Mbresëlënëse protesta e studentëve! Shuplaka e duhur një regjimi që prej vitesh po e fsheh impotencën e vet pas arrogancës dhe inkompetencën pas ekzibicionizmit prej kuplaraje.
Megjithatë protestës së tanishme i mungon ende diçka: ARTIKULIMI POLITIK. I cili nuk ka lidhje me angazhimin parazitar të politikanëve tashmë të konsumuar. Në fakt protesta ËSHTË politike; dhe i mbetet që ta fitojë sa më shpejt vetëdijen e qartë, PUBLIKE, për këtë; dhe të mos lejojë forca politike parazitare që të përfitojnë “falas” nga mobilizimi i tyre dhe energjia e protestës.
Duke filluar nga vetë kërkesat që janë parashtruar deri më tash, dhe që nuk po më duken në lartësinë e mobilizimit dhe as të virtytit kolektiv të pjesëmarrjes.
Studentët dëshpërohen për tarifat e larta jo pikërisht sepse nuk i përballojnë dot, por sepse këto tarifa NUK U GARANTOJNË ASGJË – as punësim të mirë, as status, as mundësi për karrierë. Investimi që bëjnë ata vetë për të marrë arsim të lartë NUK U KTHEN praktikisht asgjë. Prandaj edhe kjo protestë, si ajo e krizës së shoqërive financiare të vitit 1997 (piramidave) i detyrohet, në thelb, zhgënjimit të investorëve që e shohin veten të prerë në besë dhe të braktisur prej SHTETIT; në kuptimin që tarifat janë duke i përjetuar si TAKSA.
Po të ishte universiteti publik i lakmueshëm dhe i nivelit mesatar europian, ASKUSH nuk do të ankohej për këto tarifa.
Ka ende kohë që protesta ta shprehë si objektiv të vetin kryesor dhe të vetëm reformën themelore të Universitetit Publik, me synim përmirësimin e të gjitha parametrave cilësorë – nga struktura e lëndëve, të profili i pedagogëve, te numri i studentëve, te bibliotekat dhe laboratorët dhe terrenet sportive dhe institucionet kulturore satelitore dhe kështu me radhë.
Ky objektiv, që të arrihet, kërkon investime serioze nga fondet PUBLIKE; investime të pakrahasueshme me këto të derisotmet.
Po a mund ta përballojë Shqipëria një universitet publik që të jetë edhe cilësor (më i miri në vend), edhe falas, edhe i hapur masivisht për të gjithë?
Le të mos gënjejmë veten kot: Shqipëria, me këtë ekonomi të sëmurë që ka sot, NUK MUND TA PËRBALLOJË atë universitet publik që duam.
Prandaj është e kotë të kërkosh EDHE ulje të tarifave, EDHE rritje të cilësisë së procesit mësimor dhe akademik, EDHE përmirësim radikal të kushteve ku zhvillohet mësimi dhe të shërbimeve aksesore (biblioteka, laboratorë, etj.).
Edhe sikur shteti të përdorë paratë që deri më sot i shpenzon për panem et circenses, të tilla si spektaklet në sheshe ose bojatisja e fasadave ose BUTAFORIZIMI i mjedisit publik; ose edhe t’ua heqë krejt financimin publik partive politike dhe të përgjysmojë numrin e deputetëve; madje edhe sikur të taksojë dyfish a trefish universitetet private, të cilat e ushtrojnë veprimtarinë e tyre ME QËLLIM FITIMI. Vetëm një ekonomi e shëndetshme do të mund ta garantonte universitetin cilësor falas, ndërsa ajo e Shqipërisë është krejt anemike. Për të njëjtën arsye, argumentet që sillen se Danimarka ose Luksemburgu e kanë universitetin publik falas janë vetë-kundërshtuese, sa kohë që në ato vende universitetin falas e mundëson vetë SASIA ABSOLUTE E TAKSËS (absolute, jo relative) që vilet mbi të ardhurat shumë të larta për frymë të popullsisë.
Cila do të ishte, pra, një zgjidhje në momentin e tanishëm?
Nuk sugjeroj dot gjë tjetër, veç një projekti për elitarizimin të Universitetit Publik, nëpërmjet NUMRIT TË MBYLLUR; në kuptimin që vetëm studentët e shkëlqyer të fitonin, me konkurs, të drejtën për të studiuar falas, ndërsa të tjerët të kanalizoheshin drejt zgjidhjeve të tjera – instituteve profesionale, universiteteve private – të mbrojtur nga një legjislacion i cili t’u lejonte të paguanin studimet ME HUA TË BUTA (të shlyeshme vetëm PAS MBARIMIT TË STUDIMEVE dhe vetëm sa kohë që studentët tashmë të diplomuar të jenë në punë); kombinuar me një sistem bursash dhe ndihmash për ata më në nevojë. Një universitet publik i vogël dhe me degë me rëndësi kritike për jetën e vendit, ku të kultivohej sistematikisht mendja kombëtare, do të mund ta realizonte pastaj më lehtë hopin cilësor drejt niveleve të synuara për cilesinë, duke lejuar njëkohësisht kultivimin e një profesorati të paguar mirë dhe të përkushtuar ndaj mësimdhënies universitare dhe kërkimit shkencor, me studentët dhe PËR studentët. Vetëm në një etapë të dytë, mund të krijoheshin kushtet për zgjerimin gradual të numrit të mbyllur, krahas edhe forcimit të ekonomisë së vendit.
Gjetja e një zgjidhjeje për KRIZËN e arsimit të lartë është me rëndësi kritike për Shqipërinë, sepse në universitete formohet elita e vendit; prandaj edhe nuk mund të shpresohet në arna dhe masa gjysmake dhe padronizime. Nuk më duket se qeveria e tanishme do të jetë në gjendje të japë ndonjë rrugëdalje – pavarësisht gatishmërisë për t’i ulur tarifat (koncesion i vogël dhe i lehtë). Madje disa nga politikanët e sotëm janë kaq të etur për të qëndruar në pushtet, sa të tregohen gati të kalojnë edhe ndonjë ligj që t’ua japin studentëve diplomat falas dhe në dorë, me t’u regjistruar këta në universitet. A nuk ish vallë ky parlament që, vetëm para pak muajsh, kaloi një ligj AD HOC për të shembur Teatrin Kombëtar? Prandaj objektivi logjik i protestës së tanishme do të ishte TË PAKTËN riformulimi me themel i qeverisë ekzistuese dhe zëvendësimi i saj me një ekip në gjendje të realizojë REFORMËN RADIKALE TË ARSIMIT TË LARTË.
Marrë nga faqja e autorit në FB