Ne e dimë se disiplina e marrëdhënieve ndërkombëtare na mëson se politika jashtme është instrument për mbrojtjen e interesit shtetëror, dhe siç e dimë edhe nga e kaluara kombet e mëdha, nuk janë bërë nga brenda, por për nga jashtë, pra, vetëm një Politikë mjeshtërore e Jashtme, një politikë e veprimeve domethënëse, mundëson një Politikë të brendshme, frytdhënëse – ka thënë dikur José Ortega Gasset.
Po ashtu vlen të përmendet ajo që ka thënë njeriu me më influencë, reputacion dhe ndikim brenda shtetit francez dhe me gjerë në vitet e udhëheqjes së tij, ish-presidenti i Francës Charles de Gaulle, se “midis shteteve nuk ka miqësi, por vetëm interesa“.
***
Pra, edhe ne mund të themi se midis SHBA-s dhe Iranit nuk ka miqësi por vetëm interesa, dhe, duke ditur këtë fakt, të dy shtetet e lart cekura kanë qenë në konfrontim që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979 dhe hyrja e dhunshme e iranianëve në Ambasadën e SHBA me pengmarrjen famëkeqe të atij viti.
Kronologji e shkurtër e konfliktit SHBA-Iran
Më 8 maj 2018, presidenti amerikan Donald Trump njofton tërheqjen e SHBA nga një marrëveshje bërthamore e fuqive botërore me Iranin, e nënshkruar nga paraardhësi i tij, Barack Obama, gjë që lejoi një relaksim të sanksioneve ndaj Iranit në këmbim të kufizimit të programit bërthamor dhe mbikëqyrjes së zgjeruar të OKB. Në muajt që pasuan, SHBA forcoi sanksionet, duke përkeqësuar krizën ekonomike të Iranit.
Në vazhdën e kësaj, më 5 nëntor 2018, SHBA vendosi sanksione të ashpra ndaj industrisë së naftës në Iran, e cila është jetike për ekonominë e vendit, me një listë të 12 kërkesave që Irani duhet të plotësojë për të ulur sanksionet. Irani ka hedhur poshtë ato kërkesa, përfshirë ndërprerjen e mbështetjes për grupet e armatosura në rajon, tërheqjen nga lufta civile siriane dhe ndalimin e programeve të raketave balistike.
Gjithashtu, më 5 maj 2019, Shtetet e Bashkuara njoftuan vendosjen e bartësit të aeroplanëve luftarakë “AbrahamLincoln” dhe grupit të bombave në përgjigje të “shenjave të shumta shqetësuese të përshkallëzimit dhe paralajmërimit”, pa dhënë detaje, dhe se çdo sulm i mundshëm do të përgjigjej me forcë të pamëshirshme.
Konflikti SHBA-Iran i shkaktuar së fundmi
Në nëntor 2019, protesta shpërthyen në qindra qytete në Iran pas një vendimi për të rritur çmimet e karburantit. Shkalla e protestave dhe e përballjeve me protestat pasuese është e vështirë të përcaktohet, por Amnesty International më vonë vlerësoi se më shumë se 300 njerëz ishin vrarë. Si rrjedhim i kësaj. më 27 dhjetor 2019, një amerikan u vra në një sulm me raketa në një bazë në Irakun verior dhe u plagosën disa ushtarë amerikanë dhe irakianë, sipas raportimit të mediave të huaja botërore, dhe për këtë dihet se SHBA kanë fajësuar Kataeb Hezbollah, një nga disa grupe të armatosura që veprojnë në Irak me mbështetjen e Iranit.
Më 29 dhjetor 2019, të paktën 25 luftëtarë u vranë në sulmet e SHBA në pozicionet e Kataeb Hezbollahut në Irak dhe Siri, duke shkaktuar kërcënime për hakmarrje, pasi sulmet u trajtuan dhe si shkelje flagrante sovraniteti.
Më 31 dhjetor 2019, qindra protestues pro-iranianë depërtuan nëpër rrethojën e jashtme të ambasadës amerikane në Bagdad dhe zhvilluan një protestë dy-ditore, gjatë së cilës ata shkatërruan dritare, ndezën zjarre, ndërsa marinsat amerikanë që ruanin objektin u përgjigjën me gaz lotsjellës
Më 3 janar 2020, gjeneral Qasem Soleimani, kreu i njësisë elitare të Gardës Revolucionare Iraniane, u vra në një sulm ajror amerikan pranë aeroportit të Bagdadit, dhe Pentagoni njoftoi se Soleimani ishte vrarë nën urdhrat e presidentit amerikan Donald Trump.
Udhëheqësit në Kongres dhe aleatët e afërt të SHBA-së kanë thënë se nuk janë konsultuar në lidhje me sulmin, nga i cili shumë frikësohen se mund ta nxisë luftën.
Më 5 janar 2020, Irani ka njoftuar se nuk do t’i përmbahet më marrëveshjes bërthamore, dhe parlamenti irakian miratoi një rezolutë përmes së cilës kërkohej dëbimi i të gjitha forcave amerikane nga Iraku. Rreth 5.200 trupa amerikane janë vendosur në Irak për të parandaluar rishfaqjen e Shtetit Islamik.
Më 8 janar 2020, Irani gjuajti disa raketa balistike në dy baza amerikane në Irak si hakmarrje për vrasjen e Soleimanit. Deri më tani nuk ka raporte për viktima, dhe presidenti amerikan shkroi në Tëitter se “gjithçka është mirë” dhe më vonë do të dalë me një deklaratë, ndërsa udhëheqësi i lartë i Iranit tha se ishte ‘një shuplakë për amerikanët’, por ai veprim ushtarak nuk ishte i mjaftueshëm.
Pra, ky sulem i SHBA-së në Iran mund të ketë qëllim në shikim të parë luftën ndaj terrorizmit iranian në rajonin e Lindjes së Mesme, por nëse thellohemi më tej mund të shikojmë se konflikti Iran-SHBA, më shumë ka të bëj me luftën për dominim dhe influencë rajonale ekonomiko-politike në rajon, ku nga njëra anë është SHBA me shtetet aleate ku veçon Izraeli, e nga ana tjetër Rusia dhe Kina me shtetet e tyre, ku veçon Irani.
Tani mbetet të shihet sesa do të ketë aftësi administrata e presidentit Trump të përballet me pasojat e këtij konflikti, e që për shumë demokratë në SHBA konsiderohet si rrugë pa dalje.
***
Për fund, mund të themi se mësimet më të mira nga konflikti i fundit në mes të SHBA-së dhe Iranit, për presidentin dhe administratën Trump, konsideroj se mund të merren nga ish-presidenti amerikan J.F.Kennedy, i cili ka theksuar kur SHBA ndodhej pranë krizës së raketave me Kubën se “Politika e jashtme të humb shtetin, ndërsa politika e brendshme vetëm pushtetin”. Pra, me të drejtë këto ditë shumë qytetarë amerikanë dhe jo vetëm, kanë bërë këtë pyetje mos sulmi i Trumpit në Iran, ishte gabim në politiken e tij të Jashtme, apo shfajësimi tij për akuzat që e presin në Senat rreth keqpërdorimit të pushtetit të tij presidencial për interesa elektorale. Pra, konflikti në fjalë, SHBA Iran duhet të ndalet me kaq, në mënyrë që mos të zgjerohet nga një konflikt rajonal, në atë botëror. /tesheshi.com/