Reka e Dytë: vitaliteti i mbrojtur nga Islami
Reka, ose lugina e Rekës së Epërme, tani e zbrazur nga popullata, dikur ka qenë vatër e bashkësive të mëdha shqiptare që janë marrë me ruajtjen e dhenve. (Elsie, 2007) Ajo përbën një hapësirë gjeografike të mjerimit shqiptar, të një vatre të humbur të kombit, të zbrazur demografikisht, por edhe të dëmtuar në aspektin strukturor, në aspekt të tretjes së një numri të madh brezash të shpërngulur gjithandej për shkak të problemeve ekzistenciale, luftërave dhe politikave gjenocidale ndër shekuj, e për shkak të diskriminimit dhe segregacionit nga establishmentet dhe pushtetet e ndryshme. Sot mund të flitet për dy Reka, njëra e vdekur ose në komë, ajo e Epërme, dhe Reka e Dytë, e gjallë, e cila nuk është gjeografikisht aty ku ka qenë, por në vise të tjera të Maqedonisë, duke filluar nga Gostivari e deri në Veles, ku bëjnë pjesë fshatra si Karita, Gurgurnica, Sallareva, Saraji, Gërçeci, Krushopeku, Nerezi, Sveta Petka, Jabollca, Patishka Reka, Cërni Vërvi, Jabollçishta, Kllukoveci, Vranovca, Slivniku dhe zona të tjera ku jetojnë mini-komunitete rekase. Reka e Dytë përbën një entitet të gjallë, dinamik e vital, me popullatë qytetare e fshatare që i ruan tiparet e veta shqiptare gjuhësore dhe tradicionale, pa u shkrirë në ndonjë entitet tjetër. Në kontekst të ruajtjes së identitetit rekas dhe atij shqiptar të rekasve, mund të flitet për kontributin madhor që ka dhënë feja islame si vijë ndarëse me komunitetin sllav-maqedonas-ortodoks, që nuk i ka lënë shqiptarët të shkrihen në elementin dominant të shoqërisë sonë, dekada me radhë, qëkur pushteti osman iku nga këto dhera.
Sipas prof. Sinadinovskit (2013), sot mund të flitet për një komunitet rekas 50.000 frymësh të shpërndarë gjithandej Maqedonisë. Faktet nga terreni flasin se Reka shqiptare autentike është e vdekur (Reka e Parë), kurse e Dyta është e gjallë, me impuls demografik, ekonomik, kulturor etj., normalisht e rrezikuar në aspektin gjuhësor për shkak të trysnisë së gjuhës së kodifikuar, por që kultivohet me pasion nga gjeneratat më të vjetra. Natyrisht se shënohen edhe zbehje gjuhësore te ata të rinj që vërehet një hezitim i përdorimit të gjuhës autentike rekase, të cilën e konsiderojnë si “shumë të rëndë”. Lirisht mund të thuhet se apologjetë të rekallizmit shqiptar janë pjesa islamike e rekasve, sepse ata sot janë përfaqësuesit e vetëm të kulturës shqiptare nga Reka e Epërme, së paku që hapur deklarohen se janë shqiptarë, për dallim nga rekasit shqiptarë ortodoksë, të cilët janë një komunitet ose i joshur ose i terrorizuar nga mazhoranca maqedonase ortodokse që të kalojnë në aureolën e maqedonizmës. Sot, edhe kur has në ndonjë rekas (që zakonisht cilësohen si “kushë”, pra kushërinj), mbeten të jetojnë me një identitet publik (maqedonas) dhe me një tjetër, “identitet hije” (shqiptar), të ruajtur në thellësitë e qeniesimit, me një nostalgji për dikurësinë shqiptare. Ata sot i gjeni ose si korexhinj, ose si konsumatorë që vetëm për një çast tregojnë se kush janë dhe shmangen andej për të mos u vërejtur nga pjesëtarët e kulturës asimiluese ose nga nipër-mbesat e tyre që s’e tolerojnë narracionin për gjenezën shqiptare, sepse tanimë janë pjesë e një race tjetër.
Një profesor universitar (J. Abdullai) tregon një rast interesant që i ka ndodhur nga mesi i viteve 1980, kur po kthehej nga vizita që u kishte bërë prindërve, të cilët atëbotë punonin si ëmbëlsirashitës në Petrovac na Mlavi, Serbi. Në kthim, në veturë me vete mori gruan e Tozës (Tozovicën, motrën e Zllate Mallakovskit), fëmijët e së cilës gjithashtu punonin po në këtë qytezë si kornetaxhinj. Kjo plakë, e cila pas 1 majit çdo vit kthehej në vendlindje (Duf), e që verën e kapërcente atje, me të hipur në makinë i kishte shprehur fjalët, “Biri nonës, da folim shyp”, duke iu gëzuar kështu mundësisë të flasë në gjuhën e vet, me të cilën s’ka mundur të komunikojë me fëmijët e saj në Serbi.
