Për mendimtarin është shumë e vështirë, madje dhe e dëmshme që të jetë i lidhur me një mendim apo ide të vetme. Edhe nëse ai e ka gjetur veten, sërish ai duhet ta humbë atë e të nisë e ta rigjejë. Gjetja e vetes nuk mund të jetë kurrë e barabartë me gjetjen e të vërtetës. Gjetja e vetes është një shtegtim i gjatë mendimesh, leximesh, e përputhjesh mes të njëjtave apo dhe të kundërtave, ku realiteti vihet përballë dijes e ndoku edhe përballë abstraktes. E këtu nis hetimi mbi veten, nëse e ke gjetur apo do e kërkosh ende. Ndonjëherë vetja ngjet me të vërtetën, kur rezonanca e së mirës përfshin mendimet. Kur përputhja mes botës materiale e asaj shpirtërore është katërcipërisht e njëjtë. Por sa e shëmtuar duket vetja kur nuk përputhet me të vërtetën! Çfarë pamje mizore merr ajo, kur vetja t’i thyen tërë pasqyrat e pavërteta brenda teje! Këtu ndalesh, e mendon që ta ndash veten prej çdo gjëje. T’a ndash prej çfarëdo refleksi. Të gjesh veten në qënien e saj të pastër. Të njohesh njeriun brenda njeriut. E ndalesh sërish!… Mendon se vetem “shpata e Demokleut” munda ta ndaj njeriun nga qënia e tij; veten nga vetvetja.
E megjithatë pasiguria na shoqëron kudo. Ajo vjen dhe bëhet edhe më e madhe, kur dyshimi rritet në veten tonë. Ka një raport harmonik mes pasigurisë e dyshimit, janë bashkëudhëtare të denja për shpirtërat e trazuar. E në këtë rast është mendimi që s’të lë të qetë. Ai nis e grish qënien me pyetje ekzistenciale. Po sikur të vdesësh i ndarë? E të mos e njohësh kurrë veten? Të mos njohësh mendimet nga burojnë?! Të kthehesh në një qënie që jep shpirt, pa mendim. Pa botë… Të vdesësh i thyer në dy pjesë! Ti dhe mendimi të vdisni njëkohësisht, por të ndarë. Edhe nëse nuk vdes kështu, po nëse rruga që ke nisur të mos mbarojë kurrë, të mbetesh në ato labirinte, ku shpreson që një ditë të takosh veten… E nëse e gjen, ta pyesësh si ndjehet me ty? Apo t’i thuash, përse nuk zgjodhe një tjetër? Pse u prezantuam kaq vonë? Pyetje që mund t’ja bësh gjithnjë nëse do ketë kohë të mjaftueshme për t’u prezantuar, sepse filli i jetës është këputur shpeshherë edhe në fillim të saj.
Disa e duan veten dhe për këtë shkak duan dhe mendimin e tyre, e ndonjeherë kjo dashuri mund të krahasohet me atë që filozofët e lashtë kishin ndaj sofisë. Pra ngjan me një “malum in se” të padëmshme. Por mund të ndodh dhe e kundërta që mendimi i tyre të jetë i pavlefshëm, të mos përmbajë asnjë grimcë urtësie, edhe pse i zoti e pëlqen atë. Në këtë pikë, ku vështirë se mund të dallohet mendimi i drejtë nga ai i dashuruar me të padrejtë edhe kur nuk mbart vërtetësi, pikërisht këtu lind drama. Është një dramë me një akt të vetëm: ku luhet akti mes të vërtetës me të pavërtetën, e thjeshtëzuar në luftën që bën ego me të vërtetën. Në betejën që ka nisur, përballë nuk do gjejmë egon dhe alteregon, as të ndritshmen me errësirën; por betejën mes vetes së robëruar dhe dëshirës për t’i dhënë liri. Mes të rrëfyerit me veten, ku kryefjala bie mbi mashtrimin, mendimet jo të vërteta dhe qënies “malum in se”. E nëse do shpreheshim se e “vërteta të shpie drejt lirisë”, atëherë ky robërim që ndodh nga mendimi – malum in se, – është i barasvlefshëm me mungesën e lirisë. Sado shpresdhënës ose i bukur të jetë mendimi, i mirëformuar; sado “lucid” të duket, nëse ai përball të vërtetës shkrihet, atëherë mali që qe dikur gjigand, kthehet në guralec. E keqja mund të jetë edhe një e vërtet e madhe. Nga ato që shpesh të mbushin, pa kuptuar se fundosja është pranë, e se mendimet që dikur i quaje të “ndritshme” (lucide), janë dallgët fatkeqe që të përplasin me shkëmbinjtë e realitetit.
