Njoftimi i paparashikuar i Vladimir Putin për një tërheqje të “pjesës kryesore” të forcave ushtarake ruse nga Siria u ka ardhur të gjithëve si një surprizë e madhe, madje edhe si tronditje. Shumë mendonin se Rusia do të hidhte rrënjë të përhershme, duke e kthyer Sirinë vizualisht dhe praktikisht në një shtet-klient.
Sigurisht, shumë komentatorë thanë se Rusia do të ishte atje për një kohë të gjatë për të mbikqyrur fitoren e plotë të regjimit sirian, kështu që si ka mundësi që po largohet?
Një gjë e tillë ngre dyshime serioze për synimet e vërteta të Putinit në ndërhyrjen që bëri në shtator dhe kthimin e kursit me një “tërheqje” gjashtë muaj më vonë.
Në shtator, pati një tronditje të madhe, gjithashtu. Por a do të lejonte kjo Rusi e plagosur, që kishte dalë me dhimbje nga Libia dhe Ukraina, që edhe regjimi sirian të binte dhe Shtetet e Bashkuara të merrnin merita për një tjetër ndryshim regjimi?
Ashtu sikundër Frank Underwood, personazhi kryesor i “Shtëpisë prej letrash” kishte qejf të deklaronte : “Nëse nuk të pëlqen sesi është rregulluar tavolina, rirregulloje”. Putin bëri pikërisht këtë.
Historia e muajve që pasuan demostron sesi Putin dominoi skenën politike siriane, duke i mbajtur letrat kryesore për vete dhe duke forcuar interesat kyçe të Rusisë.
Ndalimi i veprimeve armiqësore ishte arritja kulmore e Putin, që lejonte si rinisjen e një procesi politik që ai mund ta manipulonte ashtu edhe tërheqjen e pjesshme të trupave ruse. Rusia provoi sesa e domosdoshme ishte në zgjidhjen e krizës në Siri.
Edhe pse shumë aktorë, nga opozita siriane deri tek Turqia dhe Arabia Saudite, janë të xhindosur, të gjithë duhet të pranojnë supremacinë e Putinit.
Presidenti rus ka vuajtur izolimin mes liderëve arabë, shumë prej të cilëve iu larguan Moskës. Të dy si Muhammad Bin Salman i Arabisë Saudite dhe Muhammad Bin Zayed i Emirateve të Bashkuara Arabe e takuan Putinin në Sochi në vjeshtë.
Ndryshimi i regjimit i orkestruar nga Shtetet e Bashkuara është jashtë diskutimit. Protestat masive popullore, anatemë e regjimeve si ai i Putin, dështuan. Shto këtu bazën ajrore ruse
Hmeimim dhe portin e zgjeruar në Tartous, dhe është e qartë se fitimet për Putinin kanë qenë kolosale.
Atëherë, përse një tërheqje tani?
Putin po fut në kasë monedhat e tij. Ai jep përshtypjen se po largohet, madje edhe nëse forcat ruse më së shumti do të qëndrojnë. Askush nuk po debaton madje as në fraksion sekondi, se ai e bën këtë gjë nga dobësia, i zbythur nga Levanti sikundër sovjetikët në Afganistan apo amerikanët në Irak.
Ai e ka hapur rrugën e tij përmes një fushe të minuar, me shumë pak humbje të jetëve ruse, me kosto të ulët dhe ka shmangur, deri tani, të ngecë në baltë. Ekonomia ruse mund t’i ketë mbijetuar një angazhimi më të madh, por përse t’i thash burimet më shumë se është e nevojshme.
Një tërheqje e pjesshme i lejon atij të shmangë efektet anësore me monarkitë e pasura me naftë të Gjirit. Ato janë duke admiruar, kundër dëshirës, vendosmërinë e Putin për të mbështetur aleatin e tij dhe për të vendosur forca në mënyrë strategjike.
Vendimi është gjithashtu lehtësisht i kthyeshëm. Putin mund të ngadalësojë apo të shpejtojë procesin sipas dëshirës. Asnjë afat nuk është caktuar. Avionët e tij janë ende duke bombarduar Palmirën. Sistemi antiajror i raketave S-400 bën të mundur që të gjithë bisedimet për një zonë ndalim-fluturimi të mbeten të pazëshme.
Zgjedhja e kohës është e gjitha politike, jo ushtarake. Ky njoftim u bë posaçërisht për nisjen e bisedimeve të Gjenevës. Putin mund të jetë i prerë në mesazhet që jep (Litvinenko!) – ne jemi aty për të kapur kuptimin. Nëse bombardimet ushtarake ishin një mesazh i përbindshëm që Uashingtoni të qëndronte larg, tërheqja është një mesazh për Bashar al Assad dhe lojtarët e tjerë kyç të regjimit. Rusia është ajo që urdhëron goditjen, jo ju.
Kremlini ka qenë qetësisht duke vluar nga kërkesat e panumërta të Assad për masa që do të rrisnin besimin. Ushtria ruse gjithashtu ka qenë mosbesuese ndaj performancës së ushtrisë siriane. Pyetja e madhe është – a është dizenjuar kjo lëvizje për të nxitur regjimin të negociojë seriozisht në Gjenevë apo që Assadi të zhvendoset për t’i lënë vendin një kukulle më të pranueshme të Putinit?
Putin tashmë mund të pozojë si dikush që është tërësisht pro paqes. Ai u mburr se : “Puna efektive e ushtrisë sonë krijoi kushtet për nisjen e procesit të paqes”.
Ndryshe nga ministri i tij i Jashtëm, Sergei Lavrov që i duhet t’i rezistojë kritikave të nxehta, ai do të jetë në gjendje të sfidojë të tjerët duke pretenduar se po “tërheqin” forcat për paqen dhe çfarë po bëjnë gjithë të tjerët?
Rusia mund të shmangë çdo dështim në bisedime, madje edhe pse bombarduesit rusë vranë rreth 2 mijë civilë, zhvendosën me qindra mijëra dhe shpërthyen një sërë spitalesh, shkollash dhe infrastrukturë tjetër civile.
Kështu, a është Putin mjeshtri i madh i letrave apo versioni-Kremlin i Frank Underwood? Ai i luajti letrat e veta efektivisht dhe brutalisht ndërsa Barack Obama duket bosh nga idetë, asnjë shenjë për ndonjë plan apo edhe më keq, me mungesë interesi.
Të gjitha manovrat e Putinit janë për të siguruar interest afatshkurtra ruse ndërsa Obama ndjehet sikur nuk ka kë të mbrojë në Siri. Tragjedia është se asnjë nga liderët nuk ka asnjë strategji për të ndihmuar sirianët.
*Chris Doyle është drejtor i Këshillit me bazë në Londër për mirëkuptimin arabo-britanik. Ai është opinionist i rregullt për Lindjen e Mesme. Opinioni i mësipërm u publikua nga Al Jazeera.
Përktheu: Juli Prifti – /tesheshi.com/