Pak ditë më parë, presidenti i Turqisë bëri një deklaratë, e cila, megjithëse kaloi me konsiderata normaliste, po të ishte bërë jo më pak se 10 vite më parë do ishte këmbanë alarmi për mediat globale. Përpara studentëve të një universiteti të Stambollit, ai tha se rendit global po i dhemb koka. Por sa gjasa ka që rendi global të ketë filluar tatëpjetën?
A është bota arabe fillimi dhe fundi i një rendi global?…
Një panoramë historike
a. Dokumenti Campbell
Në epokën moderne gjithçka nis me konferencën e mbajtur në Londër më 1905-1907. Kjo konferencë u organizua me kërkesë të fshehtë të partisë konservatore angleze. Qëllimi i saj ishte gjetja e mjeteve për ruajtjen e supremacisë dhe të interesave kolonializuese në atë kohë. Shtetet që morën pjesë ishin: Anglia, Franca, Holanda, Belgjika, Spanja, Italia, etj. Konferenca doli në fund me një dokument sekret, të ashtuquajtur “Dokumenti Campbell”. Këtë emër e mori prej kryeministrit anglez të asaj periudhe, Henry Campbell-Bannerman. Në fund, pjesëmarrësit arritën në këto konkluzione: “Deti Mesdhe është arterie jetike për pushtuesit, pasi ai konsiderohet si një urë lidhëse midis Lindjes dhe Perëndimit, si rrugëkalim natyral midis Azisë dhe Afrikës, si dhe një udhëkryq për rrugët e botës. Po ashtu, ai është edhe shtrati i feve dhe qytetërimeve.” Ndër sugjerimet më pikante të kësaj konference ishte mënyra si do ndaheshin shtetet arabe midis këtyre forcave neokolonizatore.
b. Marrëveshja e famshme Sykes-Picot
Më pas, më 16 maj të vitit 1916, delegatët Sykes dhe Picot u dakordësuan në emër të Anglisë dhe të Francës, si dhe me dakordësinë e Rusisë, për ndarjen e botës arabe. Rusia merrte një pjesë të Azisë së Mesme. Kështu, Franca dhe Anglia, si dy shtete aleate, arritën në këtë marrëveshje pas një maratone disaorëshe negociatash të fshehta midis përfaqësuesit anglez, Mark Sykes, dhe atij francez, Francois Georges Picot. Rezultatet e arritura nga këto negociata iu paraqitën Rusisë cariste, e cila ra direkt dakort me këtë marrëveshje, me kusht që dy vendet t’i njihnin asaj aneksimin e disa zonave në Azinë e Vogël të pas luftës. Sipas marrëveshjes Sykes-Picot, Anglia dhe Franca e ndanë Lindjen e Mesme mes tyre. Zona bregdetare e Sirisë dhe Libanit iu dha Francës, Iraku dhe Gadishulli Arabik iu dhanë Anglisë. Ndërsa për sa u përket zonës të tjera, u ra dakort midis Anglisë dhe Francës që të njihen një apo disa shtete arabe të pavarura, të cilat do të udhëhiqeshin nga presidentë arabë. Mirëpo, sipas marrëveshjes kushtëzohej që në një nga të dy zonat Franca duhej të kishte precedencë në projektet dhe borxhet vendore të saj, si dhe monopolin e dërgimit të këshilltarëve dhe zyrtarëve të lartë. Kufijtë që shohim sot midis shteteve arabe janë demarkacione të vendosura sipas dy fuqive të asaj kohe, Francës dhe Anglisë.
Kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ish-Bashkimi Sovjetik e trashëguan botën arabe nga Franca dhe Anglia, ajo u kthye në një nga fushëbetejat më të mëdha të Luftës së Ftohtë. Sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice, tha në janar të vitit 2005: “Për 60 vjet ne menduam se mund të arrinim ta stabilizonim Lindjen e Mesme pa liri; në fund nuk arritëm asnjë nga të dyja.”
Kur u krijua rendi i ri global…
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës krijuan Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) në San Francisko, më 1945, me synim krijimin e një strukture që ruante në rang global hegjemoninë e shteteve që dolën triumfuese. Këto shtete ishin Amerika, Bashkim Sovjetik, Anglia, Franca, dhe, më pas, Kina. Kështu, këtyre pesë shteteve iu dha e drejta e vetos kundër çdo vendimi me të cilin nuk binin dakord.
Shumë njerëz nuk e dinë se ideja e ngritjes së një strukture kombesh derivon nga nocioni i ”Lidhjes së Kombeve”, të ngritur nga europianët, e cila nuk vazhdoi për një kohë të gjatë, për shkak të ndezjes së Luftës së Dytë Botërore. Sipas historianit arab El Huvejrini: “Thelbi i kësaj ideje ishte që superfuqitë e mëdha globale t’i menaxhonin interesat, konfliktet dhe aspiratat në botë pa u konfrontuar direkt midis tyre, siç qe rasti i dy luftërave botërore, që sollën pasoja katastrofike dhe rrënuese për të gjitha shtetet pjesëmarrëse. Nga këtu lindi ideja e Lidhjes së Kombeve, e më pas e OKB-së. Kështu, luftërat e reja midis superfuqive zhvilloheshin në mënyrë diplomatike dhe agjenturore, por tashmë jo më në mënyrë të drejtpërdrejtë ushtarake. Karakteri i ri i luftërave është me delegim, nga ku Amerika dhe ish-Bashkimi Sovjetik përfshinin në konflikte të armatosura shtetet e veta aleate, tamam siç ndodhi në luftën e zhvilluar midis Egjiptit dhe Izraelit në vitet 1967 dhe 1973. Këto shtete aleate, një i kampit lindor dhe tjetri i atij perëndimor, u bënë ‘armët’ luftarake të tyre; po ashtu i eksperimentuan dhe u bënë reklamë armëve të aleatëve të tyre. Kuptohet, pa u përfshirë në luftë të mëdhenjtë. Kjo gjë u bë akoma edhe më e dukshme në mbështetjen që Amerika i dha Afganistanit në luftën kundra sovjetikëve, apo në përkrahjen që ish-Bashkimi Sovjetik i dha Vietnamit kundër Amerikës.”
