Vetëm një muaj më parë, në anën turke të kufirit greko-turk u gjetën emigrantë fatkeqë të zhveshur e pa jetë, pasojë e kthimit të pashpirt e antinjerëzor prej atyre në anën tjetër. Pamja, sa ishte turbulluese, ishte dhe kthjelluese: parimet e lirive njerëzore nuk janë aq të pacenueshme kur vjen puna te të ikur nga luftërat dhe paqendrueshmëria tej caqeve të Perëndimit! Për ta thënë më shkoqur, ato kthehen në broçkulla kur është fjala për emigrantë sirianë, afganë, libianë, etj.
Një muaj më pas, në kontrast me pritjen mizore të përsëritur ndaj të të shpërngulurve nga Lindja drejt kontinentit ku iluzioni shndërrohet në dëshpërim, të ikurve ukrainas nga lufta e saposhpërthyer u janë hapur dyert në kufijtë me vendin e tyre. Askush nuk flet për barrën që do i duhet të mbajnë vendet europiane, por për sytë blu dhe flokët biondë të të ikurve, që na qenkërkan prej “sojit tonë”!
Përtej këtij kontrasti lemeritës, të turpshëm dhe poshtërues, nuk po mungon të shfaqet në kufijtë e Ukrainës me vendet fqinje dhe përzgjedhja e të lejuarve për të kaluar kufirin. Ngjyra e trupit të të ikurve po u vendos vulën e turpit atyre që kanë vendosur të bëjnë seleksionim dhe në një moment të tillë lufte.
Kjo luftë është vërtet padrejtësi në kurriz të ukrainasve, një marrëzi e dënueshme palëkundshmërisht e presidentit rus, por kjo luftë, përkundër çdo fatkeqësie që sjell, është një rast mjaft i mirë për të parë qëndrimin ndaj parimeve, ndaj standardeve.
Për herë të parë në dekada lufta është zhvendosur nga Lindja e Mesme drejt Europës. Skenat që jemi mësuar t’i shohim nga ekrani si shumë të largëta ngjajnë me një kërcënim mjaft të afërt për çdo europian.
Putin-i ka bërë një gabim fatal, ndonëse të provokuar, prej së cilit vetëm ai e di si do të shpëtojë. Sulmi pushtues ndaj Ukrainës, apo operacioni special ushtarak, siç rusët duan ta emërtojnë zyrtarisht, u ka hequr çdo legjitimitet tezave të tij, e ka vënë në një pozitë të vështirë ndërkombëtare, ndoshta pa krye, dhe e ka kompaktësuar frontin antirus. Mes të tjerash, me iracionalitetin e pazakontë, për të cilin shumë shpresojnë të mos shkojë në ekstrem, u ka ringjallur karrierën politike, deri tani në tatëpjetë, tre figurave udhëheqëse, Biden-it, Boris Johnson-it dhe Macron-it.
Dhe ndërsa ukrainasit po bëhen viktima të një loje të luajtur në kurriz të tyre për dominim global, lexuesi, dëgjuesi dhe shikuesi i thjeshtë i gjithçkaje po ndodh është nën breshërinë e sulmit mbi psikikën e tij. Veprim i parë jo larg, qoftë në pandemi, qoftë në konfliktin sirian. Butafori për të manipuluar dhe për të frikësuar masën. Histori që nuk u dihet vërtetësia, pamje që u përkasin ngjarjeve të tjera, bombardim masiv me lloj-lloj rrëfimesh, që askush të mos guxojë të ketë ide tjetër apo të shprehë një mendim në kundërshtim me linjën mbizotëruese. Çmenduri që i heq vërtetësinë dhe qëndresës vërtet heroike të ukrainasve, që ia zbeh genuitetin realitetit edhe ashtu tejet të frikshëm, ankthit të vdekjes së sjellë rrotull.
Të shtypur në përplasjen mes rivalëve të peshës së rëndë, ukrainasit janë sidoqoftë me fat, se vërtet u lanë vetëm në një luftë që nuk duhej të ishte e tyrja, por e kanë të hapur korridorin e ndihmave nga jashtë, në ndryshim nga boshnjakët muslimanë në fillim të dekadës së fundit të shekullit të 20-të, që një pjesë të vuajtjes së pësuar dhe tmerrit të përjetuar e patën prej embargos së armëve.
Iraku e pagoi shtrenjtë, me gjakun e popullatës së vet, akuzën se zotëronte armë të shkatërrimit në masë, ndonëse ajo nuk u provua kurrë. Sirianët u lanë në dorën e rusëve, ndërsa çdo mbështetje individuale ndaj tyre, qoftë dhe me fjalë, u klasifikua si radikalizëm (islamik). Irakianët dhe sirianët u përballën me derën e përplasur fytyrës kur deshën t’i iknin luftës. Fare pak ua çmuan qëndresën, pak i pritën krahëhapur. Si të mos mjaftonte kjo, sa e papërtypshme është të dëgjosh shefen e politikës së jashtme të një shteti i cili u ka hequr shtetësinë qytetarëve që kanë shkuar vullnetarisht të luftojnë jashtë të mbështesë këdo që kërkon të luftojë në mbrojtje të Ukrainës, me argumentin e “luftës për demokracinë”!
A keni dëgjuar ndonjëherë të thuhet për refugjatët sirianë se ndihma në para është e nevojshme për ta që të përmbushin nevojat e momentit se bankat e Sirisë nuk punojnë, apo që të mund të blejnë bileta për t’i marrë familjet e tyre që jetojnë gjetkë në Europë? As është e mendueshme! Por këto po i thonë për ukrainasit!
Një ngritës barrikade në Ukrainë quhet hero, por i ngjashmi me të në një tjetër vend të pushtuar merr një emërtim të rrezikshëm! Ti mund t’i çirresh ushtarit rus në fytyrë e kjo të shihet si trimëri, por i njëjti veprim në një tokë tjetër të pushtuar emërtohet si kërcënim sigurie!
Pas një pandemie rraskapitëse, më tepër për presionin e jashtëzakonshëm mbi sjelljen, gjykimin dhe vendimin e çdo individi, duket tepër i vështirë dhe përballimi i një realiteti të përpunuar (për t’iu shmangur fjalës “të manipuluar”, që do të çonte në keqkuptime) lufte, i pasuruar me elementë jokovencionalë. Folklorizmi në paraqitjen e tij është tronditës, ndërsa përdorimi i dy standardeve nuk duhet të përbëjë çudi për kë e njeh mirë mënyrën e funksionimit të këtij sistemi “demokratik”.
Në terma të perspektivës së luftës, një paralele rrëqethëse mund të hiqet me pandeminë. Ajo që në fillim na dukej e largët, pa lidhje me ne, erdhi e u bë shpejt realiteti ynë; mos qoftë e thënë të ndodhë kështu dhe me këtë luftë. Veçse tingëllon fare normale thënia se lufta e tretë botërore ka nisur me pandeminë. Sido që të ndodhë, asnjë prej zgjidhjeve nuk do të jetë e mirë, siç bota nuk do të jetë më njëlloj (i njëjti përcaktim i përdorur në pandemi). Fitorja në luftën për hegjemoni e tillë është, pa fund të lumtur! Rezistenca e ukrainasve thjesht e zgjat agoninë e përbotshme! /tesheshi.com/