Sa i përket pjesës së gjallë tërësisht të rekallizmit të Rekës së Epërme, lirisht mund të thuhet se është tipar i pjesëtarëve të fesë islame. Islami ndër shekuj ka luajtur rolin e faktorit ndarës dhe mbrojtës të kauzës shqiptare, si vijë e kuqe identitare që nuk ka lejuar tretjen në maqedonizëm, në sllavizëm. Të jetuarit me diadën se ne jemi muslimanë e ata (maqedonasit) të krishterë ka formuar një dikotomi të përhershme, që “këta” (muslimanët shqiptarë rekas) s’i ka lënë të bëhen si “ata” (sllavët, maqedonasit). Gjithnjë është kultivuar frika se sllavët mund të na gllabërojnë. Ky është një rrëfim ndërshekullor, dhe me këtë pikëpamje janë rritur brezat. Formula kur’anore, “Ju fenë tuaj, ne fenë tonë”, ose “Ju keni fenë tuaj (që i përmbaheni), e unë kam fenë time (që i përmbahem)” (Kur’an, 109:6), thuajse është shndërruar në formulën, “Ju keni kombin, etnicitetin tuaj, e ne tonin”, andaj muslimanët rekas gjithnjë kanë jetuar pranë kulturës tjetër, asaj dominante sllave, por asnjëherë nuk janë rrezikuar që të integrohen (në kuptim të tretjes) në të ose të gëlltiten e kapërdihen nga ajo. Diferencimi me baza fetare e ka luajtur edhe rolin e diferencimit me sfond etnik-kombëtar. Pra, Islami ka shërbyer si mburojë ose si digë që ka penguar asimilimin apo maqedonizimin e shqiptarëve të Rekës së Epërme. Frymën e rrezikut e kanë kultivuar nënat shqiptare, siç flet shembulli i shkrimtarit të mirënjohur shqiptar nga Gërçeci i Shkupit, Kim Mehmeti, i cili në një emision televiziv mes tjerash tha se nëna, kur është nisur për në shkollë, i është drejtuar me këto fjalë: “Shka me nonën n’shkoll’ veç mas u ba shqa!” (Top Channel). Feja, me diskursin e saj për respekt, por jo edhe për afrim pleksës me fqiun e përkatësisë fetare tjetër, ka ndikuar që shqiptari të ruajë unin dhe identitetin në kontekstin ballkanik, ku kauza shqiptare është e rrethuar nga të gjitha anët me një element sllav që shpeshherë ka qenë agresiv dhe fatal për të. Ndalimi i martesës së femrës muslimane me pjesëtarë të feve të tjera ka qenë një bedem i fortë i apologjisë identitare të rekasve dhe i shqiptarëve në përgjithësi. Një gjë e tillë ka penguar martesat e përziera, familjet e përziera, miqësitë e lidhura që do të gjeneronin në fillim zbehje, më tej shartime, e më në fund edhe zhvatje identitare. Është fakt që sot martesat e rekasve janë kryesisht brendashqiptare, se martesat e përziera janë një tabu edhe ndër shqiptarë edhe ndër maqedonas, gjë që pengon integrimin, por edhe asimilimin, apo krijimin e identiteteve të dyzuara ose të riformatuara. Mbulesa islame (shamia) ka luajtur gjithashtu nëj rol me peshë në ruajtjen e egos kombëtare shqiptare të rekasve. Ajo sot është një simbol i femrës joortodokse, josllave. Pra, mbulesa njëkohësisht përbën edhe një mburojë. Nuk duhet harruar as roli i xhamisë, i imamëve që kanë sakrifikuar edhe jetën për të mbrojtur vlerat kundër çizmeve të ndryshme ndër shekuj që kanë tentuar të shkelin gjithçka josllave. Në këtë drejtim, mund të japim shembullin e xhamisë Husein Shah në Saraj të Shkupit, që daton nga shekulli XVI (1553), e që ka luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e kauzës shqiptare të këtij fshati, madje edhe në shqiptarizimin e tij thujase të tërësishëm si rezultat i shpërnguljeve të shumta nga zona të ndryshme të Dervenit, Karshiakës, madje edhe prej Kosove. Ndonëse regjimi komunist është munduar me të gjitha metodat që ta deshqiptarizojë këtë katund, ka hasur në imazhin dhe soc-konstruktivizmin e xhamisë, që vazhdimisht ka tërhequr shqiptarë, përderisa ky katund arriti të shndërrohet në një ndër fshatrat më të mëdha të Maqedonisë (mbi 1000 shtëpi). Një kohë (pas tërmetit 1963) synohej që aty të ndërtohej një lagje urbane si ajo e Gjorçe II, më pas pati ide për ndërtim të godinave të larta përreth bregut të Vardarit, një përpjekje për ta bërë atë zonë turistike të golfit (Turpurkovski me Komitetin Olimpik Maqedonas), të gjitha me synim të defaktorizimit dhe “dëbimit strategjik” të shqiptarëve. H. Veli Ademi, një banor vendas i këtij fshati, tregon rastin që ka ndodhur kah mesi i viteve 1980, kur në Shtëpinë e Kulturës kishin ardhur dy përfaqësues të Komunës së Karposhit dhe mes të tjerash kishin thënë se fëmijët e maqedonasve që jetojnë jashtë (në diasporë) duan të blejnë e të ndërtojnë shtëpi në këtë zonë deri në Matkë, si një vend i bukurive të jashtëzakonshme, mes dy lumenjve me grykën mbresëlënëse, por ama këtë s’e bëjnë dot për shkak të prezencës së shqiptarëve, andaj – kishin shtuar ata – duhej që shqiptarët dalëngadalë, një nga një, ta lëshonin Sarajin me rrethinë. (5.7.2014) S’duhet minimizuar as prishjet e avllive, provokimet në mejtepin e xhamisë, e të tjera. Përkundër të gjitha përpjekjeve, xhamia u shndërrua në amzë të rezistencës dhe të qëndresës islame-shqiptare.
Fakti i Islamit si element kulturor që ka shkuar në favor të kulturës shqiptare bëhet edhe më i dukshëm kur kemi parasysh faktin tjetër se komunitetet ortodokse shqiptare si në Maqedoni, ashtu edhe në Greqi, nën presionin e ortodoksisë tashmë pothuajse tërësisht janë asimiluar. (Krasniqi, 2014) /tesheshi.com/