Në lidhje me objektivat e OKB-së, historiani arab Ismail Shetij thotë në mënyrë të përmbledhur:
“Pavarësisht faktit se fjalët e para të dokumentit të OKB-së shprehin qartë se funksioni saj është ruajtja e rendit dhe e paqes ndërkombëtare, në fakt ajo që synohet është që ky rend dhe kjo paqe të ruhet mes të mëdhenjve. Kjo pasi gjysmëshekulli i kaluar u mbyll me luftëra të përgjakshme midis shteteve të botës, përveç superfuqive. Kështu, rendi global erdhi si alternativë dhe ekuivalent i sistemeve pushtuese, e si konservues i interesave dhe influencave të shteteve të mëdha, në atë mënyrë që asnjë shoqëri në botë të mos e cenojë dot imunitetin e pushtimeve.”
Por kjo përplasje shtrihet edhe në botën akademike amerikane, e jo vetëm, sidomos midis historianëve Bernard Lewis dhe Huntington.
Luisianët thonë se, “Bota arabe është një shoqëri e prapambetur, e cila nuk e pranon dot periudhën moderne, prandaj edhe e lufton ‘civilizimin’ dhe duhet luftuar.”
Ndërkohë, Samuel Huntington shpreh një universalizim të vlerave perëndimore: “Nocioni i ‘civilizimit global’ ndihmon në përligjjen e dominimit kulturor të Perëndimit në shoqëritë e tjera… ‘Globalizmi’ është ideologjia perëndimore për t’u përballur me kulturat joperëndimore.”
Analizat e rendit të ri global…
Rendi global, sipas ekspertëve, ka si kolonë vertebrale të tij katër elemente:
- Forca ushtarake (armët). Për hir të së vërtetës, duhet thënë se në këtë pjesë OKB-ja e ka situatën nën kontroll, ku përveç disa rasteve sporadike, siç janë rasti i Iranit dhe Koresë së Veriut në prodhimin e armëve bërthamore jashtë suazave të OKB-së, bota e ruan një lloj rendi në lidhje me këtë pjesë.
- Energjia dhe burimet. Po ashtu duhet thënë se edhe për pjesën e burimeve natyrore të gazit dhe të naftës, nuk është se ka një konflikt apo debat në OKB se si të ndahen.
- Legjitimiteti ndërkombëtar (OKB-ja). Ky organizëm vazhdon ta ruajë edhe sot e kësaj dite këtë legjitimitet, sepse vënia në diskutim e legjitimitetit të OKB-së nënkupton preludin e një lufte, siç u shpërbë, fjala bie, Lidhja e Kombeve përpara Luftës së Dytë Botërore.
- Globalizmi (kultura, arsimi dhe media). Edhe në këtë pikë nuk është se ka divergjenca të thella apo strukturore në ndryshimin e informacioneve apo njohurive.
Konkluzion…
Rendi global ka shfaqur problemet e veta, por gjithsesi me sa duket nuk janë serioze. Debatet e shfaqura së fundmi në arenën ndërkombëtare janë një parashikim i bërë prej ekspertëve të gjeopolitikës që prej dy dekadash. Misha Glenny e pati parashikuar kohë më parë konfliktin e Ukrainës, ndërsa Kissinger-i parashikoi “kryengritjen” e Kinës kundër rendit amerikan në botë. Huntington-i parashikoi atë të “Turqisë”, apo një bërthamë tjetër kulturore të myslimanëve. Të gjithë ekspertët konverguan në një pikë: ata parashikuan se bota tashmë nuk do jetë më unilaterale, perëndimore, por do të ketë “forca rajonale” që do i administrojnë vetë hallet, apo nuk do lejojnë që ato të menaxhohen nga superfuqitë pa bashkëpunimin e tyre. Këtë tenton të thotë edhe Erdoğan-i, i cili aspiron që edhe një shtet mysliman të ketë të drejtën e vetos. Në këtë rast, Turqia.
Por shumë prej ekspertëve të sipërpërmendur gabuan kur thanë se shkak i luftërave do të jenë përplasjet e qytetërimeve dhe religjioneve, sepse realiteti sot e ka hedhur poshtë këtë tezë. Pas dy dekadash konstatojmë se, “babëzia e pushtetarëve për territore”, siç thoshte Ibën Halduni, “i shkakton luftërat”, ndërsa religjionet, shpesh viktimat më të mëdha të këtyre përplasjeve, i amortizojnë këto goditje dhe luftime të përgjakshme. Vetëm një gjë mund të thuhet me siguri në fund të gjithë kësaj panorame ngjarjesh të përgjakshme: nëse shtetet kanë qenë historikisht gazi i luftërave, religjionet ishin pedali i frenave të tyre. Një botë sot pa qytetërime dhe religjione do ta kishte çuar atë pashmangshmërisht në një luftë të re globale. /tesheshi.com/