Debati mbi reformën institucionale dhe numrin e ministrive në qeverinë e rradhës, nuk po arrin që të ngrihet as në nivelin e lojës me kungulleshka; d.m.th të debatohet të paktën për numrin e ministrive apo për emërtesën e tyre; ndërkohë që vëmendja dhe kurioziteti i opinionit publik vazhdon të ushqehet vetëm me histori emrash; kush rri dhe kush ikën si ministër, kush i merr superministritë dhe kush do marrë ato në bisht të tavolinës së qeverisë, vendi ku zakonisht ka qëndruar ministri i Kulturës.
Do të duhej që reforma institucionale, dhe për më tepër përcaktimi i numrit të ministrive që për rrjedhojë do të përcaktonte edhe masën e qeverisë, një qeverri e madhe apo qeveri e vogël, të kishte ngjallur diskutime dhe të kishte prodhuar më shumë interes publik, pasi këto janë vendime që ndikojnë drejtpërdrejtë në cilësinë e shërbimeve dhe garancive që presin qytetarët e një vendi.
I gjithë debati mbi llojin e qeverisë ngrihet mbi rolin dhe fuqinë që duhet të ketë ajo në jetën e një shteti. Një qeveri e madhe synon të jetë aktor kryesor duke luajtur rol kyç në jetën e qytetarëve që ajo drejton. Ndërsa koncepti i një qeverie të vogël apo të kufizuar është një koncept liberal në filozofinë politike në të cilën fuqia e qeverisë është e kufizuar me ligj. Madje konservatorët anglezë përdorin termin “nanny state” kur politikat e një qeverie janë tepër mbrojtëse për qytetarët e saj, duke e krahasuar rolin e kësaj qeverie me rolin që një dado ka në rritjen e fëmijëve.
Debati mbi rolin dhe madhësinë e qeverisjes nuk është një debat modern; ai është më i vjetër se edhe vetë historia e themelimit të kombeve, siç është rasti i përplasjes së dy mendimeve mbi mënyrën e strukturimit të qeverisë amerikane, pikërisht pas momentit të bashkimit të saj dhe zgjedhjes së G. Washington si presidenti i parë amerikan. Nga njëra anë ishin federalistët, të udhëhequr nga Aleksandër Hamilton dhe Xhon Adams, të cilët kërkonin një qeveri të madhe, dhe nga ana tjetër debatit ishin republikanët e drejtuar nga Tomas Xheferson që mbronin idenë e një qeverie të vogël.
Koncepte në filozofinë e qeverisjeve si ai i “rrugës së tretë” apo “përtej së majtës dhe të djathtës”, kanë bërë që edhe në Shqipëri kapërcimet ideologjike të mos jenë më tabu. Propozimi për qeveri të vogël, koncept thellësisht liberal, vjen sot nga një qeveri e traditave të majta. Në këtë kuptim nuk ka më vlerë që debatet të shtrohet në planin ideologjik. Ndoshta diskutimi duhet të transferohet në një rrafsh tjetër. Për ta kuptuar këtë reformë dhe për të mundësuar një parashikim për ecurinë e saj duhet kuptojmë qëllimin apo arsyet që kanë sjellë një propozim të tillë. Referuar edhe urtësisë profetike e cila na kujton se “veprat vlerësohen sipas qëllimit dhe çdonjëri merr si shpërblim atë që ka patur si qëllim”, diskutimi merr më shumë karakter moral se sa ideologjik apo teknik.
Pyetja bazë nga e cila mundet të nisim një diskutim të tillë është:
- Cili mund të jetë qëllimi dhe synimi që e ka çuar kryeministrin Rama te vendimi për të patur një qeveri të vogël e për rrjedhojë të minimizohet roli i shtetit në detyrimin për të pëmbushur nevojat e qytetarëve?
Përgjigjia e parë që do të duhej të vinte është se me një qeveri të vogël, ku shumë nga detyrimet e tij shteti i realizon përmes sektorit privat, qytetari do t’i ketë shërbimet edhe më cilësore. Nuk jam i prirur ta besoj këtë mendim si nxitësin e vetëm të kësaj reforme. Nuk besoj se privati dhe interesat e tij ekonomike do të mund të ofrojnë sot një shërbim cilësor për të gjitha shtresat e popullatës. Besoj se shteti edhe për shumë kohë duhet të mbajë mbi vete detyrimin për të garantuar edhe kategorinë e pamundur ekonomikisht për të përfituar nga shërbimet që nesër do të ofrohen nga privatit.