Por cila është e vërteta? Një pytje e gjatë sa vet periudha mes shpikjes së shkrimit dhe vet shkrimit të historisë njerëzore. Nëse nuk do kishte histori njerëzore, e vërteta do ishte e thjeshtë, jo kaq e komplikuar, dhe në fund të fundit aspak e sulmuar. Por kur njeriu nisi të shkruaj historinë e tij, të sundimtarëve, të popullit e të shtetit, këtu e vërteta u bë e pamëshirshme. Këtu bota nisi të rrokulliset nën këmbët e më të fortit. E verteta u pronësua. Nisën luftërat për të shkruar “historinë e së vërtetës”. Shumë vdiqën pa e parë ndonjëherë se cila ishte e vërteta. Të tjerë lindën me të vërtetën e shkruar prej baballarëve të tyre, gjyshërve që mbase as ata vet nuk e kishin njohur ndonjëherë, por vetëm se e kishin trashëguar. E fëmijët e nipërit e tyre lindën duke besuar se e vërteta ishte pronë e tyre. Por cila qe e vërteta? Ajo e fitimtarit? Apo ajo e qënies, se cili është njeriu? Kush duhet të sundojë e kush jo?! Cili është misioni i tij në këtë jetë? Çfarë kishte para dhe çfarë do ketë pas njeriut? A është mendimi burimi i të vërtetave absolute? Jo!
E vërteta për të cilën po flasim në këtë rast, nuk është më ajo që ka të bëj me veten, qënien, por me shoqërinë. Një e vërtetë që fsheh mijëra të pavërteta. Nëse mendimi synon të shkoj drejt dritës, drejt majës më të lartë ku drita nuk shuhet asnjëherë; shoqëria synon të zbres poshtë, atje në fusha, ku lufta për mbijetesë bëhet gjithnjë e ashpër, e në këtë fushbetejë, e vërteta është vetëm akt final, por asnjëherë gjenezë. Ajo shkruhet në përfundim të dramës. Ndryshe nga njeriu që dramën a komedinë e përpunon në mendje, e më pas e shkruan, duke i caktuar dhe aktin e fundit, atë final. Kjo është e vërteta njerëzore. Ajo e shkruar nga dora e njeriut. Prandaj dhe sundimtarët, qeveritarët, princërit a makiavelistët, për mijëvjeçarë të tërë, u rekën ta shkruajnë historinë e njeriut, sipas të vërtetës që ata besonin, apo donin. Sepse njeriu e kuptoi që shkrimi ndryshe nga e folura, mund t’i rezistonte kohës. Dhe kështu e vërteta sipas tyre, ajo e vertetë për të cilën do shkruheshin shumë libra, do i mbijetonte jo vetëm luftërave, por edhe brezave të ardhshëm. E në nje cak kohor, pas disa dekadash, shekujsh ose mijëvjeçarësh ajo do mbetej e vetmja dëshmi e historisë njerëzore. Ndërsa për brezat e ardhshëm do ishte thjesht e vërteta e “pa përgënjeshtruar”. Por një pyetje na parashtrohet: Sa imponuese qe kjo e vërtetë ndaj brezave pasardhës dhe a kishte rol pasiguria në këtë mes?
Në fakt pasiguria mbase s’do qe termi më i përshtatshëm për atë se si mendonin për të ardhmen mendimtarët apo sunduesit e mëparshëm, por për kohën tonë ajo është bërë një tipar dallues i jetës. Edhe vet Verner Heisenberg, i cili formuloi parimin e pasigurisë, do të ishte befasuar nga shkalla në të cilën gjërat janë bërë kaq të paqëndrueshme dhe të pasigurta në epokën tonë. Është mjaft ironike, sepse kjo supozohet të jetë epoka e racionalizmit, shkencës dhe lirisë. Por realitetet e botës post-moderne dhe post-industriale tregojnë një histori tjetër, ndryshe nga ajo kur njeriu jetonte në botën e tij të thjeshtë, ku e nesërmja dukej mjaftueshëm larg për t’u menduar dhe fshati apo qyteti ku jetonte përfaqësonte botën për të.
