“Duhen miliona vjet për t’u krijuar, dhe vetëm pak sekonda për t’u djegur”, kështu shkruante Duncan Graham-Rowe, një ndër shkencëtarët britanikë që jetën e tij ja ka dedikuar natyrës dhe përmes shkrimeve është munduar të sensibilizojë shtetet për “politikat e gabuara mbi naftën, gazin natyror dhe energjinë”.
Ngjarjet e fundit në Ballkan kanë treguar se barometri i diplomacisë “aktive” ka pësuar një luhatje të ndjeshme duke favorizuar ekonominë politike. Dalja në shesh e disa të dhënave ku tregohet se gjigandi rus “Gazprom” po synon të monopolizojë përmes privatizimit të gjithë tregun ballkanas të naftës dhe gazit natyror, është një tregues se tashmë qeveritë e vendeve në fjalë do të gjenden përballë “ariut polar”, jo vetëm të ekspozuara politikisht por dhe ekonomikisht. E në këtë rast pyetja shtrohet: A përbën kjo një shah-mat politiko-financiar për shtetet ballkanike?
Marrja në bashkëpronësi e rafinerisë serbe në Pançevo pak kohë më parë prej “Gazprom”-it, zbuloi fijet politiko-ekonomike me të cilat Moska synon të ngjiz diplomacinë dhe politikën e saj të jashtme në gadishullin e trazuar e të quajtur kahera si “fuçi baruti”. (150 mijë tonë naftë eksportohen nga Serbia çdo vit prej rafinerisë së Pançevos. Vetëm nga ky eksport i naftës, Serbia fiton 1.3 miliard euro çdo vit dhe përbën jo pak por 16% të shpenzimeve buxhetore të të gjithë buxhetit serb.) E në këtë drejtim, ari i zi, apo dhe rezervat e ndryshme energjetike, shikohen herë si burim fitimi e herë si mjet përmes të cilit mund t’u ushtrohet trysni politike vendeve të varfra ballkanike, por dhe atyre që prej kohësh e shohin Evropën (BE) si pikësynim strategjik e afatgjatë. Ndërkaq në këtë lojë të madhe, ku ari i zi apo gazi natyror shfaqen si ndjellësit kryesorë të shteteve të fuqishme për t’u kthyer kah Ballkani, pak muaj më parë u fut edhe Shqipëria.
Në Samitin Botëror të Naftës që u mbajt në Stamboll gjatë këtij viti, kryeministri shqiptar deklaroi se në krahinën e Shpiragut në Berat, përveç zonave që njiheshin më parë, është zbuluar një rezervuar i madh naftëmbajtës, dhe ç’është më e rëndësishmja është zbuluar edhe një depozitë e madhe gazi natyror. Të dhënat kanë ardhur nga një kompani shumë e fuqishme botërore që punon në Berat që prej vitit 2013 dhe që tani është gati të nisë punën për të vjelur frytet. Bëhet fjalë për “Shell”-in e famshëm holandez, i cili sipas “Albania Business and Investment Opportunities Yearbook Volume 1”, vetëm për hulumtimin e puseve ka parashikuar një buxhet prej 200 milion dollarësh. Kjo gjë ka bërë që Shqipëria të vihet në shënjestrën e disa kompanive të tjera të mëdha në botë dhe normalisht nuk mund të mungonte as “Gazprom”-i.
Në realitet, interesimi i gjigandit energjetik rus për resurset shqiptare ka filluar që në periudhën mes viteve 2011-2013 kur “Gazprom”-i u shfaq si një prej gjashtë kompanive që gjatë kësaj periudhe kërkoi të privatizonte “Albpetrol”-in, por që nuk ja doli. Kështu, kompania serbe e naftës dhe gazit NIS (Naftna Industrija Srbije), e kontrolluar prej “Gazprom”-it, pati deklaruar gjatë vitit 2012 se kishte për synim që së shpejti të niste kërkimet e saj për hidrokarbure në Shqipëri dhe Greqi (lajm ky i bërë i ditur prej agjencisë serbe Bloom-berg), periudhë kjo që pasoi dhe me ndryshimet politike brenda vendit tonë dhe me ardhjen në pushtet të koalicionit PS-LSI.
