“Për ne njerëzit e varfër, lumturia është e ndryshueshme dhe pakënaqësia është e vazhdueshme.”
Këto fjalë të shkrimtares maqedonase Petra M Andreevski në romanin “Pireu” për gjendjen e maqedonasit mesatar në fillim të shekullit të kaluar, fatkeqësisht janë aktuale edhe sot. Gjërat në Ballkanin jugor nuk kanë ndryshuar shumë në një shekull. Aksidentet dhe tragjeditë në Maqedoni janë të vazhdueshme.
Trupat e 45 personave të vrarë në një aksident të rëndë trafiku që ndodhi në një autostradë në Bullgari, kur një autobus maqedonas u përfshi nga flakët, janë sjellë të premten në Maqedoni. Vetëm shtatë nga 52 pasagjerët mbijetuan dhe 12 fëmijë ishin në mesin e jetëhumburve. Kishte dhe ide që tragjedisë t’i jepej një dimension patologjik dhe që media të transmetonte drejtpërdrejt varrimin, por në fund u plotësuan kërkesat e të afërmve për t’i lënë pak privatësi në pikëllimin e tyre.
Sado të mëdha të jenë tragjeditë, deri më tani askush nuk është mbajtur përgjegjës për mosbindjen e rregullave dhe rrezikimin e dhjetëra pasagjerëve.
Kohë më pare, në magjistralen Shkup-Tetovë ndodhi një aksident i madh trafiku, kur një autobus me defekt teknik doli nga rruga. 15 persona humbën jetën në vend, ndërsa dhjetëra u lënduan. Ende nuk ka ndëshkim, pasi çështja ka ngecur në labirintet e gjykatave. Ajo që dihej në fillim është se kontrollin teknik për korrektësinë e autobusit e ka bërë e njëjta kompani që transporton pasagjerë, pra se nuk ka kontroll real për korrektësinë teknike të autobusit.
Në rastin e fundit të autobusit që marri flakë në një autostradë në Bullgari, fakti tronditës është se mjeti nuk kishte leje për të dalë nga Maqedonia. Është plotësisht e paqartë se si ka udhëtuar deri në Stamboll pa licencë, si ka arritur të kalojë doganën maqedonase pa dokumentacion dhe si e ka lejuar shteti bullgar të hyjë në territorin e tij. Në të njëjtën kohë, autobusi pa leje ka udhëtuar vazhdimisht, kështu që dyshimi se bëhet fjalë për korrupsion të organeve shtetërore kompetente për të kryer kontroll është mjaft i justifikuar.
Zhvlerësimi i jetës njerëzore
Jeta e njeriut në Maqedoni është shkatërruar tmerrësisht. Tre muaj më parë morri flakë spitali modular në Tetovë, nga i cili humbën jetën 15 persona.
Disa ditë më vonë, ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe dhe drejtori i spitalit të Tetovës dhanë dorëheqje për shkak të përgjegjësisë morale për tragjedinë, por kryeministri Zaev nuk i pranoi dorëheqjet, pasi hetimi konstatoi se nuk ishte dështim i institucioneve.
Këto ditë, publiku maqedonas është tronditur edhe më shumë. Krimineli i dënuar Zoran Milevski, shkaktoi një aksident trafiku në të cilin një person humbi jetën dhe shtatë u plagosën. Ai e bëri këtë gjatë duke qenë i dënuar më burg, por që u lirua nga burgu me arsyetimin se vuante rëndë nga zemra, gjë që natyrisht është një farsë, duke pasur parasysh se hipi në timon për të drejtuar si i çmendur automjetin në rrugën Ohër-Shkup, me pasoja të rënda në jetë njerëzore.
Ndërkohë, i dënuari u pajtua me prokurorinë dhe ndonëse plotësisht fajtor për një aksident, mori vetëm 6 muaj burg. Sepse ky është çmimi i jetës njerëzore në Maqedoni. Zemërimi i publikut u derdh në rrjetet sociale dhe kështu mbeti. Njerëzit pajtohen se kriminelët e ashpër mund të kënaqen me ndjekjen penale dhe të marrin dënime të vogla edhe kur bëhet fjalë për jetë njerëzore, ndërsa për të varfërit e zakonshëm, janë dënime drakoniane për vepra të vogla. Posteri i asaj padrejtësie që është bërë markë e drejtësisë maqedonase është një i varfër nga qyteti i Velesit, i cili u dënua me tre vjet burg sepse kishte vjedhur qebap duke qenë i uritur!
Publiku ka reaguar ndaj zhvlerësimit të jetëve njerëzore. Disa vite më parë, kur u publikuan bisedat e përgjuara të politikanëve, ata dolën në rrugë për të protestuar me sloganin “Pa drejtësi, pa paqe”. Kështu ndodhi “revolucioni shumëngjyrësh” maqedonas. Protestuesit spërkatën institucionet e korruptuara maqedonase në shenjë revolte. Ishte gjithashtu një shkas i madh për ndryshimin e qeverisë. Epilogu i gjithë kësaj është se ka paqe, por jo drejtësi.
Revolucioni shumëngjyrësh u komprometua shpejt. Disa nga drejtuesit e saj janë bërë politikanë. Prokuroria speciale, e udhëhequr nga hetuesja Katica Janeva, e kompromentoi veten, pasi Janeva personalisht bënte tregti me paraburgime dhe vendime. Shumë shpejt ajo u kap duke shantazhuar një biznesmen dhe përfundoi vetë në burg. Zyrtarisht është shfuqizuar zyra e komprometuar e Prokurorisë Speciale. Që do të thotë se ideja se drejtësia mund të vendoset në Maqedoni, u shfuqizua jozyrtarisht. /tesheshi.com/