Në Maqedoni, ditëve të fundit, krizës politike iu shtua edhe një tjetër, e papritur dhe irracionale: kriza e librit. Shteti, nën pretekstin e kontrollit financiar, ka vënë në shënjestër të observimit qëllimkeq një nga shtëpitë botuese më prestigjioze në vend dhe më gjerë, Logos-A, që ekziston nga viti 1990, dhe që deri më sot ka botuar mbi 1000 tituj (mbi 900 autorë) në shumë gjuhë, shqip, maqedonisht, anglisht, turqisht, etj., duke arritur të gjejë dhe të afirmojë libra origjinalë, autorë të rinj, përkthime cilësore, t’u ndihmojë nxënësve, studentëve, hulumtuesve, hulumtuesve të shkallës së dytë (master) dhe të tretë (PhD). Logos-A, në kohën e krizologjisë së thellë, ia ka dalë të mbijetojë si një yll që ka iluminuar shoqërinë përmes autorëve si Ibn Khaldun-i, Huntington-i, Taylor, McGuire, E. Said, Creswell, Baylon, Montague, Davutoğlu, e të tjerë. Kjo shtëpi botuese ka arritur të bëhet bashkëpunëtore e botuesve prestigjiozë si Sage, Brill, Oxford, dhe kështu të tregojë se bëhet fjalë për një instancë mbimesatare dhe vërtetësisht globale. Pjesë e harkut të veprimtarisë dhe bashkëpunimit të saj janë universitete, ambasada, ministri, fondacione, think-tank-e, institute kërkimore, OJF e të ngjashme.
Përvoja tregon se ky institucion është kreator i një brezi të ri, të arsimuar, të iluminuar, i një fryme të re, i një geisti të ri, që në veçanti viteve të fundit reflektohet në rrjedhat shoqërore. Dhe pushtetin e ka kapluar frika dhe nervoza nga fakti se një pjesë e madhe e intel-brigadës juvenile “të prodhuar” nga Logos-kultura i është bashkëngjitur Lëvizjes Besa, parti politike – dhe më tepër – ngaqë kjo në zgjedhjet e fundit e ka lëkundur shumë seriozisht skenën politike, në të cilën me vite të tëra ka sunduar dyshja VMRO-DPMNE-BDI, e cila me bëmat e veta e ka prurë shoqërinë në këtë shkallë të krizës multidimensionale, kur i atribuohen edhe skenaret më të zeza. Në veçanti BDI-ja nuk pranon asessi ta kapërdijë rënien me rreth 50% të votave, dhe tani, në bashkëpunim me “partnerin strategjik” (VMRO), ndërmerr masa për ta dobësuar – sipas saj – inspiruesin (Logos-A) e kandidatit më serioz (BESA) për të trashëguar kurorën politike të shqiptarëve të Maqedonisë, përfaqësues ky i një qarku të ri intelektual në politikë.
Ky gjah kundërkulturor ka shkaktuar reagime në tërë shoqërinë, në veçanti tek intelektualët, akademia, gazetarët, analistët, e te shumë veprimtarë kulturorë. Thuajse të gjitha reagimet mund të rezymohen në atë se sulmi ndaj Logos-A paraqet akt të barbarizmit bashkëkohor, aksion të “tartarëve të shekullit XXI”, që nuk kanë ndërgjegje për kulturëndërtimin dhe botimet cilësore, për tekstin, shkencën, fjalën, për logosin si vlerë primordiale, për promovimin e aksiologjisë si kusht të ontologjisë sonë, aksion të atyre që mendojnë se një mision dhe vizion mund të atrofohet përmes ndërhyrjes etatiste, përmes psikologjisë së jakëbardhëve burokratë dhe uniformës së policisë financiare. Librin dhe shkencën, që në kushte normale duhet nxitur, mbështetur, ndihmuar, disa qarqe inkuizicioniste dhe të pacivilizuara e sulmojnë me metoda të goditjes së ulët. Një shtëpi me më tepër se 40 tituj në vit, një universitet alternativ në plotkuptimin e fjalës, e trajtojnë sikur të ishte gjenerator i të keqes shoqërore, sikur të bëhej fjalë për një përhapës të dukurive devijante, si të ishte një leviathan social. Në vend që të merren me ndalimin e shpërnguljes së trurit (brain drain), me emigrimin e shtresës më cilësore sociale, me braktisjen e vendit nga popullata rinore e kualifikuar, me narkomaninë, kazinotë dhe bastoret që shtrihen deri në fshatrat periferike, me korrupsionin omniprezent, me çështjen e ajrit në njërin nga qytetet më të ndotura në botë (Tetova), ata na ofrojnë një agjendë të re, bizare: na ofrojnë katarsisin kundërkulturor përmes grushtit të fortë, përmes njëfarë hakmarrjeje politike ndaj një institucioni tejpolitik.
Mund të imagjinoni, në vitin 2016, Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë ka botuar 27 tituj në gjuhën shqipe, kurse vetë Logos-A, 33! Madhështia e Logos-A më së miri shihet kur merret parasysh projekti qeveritar “1000 libra” universitarë, përkthime të literaturës profesionale nga universitetet më prestigjioze të botës, të përkthyera sipas stilit, “Kështu fliste Google-translutra!”, e të cilat thuajse nuk janë të përdorshme për akademinë, për studentët (në veçanti ato shqiptarë). Shembull: “Ç’vendosje e lakores së vëllimit minutë të zemrës kah poshtë është shkaktuar nga…” (L. S. Konstanco, Fiziologjia, Ars Lamina, Shkup, 2012)!
Ky atak kundërlibror paraqet një formë të rikthimit të Mesjetës në postmodernë, një akt të barbarizmit përmes të cilit synohet të heshtet një shkollë e mendimit, një promovues i librit nga lexuesi i thjeshtë e deri te studimet-hulumtimet universitare më sipërore. Këtij “gjahu të librit” i duhet thënë “Jo!” në emër të ardhmërisë tonë, në emër të vlerave universale. Në këtë drejtim, çdo qenie racionale duhet të reagojë, duhet të shprehë qëndrimin e vet pro lirisë, pro fjalës së shkruar, pro të gjithë atyre autorëve që stolisin shtëpitë, zyrat, bibliotekat, libraritë tona… Herakliti (535–475 p.e.s.), fjalën λόγος (logos) e ka përdorur në kuptim të parimit, rendit dhe dijes. Kjo triadë i duhet çdo shoqërie, andaj duhet të jemi me logosin, kundër politikës iliberale dhe anakronike! /tesheshi.com/