Marrëdhëniet mes Rusisë nga njëra anë, dhe Ukrainës e Perëndimit nga ana tjetër, po kalojnë në tensione të paprecedentë, të cilat kanë arritur kulmin javët e fundit, në kuadër të akuzave dhe kërcënimeve të ndërsjella. Jemi dëshmitarë të tensioneve si pjesë e një krize komplekse dhe shumëdimensionale dhe secila nga këto dimensione është e lidhur me njërën nga palët në këtë krizë.
Uashingtoni e sheh ringjalljen e tensioneve mbi Ukrainën si një mundësi për të frenuar Rusinë dhe për të penguar vendin nga rindërtimi i marrëdhënieve me kryeqytetet evropiane, veçanërisht Parisin dhe Berlinin. Është gjithashtu një mundësi për të parandaluar vënien në punë të gazsjellësit Nord Stream 2 dhe për të parandaluar aleancën e Rusisë me Kinën duke vendosur sanksione shtesë.
Sa i përket Ukrainës, interesat e saj qëndrojnë në rivendosjen e integritetit të saj territorial, ndaj po punon për të kapur momentin dhe një nivel të ri mbështetjeje nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore. Gjithashtu, ekziston dëshira e Kievit për të provuar veten para administratës së re amerikane si dikush që kundërshton Rusinë, e gjithë kjo me synimin për të marrë një mbështetje më të madhe. Nëse Kievi është në gjendje të joshë Rusinë për të sulmuar territorin ukrainas, mund të jetë në gjendje të ndalojë nisjen e projektit Nord Stream 2, i cili do t’i japë fund rolit të Ukrainës si një vend tranziti për gazin rus në Evropë.
Sigurisht që sot nuk është në interesin e Ukrainës ta kthejë konfliktin e ngrirë në lindje të vendit në një konflikt të “nxehtë”, sepse me siguri do të dalë humbës. Megjithatë, herë pas here Kievi po e nxeh situatën për të dërguar mesazhe brenda vendit, por edhe jashtë vendit në disa drejtime. Bllokimi me krizën në Ukrainën lindore do të mbetet derisa Moska të vendosë të ndërmarrë një lëvizje radikale dhe të aneksojë republikat në rajonin e Donbasit: Donetsk dhe Luhansk (të cilat nuk njihen), siç ishte rasti me Krimenë shtatë vjet më parë, me frikën se mund të dëmtojnë më tej marrëdhëniet e Rusisë me vendet perëndimore.
Demonstrimi i aftësive ushtarake të Moskës nuk është asgjë e re dhe është e sigurt që këto lëvizje kanë qenë shumë të ndryshme kohët e fundit nga stërvitjet ushtarake që zakonisht kryen Rusia. Rëndësia e tyre sot vjen në kontekstin e dërgimit të një mesazhi, kryesisht në Kiev, si një paralajmërim në rast të aksionit ushtarak kundër Donbass-it. Sidomos pas skenarit të Nagorno-Karabakut dhe pas deklaratave dhe paralajmërimeve të shpeshta ruse se po bëhen përgatitje për një sulm ukrainas në lindje të vendit, ku kontrollin e mbajnë separatistët e mbështetur nga Rusia.
Moska nuk dëshiron një luftë në shkallë të gjerë
Por Moska sot nuk dëshiron një luftë në shkallë të gjerë. Lufta në Ukrainën lindore i ka kushtuar shumë Rusisë në shtatë vitet e fundit. Rifillimi i një lufte në shkallë të gjerë nuk është në interesin e Rusisë, sepse do të çojë në një humbje të madhe të burimeve të nevojshme për Moskën dhe do të përkeqësonte problemet e Rusisë me Bashkimin Evropian dhe Amerikën.
Duhet të theksohet se shumica e banorëve të Donbass-it në republikat e Donetsk-ut dhe Lugansk-it (të panjohura) sot kanë nënshtetësi ruse. Gjithashtu, ka një kufi të përbashkët prej 400 kilometrash mes Rusisë dhe dy republikave në rajonin e Donbasit, të cilët janë faktorë që nuk janë të pranishëm në krizën mes Armenisë dhe Azerbajxhanit në Nagorno-Karabakh, krahasuar me krizën në Ukrainën lindore. Përveç kësaj, nuk ka gjasa që Turqia ose Izraeli të ndërhyjnë në konflikt dhe të anojnë me Ukrainën kundër Rusisë, siç ndodhi në luftën e Nagorno-Karabakut kur të dy vendet mbështetën Azerbajxhanin kundër Armenisë, por me shumë gjasa do të vazhdojnë shitjet e armëve pasi është një mundësi për të bërë para.
Rusia kreu aksion ushtarak në Gjeorgji në vitin 2008 pasi presidenti i atëhershëm gjeorgjian Mikheil Saakashvili dërgoi trupa për të luftuar separatistët. Në fund të nëntorit, Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR) krahasoi situatën aktuale në Ukrainë me situatën në Gjeorgji në vitin 2008, duke i kërkuar presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky të mos bënte të njëjtin gabim që bëri Saakashvili, duke kujtuar se i kushtoi shtrenjtë.
Ajo që e dallon situatën aktuale në Ukrainë nga situata në Gjeorgji në vitin 2008 është gatishmëria luftarake që Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) po forcon dita ditës në Ukrainë, përveç paralajmërimeve evropiane për pasojat e hyrjes së drejtpërdrejtë të Rusisë në luftë në Ukrainën lindore.
