e shteron çdo vlerë femërore në dobi materiale, duke e shtypur feminitetin e bukur brenda saj.
Kjo pasi një studim perëndimor ka zbuluar – si shumë të tjerë – se vetvrasjet e femrave u shtuan pas përparimit të lëvizjeve që kërkojnë pavarësinë e femrës (1970-1985). Kjo pasi studiuesit zbuluan se ekziston një rritje e madhe e vetvrasjes femërore dhe ulje ndaj atyre mashkullore. Po ashtu, rritja e shifrave të vetvrasjes tek gratë puntore që jetojnë në qytete të civilizuara ishte më e lartë krahasuar me ato periferike.
Kështu na bëhet e qartë se femra perëndimore arratiset nga aktualieteti saj i dhimbshëm duke krijuar varësi ndaj alkoolit, drogërave apo kush e di sa gjërave të tjera negative. Kjo sepse është gjetur një lidhje e madhe midis vdekjeve që burojnë nga vetvrasja dhe cerozës.
Shkaku kryesor i kësaj i atribohet marrjes së roleve shtesë në jetën e tyre (pra punës përkrah rolit të saj kyç në shtëpi, martesë, fëmijë) dhe se kjo gjë shton presionin ndaj tyre dhe i bën ato të jetojnë në konflikt të vazhdueshëm me natyrën e tyre.
Pse maskilizmi ka fajet e veta?
Nga ana tjetër maskilizmi duhet luftuar po njëlloj. Fenomene si keqtrajtimi, arroganca, apo më keq akoma, vrasja e gjinisë së kundërt e cila në Amerikë statistikisht shkon deri në tre femra të vrara çdo ditë, janë fenomene që duhen sanksionuar me ligj dhe duhen bërë kurrikula shkollore, metoda edukimi dhe emisione televizive për t’i ç’rrënjosur ato.
Meshkujve ju duhet mësuar se femra ka nevojë për dikë që ta bëjë atë të ndjehet e rëndësishme dhe se butësia, sjellja dhe dialogu mirë është ndër cilësitë që tregojnë për një mashkull inteligjent dhe “xhentëllmen’’ dhe jo për një mashkull të paditur, burracak apo që “komandohet’’ nga grate.
Nga ana tjetër duhet luftuar edhe mentaliteti “maskilist’’ i lëvizjeve feministe që i bëjnë këta meshkuj të mendojnë se femra (qoftë nëna, motra, vajza, bashkëshortja, etj) duhet të jetë burim të ardhurash. Apo në rastin më të mirë të jetë strukturë e mëvetësishme dhe e pavarur, në një kohë që dihet se ata nuk janë të barabartë në potencialet dhe kapacitetet e tyre.
Madje kjo shpesh u konvenon disa maskilistëve të përgjumur dhe përtacë, pasi për këto dështime ata ia hedhin fajin gjinisë tjetër, pasi e përfytyrojnë atë si “fantazëm’’ hakmarrëse që e urren mashkullin dhe e cila mezi pret ta godas atë pas shpine. Ndoshta shifrat e larta të divorceve tregojnë për këtë.
Lëvizjet feministe sot bashkë me agresivitetin e vet mediatik dhe influencën sociale kanë çuar në shtypjen e karakteristikave dhe ndjenjave femërore, kanë eklipsuar vlerat e saj të brendshme aq të bukura dhe të nevojshme për shoqërinë dhe e kanë kthyer atë në një qenie të huaj për feminitetin e vet, duke bërë që ajo shpesh të kalojë situata depresioni të vazhdueshëm.
Për rrjedhojë, ato janë kthyer në mall të nënçmuar dhe material që shitet e blihet, të cilave ju vështirësohet çdo ditë rikthimi në origjinën e tyre femërore me anë të ekspozimit të tyre për të ngritur kështu lart vlerën e aksioneve të kompanive dhe kapitalistëve, madje edhe buxhetet e shteteve me anë të ekspozimit të hireve të tyre apo duke i prostituuar ato në filma pornografikë. Psikologjikisht, këto ide që bien ndesh me përmbajtjen e saj të brendshme, rrënjosin tek ajo dimensionin e vetmisë dhe tjetërsimit të feminiltetit.
Si përfundim, lëvizja feminista e imponon dhe detyron femrën që të punojë jashtë shtëpisë, po njëlloj siç maskilistët e detyrojnë atë të bëjë brenda saj. Vetëm se në “maskilizmin’’ feminist ajo ka dhe pasoja të shtuara psiko-mentale, emocionale, etj.
Me anë të këtij shkrimi nuk synojmë nxitjen e femrës që mos të punojë, mos të arsimohet, mos të ketë liri, përkundrazi ky shkrim është një përpjekje për të sensibilizuar opinionin se femrës i duhet lënë liri zgjedhjeje në veprimat e saj dhe nuk duhet kritikuar apo imponuar për to, qoftë edhe kur ky imponim vjen nga lëvizjet progresiste, feministe, emancipuese, moderniste, etj. /tesheshi.com/