Shumëkulturësia apo fryma e multikulturalizmit haset shumë shpesh në përdorim në dekadat e fundit në vendet perëndimore, si, dhe pas Marrëveshjes Kornizë të vitit 2001, edhe në Maqedoni, në debatet teorike dhe publike në segmentin e politikave kulturore, në kontekst të pyetjes nëse vallë duhet të ketë një shtresim kulturor (kulturë dominante dhe ato të shkallës së dytë) ose relativizëm kulturor (secila kulturë është e rëndësishme, andaj dhe meriton trajtim të barabartë).
Ndër shprehjet apo frazat më të përdorura në shoqërinë e sotme postmoderne janë edhe nocionet multikulturalizëm, multikulturë, multikulturor, politikat e njohjes, diversiteti, mirëkuptimi i tjetrit dhe të qenit ndryshe, i ndryshmi, tjetri, etj. Multikulturalizmi është në fakt një lloj i politikës publike që ka të bëjë me dallimin e kulturave në shoqëritë multietnike, sidomos me problematikën se si duhet të trajtohen këto dallime, si të menaxhohen në shoqëri dhe në shtet, pra, në kontekstin politik dhe shoqëror. Ai paraqet një nocion që mund të ndërlidhet me relativizmin kulturor kundrejt absolutizmit kulturor, apo dominimin e një elementi kulturor, etnik apo fetar, një realitet që është shumë problematik në ndërtimin e një shoqërie funksionale. Në aspektin normativ, ky nocion nënkupton pranimin e dallimeve, të drejtën që kulturat e ndryshme të respektohen, dhe përfitimin si një tërësi nga dallimet morale, kulturore dhe antropologjike.
Kumanova, një qytet në pjesën verilindore të Republikës së Maqedonisë, me një lartësi mbidetare prej 340 metra, është e vendosur në kryqëzimin e dy korridoreve më të rëndësishme në vend (Korridori 8 – Korridori 10), vetëm 40 km nga kryeqyteti i RM–së, Shkupi. Kumanova është komuna më e madhe në Maqedoni në aspektin hapësinor, me një sipërfaqe prej 509.48 km². Sipas regjistrimeve të ruajtura të popullsisë nga periudha osmane, në vitin 1900, në Kumanovë dhe në rrethin e saj, defterët reflektojnë multikulturalitet: maqedonas, shqiptarë, serbë, turq, romë, tatarë, çerkezë, grekë, hebrenj… Pas luftërave serbo-turke, nga viti 1876-1878 në Kumanovë shpërngulen rreth 3.000 emigrantë nga zonat serbe, etj., të ashtuquajtur muhaxhirë nga Nishi, Leskoci, Vranja, gjë që ka pasur një ndikim të fuqishëm mbi strukturën etnike të popullatës në qytet, gjegjësisht në rritjen e zhvillimin e tij të përgjithshëm.
Faktet e para për vendbanimin e Kumanovës datojnë nga viti 1519, ndërsa burimi i informacionit vjen nga arkivat e Stambollit, Turqi. Fillimisht kjo zonë ka qenë e banuar nga 52 familje dhe 300 banorë. Të dhënat më të detajuara janë nga Evlija Çelebia, i cili ka udhëtuar në këtë rajon dhe ka shënuar si vijon: “Vendbanimi i Kumanovës gjendet në territorin e Sanxhakut të Shkupit. Qyteti ka shumë lumenj, dhe rreth 600 shtëpi të mbuluara me pllaka mbuluese. Xhamia, që ndodhet në zonën tregtare, është e bukur, dhe ka një shkollë (medrese), hamam, qendër tregtare, ndërsa klima në qytet është e freskët. Në të ka shumë fusha vreshtore dhe toka të mbjellura me lloje të ndryshme të frutave.”
Kumanova shndërrohet në zonë urbane, me qendër administrative, në fund të shekullit XVI apo në fillim të shekullit XVII. Pas kryengritjes së Karposhit në vitin 1689, Kumanova hyn në një periudhë të stagnimit, dhe deri në fundin e shekullit XVIII përbën një kasaba (qytezë) turke. Kah fundi i shekullit XIX, qyteti shënon një ngritje ekonomike (në bujqësi, zanate dhe tregti), por pa ndonjë zhvillim tjetër të rëndësishëm industrial deri në fund të Luftës së Dytë Botërore. Pas vitit 1945 Kumanova përjeton një zhvillim të shpejtë ekonomik, administrativ dhe kulturor, i cili zbehet në vitet pas rënies së komunizmit, domethënë, në periudhën e tranzicionit dydekadësh e gjysmë, e cila një pjesë të caktuar të popullsisë e bën që të identifikohet si njerëz që në një numër të madh e sigurojnë ekzistencën jashtë vendit, madje deri në Afganistan.
