1. Një paradite uikendi para TV-së, dhe duke shëtitur shifrat e pultit, një emision në televizionin publik MRT1, “Koha është për bebe (foshnje)”, që ndjek familjet të cilat presin fëmijë, ngjarjet para dhe rreth lindjes së fëmijës së dytë, të tretë. Emisioni në sfond shoqërohet me një këngë, ku mes tjerash thuhet, “të jemi më tepër, për këtë jap gjithçka”, “që në vendin tonë fëmijë të mençur të ecin”, “çdo të tretin qoftë edhe lejleku ta sjellë”, “mendo për ne, mendo për nesër”, “ra edhe ai çast, për një mëngjes të ri”…
“Koha për bebe” emetohet në kanalin publik, në gjuhën maqedonase, që tregon se bëhet fjalë për një strategji shtetërore më të thellë, e cila ka për qëllim nxitjen e martesave tek të rinjtë maqedonas (etnikë), nxitjen e lindshmërisë, rritjen e shkallës së fertilitetit. Dhe analizat e intelektualëve dhe instituteve maqedonase gjithnjë bëhen duke marrë parasysh ndryshorin shqiptar të këtij vendi. Siç dihet, një nga problemet kyçe të shoqërisë bashkëkohore është tkurrja demografike, rënia e lindshmërisë dhe reduktimi i numrit të anëtarëve të familjes, që përbën njësinë themelore dhe funksionale të jetës sociale, qelizën bazë të çdo rendi-organizmi shoqëror.
Me këtë problem ballafaqohen edhe vendit e Ballkanit, e në këtë kontekst edhe Maqedonia, ku në krizë të veçantë është familja maqedonase, e cila dita-ditës po shformohet, duke u kaluar madje edhe te familja njëanëtarëshe, tek dukuria e “beqarëve të përhershëm”. Migrimi fshat-qytet ka shkretuar 70% të fshatrave të Maqedonisë; rreth 500 syresh janë në rrugë të vdekjes, kryesisht në Maqedoninë lindore, të populluar me maqedonas etnikë. Nuk janë të rralla rastet si ai i Vojnishincit, me 90 shtëpi dhe 70 beqarë në kohë. Në rrethin e Shtipit shënohen edhe katunde me dy-tre pleq. Një qytetar e ka përshkruar si vijon gjendjen: “Fshatrat kanë vdekur, jeton vetëm Shkupi.” Banka Botërore publikoi një raport, sipas të cilit deri në vitin 2010 janë shpërngulur nga Maqedonia anekënd botës 447.000 qytetarë, pra 20% e popullatës. (Pajaziti, 2015)
Populli maqedonas viteve të fundit po përballet me një sfidë, me atë të murtajës së bardhë: ka më shumë të vdekur sesa të lindur. Të dhënat e Entit Statistikor flasin se rritje ka vetëm te shqiptarët, romët dhe turqit, pra, te pjesëtarët e fesë islame. Në Maqedoninë perëndimore-shqiptare ka katunde edhe me nga më tepër se 10.000 banorë. Portali ohridon.com shënon se qytetet maqedonase shndërrohen në fshatra, kurse fshatrat shqiptare në qytete. Duke e parë këtë gjendje, qeveria e RM-së ka ndërmarrë masa të shumta financimi të fëmijës së dytë dhe të tretë (për rajonet ku shkalla e fertilitetit është nën rritjen natyrore; ligj racist ky, që u abrogua nga Gjykata Kushtetuese), të mbështetjes së familjeve me veshmbathje, pajisje, ushqim dhe prodhime higjienike për fëmijë, të avancimit të shëndetit reproduktiv, të mbrojtjes së nënave, të balancës mes karrierës dhe amënisë, të pensionit për nënat me katër fëmijë, të fertilizimit in vitro, HPV-së, të vaksinave falas, etj. Një ndër metodat e nxitjes së lindjeve që përdorin qаrqet nacionaliste është edhe aksioni i llojit, “Thuaj jo abortit” (abortus.Ne.org).
I kësaj vije është edhe emisioni i sipërpërmendur, i huazuar si ide nga një produksion serb që ka të njëjtat qëllime: t’i ndihmohet Serbisë, që çdo vit humb nga një qytet rreth 40.000 banorësh. Vërtet koha është për bebe, por ama duhen edhe kushte, e para së gjithash besim, bindje se familja të mban në jetë edhe biologjikisht, edhe shpirtërisht. Besim në rizkun hyjnor, bindje e thellë se çdo fëmijë vjen në këtë botë me furnizim. Pra, shumë më tepër duhet të punohet në ndërtimin e psikologjisë njerëzore, në bindjen e tyre se fëmija nuk është vetëm ngarkesë, por edhe satisfaksion, se familja është bekim, se të qenit single është shenjë e mjerimit, e problemit me vetërealizimin.
