Teksa kthehem nëpër vite, që nga fëmijëria e hershme, nuk më duhet shumë mund ku si në një paradë të përmortshme të më faniten sa e sa ngjarje, sa e sa fytyra të njohura ose jo që dhe pse duken sikur janë tretur pas mureve të harresës, realisht më shoqërojnë nën tingujt funebër të dhimbjes së familjarëve e të dashurve, të dhimbjes së tokës sonë të shtrenjtë, Atdheut Shqipëri. Djem e vajza, burra e gra shqiptare, baballarë e nëna, madje dhe gjyshër e gjyshe të ikur nga kjo botë me të njëjtin shkak: “Të vrarë”!…
Dhe loti më rrjedh, herë qetë e herë vrullshëm. Lot për të vrarët, por lot dhe për gjakatarët vrasës që tashmë i janë kthyer Zotit me pendim. Dhe shpesh, dhimbja që herë-herë gati më mbyt, nga njëra anë më forcon akoma më tepër bindjen për të ecur i qetë dhe i sigurtë në rrugën e zgjedhur me ndihmën dhe mëshirën e të Gjithëmëshirshmit Allah, Zotit tonë, kurse nga ana tjetër më qartëson logjikën brilante të të kuptuarit, në fakt, të të ndierit pazgjidhshëm të përgjegjësisë së tmerrshme e të përjetshme përpara Zotit të kujtdo që ka guxuar të marrë një jetë me të pa drejtë…
Allahu i Madhëruar e krijoi njeriun në mënyrën më të përsosur, e begatoi me fisnikëri dhe dinjitet mbi të gjitha qeniet e tjera, të dukshme a të padukshme, e ngriti në pozitën e përfaqësuesit të Tij, duke i dhënë titullin: “Mëkëmbës i Zotit” në tokë. Përveç kësaj, si një musliman i fund 2023-shit, theksoj se nga ligjet e Zotit është vendosur një herë e mirë dhe pavdekësisht se nëse gjithçka nën këtë qiell dynjaje, apo mbi këtë tokë ku shkelim a thua se jemi të imuniziar nga ligji vdekje…, do të përdoret në një rrugë legjitime dhe të mirëdashur për natyrshmërinë e pastër njerëzore, atëherë ajo do të jetë mëse e dobishme dhe në të mirë të njerëzimit.
Si fé e mirëkuptimit dhe tolerancës, në Islam nuk ka fanatizëm apo detyrim. Ai është i ekuilibruar, i hapur dhe universal në fushën e të drejtave të njeriut. Islami respekton në mënyrë të përsosur të drejtat individuale dhe deklaron qartë që asnjeri nuk mund dhe nuk duhet të dhunohet, edhe nëse kjo është në interes të komunitetit.
Në Islam njeriu, krijesa më e lartë e Zotit, është në qendër të vëmendjes dhe asnjë fé, doktrinë apo filozofi nuk e respekton njeriun më shumë. Nga ky shkak, askujt nuk i lejohet ta përdhosë shenjtërinë e gjakut dhe të jetës së njeriut.