- A mundet që pas kësaj reforme të qëndrojë nevoja për të ulur shpenzimet dhe buxhetet shpesh herë të fryra dhe të shpërdoruara nga administrata qëndrore dhe ajo vendore?
Edhe pse këtu mund të ketë pjesë të së vërtetës, përsëri është shumë pak për të besuar se vetëm nevoja për të kursyer e ka shtyrë kryeministrin Rama të kërkojë një ndryshim kaq rrënjësor të formatit të qeverisë.
- A fshihet pas reformës dhe shkrirjeve të ministrive qëllimi për të larguar në një mënyrë të butë ata që dje ishin pjesë e bashkëqeverisjes në administratë?
Ky do të ishte përdorimimi më mjeran i reformës nga ku pas largimit të një pjese të administratës, kjo reformë nuk do të prodhonte më asgjë pozitive, madje shumë shpejt do të prodhonte vetëm pakënaqësi popullore.
- A mundet që kjo reformë të jetë e ideuar dhe mbështetur nga ndonjë segment i biznesit që kërkon të përfitoj fonde publike dhe më shumë pjesë në shërbime?
Edhe nëse nuk është e vërtetë apo e vështirë për t’u vërtetuar, presioni i biznesit privat për të përfituar fonde publike dhe për të hyrë me shërbime në atë pjesë të hapësirës që deri dje ishte domen i shtetit, mbetet një rrezik i vazhdueshëm në rugën e funksionimit të veprimtarisë së një qeverie të vogël.
- A mundet të jetë kjo tërheqje shprehje e pamundësisë për të realizuar detyrimet dhe për më tepër shprehje e frikës nga besimi popullor dhe timoni i vetëm në dorë?
Ky është një rast ideal për t’u analizuar në fushën e psikologjisë së qeverisjes sjelljen e fituesit pas zgjedhjeve. Duhet parë hap pas hapi se sa i përgatitur ka qenë Rama për këtë fitore dhe nëse do të ketë fuqi që tortën e pushtetit ta konsumojë ashtu si edhe thonë në jug, “pushteti është një tortë që duhet konsumuar me kruajtëse dhëmbësh”.
Mandati i plotë që mori pas zgjedhjeve të 25 qershorit i lejon PS-së të qeverisë e vetme. Kjo ishte edhe kërkesa kryesore që u artikulua ditëve të fushatës e përkthyer në metaforën e “timonit”. Çuditërisht, jo shumë kohë pasi votuesit i dhanë një votbesim të plotë Rama, po tenton të ndajë pushtetin. Dëgjesat qytetare synojnë të përcjellin edhe mesazhin se do të qeverisim së bashku, ku mund të nënkuptohet që edhe riskun e dështimit do ta ndajmë së bashku. Antikonformist në thelb të pjesës më të madhe të veprimtarisë së tij, edhe këtu Rama ofron një formulë interesante për t’u parë se si do të funksionojë: Kuvendojmë për pushtetin me qytetarët dhe ushtrojmë pushtetin me sektorin privat për qytetarët!
Në njërën prej enciklopedive më të njohura botërore, termi “qeverisje” shpjegohet si “një sistem kontrolli social nën të cilin e drejta për të bërë ligje dhe e drejta për t’i zbatuar ato, i është dhënë një grupi të veçantë në shoqëri i cili merr përsipër të drejtojë vendin”. Në këtë kuptim, koncepti i “timonit” që rrjedh nga ai i drejtimit nuk është një gjetje hokatare e kryeministrit por është një figurë që lidhet me thelbin e detyrimeve të tij, drejtimin. Le të urojmë dhe të shpresojmë se ky 4-vjeçar nuk do jetë një “traffic jam”.
p.s: Ulja e numrit të ministrive në thelb ëshë e nevojshme, por ndoshta duhet të organizohet në faza: në çdo vit të mandatit të dytë të shkrihen apo bashkohen disa ministri apo institucione të tjera, për të patur një proçes të kontrolluar në efektet e tij. Gjithashtu, proçesi duhet të jetë konsensual dhe i dakortësuar me të gjithë spektrin politik, pasi ndërrimi i shpeshtë i strukturës së qeverisë rrezikon të sjellë më shumë kosto se sa benefite për publikun. /tesheshi.com/