Eshtë botëkuptimi modern ai i cili e dërrmon familjen tradicionale dhe që krijon familje nukleare, që lufton vlerën e shumëfëmijësisë. Shqiptarët, falë elementit të traditës dhe religjiozo-islam, ende po mbahen në aspektin familjar; janë populli më i ri i Europës. Një nga siglat e diplomacisë publike kosovare është, “The Young Europeans” (Europianët e rinj).
2. Kryetari i partisë Bashkimi Demokratik për Integrim ishte mysafir më 24 dhjetor në emisionin, “Rruga drejt“, në televizionin kombëtar Alsat-M, ku, mes të tjerash, në pyetjen se si ndjehet lidhur projektin ultranacionalist “Shkupi 2014”, pas një “sallate fjalësh” dhe vërtitjeje në vend pa thënë gjë prej gjëje, si vlerë shqiptare përmendi shtatoren e Skënderbeut në anën e majtë të Vardarit (që s’është projekt shtetëror, e as ka të bëjë me projektin “Shkupi 2014”), realizuar me një shumë qesharake përballë 500 milionë eurove të barok-revolucionit gruevist, që synon t’ia ndryshojë kiminë kryeqytetit të Maqedonisë, ta deshqiptarizojë dhe ta sllavizojë atë.
U ankua ndaj pyetjeve me spec, dhe nxori nga xhepi e na fali një spec-hero, të panjohur shqiptarisht. Një hero kontradiktor maqedonas u shqiptarizua për një çast me një shkop magjik ahmetist: mes të tjerash tha se kishte mësuar që Petar Çaulevi, me statujë të bërë nga qeveria, ka prejardhje shqiptare. Dhe natyrisht, pa pritur, përmes veglës mobile, në facebook, Çaulevit i dëshiruam mirëseardhje në mesin tonë, në familjen gjithshqiptare, ndonëse post-mortum: “Ej Petar Çaulevi ynë shqiptar, që s’të paskemi njohur! Karshi karshi me Skënderbeun. Sa të mençur i kemi politikanët; i detyrojnë maqedonasit ‘nga padija’ të vendosin nëpër kryeqytet figura kombëtare shqiptare.”
Në fakt kush ka qenë Çaulevi? P. Çaulevi (1882-1924) është një revolucionar bullgaro-maqedonas, një spiun i Sofjes, që ka bashkëpunuar me kryengritësit shqiptarë për ta luftuar Serbinë për interesa bullgare, për të shkëputur trojet shqiptare të Maqedonisë nga Serbia, e cila e kishte pushtuar këtë zonë atëbotë, dhe për t’ia bashkuar Bullgarisë, që shihte ëndrra që Bullgaria të pushtonte Ohrin, Manastirin, Velesin, Prilepin shqiptar, të krijonte Bullgarinë e Madhe (Xhemaili).
Eshtë e çuditshme se si një lider i një pjese të kombit me aq nonshallacë dhe shpërfillje mund të japë deklarata pa njohuri elementare nga historia, nga e kaluara jonë që tregon se “bullgari është sjellë edhe më keq se serbi”. Puna aq shumë bëhet lëmsh, saqë Çaulevin bullgarët e quajnë të vetin, maqedonasit VMRO-ist, e tani na doli edhe shqiptar! Kështu është kur s’ke atë që në politologji quhet power, fuqi e pushtet, për të bërë vepra vetjake dhe tenton të kontrabandosh histori në mediume, bastardim artistik nëpër male (Adem Jashari-Radushë), të propagandosh patriotizëm me fonde shqiptare të mëshirës (Hasan Prishtina-Shkup), me reketim-detyrim të afaristëve (Isa Boletini-Saraj)…
Çaulevi, një hero special dhe me spec për shqiptarët, një i panjohur të cilin e shenjtëroi raxhai ynë, që dita-ditës po thellohet në baltë! I njeh pyetjet me spec dhe prodhon heronj me spec. Popull: “Mbreti është cullak!” Mos dhashtë Zoti që të bëhet realitet thënia latine: “Qualis rex, talis grex” (Si mbreti, ashtu populli). /tesheshi.com/