“Ata që e trajtojnë politikën të ndarë nga morali, nuk e njohin as njërën as tjetrën!”
John Morley
Sot, 11 prill, në Shkup, kalova Urën e Gurit, dhe duke ecur drejt në një banke për të kryer një akt adamsmithian, sytë e veshët i drejtova kah një shitës ambulant librash, që një koleksion të vjetër të disa dhjetëra veprave mundohej t’ia shiste një femre maqedonase, e cila për tërë atë kuti librash, ndoshta nja 70-80 tituj, ofronte 15 euro dhe negocimin e zgjaste me shprehjen, “Ta mbyllim me hallall”. Pra, të dyja palët të ishin të kënaqura nga transaksioni. E kësaj i thonë universali etike, thelb gjithënjerëzor i ndërgjegjshmërisë, thashë.
Fillova të flas me veten, i fascinuar nga kjo grua që përdor terminologji që të mban ngjall besimin te homo ethicus. Dy-tri ditë pas mega-skandalit të funksionarëve të lartë të partisë shqiptare pushtetare në Maqedoni, tek shkoja drejt mësonjtores për të mbajtur leksionin, u ndala nga një koleg universitar, i cili pasi kishte parë emisionin në TV Shenja lidhur me binomin morali dhe politika, nisi një bisedë të bazuar në tezën e tij se etika dhe morali janë dy të kundërta, se në politikë ka vetëm forcë dhe interesa. S’kishte faj ai, se ashtu ishte edukuar në periudhën e së shkuarës, kur ideologjia politike ishte e shkëputur tërësisht nga vlerat sublime, nga moraliteti që nënkupton rendin e brendshëm, rregullat e të cilit e shfaqin veten përmes sjelljeve (Lalande 2014). Ç’është më e keqja, edhe sot sociologjia dhe antropologjia politike tentohet të ndërtohen mbi makiavelizmin dhe pragmatizmin klasik që nuk njeh kulturë politike moralizuese. Kjo është një nga arsyet pse po përjetojmë deficitin e besimit (trust deficit), panikun moral (Thompson), një realitet ky që na bën që të tërhiqemi dhe të depolitizohemi, t’i shmangemi preokupimit me çështjet e polisit dhe t’ua lëmë qeverisjen ose tiranëve, oligarkisë ose demokracisë, që sot në Ballkan shumë i afrohet asaj që Aristoteli e ka quajtur formë e korruptuar e qeverisjes.
Sot si duket po mbizotëron teza e realistëve politikë, që argumentojnë se etika nuk ka vend në politikë, se politikanët, nëse duan të jenë efektivë në botën reale, nuk duhet që të kufizohen nga rregullat morale, se ata duhet t’i ndjekin interesat kombëtare, se etika është e dëmshme dhe kundërproduktive. Nga ana tjetër, në defanzivë është qasja moraliste, moralpolitika, që niset nga paradigma kantiane e imperativit kategorik për pavdekshmërinë e qenies morale, që thotë se atje ku është e mundshme politika, atje është e mundshme edhe politika e moralshme (Aureli).
Në kohën e skandaleve të mëdha dhe të krizës së thellë morale, të jetës brenda gënjeshtrës, të pafytyrësisë organike, shpirti dhe estetika e fjalorit dhe (vetë)disiplinës, profili i qeveritarit dhe e politikanit të kulturuar edhe brendësisht, jo vetëm në aparencë (kostum, kollare, parfum), është një nevojë e domosdoshme e kohës. Në veçanti në trojet shqiptare, ku udhëheqësit e popullit identifikohen me hajnat, mashtruesit, gënjeshtarët, egoistët, ku elitat vuajnë nga sindromi i varfërisë ideore, profesionale dhe etike. Një hulumtim i realizuar nga një studentja jonë në vitin 2011 shënoi se 89.7% e studentëve shqiptarë e shihnin politikën si pushtet, si para, mashtrim, kurse vetëm 8.3% e shihnin atë si shërbim komunitetit.
Të gjitha sondazhet formale dhe joformale tregojnë se figura e politikanit shqiptar është një e keqe e pashmangshme, e një tabori të zgjedhurish që i kemi pasur fat, dhe që vetëm një Zot mund të na shpëtojë prej tyre. Imagjinoni politikanë që deri dje kanë punuar për kafshatë goje të cilët sot bëjnë vila që s’i kanë as prijës të shteteve evropiane, politikanë që kanë bërë para të majme që s’bëhen dot nga rroga, që kanë konkubinat e veta të cilat mund t’i kishin fëmijë për nga mosha, që rrihen e goditen si në arenat romake, që blejnë diploma në fantom-universitete, që ligjërojnë në arsimin e lartë pa ditë përvoje akademike, që akuzohen për afera korruptive, që transferohen nga një spektër politik në një tjetër, që divorcohen e rimartohen, që shpallen të padëshiruar në poste diplomatike, që marrin rroga nga katër vjet pa vajtur në parlament, që s’e njohin elektoratin e vet, që betonojnë data për anëtarësim në BE e NATO dhe kur s’realizojnë premtimin dalin në mejdan pa brejtje ndërgjegjeje, sikur fjala të ishte një asgjë, që defilojnë në prezantimin e ministrave të rinj ndonëse në audioregjistrime shfaqen erotikisht si mos më keq, dhe më pas tentojnë të mbrojnë privatësinë, duke folur për montazhe e skenare të qëllimkëqinjve.
