Politika shqiptare ka shkuar larg në “ndotjen e moralit” të saj dhe jehona për pastrim, parë si çështje e ditës, është ende thjesht një zhurmë e largët për të qenë një realitet.
Në këtë rast, me “ndotje morali” nuk kemi parasysh, thjesht dhe rëndom, integritetin e munguar të shumicës së politikanëve shqiptarë; nuk kemi parasysh vetëm premtimet e dhëna e të pambajtura, mashtrimet publike, abuzimet dhe korrupsionin mizor që ka mbërthyer prej vitesh këtë vend. Dihet që Shqipëria ka pjellë një klasë politike në përmasën e mallkimit të vetvetes; si për një makabritet të fatit, duke qenë një “nënë”, ajo është shqyer dhe e shlyer egër nga vetë bijtë e saj në pushtet. Shqipëria është ende e mjerë, sepse ajo është udhëhequr për shumë vite nga babëzia; Shqipëria është ende e varfër, sepse është sunduar nga hajdutë mediokër, por të pasur; Shqipëria nuk ka të ardhme të qartë, sepse politika është e paqartë dhe e njollosur. Shqiptarët janë në agoni, sepse politikanët janë në delir. Por nuk po flasim për këtë lloj ndotjeje të imazhit publik të politikës, por po flasim për kriminalizimin e saj, që është më shumë sesa përmendëm dhe është një superndotje në përfytyrimin e një gjëme kombëtare…
Le të kthejmë kokën pas! Gjatë gjithë këtyre viteve shqiptarët kanë përjetuar dhunën e një sistemi që, më shumë se liri, ka prodhuar dëshpërim. Vështirë t’i bësh opozitë konstatimit se demokracia shqiptare e tranzicionit ka probleme serioze. Dihet që ajo ka qenë vulgare dhe e dhunshme. Ndoshta jo diktaturë, por shpesh është ndodhur një hap larg asaj. Besimtarët dhe dëshmitarët e pafajshëm e kanë të qartë që ky vend, peng një sistemi të çuditshëm shoqëror, nuk ka demokraci të shëndetshme, dhe jo vetëm kaq. Shumë të tjerë hamendësojnë se demokracia e këtij vendi është një sistem pa drejtësi dhe liri. E theksoj, shumë! Shumica e qytetarëve të këtij vendi besojnë se politika, për të mos thënë një pazar turkofag interesash korruptive, ka qenë dhe është një instrument i shëmtuar në duar politikanësh pa integritet. Për shumicën e kësaj shumice, mungesa e shpresës ka qenë më e qarta. Mjafton të ngremë disa pyetje të thjeshta për të shpjeguar në mënyrë fëmijërore logjikën e këtij argumenti. Kush janë politikanët më të spikatur në këtë vend? Përgjigjja është: Ata që janë më të pasur… Kush janë politikanët më të pasur në këtë vend? Ata që janë më të ndotur, më të përfolur, më të korruptuar. Kush janë politikanët më të përfolur? Ata që janë më të pushtetshmit, që kanë qenë dhe janë në majë… Ata që marrin vendime, që kanë në dorë të ardhmen e këtij vendi… Dhe vazhdojmë. Kush janë pasanikët më të mëdhenj të këtij vendi? Çdo fëmijë do të mund t’i përgjigjej: politikanët, kriminelët dhe biznesmenët. Kush janë politikanët më të njohur? Ata që janë më të pasur! Në fund të fundit, kush janë politikanët në këtë vend? Shumica e politikanëve në këtë vend janë ose biznesmenë, ose kriminelë, ose besnikë dhe servilë të liderëve… Ata që janë besnikë të liderëve, janë edhe servilë; ata që janë kriminelë, janë edhe të pasur.
Ky është një realitet 20-vjeçar që nxin pafund prej dëshpërimit, edhe për shkak se brenda tij ka kujdesin për të fshehur lajmin se politika dhe krimi, pa dashur ose jo, janë në një brumëzim, për të mos thënë janë në një flirt. Ndoshta është një bashkim instiktiv, i rastësishëm, si e rastësishme është rënia e rrufesë: ndodh pavarësisht gjithçkaje; ndodh për zinë e shqiptarëve normalë.
Por, për t’i qëndruar faqebardhë këtij konstatimi, ndoshta duhet pranuar që sado e ndotur të jetë kësisoj klasa politike, nuk është aq sterrë, si e dalë nga një pus nafte, pra, nuk është në atë terr mjerimi, saqë të ketë futur me vetëdije të qartë kriminelë në radhët e saj vetëm sepse ata janë të tillë. Ja ku u shfaq ylberi i një lajmi të mirë. Shyqyr Zotit politika shqiptare nuk është shndërruar ende në një bandë, edhe pse aktualisht brenda saj ka jo pak banditë. Pra, arsyeja pse disa kriminelë janë në politikë, është jo vullneti i mirëfilltë i saj, por, me sa duket, është pikërisht sepse ata janë boba, të pasur dhe të fuqishëm. Në njëfarë mënyre ata kanë blerë pushtet, duke e ndotur fillimisht pushtetin dhe duke e sunduar ndonjëherë ose shpeshherë atë… Çështja që shtrohet sot është: A ka vullnet politika, pushteti, por edhe moral, që ashtu si bleu dje ndotjen -duke futur kriminelë në radhët e saj- të blejë sot ndershmëri, ndërgjegje, moral, duke i nxjerrë ata jashtë saj, për të pastruar vetveten?