Nga ana tjetër, gjer më sot, Rusia mbetet furnizuesi kryesor i Evropës me gaz natyror, duke siguruar pothuajse 30% të gazit natyror në Kontinentin e Vjetër, pavarësisht se një pjesë sigurohet edhe prej tubacioneve që vijnë nga Norvegjia dhe Algjeria e disa herë më pak prej gazit natyror (në gjendje lëngu) prej Katari. Rusia anulloi projektin e gazsjellësit “Rrjedha e Jugut” (South Stream) në dhjetor të vitit 2014, duke e zëvendësuar atë me tubacionin e ri të “Rrjedhës Turke” (Turkish Stream). Zgjatimi i këtij projekti ruso-turk është duke u ri-orientuar për të furnizuar me energji të gjithë Europën Lindore me tubacionet e gazit grek (Greek Stream) dhe atyre Tesla (Stream). Kjo politikë e cila kaloi disa peripeci, sidomos në marrëdhëniet ruso-turke (pas rrëzimit të avionit rus prej aviacionit turk në nëntor të vitit 2015), gjeti mirëkuptim dhe u rigjallërua pothuajse një vit më parë, kur Turqia deklaroi se në rrëzimin e avionit rus kishte gisht organizata FETO. Përmes kësaj deklarate, Ankaraja tregoi shfajsim dhe angazhim për të rigjallëruar edhe njëherë marrëdhëniet bilaterale me Moskën, si dhe për të zhvilluar projekte të përbashkëta, kryesisht (por jo vetëm) ato në fushën e energjetikës.
E gjithë arsyeja që gazsjellësi ballkanik u konceptua, në radhë të parë ishte sepse paraardhësi i tij, “Rrjedha e Jugut” (South Stream), u anulua në dhjetorin e vitit 2014. Rusia mori këtë vendim pasi Bullgaria (e ndikuar nga BE-ja) e bëri të pamundur ndërtimin e tubacionit në territorin e saj për shkak të pamundësisë ligjore, siç dhe u arsyetua në atë kohë. Prandaj, Rusia përmes disa lëvizje diplomatike të shpejta, anuloi “Rrjedhën e Jugut” (South Stream), e njoftoi “Rrjedhën Turke” (Turkish Stream) për ta zëvendësuar pjesërisht atë. Ky tubacion do të udhëtojë nga Deti i Zi, pikërisht ashtu siç kishte për qëllim edhe “Rrjedha e Jugut”, por do të ndalet në Turqi dhe jo në Bullgari. Nga atje, vendet evropiane mund ta blinin gazin nga një terminal në kufirin greko-turk ose në Maqedoni, me të cilën Rusia kishte marrëdhënie të ngushta sidomos me qeverinë e udhëhequr prej Gruevskit.
Në dhjetor të vitit 2014, Putini zyrtarisht sugjeroi gjatë konferencës së tij vjetore se “Rrjedha greko-maqedonase” mund të përfaqësonte një zgjidhje për anulimin e “Rrjedhës së Jugut”, me kusht që të kishte interes në propozimin e tij. Efekti i interesit u pasqyrua nga ministri i jashtëm hungarez në mes të janarit 2015, kur ai tha se vendi i tij do të mbështeste projektin e propozuar nga Rusia. Kur marrëdhëniet me Turqinë u ftohën për shkak të rrëzimit të avionit rus Su-24 më 24 nëntor 2015 edhe projekti i gazsjellësit u pezullua. Ndërkaq në Maqedoni shpërthyen “Bombat e Zaevit”, që kishin për synim të rrëzonin qeverinë e Gruevskit dhe ta shkëpusnin atë prej ndikimit rus.
Por situata ballkanike nuk mund të vrojtohet asnjëherë e shkëputur prej aktorëve globalë, e sidomos prej Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve. Vitet e fundit, modeli gjeopolitik i të gjithë Bashkimit Evropian po kalon një nga ndryshimet më të thella që nga rënia e Bashkimit Sovjetik më shumë se njëzet e pesë vjet më parë. Në takimin e 30 qershorit 2017 në Ankara të Forumit të Biznesit Turko-Hungarez, Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban deklaroi se Hungaria “qëndron nga miqtë e saj” dhe është në anën e Turqisë në luftën e saj të tanishme të fjalëve (debateve) me Bashkimin Evropian. Kryeministri hungarez vlerësoi gjithashtu rolin e Turqisë në parandalimin e një rrjedhjeje të madhe të refugjatëve në BE, duke vënë në dukje se “Pa Turqinë, Evropa do të ishte përmbytur nga miliona emigrantë”, duke deklaruar se për këtë, Turqia “meriton respekt”. Pas komenteve, të llogaritura për të inatosur BE-në dhe burokratët e saj, qëndron shumë më tepër sesa çështja e refugjatëve dhe të drejtat e sovranitetit kombëtar. Pas saj, sigurisht që qendron nevoja e vendeve ballkanike, por dhe atyre evropiane për naftën dhe gazin, pa të cilat ato nuk mund të përballojnë kërkesat në rritje të tregut si dhe dimrin e egër kontinental.