“Unë jam e kuqja…, jo imazh i Pamukut, të cilit shkrimi i shkon për dore, por afirmuesja e vlerave juvenile ministrore!!!”, ishte postimi ynë pas rishfaqjes së deputetes së vetëdegraduar në kuvend si promotore ministrash, si të mos kishte ndodhur asgjë. Dhe një degë e forumit të gruas të BDI-së doli dhe tha se bëhet fjalë për atak ndaj gruas shqiptare. Ndërsa e vërteta është se çdo njeri e bart barrën e bëmave të veta! Të logjikshmit i thanë “Jo” gjeneralizimit! “Mos flisni në emër të të gjitha grave shqiptare. Ruajuni individualisht që të mos keni nevojë për indulgjencë kolektivisht.” Një gjë është e qartë: Jeta private e njerëzve është e shenjtë dhe e paprekshme, është e mbrojtur si me akte juridike ashtu edhe me norma morale, me parime të etikës dhe bontonit. Por politikanët duhet të jenë të vetëdijshëm se janë nën vatrën vëzhguese të qytetarit dhe të mekanizmave të shoqërisë informatike, andaj duhet të kenë kujdes se çfarë veprojnë, si sillen, çka flasin dhe çfarë fjalori e zhargoni përdorin në komunikimin e tyre.
Qarku i privatësisë së politikanëve është më poroz se ai i qytetarëve të thjeshtë, ngase pragma politike nganjëherë, në politikën e sotme të bastarduar, kërkon edhe degradimin e tjetrit, të oponentit, dhe në këtë drejtim zgjidhen metoda deri te ato të diskreditimit përmes jetës dhe preferencave seksuale. Në këtë drejtim, sekscentrikët e pësojnë, sepse bëhen shënjestër e përgjimeve, e regjistrimeve, etj., gjë që nuk u ndodh politikanëve “të cilët ruhen” nga rënia në grackën e dashurive të ndaluara. Rastet e fundit kujtoj se do t’i shtyjnë politikanët që t’i mbledhin mendtë dhe ta dinë se s’ka liri absolute, se s’ka pozitë që të garanton gjithçka, se ka privilegje, por edhe përgjegjësi e llogaridhënie, si për imtësirat ashtu edhe për grand-skandalet.
Ponerologjia politike sjell stigmatizimin e politikës në përgjithësi. Shpërfytyrimi, mençuria e absurdi fqinjërojnë tek njerëzit e gjindshëm, që në këtë ose në atë mënyrë ia dalin të notojnë edhe në ujërat më të ndyta. Megjithatë, duhet ta dinë se një ditë japin llogari, do të ndëshkohen nga zgjedhësit, do të vdesin para se të vdesin fizikisht. Për të ruajtur imazhin edhe në politikë, por edhe gjetiu, duhet pasur prasysh një thënie të thellë që reflekton moralizëm: “Nëse s’ke turp, puno çfarë të duash!” Zoti na ruajttë nga të pafytyrët. Habitem pse nuk ndalen pak të shikojnë botën e qytetëruar, se si njerëzit dinë të tërhiqen kur mëkatojnë politikisht. Presidenti gjerman Wulf, i akuzuar për favoritizëm dhe veprim joetik, pati dhënë dorëheqje vetëm për shkak të një pushimi në një hotel të paguar nga ca miq afaristë. Një ministër nordik kishte dhënë dorëheqje për shkak të skandalizimit të një suveniri disadollarësh të blerë në Afrikë, që nga gazetaria ishte ekzagjeruar në disa qindramijëra dollarë. Brooks Newmark, ministër britanik i shoqërisë civile u vetësuprimua nga politika për shkak të disa fotografive eksplicite që ia kishte dërguar një femre përmes rrjeteve sociale.
Dhe jeta vazhdon, politika gjithashtu, me ne ose pa ne. E jona është që të reagojmë ndaj të keqes në çdo sferë të jetës dhe të kultivojmë politikbërës të mirë e moralistë. Në këtë drejtim, lënda e etikës duhet të afirmohet, duhet të jetë prezente në të gjitha nivelet e arsimit, nga ai fillor deri te shkollimi universitar e më tej. /tesheshi.com/