Islami e shenjtëron jetën njerëzore, mbron shenjtërinë e shpirtrave, i ndalon njerëzit të synojnë mbytjen (vrasjen) e tjetrit, pengon edhe të gjitha rrugët që shpiejnë deri aty, ndërsa sulmin kundër jetës e konsideron si krimin më të madh te Zoti pas kufrit në Të (mohimit të Tij). Vrasja e një njeriu me të pa drejtë është një nga shembujt më të dukshëm të mizorisë. Zoti përsërit në Kur’an një urdhëresë që Ai më parë ua kishte shpallur hebrenjve në “Dhjatën e Vjetër”:
“… Kush vret ndokënd që s’ka vrarë njeri ose që nuk ka bërë çrregullime në tokë, është sikur të ketë vrarë të gjithë njerëzit. Dhe, nëse dikush shpëton një jetë, është sikur të ketë shpëtuar jetën e krejt njerëzve…”. – Kur’an: Surja El-Ma’ideh (Sofra e shtruar), ajeti 32
E gjithë kjo është rezultat i faktit se Islami e trajton tërë gjininë njerëzore si një familje dhe armiqësia kundër një anëtari të saj, konsiderohet armiqësi kundër tërë gjinisë njerëzore. Me fjalë të tjera, Islami e konsideron vrasjen e një personi të vetëm, të njëjtë me vrasjen e të gjithë njerëzimit, ashtu si një jetë simbolizon jetën e të gjithëve, prandaj, shpëtimi i jetës së një personi të vetëm është i njëjtë me shpëtimin e jetës së të gjithëve…
Krimi është edhe më serioz, kur ka të bëjë me të vrarin që beson në Zotin:
“Kushdo që vret një besimtar me qëllim, ndëshkimi i tij është Xhehennemi, në të cilin do të qëndrojë përgjithmonë. Allahu është zemëruar me atë, e ka mallkuar dhe i ka përgatitur një dënim të madh”. – Kur’an: Surja En-Nisa’ (Gratë), ajeti 93
Profeti Muhammed (Paqja, Mëshira dhe Bereqeti i Allahut qofshin mbi të!), thotë:
“Besimtari vazhdon të jetë brenda sferës së fesë, përderisa nuk derdh ndonjë gjak të ndaluar”. (Buhariu)
“Përfundimi i botës është më i lehtë për Zotin, se vrasja e një muslimani”. (Muslimi, Nesaiu, Tirmidhiu)
“Zoti mund të falë çdo mëkat, përveç njeriut që vdes idhujtar ose njeriut që e vret qëllimisht besimtarin”. (Ebu Daudi, Ibn Habbani dhe Hakimi)
Sipas këtyre ajeteve dhe haditheve, Ibn Abbasi konstaton se pendimi i vrasësit nuk pranohet. Meqë kushti i pendimit është kompensimi i të drejtave që i takojnë familjes ose janë në nivel të njëjtë, atëherë si mund t’i kompensohet e drejta e të vrarit ose të jetë në nivel të njëjtë?
Sipas disa të tjerëve, pendimi i sinqertë pranohet dhe e fshin shirkun (Përshkrimin shok Allahut), pra pse të mos fshijë edhe mëkate të tjera?…
Zoti i Madhëruar thotë:
- “… dhe ata që, pos Allahut, nuk adhurojnë zot tjetër, nuk vrasin njeri, gjë që Allahu e ka ndaluar, përveçse me të drejtë dhe që nuk bëjnë kurvëri. E kush i bën këto, do të marrë gjynahe.
- Ndëshkimi do t’i dyfishohet në Ditën e Kiametit dhe ai do të qëndrojë përherë në këtë fatkeqësi i poshtëruar.
- Përjashtim bën ai që pendohet, beson dhe punon vepra të mira. Një njeriu të tillë Allahu ia ndërron veprat e këqija në të mira. Allahu është Falës e Mëshirëplotë”. – Kur’an: Surja El-Furkan (Kriteri i së Vërtetës), ajetet 68-70
Profeti Muhammed (Paqja, Mëshira dhe Bereqeti i Allahut qofshin mbi të!), ka thënë:
“Më erdhi Xhibrili dhe më tha: “O Muhammed, jeto si të duash, por dije se do të vdesësh; duaj kë të duash, por do të ndahesh prej tij; puno çfarë të duash, por do të gjykohesh për to; dije se besimtar i nderuar është ai që falet natën dhe krenaria e tij qëndron në faktin se nuk u kërkon njerëzve””. (Bejhekiu)