Kufijtë aktualë të komunës së Kumanovës janë definuar me ndarjen e re territoriale, të miratuar në gusht 2004. Struktura e popullsisë në komunën e Kumanovës është heterogjene, jo vetëm në qytet, por edhe në pjesën më të madhe të zonave rurale, ku jeton popullsi e më shumë komuniteteve dhe grupeve etnike.
Sipas regjistrimit të vitit 2002, numri i banorëve të Kumanovës është 105.484, nga të cilët, sipas përkatësisë etnike, 63.746 janë maqedonas, 27.290 shqiptarë, 292 turq, 4256 romë, 147 vllehë, 9062 serbë, 20 veta e identifikojnë veten si boshnjakë, dhe 671 banorë bëjnë pjesë në kategorinë “të tjerë”. Në bazë të kësaj, mund të themi se Kumanova paraqet një mjedis të vërtetë natyror multietnik; është “Maqedoni në miniaturë”.
Kumanova është një qytet me traditë të gjatë multikulturore, e cila kultivohet sot e kësaj dite. Ajo është një lloj i veçantë i marrëdhënieve ndërkulturore, respektit dhe bashkëjetesës. Pasi arsimi është komponent i rëndësishëm që ndikon në ndërtimin dhe ruajtjen e dallimeve autentike dhe të frymës së pluralizmit, vitet e fundit, sidomos pas Marrëveshjes së Ohrit, me mbështetjen e organizatave ndërkombëtare në Kumanovë organizohen ngjarje të ndryshme kulturore, të cilat si objekt kanë ruajtjen dhe afirmimin e mëtejshëm të multikulturalizmit aktiv. Ndër ato manifestime është edhe aktiviteti Street Festival, i cili mbahet që nga viti 2008; aksion ky për ndërtimin e paqes në mjedis të pas konfliktit në rajonin e Kumanovës, e një festival që duhet t’i bashkojë së bashku të rinjtë maqedonas, shqiptarë e serbë në sheshin kryesor për përvojë muzikore ndërnacionale dhe ndërkulturore. Në vitin 2011, ky manifestim u organizua nën moton “Plug-in Diversity”; një projekt i implementuar nga UNDP-ja, si pjesë e programit të përbashkët “Përmirësimi i dialogut ndëretnik dhe komunikimit mes komuniteteve.” Ky projekt, përmes muzikës dhe artit, kishte për qëllim t’i bashkonte të rinjtë që të marrin pjesë në ndërtimin e një shoqërie gjithpërfshirëse dhe tolerante. E tërë kjo nëpërmjet ndërlidhjes së ideve të të rinjve dhe të vetëqeverisjes vendore, që të ngjallet një vetëdije ndëretnike në jetën kulturore të Kumanovës. Si pjesë përbërëse e projektit ishte edhe videogara “Media for diversity”, e cila vinte theks afirmativ mbi arsimim në gjuhët e komuniteteve.
Në vitin 2010 u hap zyrtarisht në Kumanovë qendra rinore “Multikulti”, mbështetur nga Fondi për Fëmijë i Kombeve të Bashkuara (UNICEF); e para nga tre qendrat e hapura në komunitetet e përziera etnike në vend. Nëpërmjet programeve rinore dhe aktiviteteve jashtëshkollore, qendra “Multikulti” për të rinjtë nga komunitetet e përziera etnikisht ofron mundësi shtesë për socializimin dhe njoftimin e moshatarëve jashtë grupeve të tyre etnike, programe dhe aktivitete jashtëshkollore, siç janë projektet pas mbarimit të shkollës, kurse për lidership, fotografi, gjuhë angleze, gazetari, teatër, animacion dhe film, si dhe shumë aktivitete të tjera, që janë të projektuara për të promovuar tolerancën dhe për ta përmirësuar komunikimin ndërmjet të rinjve kumanovarë.
Qendra për Dialog Ndërkulturor dhe Komisioni për Marrëdhënie mes Bashkësive morën pjesë në 2013-ën në projektin “Modeli i qytetarisë aktive në shoqëri multikulturore”, të realizuar nga ana e Agjensisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Projekti i mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur ndërmori iniciativë për media të shtypura lokale në gjashtë gjuhë, përmes të cilave qytetarët e Kumanovës do të informoheshin për ngjarjet lokale. Në promovimin e kësaj ideje u bë e njohur dhe motoja: “Duhet thënë, qytetar i Kumanovës”. /tesheshi.com/