Përveç sa më sipër, Evropa nuk ka një politikë mbrojtëse të pavarur dhe të ndarë nga politika e Uashingtonit. Blloku europian ka frikë për sigurinë e tij, si dhe për një valë të re migrimi (veçanërisht pasi tensionet perëndimore-ruse janë përfshirë sot në krizën e azilit dhe imigracionit midis Bjellorusisë dhe Polonisë, ndërsa nga perëndimi vijnë akuza se Minsku dhe Moska janë duke përdorur këtë kartë. Evropa gjithashtu ka nevojë për furnizim me gaz rus.
Edhe pse të gjithë skenarët janë të mundshëm në dritën e këtij përshkallëzimi, kundërpërshkallëzimi dhe kërcënimi, skenari i një lufte të përgjithshme duket se është shtyrë tani për tani. Konflikti mbetet në kuadrin e luftërave të vogla, siç janë skenarët e Nagorno-Karabakut, Krimesë dhe Gjeorgjisë, me vazhdimin e luftërave ndërmjetësuese aty-këtu në disa nivele dhe në disa fronte, rajonale dhe ndërkombëtare.
Në një kohë kur Perëndimi është gjithnjë e më i shqetësuar për synimet dhe planet e Rusisë për një pushtim të mundshëm të Ukrainës, presidenti amerikan Joe Biden theksoi të premten e kaluar se ai do ta “bënte të vështirë” fillimin e çdo pushtimi rus në Ukrainë, i cili paralajmëroi për një sulm të mundshëm rus muajt e ardhshëm. Biden u tha gazetarëve të premten se ai po përgatiste një “paketë iniciativash” që synojnë mbrojtjen e Ukrainës nga sulmi rus, ndërsa Kievi dhe Uashingtoni akuzuan Moskën për grumbullimin e trupave në kufi dhe përgatitjen për një pushtim.
Ministri ukrainas i Mbrojtjes Oleksiy Reznikov tha në parlament të premten, duke cituar raportet e inteligjencës, se Rusia kishte mobilizuar më shumë se 94,000 trupa pranë kufirit ukrainas dhe se mund të përgatitej për një sulm ushtarak në shkallë të gjerë në fund të janarit.
Moska, nga ana tjetër, akuzon Ukrainën dhe Shtetet e Bashkuara për destabilizimin, duke vënë në dukje mundësinë që Kievi po përgatitet për një sulm në Ukrainën lindore. Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka paralajmëruar për “aventurën ushtarake” të Ukrainës pasi ministria e tij tha se Kievi kishte vendosur rreth 125,000 trupa në lindje, gjë që Kievi e mohon.
“Ne ia kemi bërë të qartë Kremlinit se do të përgjigjemi me vendosmëri, veçanërisht përmes një sërë masash ekonomike me pasoja të mëdha nga të cilat jemi përmbajtur në të kaluarën”, tha sekretari amerikan i shtetit Anthony Blinken pas një takimi të NATO-s në Riga, Letoni. .
Duhet të theksohet se Rusia ka rritur më parë praninë e saj ushtarake në kufirin ukrainas në prill. Më vonë u bë e qartë se qëllimi ishte rritja e presionit politik dhe diplomatik, pasi Rusia i tërhoqi përforcimet menjëherë pasi Presidenti i SHBA Joe Biden dhe homologu i tij rus Vladimir Putin njoftuan se do të mbanin një samit. Nuk përjashtohet që e njëjta skenë të përsëritet edhe sot, ndërkohë që janë në proces marrëveshjet për mbajtjen e një samiti tjetër të të dy presidentëve.
Dronët turq
Disa ekspertë thonë se Kievi ka zemëruar Rusinë duke përdorur dronët Bayraktar të importuar nga Turqia dhe se rritja e fundit në praninë ushtarake të Rusisë erdhi pasi ushtria ukrainase publikoi një video duke thënë se ishte përdorimi i parë i dronëve të prodhimit turk kundër separatistëve në lindje. Sidomos pasi qarqet politike ukrainase filluan të flasin për mundësinë e përsëritjes së skenarit të Azerbajxhanit në lindje të vendit, pasi ai vend arriti të rimarrë kontrollin mbi pjesën më të madhe të territorit të tij në luftën në Nagorno-Karabakh vitin e kaluar.
Putin akuzoi gjithashtu Perëndimin për injorimin e “vijave të kuqe” të Rusisë duke kryer stërvitje ushtarake në Detin e Zi dhe duke dërguar armë moderne në Kiev, duke kërkuar që NATO të japë “garanci ligjore” se nuk do të përhapet në drejtim të lindjes.
Fakti mbetet se kërcënimet e Shteteve të Bashkuara, të cilat janë reduktuar në sanksione të rënda ekonomike që mund të paralizojnë ekonominë ruse, nuk përfshijnë asnjë kërcënim për mbrojtjen ushtarake të Ukrainës, gjë që përjashton skenarin e një lufte gjithëpërfshirëse. Kjo do të thotë se Kievi mund të lihet vetëm, siç ndodhi me Gjeorgjinë në vitin 2008, nëse dëshiron të zbatojë skenarin ushtarak në lindje të vendit në Donbas. /Tesheshi.com/
Autori merret me çështjet e Azisë Qendrore dhe Kaukazin, studiues i marrëdhënieve ruso-turke dhe autor i librit “Kazakistani dhe Astana Siriane”.