Këtu nuk duhet mohuar fakti se qënia dhe thelbi i të menduarit janë në një ndryshim të pandërprerë. Ku vetja lufton për të njohur vetveten, mendimin, dëshirat, mospërputhjet, urrejtjen, materien, dashurinë, inatin, zilinë, empatinë, e çdo gjë që njeriu duhet ta përdorë si ilaç në vetmi, apo si veshje, rrobë në shoqëri. Nga skutat më të errëta të tij, buron gjithnjë dëshira për të njohur veten, për të njohur mendimin dhe njeriun brenda tij. Se në ndryshim nga kafsha, njeriu ka mundësi ta njohi veten. Ka mundësi ta pyesi. Të këshillohet. Ta gjykojë. Të mohojë. Apo dhe ta vras veten. Ndërsa në krahun tjetër shoqëria të tëra këto i bën jo në emër të qënies së saj, sepse ajo është amorfe, por në emër të ligjit, të asaj që e quan e “drejtë sociale”. Në këtë pikë ndodh që mendimi i qenies humane, të mos jetë aspak i ngjashëm me mendimin që ka shoqëria për njerëzoren. Sepse shuma e mendimeve mund të mos sjellë një mendim unik të kulluar, por mund të sjell dhe një mendim të gabuar, të pranuar me kompromis. Në realitet shoqëritë sot mbahen dhe zhvillohen prej kompromiseve. Ndërsa kompromisi më i madh që mund të bëj njeriu me veten është që t’ja falë vetes mendimin e gabuar. E t’ja nis nga e para për të gjetur rrënjët e vetes, përmes së cilës të mund të rrëzojë të gjitha kompromiset që ai ka bërë në jetë. Madje, pikërisht këtu, kur ai rrëzon “zotërat e rremë”, ai i shpall luftë edhe të pavërtetave sociale. Panteoni imagjinar bie, e njeriu fillon dhe njeh Zotin e Përjetshëm, jo atë gjysmë vdektar. Se njeriu nuk mund ta pranojë zotin e përgjysmuar brenda tij. Por ai në vetvete si një narcizist ekstrem, kërkon të jetë vdektari më i “pavdekshëm”. Ai që shkruan të vërtetën. Ai që zotëron mendimin, botën e ideve, qënien e tij. E për këtë arsye ai nuk mund të pranojë “panteonin e kotësive”. Flaka e ndezur për të ngrohur njeriun, nuk mund të shuhet pa kryer misionin e saj. E në këtë rast, flaka është e vërteta e zbuluar. Vetëm njeriut mund t’i zbulohet e vërteta. E vetëm ai mund ta rrok kuptimin e saj. Për këtë arsye, drita e të vërtetës kthehet në mision, e kompromisi social për të vërtetën bie. Rusoi nuk mund të imponohet më përmes të “vërtetës social”. Ajo ka rënë që kur njeriu e kuptoi se “panteoni i zotërave të rremë” ishte gënjeshtra më e madhe e historisë njerëzore.
Teksa e vërteta mund të shprehet përmes disa mendimeve; vetja është e pakufizuar. Kush u fut brenda vetes dhe arriti të kuptonte universin njeri? Të gjithë ata që u përpoqën, përshkruan vetëm pjesëza të saj. Të tjerë u mbytën në brigjet e largëta të humbjes, honeve të alogjikës, “ferrit të dëshpërimit” për të pazbuluarën, apo parajsës rrenacake që rron brenda secilit nga ne. Ata pak që ja dolën të ngjiten sipër e të na përshkruajnë universin vetvete, e patën të pamundur të përdorin fjalorin njerëzor. Në fund, kuptimi më i madh i zbulimit të vetes ishte se “vetja ime, nuk mund të gjendet brenda teje”. Shumësia dhe origjinaliteti i secilës prej veteve tona, përbën kostelacionin e jashtëm ku ne endemi prej mijëra vjetësh.
Kur e gjen veten, ndjehesh i fuqishëm. Ndjen burimin e energjisë vetjake që të plotëson dhe prek çdo dej të trupit. Nuk mbetet arterie pa u mbushur me të, madje dhe mendimet mbushen me “oksigjen”. Është kjo gjendje që të bën të mos sorrollatesh po të vazhdosh e ta shijosh veten, mendimin që të vjen, ekzaltimin, e të mos përtosh të hedhësh në letër ato gjëra që labirintet e mendjes t’i dhuruan tashmë si xhevahire. Në këtë moment ti dhe vetja jeni një. Ndani të njëjtin mendim.
Mendimi, e vërteta, vetja… ky është zinxhiri që lidh botën e brendshme me atë jashtë saj. Se vetja kurrë s’mund të gjehet pa menduar, pa hetuar të vërtetat e dukshme dhe ato që na fshihen. Kureshtja i shtyn gjithnjë mendimet në skajet e veta, por është e vërteta ajo që i gozhdon ato. E më pas vetja përvetëson të vërtetat e vogla, e pak më vonë ato më të mëdha. Pra, mendimi të shpie drejt burimeve të mëdha të së vërtetës; etja për të bën që ta gjesh gjithnjë veten aty, në ujin e burimit, duke të mbushur mendjen se tashmë e ke njohur atë, njeriun që kërkoje. Njeriun e zhveshur nga të tjerët, i cili në “lakuriqësinë” e tij, shpërfaq veten. /tesheshi.com/