Në pasditen e 5 shkurtit, qytetarët në Bukuresht marshuan në mënyrë të njëkohshme nga disa lagje përmes qytetit, duke u mbledhur në sheshin “Victoriei” ku ndodhet ndërtesa e qeverisë. Simbolika e këtij marshimi ishte e shkëlqyer: rrënjët që mblidhen nga cepat më të vegjël për të qëndruar së bashku kundër qeverisë qendrore e cila perceptohet gjerësisht si abuzive.
Përgjatë ditëve, me qindra mijë kishin demostruar, së pari një herë në javë e më pas përditë, në të gjithë Rumaninë kundër dy propozimeve qeveritare që do të bënin që fajtorët për abuzim me postin të faleshin apo t’u reduktohej dënimi.
Më pas, qeveria e partisë Social-demokrate që dominon parlamentin tha se do të tërhiqej nga dekretet ekzekutive që reduktonin dënimet për korrupsion e që kishin tërhequr zemërimin më të madh publik.
Ndërsa njerëzit u mblodhën në sheshin “Victoriei” e gjetkë për të festuar këtë fitore, ata e dinin gjithashtu, se socialdemokratët do të përpiqeshin sërish të shkonin deri në fund me masat e propozuara. Në skenarin më të afërt, ndryshimet ligjore të propozuara do të kaloheshin për miratim në parlament, që dominohet po nga socialdemokratët.
Vazhdimi i protestave edhe pas 5 shkurtit, pavarësisht njoftimit të qeverisë për tërheqje, donte të thoshte se qeveria po mbikqyrej me kujdes. Protestat mund të zvogëloheshin përgjatë ditëve në vazhdim, por ato do të rindizeshin sapo të shfaqej shenja më e vogël se dekretet do të kalonin në parlament.
Zhargoni ligjor me të cilin shoqërohen dy propozimet e qeverisë ishte kaq i komplikuar saqë edhe ekspertët ligjorë kishin vështirësi për të zbuluar se çfarë po ndodhte.
Por, nuancat e debatit nuk iu shpëtuan protestuesve. Ndërsa disa në turmë nisën të kërkonin dorëheqjen e qeverisë, të tjerë menjëherë vunë në dukje se qeveria duhet të qëndronte në pushtet derisa të tërhiqte urdhërin ekzekutiv e më pas të jepte dorëheqjen, në të kundërt masat do të kishin efekte ligjore.
E gjitha kjo është provë se nivelit të lartë të sofistikimit midis protestuesve, shumë prej të cilëve kanë marrë pjesë në disa valë demostratash në Rumani që prej vitit 2012 dhe kanë fituar aftësi në kërkesën e llogarisë ndaj institucioneve, duke komunikuar me to dhe duke u organizuar me qytetarët.
Të ndërtosh një lëvizje proteste
Fuqia e protestave të javës së fundit nuk mund të kuptohet pa parë pas në vitet e mobilizimit social në Rumani. Protestat masive të ditëve të fundit nuk erdhën nga hiçi.
Mobilizimi për protesta u ngjiz për herë të parë gjatë marshimeve kundër masave të kursimit në vitin 2012, por u shndërrua në një lëvizje shumë të fuqishme gjatë vitit 2013 kur protesta të përjavshme u ndërmorrën në të gjithë vendin për të shpëtuar fshatin e Rosia Montana nga një projekt për ndërtimin e minierës së arit me bazë cianidin. Protestat në atë kohë mposhtën qeverinë e social-demokratëve, që e mbështeste projektin.
Protestat në rrugë ndaluan për një farë kohe, por ato riktheheshin sa herë diçka nuk shkonte: mbrojtja e pyjeve, e hapësirave të gjelbra të qyteteve apo ndryshimi i kodit elektoral për të lënë hapësirë për partitë e vogla dhe të pavarurit. Prej tyre lindi media e re e pavarur dhe grupe lokale aktivistësh.
Demostratat masive ndodhën sërish pas zjarrit në klubin e natës që vrau 64 njerëz në Bukuresht në vitin 2015. Ajo tragjedi ringjalli gazetarinë investigative që zbuloi të metat kriminale në funksionimin e sistemit mjekësor rumun.
Pak vjet më herët, gjatë një prej protestave, një aktivist mbante një baner me fjalët “Një çerek shekulli vetmi”. Baneri i referohej romanit të famshëm të Gabriel Garsia Markezit, dhe protestuesit, historian dhe aktivist, që ia kishte dedikuar gjithë jetën prej të rrituri mobilizimit të të rinjve për përfshirje civile, me gjasa po reflektonte për faktin sesa e vështirë ishte kjo detyrë.