Pyetja që nuk është aq fëmijërore është se kush do ta bëjë këtë gjë, sepse kësaj pyetjeje nuk mund t’i përgjigjet askush.
Zbërthyer sërish si ylberi, pyetja më lart shpërbën pyetje të tjera. A mund ta pastrojnë moralin e politikës po ata që e nxinë? A mund të pastrojë vetveten politika nga krimi, ndërkohë që vetë ajo është e ndotur dhe e korruptuar? A mund të ndodhë një vrasje e tillë kolektive e ndërgjegjes në një sistem ku gjithmonë ka munguar ndërgjegjja dhe ndershmëria? Pra, të gjithë thonë dhe bërtasin të dekriminalizohet vendi, vetë politika, që është shkaktarja kryesore e ndotjes, shoqëria civile, media apo dhe vetë qytetarët… Thonë e bërtasin, por askush nuk thotë se si mund të bëhet kjo gjë. Madje vetë politika, e pamoralshmja, faqezeza, çirret më shumë. Edhe sikur të kishte një vullnet për vetëpastrim, nuk është aq e thjeshtë. Të pastrosh moralin nuk është si të qërosh një karotë… Të pastrosh moralin do të thotë të ndryshosh dhe të kuptosh që pastrimi më i mirë është të largohesh nga skena… Por kush nga politikanët e përfolur do ta ndjente aq qartë vrasjen e ndërgjegjes sa, për hir të pastrimit, të linte me vullnet karrigen e vet, favoret dhe fodullëkun?
Edhe pse kumbon utopike, pastrimi në thelb nënkupton ikje! Ikje nga pushteti, jo nga përgjegjësia; prandaj është i vështirë, për të mos thënë i pamundur. Përfytyroni me radhë fytyrat e yndyrosura të bosëve tanë të pushteteve andej e këtej, një për një. Vendosini në rresht, aq sa të kuptohet që janë mostra të dala nga i njëjti kallëp, të prodhuara nga i njëjti vullnet. Nuk po përmend emra, por dihen. Janë të njohur, disa të famshëm, të preferuar, të përzgjedhur, të përkëdhelur. Atëherë, cili prej tyre do të ikte vullnetarisht dhe do të pranonte të hetohej, në fillim për arsyen se përse ka votuar ose heshtur kur janë hapur dyert për kriminelë dhe në fund të jepte llogari për pasurinë, për vilat, për mëkatet dhe bizneset e veta. Kush? A ka një person të vetëm që do të guxonte ta bënte këtë gjë?! Përgjigjja është e qartë për të gjitha gjallesat e këtij vendi. Askush. Nga i pari tek i fundit nuk kanë as kurajën, as vullnetin, as dëshirën, as burrërinë ta bëjnë këtë gjë. Pse? Sepse janë të pisët dhe, veç kësaj, do t’i priste dhe do t’i gjykonte drejtësia, natyrisht nëse do të ketë të tillë ndonjëherë. Ja ku dolëm te halli tjetër. Sjellë në jetën e shqiptarëve si një “vejushë e zezë”, që nxin prej korrupsionit më shumë se politika, së cilës i ka shërbyer deri tani si lavire, aq më pak gjeneron shpresë për pastrim. Ndoshta pastrimi duhet të fillojë pikë së pari nga ajo, por si? Këtë gjë mund ta bëjë vetëm politika, që është e pisët për vete. Ja ku dolëm në një rreth vicioz pa hyrje, pa dalje, pa dritë. Ne ankohemi për drejtësinë tonë të padrejtë, por harrojmë se ashtu si politika tek ne është pjellë e shëmtuar e shoqërisë, drejtësia është pjellë e shëmtuar e politikës. Dhe sarkazma, si një vorbull fati për ne, vazhdon… pështjellimin.
Atëhere ç’ndodh? Një ide do të ishte të nxiteshin faktorë të tjerë, që së paku t’i bënin në kohë presion politikës me denoncime publike për zyrtarët e korruptuar dhe politikanët e kriminalizuar. Media (shtypi, televizioni), shoqëria civile. Por edhe kjo flakë qiriri: ndërsa e para është e kapur nga politika, e dyta është e lëshuar, e braktisur nga politika. Do të duhej që shteti të kujdesej në mënyrë që shoqëria civile të kishte tjetër zë dhe tjetër mision, por edhe kjo kërkon një vullnet të fortë, të cilin shoqëria nuk e ka. Ca më pak politika. Aq më pak drejtësia…
Çfarë ndodh atëherë? Askush nuk e di! Profetët janë në dilemë, liderët janë në krizë… banditët janë me pushtet. /tesheshi.com/