Skenari më i guximshëm i zgjedhjeve të parakohshme presidenciale dhe parlamentare në Turqi ishte fitorja e pandërlikuar e presidentit aktual, që në raundin e parë. Pak vetë kishin kurajën ta mbështesnin këtë skenar, e me të drejtë për një sërë arsyesh. Dita e djeshme tregoi se kur bëhet fjalë për Rexhep Tajjip Erdoganin, gjithçka është e mundur.
Që në momentin kur u lejua paraqitja publike e shifrave të numërimit të votave, diçka më pak se dy orë pas mbylljes së kutive të votimit, kandidatura e Erdoganit qe në ballë, për t’u mbërthyer në fund te shifra 52.6%. Për asnjë moment nuk pati mëdyshje për fitoren e tij, për asnjë moment kundërshtarët nuk u bënë kërcënues për të.
Muharrem Inxhe (Ince), kandidati i republikanëve, i bërë kështu për shkak të paaftësisë së kundërshtarëve të Erdoganit për të nxjerrë një figurë më përfaqësuese, më përbashkuese, mori vetëm 30 për qind të votave, edhe pse gjatë së dielës deklaroi botërisht se nuk kishte asnjë dyshim në fitoren e vet! Toni i tij kërcënues nuk shërbeu madje as për ta çuar në raundin e dytë. Prej tij do të mbahet mend vetëm gafa në fushatën elektorale, se që prej moshës pesëmbëdhjetëvjeçare e falte për çdo ditë namazin e xhumasë! Një sukses e pati gjithsesi, teksa grumbulloi shumë më tepër vota se vetë partia e tij, CHP-ja.
E reklamuar bujshëm, si një sfiduese e njëmendtë e Erdoganit, me një mbështetje të jashtëzakonshme të shtypit perëndimor, që mendonte se me të kishte gjetur çelësin për ta rrëzuar udhëheqësin e Turqisë së re, Meral Akshener (Akşener) u rendit vetëm e katërta në përfundim të zgjedhjeve presidenciale. Pretendimi i saj për fitore u shfry në 7.3 për qind të votave të mbledhura!
Erdogani ia doli të fitojë përkundër një fushate intensive kundër tij, përkundër një sulmi të bashkërenduar mediatik, qoftë në Perëndim apo në një pjesë të botës arabe. “Edhe i vetëm trim në luftë,” është përkufizimi që i shkon më për shtat këtij shtetari të pazakontë, magjepsës në mënyrën si u qëndron stuhive, si arrin të prodhojë tërheqje, të ngjallë dashuri dhe besnikëri te mbështetësit e vet, brenda dhe jashtë Turqisë.
Erdogani do të jetë kështu presidenti i parë i Turqisë me një sistem të ri qeverisës, mbështetur në baza presidenciale. Guximi i tij për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme tregoi edhe një herë se për të nuk është i rëndësishëm posti, por mbarëvajtja e vendit. Fitorja e tij nënkupton vijimin e reformave, vijimin e projekteve të mëdha.
Një fuqi e padiskutueshme rajonale, Turqia synon me të drejtë të shndërrohet po ashtu në një fuqi me ndikim të fortë global, dhe vazhdimësia e qeverisjes së Erdoganit dhe AKP-së e mban të gjallë këtë synim. Në vitet e ardhshme, kësisoj, do të vazhdojë të flitet për Erdoganin, do të vazhdojnë fushatat manipuluese për të, veçanërisht në median perëndimore. Sa më shumë të ketë sukses Turqia, sa më shumë sukses të ketë ai, aq më shumë do t’i kundërvihen!
Për kundërshtarët e Erdoganit është bërë e qartë me zgjedhjet e së dielës se mundësia për ta mundur atë në rrugë të ligjshme është thuajse e barabartë me zero. Presidenti i rikonfirmuar i ka fituar të tëra zgjedhjet prej gati dy dekadash. Përpos të tjerave, Erdogani ka treguar një largpamësi të jashtëzakonshme politike me aleancën e krijuar me nacionalistët e MHP-së, ndihmës, sigurisht, në suksesin e 24 qershorit.
Partia që e qeveris Turqinë që nga 2002-shi, AKP-ja, edhe pse fituese, ka patur një rezultat më të dobët se kryetari i saj. E kuptueshme kjo kur bëhet fjalë për një parti që qëndron gjatë në pushtet. Ndikim në rezultatin ka dhe ndryshimi i brezave brenda strukturave, me ata të brezit të vjetër që ua lënë vendin të rinjve. Bashkëpunimi me MHP-në është qetësues nëse marrim në konsideratë shumicën e kërkuar parlamentare në legjislaturën e ardhshme. Sidoqoftë, AKP-ja do duhet t’i qaset në mënyrë kritike rezultatit, për të mos pësuar zhgënjim në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Pjesëmarrja e lartë në zgjedhje e turqve konfirmon besimin e tyre në sistemin zgjedhor, e njëkohësisht përgjegjshmërinë e tyre për fatet e vendit. Shifra e pjesëmarrjes i bën më të mëdha përmasat e fitores së Erdoganit, një udhëheqës që mbetet mjaft i dashur për turqit pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për ta paraqitur atë negativisht, me petkun e një diktatori.
Nxjerrja e shpejtë e rezultateve të dy palë zgjedhjeve të njëkohshme, presidenciale dhe parlamentare, brenda pak orëve, pa thuajse asnjë kundërshti serioze, flet për përsosjen e zhvillimit të zgjedhjeve në Turqi.
Rezultati i djeshëm është, më gjerë, një lajm i mirë për të gjithë ata që duan një rajon më të qëndrueshëm, një Lindje të Mesme më të qëndrueshme, me një Turqi të udhëhequr nga Erdogani si balancuese të rivaliteteve lokale. Një Turqi e fuqishme, e begatë, me ndikim, është në të mirë të rajonit; më së pari, është një shembull se si mund të lulëzojë një vend musliman. Xhelozia, sidoqoftë, nuk mungon, e shprehur kjo në pasqyrimin e mekët të fitores së Erdoganit në shtypin rajonal, arab, madje diku lënë në periferi, edhe pse ishte ngjarja kryesore e së dielës.
Në mbarim, fitorja e Erdoganit nuk u prit me gëzim vetëm nga turqit, por, mes të tjerëve, dhe nga shqiptarët në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Festimet në Shkup zunë ekranet e televizioneve turke, por ngjashëm pati festime dhe në qytete të tjera. Një reagim i tillë është përgjigjja më e mirë për fushatat denigruese të pak emrave mediatikë, përsëritës të pacipë në fyerjet e tyre ndaj figurës së Erdoganit.
Fitorja e Erdoganit është një lajm i mirë, shumë i mirë! /tesheshi.com/