Ashtu si edhe në vende të tjera post-komuniste, shoqëria rumune njihet për nivelet e ulta të përfshirjes dhe solidaritetit. Frika nga Sekuritati – policie sekrete, gjatë komunizmit pasuar nga individualizmi agresiv i kohës kapitaliste e ka lënë përbërjen sociale të Rumanisë të copëzuar. Ata që flisnin për veprim kolektiv politik shiheshin si të çuditshëm.
Por në pak më shumë se pesë vjet e gjitha ndryshoi. Kur socialdemokratët paraqitën ligjet e korrupsionit, njerëzit e dinin se çfarë duhet të bënin – të mblidheshin në rrugë dhe të protestonin. Kjo ishte bërë një praktikë e njohur.
Dështimi i tranzicionit post-komunist
Protestat e javës së fundit ishin më të mëdhatë që nga rënia e komunizmit dhe pjesëmarrja ishte e larmishme, në grup-mosha, klasa ekonomike dhe vlera politike.
Zemërimi moral kundër një qeverie të gatshme të dëmtonte procesin demokratik për t’u shërbyer interesave të anëtarëve të saj, bashkoi njerëzit. Në të njëjtën kohë, gjeste të vogla solidariteti u shfaqën në publik të tilla si restorante që ofronin ushqim dhe çaj të ngrohtë falas apo hotele që ofronin strehim për ata që udhëtonin në Bukuresht për të marrë pjesë në protesta.
Një fotografi historike nga revolucioni i përgjakshëm anti-komunist i vitit 1989 po qarkullon së fundmi. Aty tregohet një burrë i ri që mban një pankartë ku shkruhet: “Ne jemi këtu në mënyrë që fëmijët tanë të jenë të lirë”. Kësaj teme iu bë jehonë javën e kaluar nga të rinjtë, fëmijë të protestuesve të vitit 1989, që mbanin banera ku shkruhej: “Ne jemi ende në rrugë duke protestuar”.
Tranzicioni post-komunist dështoi në shumë mënyra në Rumani: së pari, për shkak se nivelet e varfërisë ende janë shumë të larta dhe jetët e punonjësve janë ende shumë të brishta.
Sulmi i partisë në pushtet ndaj praktikave demokratike në mënyrë që të falte të korruptuarit, tregon për një tjetër dështim: edhe themelet e demokracisë janë nën kërcënim.
Por, ndërsa një dekadë më parë, rumunët do të ankoheshin se ishin një shoqëri pasive që nuk përgjigjej ndaj abuzimit prej të pasurve dhe të fuqishmëve, sot është ndryshe.
Më 4 shkurt në Bukuresht, ndodhi edhe një protestë e fëmijëve në sheshin “Victoriei”, kur familjet sollën të vegjlit e tyre në rrugë për t’u mësuar atyre vlerat e përfshirjes civile. Shteti rumun ende i lë në baltë pjesën më të madhe të qytetarëve të tij, por diçka ka ndryshuar. Shumë janë gati të bëjnë pjesën e tyre për të ndihmuar.
Regjimet totalitariste po rriten kudo në botë, jo vetëm në Europën Lindore post-socialiste, ku demokracitë janë menduar gjithnjë të brishta. Javën e kaluar, PSD dha shenjën e parë se ishte e gatshme të sakrifikonte procesin demokratik për interesat e veta dhe e justifikoi atë me masa për të cilat ka një nevojë të dëshpëruar.
Përgjigja qytetare i dha një goditje të rëndë PSD-së. Partia mund të ketë menduar se duke fituar zgjedhjet me 45 për qind, kjo e lejonte atë të bënte çfarë të donte për katër vjetët e ardhshëm, por protestuesit këmbëngulën se rezultati i zgjedhjeve nuk ishte një çek i bardhë.
Protestat në rrugë në Rumani nuk do t’i zgjidhin problemet e vendit. Dështimi i institucioneve publike, varfëria dhe pabarazia, racizmi mes të tjerash janë probleme reale të cilat ka nevojë të adresohen me politika të mençura dhe me vullnetin politik për t’u shkuar deri në fund.
Nëse me to nuk ka përballje, partitë si PSD do të përpiqen gjithnjë të shfrytëzojnë dështime të tilla për qëllime politike. Rumania ka nevojë dëshpërimisht një alternativë ndaj PSD-së në të majtë që të mund t’i zgjidhë këto probleme në mënyrë efektive.
Demostratat tregojnë se pushteti qytetar mund të kontrollojë abuzimet e pushtetit. Në një botë ku toleranca jonë për abuzimet të tilla duket se po rritet nga dita në ditë, ky është një zhvillim jashtëzakonisht shpresëdhënës. /tesheshi.com/