E ndërsa në Ballkan lojrat politike po nxehin situatën, Shqipëria shfaqet në një pozicion komod, pasi Gazsjellësi Trans-Adriatik (TAP) ka nisur nga puna dhe brenda vitit 2020, ai mund të lehtësojë furnizimin me gaz të disa vendeve të Evropës Juglindore, përfshirë Bullgarinë, Shqipërinë, Bosnje-Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë, si dhe vendet e tjera. Vend-dalja e TAP në Itali ofron mundësi të shumta për transportin e mëtejshëm të gazit kaspik drejt disa prej tregjeve më të mëdha evropiane, si Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Zvicra dhe Austria. TAP ndërkohë do promovojë zhvillimin ekonomik dhe punësimin përgjatë gjurmës së gazsjellësit. Ai është investimi më i madh i drejtpërdrejtë i huaj dhe si projekt nuk varet nga grante apo subvencione të ndryshme. Ndërkohë që shitjet e para të gazit priten të ndodhin në fund të vitit 2018, transporti i parë drejt Evropës pritet të ndodhë afërsisht në vitin 2020. Disa nga aksionerët kryesor të TAP-it janë BP (20%), SOCAR (20%), Statoil (20%), Fluxys (19%), etj.
Lobimi kryesisht i Turqisë për ta përfshirë Shqipërinë si pjesë të këtij projekti të madh, ndikoi përkohësisht në shkëputjen e influencës ruse, që nga ana tjetër kërkonte medoemos që përparësi t’i jepej Maqedonisë. Por, duke qenë se Shqipëria ishte një vend anëtar i NATO-s si dhe një aleat strategjik, bëri që gazsjellësi të kalonte nga Shqipëria e më pas drejt Italisë, duke përfshirë në këtë projekt gjithsej tre vende të Paktit të Atlantikut të Veriut, Turqi-Greqi-Shqipëri.
Gazësjellësi TAP, por edhe burimet e reja që kanë dalë në Shpirag, si dhe ato që janë zbuluar në Detin Jon pritet ta kthejnë Shqipërinë në një aktor të rëndësishëm energjetik, që bashkë me Kosovën dhe Maqedoninë (tashmë nën drejtimin e Zaev), mund të thyejnë monopolin rus që prej vitesh ka dominuar tregun e karburanteve. Për këtë arsye, investimi i politikës amerikane në Shqipëri në këto vitet e fundit ka qenë madhor dhe i ka dhënë siguri investimeve të mëdha, duke përvijuar qartazi se Rusia nuk do ta ketë të kollajtë të influencojë diplomatikisht mbi këto vende. Por pavarësisht kësaj, Serbia, Bosnje-Hercegovina dhe deri diku Bullgaria vijojnë të mbeten shtetet kryesore që ndjejnë peshën ekonomike dhe financiare të diplomacisë shtrënguese ruse. E pak kohë më parë, Mali i Zi u përball me një coup d’etat (grusht shteti), pas të cilit u deklarua se qëndronin grupe të strukturuara financiarisht e të mbështetura nga Rusia.
Kthimi i Shqipërisë në një aktor strategjik në Ballkan, në një kohë kur burimet e naftës e gazit janë shndërruar në magnetizuesit më të mëdhenj të Fuqive botërore, sjell me vete edhe rrezikun e implikimeve politike të “padëshiruara” të politikanëve me biznesmenë rusë. Ndaj, jo më kot SHBA-të janë përpjekur që fillimisht të pastrojnë politikën shqiptare prej politikanëve që kanë një të shkuar kriminale, dhe kjo do arrihet përmes reformës në drejtësi, si dhe duke kërkuar një angazhim maksimal prej qeverisë në luftën ndaj krimit të organizuar dhe drogës.
Vizita e fundit e zyrtarit të Departamentit Amerikan të Shtetit në Ballkan, Hoyt Brian Yee nuk kaloi pa polemika prej Moskës. Vladimir Putin dërgoi në një vizitë urgjente, gati sekrete ministrin e tij të Mbrojtjes, Sergej Shogu në Beograd, me një mision special, që duket se ka qenë edhe shkaku zyrtar i rritjes së toneve të Uashingtonit ndaj Serbisë. Siç u nënkuptua, tonet e larta të përdorura prej Yee, përktheheshin në një mesazh të qartë për Beogradin: “Nuk ka më lojë me dy porta”. Si duket, riaktivizimi i financimeve ruse në Ballkan e sidomos atyre në fushën e energjetikës, kryesuar prej “Gazprom”-it, e kanë detyruar Uashingtonin të jap mesazhe të forta për Vuçiçin, përpara se të jetë tepër vonë. Duke qenë se BE ndjehet e lodhur nga zgjerimi dhe kriza ekonomike pas 2008, SHBA duhet të përballen të vetme me ambicien ruse që synon të gllabërojë Ballkanin financiarisht dhe politikisht. /tesheshi.com/