Vrasësi dhe i vrari në Xhehennem
Sipas Profetit Muhammed (Paqja, Mëshira dhe Bereqeti i Allahut qofshin mbi të!), vrasja e muslimanit është derë e kufrit dhe vepër e njerëzve paraislamë, të cilët ndeznin luftra dhe derdhnin gjaqe për një dele ose një kalë. Ai thotë:
“Fyerja e muslimanit është mëkat, ndërsa vrasja e tij, kufër (mohim i Zotit)”. (Transmetim unanim)
“Mos u shndërroni pas meje në pabesimtarë e të vrisni njëri-tjetrin”! (Transmetim unanim)
“Nëse dy muslimanë (grinden) dhe njëri prej tyre përdor armën kundër tjetrit, atëherë që të dy janë në prag të Xhehennemit e nëse njëri prej tyre vret tjetrin, atëherë që të dy do të hyjnë në Xhehennem”. Kur i është shtruar pyetja: “Kjo ka të bëjë me vrasësin, por ç’bëhet me të vrarin?”, ai është përgjigjur: “Edhe ai dëshironte vrasjen e shokut të vet”. (Transmetim unanim)
Për shkak të kësaj, Profeti Muhammed (Paqja, Mëshira dhe Bereqeti i Allahut qofshin mbi të!), ka ndaluar çdo akt që shkakton vrasje ose luftë, bile edhe drejtimin e armës. Në këtë kontekst, ai ka thënë:
“Askush prej jush s’duhet ta drejtojë armën drejt vëllait të vet, ngase djalli mund t’ia shtyjë dorën e të zhytet në greminën e Xhehennemit (Ferrit)”. (Buhariu)
“Kush i kërcënohet vëllait të vet me një copë hekuri, engjëjt do ta mallkojnë derisa të ndalet, qoftë edhe vëlla i vërtetë (Nga gjaku)”. (Muslimi)
Ai përsëri thotë:
“Nuk i lejohet muslimanit ta frikësojë muslimanin”. (Ebu Daudi dhe Taberaniu)
Le të kujtojmë pak ato raste të vrasjeve të ndodhura nga pakujdesia, duke i drejtuar armën tjetrit dhe duke qenë në mes bindja se arma është bosh…
Si thotë populli, kuptohet, duke iu referuar fjalëve profetike:
“Kujdes, mos luaj me armën, mos ia drejto atë askujt, se e mbush shejtani”!…
Profeti Muhammed (Paqja, Mëshira dhe Bereqeti i Allahut qofshin mbi të!), e ka radhitur vrasjen në vendin e dytë ndërmjet gjynaheve të mëdha, duke theksuar:
“Çështjet e para që do të gjykohen midis njerëzve në Ditën e Gjykimit do të jenë ato të gjakderdhjes”. (Buhariu dhe Muslimi)
Mëkati nuk vlen vetëm për vrasësin, por edhe për çdo pjesëmarrës në vrasje. Qoftë me fjalë ose me vepra, pjesëmarrësi dënohet nga Zoti sipas asaj se sa ka qenë aktiv në aktin e tillë, bile edhe ai që prezanton në vrasje merr një pjesë të mëkatit. Në këtë kontekst, Profeti (Paqja, Mëshira dhe Bereqeti i Allahut qofshin mbi të!), thotë:
“Le të mos qëndrojë ndokush prej jush në vendin ku vritet me të pa drejtë ndonjë njeri. Mallkohet ai që prezenton e nuk e mbron”. (Taberaniu dhe Bejhakiu)
Shenjtëria e aleatëve dhe e banorëve jomuslimanë
Këto tekste që ndalojnë vrasjen dhe luftën kundër muslimanit janë ligje e udhëzime për muslimanët e shoqërisë islame, mirëpo kjo nuk do të thotë se gjaku i jomuslimanit është i lejuar. Zoti i Madhëruar ndalon në tërësi derdhjen e gjakut njerëzor, pra edhe të jomuslimanit, për aq kohë sa i këtilli nuk i sulmon muslimanët për t’ua marrë me pa të drejtë jetën se, në qoftë se po, atëherë lejohet…
Muslimanit nuk i lejohet në mënyrë kategorike që ta sulmojë aleatin ose banorin jomusliman. Në këtë kontekst, Profeti (Paqja, Mëshira dhe Bereqeti i Allahut qofshin mbi të!), thotë:
“Kush vret aleatin (personin që ka marrëveshje me muslimanët) nuk do ta shijojë aromën e Xhennetit, megjithëse aroma e tij ndihet dyzet vite larg”. (Buhariu dhe Ibn Maxheh)
“Ai që vret banorin jomusliman, nuk do ta shijojë aromën e Xhennetit”! (Nesaiu)
Po këta që vrasin sot, këta që gjejnë forma apo mënyra nga më kreativet për t’i shpëtuar ligjit, këta që të maskuar pas errësirës së natës, maskave, pelerinave, dorezave, pas “heshtjes” së vendeve pa kamera sigurie, këta që.., pasi marrin shpirtrat e krijesave të Zotit dhe zhduken pa lënë gjurmë, a nuk e dinë se Shikimit të Allahut nuk mund t’i fshihet asgjë?! A nuk e dinë se edhe nëse jetofshin me kësi veprash vite e vite shumë, madje dhe 100, pa u kapur kurrë, një ditë nga engjëjt e të Madhit Zot do t’iu merret shpirti dhe pastaj do t’iu duhet të japin llogari përpara Krijuesit të vet?! A nuk e dinë se mallkimi i Allahut, i engjëjve e i besimtarëve do t’i ndjekë në atë vend të tmerrshëm ku do të jetojnë shpresëhumbur, duke u djegur e duke mos vdekur, përjetësisht mes flakëve të Xhehennemit në jetën tjetër, pas Ringjalljes e pas marrjes së Dënimit nga Allahu Fuqiplotë?!
A nuk e dinë këtë gjë edhe ata që udhëzojnë, instruktojnë, apo i paguajnë vrasësit në emër të çmendurisë që i ka zaptuar shpirtrat e tyre të ligj: hakmarrje, interes, apo për më keq, qejf?!
Më dhemb zemra dhe më qan shpirti, më shkatërrohet (dhe madje mban gjatë…), tërë ekzistenca burrërore, kur dëgjoj klithmat apo ofshet mes lutjeve plot mallkim të nënave shqiptare që fluturojnë qiejve duke pasur një cak final: pranimin nga i Madhi Zot! Dhe megjithëse s’dua, përsëri jam i detyruar që këtyre ditë-netëve të mbushura me aromën e gjakut të krijesave njerëzore që vriten e hidhen si copa mishi në rrugë, a thua se janë një lodër e gjakosur në duart e shejtanit njeri apo xhind, të jetoj e madje edhe të shijoj – si çdo tjetër shqiptar – këtë jetë prove nga e cila shpresoj të dal faqebardhë dhe me amanet të përmbushur kundrejt Krijuesit tim, Allahut Fuqiplotë.
Ofshe nënash
Koha qan kur veten sheh, teksa parakalon ndër shekuj
e mundohet të justifikojë, të marrët,
por ç’të bëjë sot, me shqiptarët,
që plasën…, për të vrarë njëri-tjetrin, të parët!…
Vrit, në emër të dogmës,
vrit, në emër të drogës,
vrit, në emër të autoritetit,
vrit, në emër të pushtetit,
vrit, në emër të çmendurisë,
vrit, në emër të dashurisë…
Vrit e prit, bij e bija të Atdheut, krejt pa hak,
foshnjat e nënëgjorave, që i kanë rritur urije, vuajtjeje, me gjak…
T’i lemë të gjitha, le të mundohemi t’i harrojmë,
por a kemi fuqi t’i pushojmë,
ofshet e nënave që mes lumenj lotësh, mbytur në dëshpërim,
luten, madje dhe me mallkim,
një mallkim, prej të cilit nuk ka shpëtim?…
I qetësoftë Zoti nënat tona, nënat shqiptare, krejt nënat e botës
dhe i mbrojtë, nga errësira e lajthimit,
që po ua vjedh krejt diellin, Qiellit e Tokës, në emër, të mosbesimit!…
Dhe po ashtu edhe shpirti im klith, klith për udhëzim, klith për ndihmë, klith për shpëtim…
Ka vetëm një zgjidhje:
Nga vrasja, apo nxitja në të, sa lindja me perëndimin, largim,
kthim te Zoti duke ndryshuar, me më të thellin pendim!…